Plotësohet numri 7501, i viktimave prej ligjit 7501

    492
    Sigal

    Në 1991, PS kërkoi ndarjen e tokës për frymë dhe në përdorim, PD kërkoi ndarjen për frymë dhe privatizim

     Informacioni që me erdhi dje, më konfirmonte këtë fakt:  Sipas evidencave të organeve të drejtësisë,  rezulton se është plotësuar numri 7501, i shqiptarëve të vrarë në këto 22 vite nga konfliktet (lufta civile), që ka nisur e po vazhdon të mos ndalet mes shqiptarësh, prej zbatimit dhe mbajtjes në fuqi vepruese, të Ligjit 7501 të ndarjes së tokave. Sipas informacionit, numri 7501 i viktimave të “luftës civile” për pronësi tokash është plotësuar në datën 12 shtator 2014, orën 08 e 25 minuta, në  Komunën e  Thumanë (Krujë), ku B.M ka vrarë vëllain e tij, L. M  për konflikt pronësie toke. Nuk besojmë se viktima (ndjesë pastë) që plotësoi numrin 7501 të të vrarëve prej zbatimit të ligjit “vrasës” 7501, do të jetë i fundit. Nëpër gjykata, bashki, komuna, qarqe, prefektura, polici e prokurori, dëgjojmë që depozitohen e krijohen përditë mijëra konflikte pronësie toke, trojesh, banesash mes banorëve të një fshati, të një qyteti e pjesëtarësh të një familjeje vëlla-motër, baba-fëmijë e deri tek mbesa e nipër. Urojmë, të mos ndodhin më vrasje e hasmëri për prona, por kjo duket e vështirë, mbasi zbatueshmëria e Ligjit 7501 është motivi dhe nxitja e këtij konflikti e tragjedie njerëzore mes shqiptarësh. Ata që kanë hartuar dhe kanë votuar ligjin “vrasës”, prej 22 vjetësh rrinë e bëjnë sehir se si vriten shqiptarët mes njeri-tjetrit, deri brenda familjes prej zbatimit dhe mbajtjes në fuqi të ligji të gatuar prej tyre.

     Ligji 7501, histori 22 vjeçare  me 6.2 milion gjyqe, konflikte, vrasje, hasmëri

     Përmasat sociale e ekonomike që ka marrë prej 22 vjetësh zbatimi i Ligjit 7501, janë të atyre natyrave e problematikave sociale, shkresore, shoqërore, ligjore e institucionale, sa sot pas 22 vjetësh, gjendemi përballë një katrahure pa zgjidhje. Janë broçkulla, ato që vendosin e predikojnë  me përbetime elektorale prej 22 vjetësh politika, parlamenti dhe qeveritë lidhur me të drejtën e pronës dhe kthimin e saj. Çështja e kthimit fizik të pronave është bërë “lesh Arapi” dhe këtë nuk e zgjidh dot as vetë… “Arapi”. E vetmja zgjidhje e mbetur është kjo: Shteti të shfuqizoj ligjin 7501 dhe të nxjerr ligj, për të transferuar të drejtën e administrimit të marrëdhënieve të pronës e trojeve tek pronarët legjitimë, për t’i krijuar ata raportet me ata që i posedojnë pronat dhe shteti të jetë vetë një arbitër për zbatimin e ligjit. Gjithë të tjerat si vendime, udhëzime, ligje, formularë, amendime, premtime elektorale, gjoja kompensime në lekë e me troje në bregdet, male, fusha, kodra etj, janë mashtrime fund e krye. Prej 22 vjetësh, çdo ditë bëhen qindra gjyqe, ndodhin konflikte, plagosje, shkëputje e hasmëri vëllezërish, divorce e vrasje palësh, komshinjsh, fisesh e krushqish me motiv pronat. Dhe sa herë flitet për kthimin e pronave, sa herë dëgjohen raste krimesh për pronat, vetiu mendja “ndal” tek Ligji 7501. Skema e kësaj katrahure ishte kjo: Në vitin 1992 u nda toka, u lejua dhe zaptimi masiv i tokave e pronave, pastaj u nxorën amendamentet dhe vendimet për zbatimin e ligjit 7501, me pasojë nxitjen, nisjen dhe vazhdimin edhe sot të konfliktit popullor për troje, “toka babe, gjyshi e halle”, për toka të sekuestruara në vitin 1946, për gardhe, pemë, vija uji, përrenj, trungje pemësh e shenja gurësh të përpara vitit 1500!  Deri në rastin e vrasjes së 12 shtatorit 2014, kur vëllai vrau vëllain në një fshat të Krujës për çështje kufiri pronësie, në Shqipëri janë futur në hasmëri afro 348 mijë familje pronarësh të vjetër me “pronarë” të Ligjit 7501, me pasojë vrasjen e 7501 personave, prej të cilëve 987 raste krimi brenda familjeve e fiseve. Konfliktet për shkak të vetëgjyqësive dhe vendimeve të padrejta të gjykatave e komisioneve të kthimeve të pronave në prefektura, komuna e bashki, kanë shkaktuar gjymtimin e afro 42 mijë peronave të çdo moshe, nga të cilët afro 40% brenda familjeve e fiseve. Konfliktet për pronën për shkak të Ligjit 7501, me nxitje “tokën e vjetër”, kanë krijuar konflikte, vrasje e hasmëri me pasojë ngujimin dhe arratisjen e afro 4800 familjeve. Prej vrasjeve “për pronën”, kanë mbetur afro 4000 fëmijë jetimë. Lidhur me qëndrimin shtetëror e politik ndaj problemit të pronave në Shqipëri, ka një tregues barabar sa tallës edhe shkatërrues psikologjikisht e konfliktual, mes shqiptarëve të shpronësuar në vitin 1945 dhe shqiptarëve të pronësuar me Ligjin 7501 në vitin 1992 e prapa. Për të sjellë vërdallë pronarët legjitimë, “pronarët e rinj” dhe zaptuesit e tokave e trojeve dhe për t’i për të futur ata në labirinthe procedurash e gjyqesh pa fund me njeri-tjetrin, në këto 22 vjet janë nxjerr 27 ligje për gjoja “njohje-kthim-kompensim pronash”, Janë nxjerrë 244 vendime, janë bërë 456 amendime, janë nxjerrë 252 udhëzime, 389 formularë dhe 11 dekrete presidenciale e pronat janë ende burim “lufte civile” mes shqiptarësh, brenda familjesh e fisesh. Sipas evidencave, në 22 vjet janë zhvilluar mbi 6.2 milion procese gjyqësore, me dhjetëra e qindra seanca për çdo proces, 60% e të cilëve kanë zgjatur prej 10-15 e madje edhe prej 22 vjetësh…!

    Box

    Ligji nr. 7501 i vitit 1991, si Ligji nr. 5 i vitit 1945

    Ligji 7501 është hartuar nga Qeveria e Stabilitetit e vitit 1991 (11 qershor-6 dhjetor 1991), me përbërje nga të gjithë forcat politike. U votua në parlament, në emër “të kthimit të pronës pronarëve legjitimë”, por realisht nuk kishte këtë objekt. Ligji famëkeq 7501, nuk ua ktheu pronat pronarëve legjitimë, por e futi procesin dhe të drejtën e pronës, në një labirinth pa krye e gjithë konflikte mes palëve pronarë-fshatarë përfitues. Gjithë procesi, me bazë zbatimin e Ligjit 7501 u realizua mbi “sekuestron” e tokave të pronarëve legjitim, duke i kaluar ato në pronësi e përdorim, për frymë popullsie në fshat. Kjo “reformë agrare”, nisur në maj 1992 me Ligjin 7501 datë 19 korrik 1991 dhe ende e pa mbyllur, është tipike si reforma agrare e shtetit komunist, nisur në 12 shtator 1945 me Ligjin Nr.5. datë 20.V.1945 dhe përfunduar totalisht, në 20 qershor 1946. Edhe pse kanë kaluar 22 vjet nga nisja e zbatimit të këtij ligji, ndarja e tokës me Ligjin 7501 është krimi më i rëndë  dhe “plaga” me e madhe sociale dhe problematike e shoqërisë shqiptare. Prona legjitime është futur prej 22 vjetësh në një korkolepsje ligjore, fizike, shkresore, sociale, konfliktuale, gjyqësore, vrasjeje e hasmërie, që nuk gjendet as formulë, as shtet, as ligj në botë që ta shkokoleps dot. “Luga e djallit” që e krijoi këtë situatë ishte parlamenti i vitit 1991 dhe qeveria e përbashkët pozitë-opozitë që hartoi dhe miratoi Ligji 7501, nëpërmjet të cilit prona nuk iu kthye pronarit, por u fal për numër familjarësh, atyre që ishin punëtorë në ferma e kooperativa bujqësore!.

        Ja çfarë përcakton Ligji nr. 5, i vitit 1945 

    1. Fshatarëve t’u jepet toka falas sipas numrit të frymëve në familje.

    1.  Çdo familje i jepet tokë sa për të siguruar një jetë sa më të mirë dhe më njerëzore.
    2.  Për mjetet e shfrytëzimit të tokës, pushteti ka parashikuar çdo përkrahje, si vegla pune, farë, vaditje, të holla financiare etj.
    3.  Tokat do ndahen prej “Komitete të Fshatarëve të Varfër”, të ngritur në çdo fshat e rreth,  me vrojtimin dhe drejtësinë e vendosur prej pushtetit popullor.

      Ja çfarë përcaktonte Ligji nr. 7501, i vitit 1991   

    1. Banorëve dhe personave që jetojnë në fshat, si dhe fermerëve të “NB”-ve, t’u jepet toka falas sipas numrit të anëtarëve në familje.

    2. Çdo familjeje, i jepet sipërfaqe tokë, të llogaritur sa për të siguruar të ardhurat personale familjare për jetë normale.

    1.  Për mjetet bujqësore, ato do të shpërndahen për mekanizatorët që kanë punuar në secilën ekonomik bujqësore,

    4. Qeveria, në bazë të ligjit 7501 “Për tokën”, do të bëjë mbështetjen me mekanikë bujqësore, me karburante, farë dhe kredi bankare.

    1.  Ndarja e tokave, do të bëhet nga komisionet e banorëve të zonës, të ngritur në fshat, komunë, rreth e prefekturë, nën mbikëqyrjen e pushtetit lokal.

    Përparim HALILI