Plazhi dhe Durrësi pa ujë të pijshëm, në gjumë e për pushime drejtuesit!

2024
Sigal

Në protesta banorët. Hotelet blejnë ujë nga autobotet e Ujësjellësit, të cilët nxjerrin përfitime të majme në këtë stinë
Me qindra familje të Shkozetit dhe të Spitallës në Durrës kanë dalë në protesta masive ditët e fundit si pasojë e mungesës së ujit të pijshëm në rubinetat e tyre. Uji nuk vjen prej ditësh dhe thatësira e ka shtuar edhe më shumë etjen e banorëve që kanë dalë në kërkim të burimeve nëpër fshatrat e Durrësit. Ndërsa hotelet, po blejnë ujë nga autobotet e Ujësjellësit, të cilët nxjerrin përfitime të majme në këtë stinë.
Plazhi
E rëndë është situata në plazh. Pjesa më e madhe e zonës turistikë nga Plepat deri në Golem nuk furnizohet fare me ujë të pijshëm dhe biznesi e siguron atë me autobot duke e blerë për të gjitha shërbimet. Biznesi i kësaj zone nuk shprehet madje e anashkalon të gjithë këtë situatë për të mos larguar pushuesit që kanë mbërritur. Pronari i një hoteli na thotë se çdo ditë blen minimalisht tre autobote uji me vlerë 30 mijë lekë secilin për të gjitha nevojat e hotelit dhe restorantit. “Nuk ka asnjë pikë ujë është e kotë të thonë se e kanë zgjidhur problemin, të gjithë baret lokalet dhe restorantet ujin e pijshëm, por edhe për shërbime të tjera e blejnë me autobote, të cilat shkarkojnë nga 20 apo 30 ton, njëherësh në depozitat që kemi. Më pas e ngjisim me pompa në dushet e hoteleve sepse ujë nuk ka”. Një vit më parë u pre edhe shiriti i inaugurimit të ujëmbledhësit të Manskurisë, i cili do të furnizonte me ujë të gjithë bregdetin, por ky investim prej miliona dollarësh nuk është vënë në funksion. Madje për këtë duhet të dalin përgjegjësit dhe shkaktarët e kësaj situate. Pushuesit dhe biznesi kërkojnë që të investohet seriozisht në rrugë dhe ujësjellës, nga të cilat varet edhe suksesi i biznesit.
Problematika
Banorët kërcënojnë me bllokim të rrugëve nacionale dhe të autostradës si pasojë e papërgjegjshmërisë së autoriteteve. Mungesa e ujit të pijshëm për më shumë se 2 muaj në këto zona është bërë edhe problemi kryesor për të gjithë komunitetin, i cili në temperatura të larta është detyruar të gjejë burimet natyrore, e të zërë radhë, apo blejë autobotë me ujë, për të përballuar edhe nevojat më minimale të familjeve. Banorët shprehen se kanë shkuar me dhjetëra herë në drejtorinë e Ujësjellësit, por nuk kanë marrë asnjë zgjidhje për shqetësimin e tyre duke akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë drejtuesit e Ujësjellësit për papërgjegjshmëri dhe mungesë totale korrektësie. “Kemi shkuar dhjetë herë tek Ujësjellësi duke u ankuar, madje kemi bërë edhe ankesa zyrtare, na thonë, mirë – mirë, do t’ju sjellim ujë dhe si përfundim po thahemi, po vdesim për një pikë ujë në këtë vapë që na mbyti”, shprehet banorët i zonës së Spitallës.