Plazhet më të ndotur: Currila, Golemi, Shkëmbi i Kavajës dhe Plepat

    553
    Sigal

    Alarm/ SHKSH: Gjendja e plazheve të vendit tonë është e mjerueshme

    Shqipëria jonë është vend i bekuar, me një vijë bregdetare prej 316 kilometrash. Megjithatë, zhvillimet e vrullshme të pakontrollueshme urbane kanë ndikuar jo pak mbi pastërtinë e tij. Shoqata e Konsumatorëve shpreh shqetësimin se Adratiku dhe Joni janë bërë pritësit e shkarkimeve urbane, industriale, bujqësore e blegtorale. Në ta derdhen jashtë çdo kontrolli pesticidet dhe kimikatet e papërpunuara të tokave bujqësore, mbetjet organike, të cilat përmbajnë fosfor e azot, viruse e baktere patogjene, metale të rënda, etj. Gjithashtu konsumatorët ankohen se plazhet e ndotura vijnë si rezultat i mungesës së kanalizimeve, të ndarjes dhe të sistemimit të kanalizimeve, të impiantit të filtrimit të ujërave, mungesa e punës dhe e fondeve të pushtetit lokal dhe të Ujësjellës – Kanalizimeve. Si rezultat  i ndotjes së ujërave kemi ngarkesa të larta mikrobiologjike në ujë. Kjo ndotje është më e madhe  në plazhin e Durrësit dhe të Kavajës. Sipas SHKSH-së ndotja më e madhe mjedisore është kryesisht në Currila, në plazhin e Golemit, të Shkëmbit të Kavajës dhe te Plepave, ku ankesat e konsumatorëve janë më të shumta dhe më të prekshme. Por gjendja  nuk është e zymtë vetëm në Durrës e Kavajës, por dhe në zonën e Vlorës dhe Velipojës. Këto ditë situata e rëndë me ankesa të shumta paraqitet edhe në Plazhin e Vjetër në qytetin Vlorës, përgjatë zonës së Skelës, si dhe në Plazhin e Ri, aty ku derdhen kanale të shumta të ujërave të zeza dhe heshtje totale nga organet përkatëse.

    Problematikat e hasura nga pushuesit:

    -Me mungesë të ujit të pijshëm në banesa e apartamente me orë madje dhe me ditë të tëra duke vështirësuar jetën e pushuesve në familje. E janë të shumtë ato turistë që shprehen se ujin po e blejmë, por ka mbetur rëra që ta paguajmë!

    -Ujërat e zeza në rrugë e kudo, të pranishëm në mjediset e pushuesve duke ndotur mjedisin përreth, por dhe duke u bërë burim i infeksioneve me pellgje ujërash, me mushkonja e brejtës, një kontaminim i drejtpërdrejtë e burim infeksioni për qytetarët e në mënyrë të veçantë për pushuesit.

    -Derdhja e kanalizimeve të ujërave të zeza në det.

    -Ambienti i papastër, kontenierët të pa pastruar, plehrat burim infeksioni.

    -lokalet me mungese të kushteve higjeno-sanitare të mjeteve përdoruese  dhe sidomos ushqimet e fastfood-et, tregtarët ambulantë me shitje të produkteve ushqimore jo të sigurta.

    SHKSH sugjeron :

    -Organet përgjegjëse të punojnë për të siguruar kushte dhe vende pushuese sipas standardeve.

    -Qeveritë lokale, duhet të menaxhojnë mirë punën  për të siguruar ujë të rrjedhshëm 24 orë, ambiente të pastra, të sistemohen plehrat e pafundme të lëna kudo përgjatë bregdetit, sidomos ato më të rrezikshmet qeset e plastmasit që bëhen burim infeksioni dhe sëmundjeje për një kohë të gjatë.

    -Të eliminohen ndotjet e drejtpërdrejta nga shkarkimet në det të ujërave të zeza, sepse jo vetëm plehrat janë shqetësuese.

    -P. Lokal, inspektorët të punojnë dhe të jenë aktiv në kryerjen e detyrës sipas ligjit.

    -Të ndërgjegjësohen bizneset për të tregtuar e shërbyer produkte cilësore.

    Dr.Cani: Uji i pijshëm i kontaminuar. Çdo ditë në Tiranë regjistrohen 400 të sëmurë nga aparati tretës

    Uji i pijshëm që rrjedh në çezmat tona është i pasigurt për shëndetin e konsumatorëve. Alarmin e ngre Kreu i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar, Dr. Islam Cani. “Fakti është që në këtë periudhë të nxehtë, në Tiranë kemi 400 vizita në ditë të regjistruara me sëmundjet e aparatit tretës, ku shumica janë fëmijë dhe mosha e tretë të cilët janë më të ndjeshëm ndaj ndotjeve mikrobike” shprehet Cani për “Telegraf”. Sipas kreut të SHKSH-së uji i pijshëm është i kontaminuar për shkak të tubacioneve të vjetra dhe kjo e bën atë të jetë larg standardeve higjeno-sanitare. “Nga këto kontaminime të ujit bëhet e pasigurt buka, gatimet, higjiena, sepse shenjat e infeksionit janë në çdo poliklinikë dhe në spitalin e fëmijëve, apo te infektivi rastet me sëmundjet e aparatit tretës janë të shumta, të cilat shkaktojnë bark, të vjella, temperaturë e dizenteri. Nuk mund të rrimë pa përmendur që edhe shtimi i klorit mbi standarde ka problemet e veta në shëndetin e qytetarëve” thotë Cani. Vitin e kaluar Instituti i Higjienës (shërbimi parësor) evidentonte mbi 17 pika kontakti të ujit të pijshëm si në rr. “Komuna e Parisit”, Sauk, në Shkozë, në Yzberisht, Kodër Kamëz, Bregu i Lumit etj, por edhe sivjet ka evidentuar dhe njoftuar për kujdesin që duhet të ketë popullata në konsumimin e ujit. Në SHKSH kanë ardhur ankesa për raste të tilla dhe në zonën e Kënetës në Durrës, Fier, Lushnje, Porto Romano etj. Dr.Cani shprehet se deri më sot, asnjë nuk i ka dëgjuar ankesat e SHKSH-së dhe sipas tij fajtor është Enti Rregullator i Ujësjellësit, ERU. “Ka qenë indiferent gjatë gjithë kohës ndaj kërkesave tona” shprehet Cani.