Platforma e re e qeverisë për pronat, dezinformon Strasburgun

    76

    Deklarata e shoqatës “Krahina Jonë Dukat, Tragjas Radhimë”

    Në lidhje me tryezën e rrumbullakët “Reforma Ligjore dhe Institucionale e AKKP-së”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë për problemin e pronës, Kryesia e Shoqatës “Krahina Jonë Dukat, Tragjas, Radhimë”, duke analizuar gjendjen aktuale të anarkisë me pronën dhe sa u thanë në takim deklaron sa vijon:

    Referatet e zv/ministrit të Drejtësisë z. Idlir Peçi, znj. Edlira Jorgaqi, drejtore e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, znj. Sonila Qato, drejtore e AKKP-së dhe diskutimet e përfaqësuesve të shoqatave të pronarëve, të Gjeodetëve dhe profesorëve të Fakultetit të Drejtësisë, evidentuan mungesën e shtetit ligjor dhe anarkinë institucionale. Panorama e Shqipërisë sot është anarkia institucionale, ku institucionet shtetërore në veprimtarinë e tyre të përditshme shkelin Kushtetutën, ku Kuvendi miraton ligje dhe Qeveria miraton vendime që bien ndesh me detyrimet kushtetuese, me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe detyrimin për të zbatuar kërkesat e përcaktuara në vendimin pilot të GJEDNJ (M. Puto etj). Kjo është rrjedhojë e faktit, se pas vitit 1991 me pronarët kanë gabuar rëndë politikanët e brendshëm, por dhe ndërkombëtarët që kanë mbështetur dhe financuar këtë situatë duke iu shmangur kërkesës së përsëritur prej 20 vjetësh të shoqatave të pronarëve që ndërkombëtarët të kushtëzojnë marrëdhëniet dhe ndihmën e tyre me detyrimin e Qeverisë për të respektuar Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

    Shoqata “Krahina Jonë, Dukat, Tragjas, Radhimë”, mbështet plotësisht Shoqatat “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti” të cilat shumë herë dhe prej shumë vitesh i kanë denoncuar aktet ligjore për pronat që janë në kundërshtim me Kushtetutën. Edhe ne i kundërshtojmë vendimet e fundit të Qeverisë për të pajisur me certifikata pronësie pseudo-pronarët e fabrikuar nga zbatimi i asaj pjese të Ligjit djallëzor 7501 (specifikisht, i Nenit 8 të atij ligji), që pronën e shtetëzuar e trajton si pronë të Qeverisë. Po ashtu Shoqata i denoncon ligjet për privatizimet dhe legalizimet e ndërtimeve pa leje, në favor të personave të tretë në zonat turistike, si dhe mosveprimet korruptive të policisë ndërtimore që ka lejuar shkeljen e ligjit për personat e tretë që kanë ndërtuar në pronat e të tjerëve.

    Financimi i ndërkombëtarëve në anarkinë e pronës

    Panorama e Shqipërisë sot është pragmatizëm dhe kleptokraci me financimet e ndërkombëtarëve dhe mbështetjen e Stefan Fyles. Kjo situatë, është vazhdim i politikës antipronar të Ramiz Alisë, e njohur si platforma e Katovicës, e zbatuar me fanatizëm nga Sali Berisha dhe Fatos Nano. Kjo fasadë demokratike është mbështetur moralisht dhe financuar nga ndërkombëtarët që kanë bërë veshin e shurdhur ndaj ankesave të shumta, ndaj ankesave dhe projektligjeve për zgjidhje të shoqatave të pronarëve. Me pak përjashtime si psh. Ambasadori i Holandës, që ka kritikuar haptas mungesën e shtetit ligjor, një pjesë e mirë e ndërkombëtarëve si OSBE, BE, KE, EURALIUS, nuk kanë reaguar në mënyrë të përshtatshme, duke i dhënë mbështetje morale kleptokracisë dhe korrupsionit me pronat në bregdet. Nga ndërkombëtarët ata më mëkatarët, që kanë shkelur rëndë parimet e solidaritetit dhe parimet e Kartës së Helsinkit, ne do të cilësonim Komisionerin Stefan Fyle dhe Ettore Sequi, po ashtu FMN, B.Botërore, USAID për faktin se e kanë financuar krijimin e kësaj anarkie edhe pse kanë qenë rregullisht të informuar për situatën. Jo vetëm kaq, por, si drejtuesve të politikës në Tiranë, edhe ndërkombëtarëve, shoqatat e pronarëve, krahas ankesave për situatën, iu kanë dërguar edhe projektligje për zgjidhjen e problemit. Përmendim projektligjin e fundit, të dërguar në Mars 2012, që nuk është marrë në konsideratë. Ky projektligj përputhet me detyrimet kushtetuese, plotëson kërkesat e vendimit pilot të GJEDNJ, korrigjon standardet e dyfishta dhe shumicën e gabimeve me pronën në periudhën e postkomunizmit 1991-2014, por ka rënë “në vesh të shurdhër”. Diskutimi i këtij projektligji do të materializojë patriotizmin dhe përgjegjshmërinë e deputetëve për postin e lartë që kanë. “Secili në pronën e tij” ose “Prona tek i zoti” nuk është problem i bindjeve politike, që mund të pengohet prej numrit të kartonëve dhe interesave vetjake, por është detyrim moral dhe kushtetues. Mjafton që ndërkombëtarët të kushtëzonin marrëdhëniet institucionale me detyrimin e Qeverisë që të respektonte detyrimet kushtetuese dhe korrupsioni pushtetar do ishte shumë herë më i vogël nga sa është sot, por këto institucione financiare janë treguar indiferent për respektimin e të drejtës së pronës. Dhe pasojat janë të njohura. Përvetësim nga oligarkia politike e majtë dhe e djathtë i tokave turistike, pasiguri sociale dhe niveli disa herë më i ulët për investime të huaja private në krahasim me vendet e tjera ish socialiste të Ballkanit, mbi 8000 të vrarë për konflikte pronësie, të deklaruara nga Shoqata e Pajtimit të Gjakrave, nga Kryeministri Edi Rama, ose bilanc lufte i deklaruar nga ish Kryeministri Pandeli Majko, por dhe shumë deputetë të tjerë.

    Ne, pronarët e shpronësuar nga shteti i diktaturës 1945-1991, nuk lypim lëmoshë nga asnjë parti politike apo Qeveri, askush nuk do të mund të na lerë pa Atdhe. Ne kërkojmë dhe guxojmë t’i mbrojmë të drejtat tona që i garanton qenia jonë autoktonë, tradita zakonore, Bibla dhe Kurani, Kushtetuta në fuqi, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.

    Platforma e re e qeverisë, vetëm sa shtyn afatet

    Për sa më sipër, siç u deklarua edhe në tryezën e organizuar dt. 24.10.2014 për pronat, ndjejmë detyrimin moral dhe atdhetar të theksojmë se: Platforma e maxhorancës dhe Qeverisë aktuale, për zgjidhjen e problemit të pronave nëpërmjet kompensimit financiar është e gabuar; praktikisht ajo shtyn afatet kohore, ndërlikon situatën dhe dezinformon ndërkombëtarët. Kjo platformë është vazhdim i rrugës së gabuar të Sali Berishës, përgjegjësi që ai e ka pranuar publikisht. Në mënyrë të ngjashme kanë gabuar, edhe drejtuesit e shteteve të ish kampit socialist që në fillim të përmbysjes së diktaturës, e trajtuan pronën e konfiskuar dhe të shtetëzuar si pronë të Shtetit, por perëndimi i kushtëzoi të zbatojnë detyrimet kushtetuese dhe ata u detyruan t’i korrigjojnë shumë shpejt ligjet që nuk respektonin të drejtën e pronës së trashëguar. Thellimi i dekadencës morale të politikës shqiptare për pronat, ka imponuar vetëgjyqësi ose rritje të korrupsionit. Nëse ndërkombëtarët nuk do të kryejnë asnjë veprim për të kushtëzuar Qeverinë, për korrigjimin e veprimeve të gabuara për kthimin fizik të pronës tek i zoti dhe kompensim në përputhje me Kushtetutën, duke përcaktuar dhe afate kohore për rregullimin e bazës ligjore, korrigjimin e gabimeve dhe duke monitoruar veprimet konkrete, ata do të vazhdojnë të jenë palë, që mbështet vazhdimin e dhunës shtetërore mbi pronën private, anarkinë dhe pseudodemokracinë ekzistuese.

    Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët dhe nuk është çiflig për t’u bërë “rrush e kumbulla” prej pragmatistëve që kanë dalë në krye të politikës pas vitit 1991. Ne u drejtohemi deputetëve dhe shqiptarëve të ndershëm që kanë parime, ideale dhe patriotizëm dhe që nuk kanë gëlltitur çorbën e Katovicës, që të mos lejojnë që prona në Shqipëri të vazhdojë të trajtohet si rast i veçantë, siç ju interesonte komunistëve të pakënaqur që pasi u vunë në krye të lëvizjes studentore që përmbysi diktaturën komuniste, po e prishin edhe më shumë Shqipërinë. Platforma e Qeverisë është e gabuar. Besojmë se Kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta dhe kryetari i PD-së z. Lulzim Basha, aktualisht, të veshur me pushtetin e drejtimit të politikës, nuk dëshirojnë ta shtojnë shkatërrimin që i ka bërë Shqipërisë politika e gabuar 1991-2014 me pronarët dhe ndryshimi i korsisë së gabuar bëhet pa faturë financiare, nëse ata bien dakord që të shqyrtojnë në Kuvend sa më parë projektligjin që kushdo mund ta lexojë në shqip dhe anglisht në sitin www.defendingproperty.com.

    Kur të marrë fund kjo maskaradë mund të themi se nisi Rilindja e Demokracisë. Kjo kërkon vullnetin e Kryeministrit Edi Rama, por dhe solidaritetin e Kancelares Angela Merkel dhe të ndërkombëtarëve, sepse Oligarkia në pushtet nga 1991-2013, me një pragmatizim kleptokratik dhe korruptim, vazhdon po njëlloj edhe sot t’i mohojë qytetarëve të drejtën për të gëzuar pronën e tyre të trashëguar.

    Pronarët e kanë humbur shumë besimin tek politikanët, por ne vazhdojmë të besojnë se, për problemet që shtrojmë publikisht në këtë letër, z. Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha, do ta mirëpresin dhe do të na kthejë përgjigje publike dhe po ashtu zgjidhja e pronës konform parimeve kushtetuese do gjejë mbështetje nga analistët dhe pjesa e shëndoshë e shoqërisë civile si dhe ambasadorët e BE, OSBE, KE, EURALIUS, FMN, B.Botërore, USAID.

    Jurist Axhem Ymeri

    Kryetar i Shoqatës “Krahina Jonë Dukat, Tragjas Radhimë”