Piro Tase: “Të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët”

    604
    Sigal

    Një vepër e spikatur për historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve

    nga Naim Kelmendi

    Vepra publicistike “Të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët”, e autorit Piro Tase, ngërthen në vete një gamë të gjerë interesimesh të të huajve në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët. Në këtë kundrim të historisë, duke pasur pra rëndësinë se çka mendojnë të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët, si na njohin dhe si na kundrojnë, si na çmojnë dhe si na vlerësojnë të tjerët, pikërisht këtu dhe qëndron primati i kësaj vepre më rëndësi edhe etnologjike, historike, gjithsesi dhe biografike e dokumentare…

    Që në hyrje të veprës Piro Tase sjell një mendim të artë do të thoshim, nga Philip Ëinn, që është si një lajtmotiv i veprës: “Ç’kënaqësi sikur dashamirës të Shqipërisë të gjenin kohë dhe të bënin përpjekje për të ndryshuar mendimin dhe gjykimin e tyre për këtë vend, ashtu sikurse fatmirësisht po më ndodh edhe mua…! Le të shpresojmë se djali jonë Aleksandër dhe djali juaj, Peter do të jetojnë në një Europë më të bashkuar..! Le të shpresojmë që të takohemi përsëri në Shqipëri, në kohë më të mira..! Jam i bindur se ditët që do të vijnë do ta bëjnë një gjë të tillë!”, Philip Ëinn, apo përshtypjet e një tjetri mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve,një personaliteti botëror, pra Perez de Kuelar duke u shprehur për Beratin se, “Pamë një gjë të paarritshme e të  papërsëritshme. Aty mundëm të  shohim një thesar të kulturës botërore. Ishte një kënaqësi që vizitova këtë pasuri të madhe të kulturës Shqiptare.  Shpresoj që ky qytet i admirueshëm të konsiderohet dhe të respektohet si një pasuri kulturore njerëzore”. (Perez De Kuelar për Beratin – 1990)

    Piro Tase qëmton me riaktualizimin e fakteve e thënieve që ngërthejnë në vete segmente dhe etapa të historisë sonë edhe për prejardhjen e shqiptarëve në hapësirat e tyre etnike ku jetojnë me shekuj, ai do na vëmendësojë edhe me thënien e përkthyer nga Robert Elsie, “Mbi Historinë dhe Gjuhën e Shqiptarëve dhe të Vllehëve), Leipzig 1774, me autor, Johann Thunmann, i cili do të shprehej kështu: “Qëllimi im nuk ishte që të shkruaja një histori të gjatë dhe të plotë. Përpjekjet e mia kanë qenë vetëm për të hedhur dritë mbi prejardhjen e shqiptarëve ashtu sikurse shfaqet tek një numër i madh faktesh dhe dokumentesh të renditura në mënyrë kronologjike të cilat çjerrin errësirën, zhdukin konfuzionin dhe hedhin poshtë ato spekulime të paskrupullta mbi këtë popull, duke u përpjekur që ta bëj të njohur këtë vend përgjatë gjithë historisë së tij si një komb, i cili është ndër banorët më të vjetër të Evropës dhe që kanë ditur të mbijetojnë, megjithë fluksin e grekëve, romakëve, gotëve, sllavëve, frëngeve, italianëve dhe turqve…”

    Piro Tase denjon të shkoqis mendimet, dhe thëniet e të tjerëve, për historinë e ndritur të shqiptarëve që nga antikiteti dhe që nga prejardhja e shqiptarëve nga ilirët autoktonë në hapësirat e veta etnike, pra përgjatë shtrirjes së tyre gjeografike, duke e pranuar prejardhjen e shqiptarëve si pasardhës të ilirëve, pra që edhe nga pellazgët e hershëm… Rëndësia e parë e librit bie në atë se autori Piro Tase me zellin më të madh dhe punën shumëvjeçare, na sjellë një gamë interesimesh për Shqipërinë dhe shqiptarët me argumente edhe historike edhe etnike, ngase është si shumë relevante si na shohin dhe si na vlerësojnë të tjerët neve si komb dhe si etni dhe kulturën tonë të lashtë, në vazhdimësinë tonë etnike në gjeografinë shqiptare, në këtë pjesë të Europës dhe botës, duke i dhënë edhe botës edhe Europës nga qytetërimi ynë i lashtë e deri më sot.

    Autori Piro Tase në librin: “Të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët” denjon të hyjë thellë në histori duke gjurmuar pikëvështrimet historike të autorëve të njohur nga skena e historisë botërore, filozofike, politike, që nga antikiteti e këndej, duke e sublimuar në tërë rrjedhën historike, qëndrimin dhe pikëvështrimin e atyre që referuan për Shqipërinë dhe shqiptarët si autoktonë në trojet e veta etnike në vazhdimësinë shekullore, por dhe duke shpjeguar racën shqiptare nga aspekti edhe i psikologjisë, etnologjisë, mënyrës së jetës, karakteristikat e tjera, si luftarake, të mikpritjes etj, që nga koha edhe e luftërave iliro-romake e deri në ditët e sotme të ekzistimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

    Piro Tase duke u nisur nga motoja motivuese e krijimit të kësaj vepre, ai do të vjelë literaturë të gjerë dhe të vyer duke mbarështruar kështu një lëndë mjaft të pasur edhe nga aspekti historik e që në këtë libër historia e shqiptarëve na flet vetë nëpër periudha të ndryshme, por një vend të mirë zë historia e kohës së Ali Pashë Tepelenës, dhe luftërat e tij në kohën e imperatorisë osmane, si dhe marrëdhëniet e tij me Perëndimin, por një histori e mirë ndriçohet edhe nga qyteti karakteristik dhe i lashtësisë shqiptare, mbase më i veçanti i Shqipërisë, Berati, ku edhe është vendlindja e autorit, aty ku punoi dhe veproi deri në migrimin e tij në ShBA, por që kujtimin dhe dashurinë ia ktheu këtij qyteti të tij të lindjes edhe me këtë ndriçim të historisë së tij, brenda faqeve të këtij libri.

    Pra, vepra e Piro Tase: “Të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët” do të na servojë periudha të tëra të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve kundruar dhe shpjeguar nga këndvështrimet dhe përjetimet e të tjerëve, njohësve të huaj të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve, personaliteteve të shquar botëror, amerikanë, evropianë etj, dhe që kështu dalin shumë të fuqishme thëniet, argumentimet dhe pikëvështrimet e tyre, duke përbërë kështu një brumë të mirë për studime edhe historike edhe etnike edhe kulturore edhe të tjera mbi këtë vepër.

    Me veprën e tij “Të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët”, Piro Tase na kthen kujtesën te vetvetja ne shqiptarëve, që të kujtojmë veten dhe të ndjehemi krenar, për historinë tonë, për kulturën tonë dhe për lashtësinë tonë po ashtu, sepse këtë e vërtetojnë të tjerët që shkruan, folën dhe thanë për Shqipërinë dhe shqiptarët përgjatë kohëve e periudhave historike e deri në shekullin që po jetojmë.