Pilotja amerikane që bëri histori në luftën e Kosovës

    375
    Sigal

    Përpara 14 vjetësh kur më 24 mars mbi qiellin e Kosovës po fluturonin aeroplanët bombardues të NATO- askujt nuk ia priste mendja se një nga aeroplanët luftarakë drejtohej me përpikmëri nga një pilote amerikane 25- vjeçare, Nicole Ellingwood, e cila merrte pjesë për herë të parë në luftime. Kishte bërë shumë orë stërvitje si pilote, por edhe si instruktore, por ishte e para herë që po gjuante mbi objekte ushtarake. Për gati tre muaj ajo fluturoi sistematikisht mbi qiellin e Kosovës, duke u bërë engjëlli mbrojtës i grave, fëmijëve dhe popullsisë së pambrojtur shqiptare. Sot Nikole Robert Ellingwood (Malachowski), është nga më të mirat pilote amerikane me gradën majore. Është dekoruar me disa medalje dhe çmime të Ushtrisë Amerikane, medalja më e lartë është ajo që ka marrë si një heroinë gjatë fushatës së bombardimeve ajrore në Kosovë, për mbrojtjen e civilëve… Ajo është shquar për përsosmëri të jashtëzakonshme në goditjen e objekteve ushtarake serbe, edhe nëpër qendra të banuara, ose afër qyteteve ku ndodheshin bazat. Besohet se, Nicole është një grua e guximshme dhe mjaft e aftë, e para femër amerikane në historinë 60-vjeçare të aviacionit që është pjesë e skuadronit bombardues luftarak “Pilotët e vdekjes” (Thunderbird). Ajo hyn kështu edhe në analet e historisë amerikane të aviacionit, duke u renditur e suksesshme dhe me vlera të spikatura mes pilotëve burra. Deri sot pilotja numëron rreth 200 orë fluturime bombarduese në Kosovë (mars-qershor 1999 – 78 ditë) si dhe 10 ditë në Irak (prill 2003).

    Forcat luftarake-ajrore amerikane kanë gjithsej 568 femra pilote. Nga këto vetëm 71 prej tyre shërbejnë me aeroplanët luftarake. Disa pyesin se si është e mundur që një grua kaq e këndshme dhe simpatike mund të jetë një pilote heroinë, ndërsa ajo vetë thotë: “Unë, thotë Nicole, do të bëj detyrën ndaj atdheut tim, pavarësisht se mund të jem vendosur edhe në qendër të debateve, se si ka mundësi që një femër të kryejë këtë detyrë kaq të vështirë dhe me rrezik të madh për jetën”. Ajo është krenare për familjen e saj, bashkëshortin pilot dhe profesionin që ka zgjedhur. Pilotja amerikane, Nikole, ka kryer shkollën e mesme në vitin 1992 në Las Vegas. Është fëmija i tretë i një familjeje të vjetër amerikane (nëna quhet Cathy dhe babai i saj Robert Ellingwood). Nicole është e martuar me pilot, edhe ai me gradën major, por me origjinë ruse, i quajtur Paul Malachowski. Nicole u rreshtua në radhët e Flotës Ushtarake Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vitin 1996, pas diplomimit në Akademinë e Forcave Ushtarake Ajrore… Nicole Malachowski, nga Çikagoja, është e datëlindjes 1974 dhe njihet në SHBA si e para femër amerikane pilote me gradën major…
    Ajo shihet në SHBA si femra që ka bërë histori. Në muzeun e “Pionierëve të fluturimit”, hapur në Washington D.C, asaj i është rezervuar një pavijon i veçantë me fotot, video-xhirimet, shkrimet dhe kujtimet e pilotes, që nga Britania e Madhe, Kosova dhe Iraku. Tani ajo ndodhet në një bazë ushtarake në Korenë e Jugut, gjithnjë e gatshme për fluturim, gjithnjë e gatshme në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, vlera që më së miri i përfaqëson atdheu i saj, Amerika. Në jetën e saj, Lufta në Kosovë është kurora e historisë së saj luftarake.