Pikat e marrëveshjes së Zogut me Pashiçin për shitjen e Shën Naunit dhe Vermoshit

    791
    Sigal

    Pazaret e Ahmet Zogut në këmbim të mbështetjes serbo-ruse për rikthimin në 24 dhjetor të vitit 1924

    Zogu bëri shumë pazare me Shqipërinë. Dhe ai ishte një armik i popullit të vet. Për këtë arsye në qershorin e vitit 1924 patriotët shqiptarë me në krye Fan Nolin, nisën kryengritjen mbarëpopullore, pas vrasjes së Avni Rustemit, nga njerëzit e Zogut. Revolucioni i Qershorit triumfoi dhe Zogu u dëbua ose ia mbathi jashtë vendit. Revolucioni mjaft i suksesshëm e me pak gjak i Qershorit 1924, ngjalli xhelozi e smirë në mbretëritë e Ballkanit e në veçanti në Mbretërinë Jugosllave. Këtë e vërteton më së miri strehimi dhe pritja që Pashiçi i bëri Zogut dhe suitës së tij, duke i siguruar gjashtë muaj “trajtim” dhe “trainazh”. Qëndrimi i Zogut në hotel “Bristol” nën përkujdesjen e Qeverisë Jugosllave dhe sjellja e tij nën mbrojtjen e 8 000 bajonetave, ku bënin pjesë “fundërrinat” mercenare ndërkombëtare, ruse, bjelloruse, jugosllave etj., të cilat në dhjetor të vitit 1924, mbasi dogjën fshatra të tëra, të shpartalluara në Krumë të Hasit nga forcat e Bajram Currit, e ndërruan “kursin” e drejtimit dhe dolën nga Dibra, përmes Grykës së Radikës dhe pushtuan Tiranën. Çuditërisht Fan Nolin e kanë akuzuar duke i vënë epitetin “Peshkopi i Kuq”. Fan Nolin nuk e sollën në pushtet asnjë nga trupat sovjetike. Ai erdhi në pushtet me forcën e ligjshme të popullit pa ndërhyrje nga jashtë. Në rast se ka vend për të “taksuar” Nolin dhe Qeverinë e tij, është vetëm butësia dhe toleranca (kristiane) ndaj kundërshtarit dhe mungesa e theksuar e radikalizmit. Me rikthimin në pushtet, Ahmet Zogu vazhdoi “avazin” e pashallarëve paraardhës, të cilët sa herë e nxorën Atdheun e Kastriotit në “ankand” për ta shitur tek të tjerët.

    Rikthimi i Zogut

    Për të rimarrë pushtetin e humbur A. Zogu i kërkoi ndihmë qeverisë jugosllave. Në muajin gusht kryeministri N. Pashiç u tregua i gatshëm t’i jepte atij ndihmën politike, financiare dhe ushtarake për të përmbysur me dhunë qeverinë demokratike në Shqipëri. Por kryeministri serb i vuri si kusht nënshkrimin paraprak të një marrëveshjeje me të cilën A. Zogu merrte përsipër që kur të vinte në pushtet, të plotësonte një varg kërkesash politike, ekonomike, juridike, të cilat po të zbatoheshin do ta shndërronin Shqipërinë, tani një shtet i lirë dhe i pavarur, në një provincë autonome, nën sovranitetin e mbretit të Jugosllavisë. Marrëveshja, e cila u mbajt e fshehtë, u nënshkrua më 14 gusht 1924. Në nenin 10 të marrëveshjes thuhej se pasi Zogu të merrte në dorë pushtetin në Shqipëri, qeveria shqiptare duhej të deklaronte pranë Konferencës së Ambasadorëve se hiqte dorë nga pretendimi i saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe mbi lokalitetet e Vermoshit dhe Kelmendit, të cilat do të mbeteshin nën zotërimin e Jugosllavisë. Pavarësisht se ky ishte një premtim që A. Zogu i jepte N. Pashiçit, jo si kryetar i qeverisë por si një refugjat pa asnjë ofiq – ky premtim nuk e çliron A. Zogun nga njolla e turpit. Kur shpërtheu Revolucioni i Qershorit, kishin mbetur ende të pazgjidhura disa probleme kufitare me dy fqinjët e saj – me Jugosllavinë dhe me Greqinë. Prej tyre, kufiri shqiptaro-jugosllav ishte caktuar në parim nga Konferenca e Ambasadorëve që me protokollin e 11 gushtit 1913, nën emrin e kufirit shqiptaro-malazez në veri dhe shqiptaro-serb në lindje dhe në verilindje. Në bazë të këtij protokolli, gjithë krahina e Malësisë së Madhe, përfshirë Vermoshin me pyjet dhe kullotat e tij, i përkisnin Shqipërisë. Po ashtu Manastirin e Shën Naumit, në kufirin shqiptaro-serb, në jug të liqenit të Ohrit ajo ia linte Shqipërisë. Pas Luftës së Parë Botërore, qeveria jugosllave, si trashëgimtare e mbretërive serbe dhe malazeze e kundërshtoi kufirin në të dy këto sektorë, me justifikimin se kullotat me emrin Velipojë në Vermosh, u takonin fiseve kufitare malazeze, kurse Manastiri i Shën Naumit ishte për të një vend i shenjtë fetar serb. Pretendimin e saj qeveria e Beogradit e ngriti më 1919 në Konferencën e Ambasadorëve. Në të vërtetë, Manastiri i Shën Naumit nuk kishte karakter fetar serb, por shqiptaro-maqedon. Ai ishte ndërtuar në shekullin IX në kohën e Perandorisë Bullgare nga predikatori sllav Naumi, i cili kishte vepruar për mjaft kohë në Shqipërinë e Jugut. Kisha e ndërtuar brenda Manastirit i kushtohet kryeengjëllit Mëhill. Kisha e sotme është rindërtuar në shekullin XVI mbi themelet e kishës së vjetër nga popullsia e krishterë maqedone dhe shqiptare që banon në afërsi të saj. Muret e kishës kanë qenë pajisur me afreske të pikturuara nga piktori Nikolla, biri i Onufrit të madh nga Elbasani. Në ikonostasin e punuar në dru ka edhe ikona të punuara nga piktori shqiptar i shekullit XVII-XVIII Kostandin Jeromonaku. Në muret e kishës ka gjithashtu afreske të punuara nga piktori korçar Tërpo, i biri i Athanas Zografit, gjithashtu piktor me emër. Midis pjesëtarëve të Manastirit të Shën Naumit ka patur jo vetëm murgj, por edhe igumenë me kombësi shqiptare.

    Rrethanat

    Shqipëria pagoi një avokat francez për të mbrojtur çështjen e Shën Naumit në Hagë. Gjyqi u zhvillua në muajin korrik të vitit 1924 dhe vendimi u mor më 4 shtator 1924. Gjykata e Hagës e njoftoi Këshillin e Lidhjes së Kombeve se e njihte të drejtë vendimin që kishte marrë Konferenca e Ambasadorëve, më 6 dhjetor 1922, në favor të Shqipërisë. Ndërsa serbët në muajin gusht nxituan të bënin marrëveshjen me Zogun, për dorëzimin e Shën Naumit dhe zonës së Vermoshit, në këmbim të ndihmës që do i jepnin për të marrë pushtetin në Shqipëri. Dhe ashtu ndodhi nëpërmjet ndihmës së ushtarëve serbë dhe rusë, Zogu u rikthye dhe pushkatoi shumë nga mbështetësit e Fan Nolit. Dhe serbëve u dha Shën Naunin dhe zonën e Vermoshit.

    Kush është Shën Naumi?

    Shën Naumi (i njohur si Naumi i Ohrit) vdiq në vitin 910 dhe emri i tij iu vu një fshati piktoresk pranë Liqenit të Ohrit. Informacioni mbi jetën e tij të hershme është i pakët. Nuk dihet nëse ishte vendas apo i ardhur. Ai ka lindur  në vitin 830, në një rajon banuar nga ilirët, pushtuar nga romakët e më pas nga sllavët e jugut, Naumi u bë misioner i krishterë mes banorëve sllavë të sapo ardhur. Në vitin 867 u shugurua prift në Romë; për 22 vitet e ardhshme, punoi me Cirilin dhe Metodin (dy misionarë të tjerë të krishterë vendas) në përkthimin e Biblës në sllavishte dhe e përhapi atë në Moravi dhe Pannonia. Për krishtërimin e sa më shumë sllavëve, misionerët krijuan një alfabet në përputhje me tiparet e gjuhës, dhe më pas Cirili do të krijonte alfabetin e quajtur cirilik (sipas emrit të tij), që përdoret ende nga shumë gjuhë sot. Në vitin 905 në brigjet e liqenit të Ohrit, Naumi themeloi një manastir, i cili vazhdon të mbajë emrin e tij; edhe trupi i tij është varrosur aty. Në shekuj, manastiri provoi disa zotërime; shqiptar, bullgar, grek, serb, osman; ishte pjesë e Shqipërisë për një periudhë të shkurtër prej vitit 1912 deri me 28 qershor 1925, kur Ahmet Zogu ia dorëzoi Jugosllavisë, si gjest vullneti të mirë. Sot, manastiri i Shën Naumit është një nga destinacionet turistike më të njohura në Maqedoni, Ballkan, Europë e më gjerë.

    16 pikat e marrëveshjes Nikolla Pashiç- Ahmet Zogu që u firmos më 14 gusht 1924

    1. Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.

     2. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njohë dinastinë Caragiorgvitch.

     3. Qeveria Jugosllave, me gjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake, do të njohë Ahmet Zogun si kryetar shteti …dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit.

     4. Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri kombëtare.

     5. Shqipëria do të mbajë një gjindarmëri aq të fortë sa të mbaj qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar e çfarosur çdo lëvizje të ngritur kundëra Ahmet Zogut dhe kundra regjimit të vendosur prej tij.

     6. Në këtë gjindarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rus të ish ushtrisë të Gjeneralit Ërangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë gjandarmëri me mjete financiare dhe armë.

     7. Në gjandarmëri mund të hyjnë për të shërbyer edhe oficerat jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranoi në interes të dy vendeve.

     8. Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganal në bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve. Edhe transiti nëpërmjet kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve.

     9. Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllav do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të saja jashtë shtetit.

     10. Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Klementit që mbeten në zotrimin e Jugosllavisë.

     11. Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopulit dhe të bashkohet gjerarkisë Ortodokse të Beligradit, kështu dhe Myftinia Myslimane Shqiptare, do të varet nga ajo Jugosllave.

     12. Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranoi në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave.

     13. Për çdo koncesion që Shqipëria do të bëjë vendeve të tjera ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia.

     14. Në qoftë se Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t’i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek.

     15. Qeveria shqiptare nuk mund t´i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventiv të Jugosllavisë.

     16. Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy anëve.