Pezullimi i testimit, mjekët: Protestoni, jemi në rrugë të mbarë

    352
    Sigal

    TIRANE – Pezullimi i testimit që pritej të mbahej të shtunën ndaj rreth 13 mijë infermierëve është vlerësuar si një hap i mbarë në rrugën e protestave kundër testimit të përgjithshëm ndaj bluzave të bardha. Në protestën e radhës të mjekëve të mbajtur në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tritan Kalo, mjeku i cili ka kryesuar protestat, i bëri apel kolegëve që të mos kenë frikë dhe të mos i ndalin protestat deri në anulimin e testimit.

    “Bluzat e bardha që të mbeten të bardha duhet të punojnë në kushte të bardha. Nuk është korrupsioni në shëndetësi që po gropos shtetit, korrupsioni është në çdo nivel të tij. Korrupsioni nuk ka ngjyrë dhe nuk vjen nga poshtë dhe luftohet nga lart poshtë, nga poshtë-lartë bëhen ndryshime sociale të shoqërisë. Duke thyer frikën do të bëjmë njëkohësisht të thyejmë hallkat që meritojmë të kemi, dhe të kemi pagat që meritojmë jo të diskreditohemi. Kujtoni vetëm një gjë është vetëm fillimi, fillimi i mbarë gjysma e punës por ka mbetur edhe gjysma për të fituar”, u shpreh mjeku Tritan Kalo.

    Çështja mbërriti në Gjykatën Administrative ku mjekët kërkojnë tërheqjen e qeverisë nga ky vendim. Gjatë së enjtes, Gjykata vendosi të pezullojë testimin e infermierëve të paktën deri në përfundimin e gjykimit dhe marrjen e një vendimi.