Petrit Vasili: Politika duhet të ndryshojë qasjen e saj. Jo më tension dhe presion social dhe politik

475
Sigal

Nënkryetari i LSI-së dhe njëkohësisht kryetar i Grupit Parlamentar të LSI-së, në intervistën për gazetën “Telegraf”, shtron domosdoshmërinë që politika duhet të jetë në një front unik politik përballë krimit. Për këtë, sipas zotit Vasili, politika duhet të ndryshojë qasjen e saj dhe të mos krijojë më tensione e presione sociale dhe politike. Pyetjes përse po vonohen reformat, zoti Vasili përgjigjet se “Reformat kërkojnë natyrshëm edhe shtrirjen e tyre në kohë, sepse, ndërkohë, duhet të ndryshojë mentaliteti”. Për zgjedhjet vendore, zoti Vasili shprehet se Aleanca  për Shqipërinë Europiane do të ketë, natyrisht, kandidatura të përbashkëta.

– Zoti Vasili, dje në Kuvend maxhoranca dhe opozita harxhuan shumë energji politike për të akuzuar njëra-tjetrën. Sipas jush, a ka substancë akuza dhe ndërakuza maxhorancë-opozitë për krimin dhe drogën?

– Mendoj se përballë krimit të organizuar duhet të ketë vetëm një front unik politik dhe dallimet politike natyrshëm zbehen, sepse e mira e madhe e qetësisë publike për qytetarët prevalon mbi gjithçka. Ndaj, çdo politizim i panevojshëm nuk ndihmon asgjë, përveçse mban gjallë një klimë konfliktualiteti të panevojshëm, i cili nuk e zgjidh, përkundrazi, e vështirëson përballjen e pashmangshme me krimin, në të gjithë gjerësinë e vet. Përballjet e mëdha me drogën nga ana e Policisë së Shtetit, si dhe me krimin në tërësi, duhen mbështetur pa asnjë hezitim, ndaj theksoj që të gjithë duhet të jemi “Tahiri”, duke evokuar një mbështetje totale dhe pa asnjë hezitim të atyre që kanë përgjegjësinë kushtetuese, që ta udhëheqin këtë luftë, si dhe të luftës pa kompromis me krimin, që shqetëson qytetarët dhe që ua vështirëson jetën e atyre.

– Përse ndodh kështu me politikën tonë, duke e bërë shterpë edhe zgjidhjen?

– Politika shqiptare duhet të ndryshojë qasjen e saj dhe të mos përsërisë pa asnjë dobi të njëjtat përballje të fillimeve të pluralizmit, duke mbetur e paemancipuar përballë një Shqipërie që ndryshon dhe që ka ambicie krejt të tjera dhe që janë të orientuara nga mirëqenia dhe qetësia dhe jo nga tensioni dhe presioni të vazhdueshëm social e politik, që i dekurajon qytetarët dhe shpresat e tyre. Debati dhe kontrolli reciprok nga ana e opozitës është i mirëpritur, si një funksion i natyrshëm i një demokracie pluraliste, por duke evituar rrëshqitjen drejt destruktivitetit ekstrem, i cili i ka lodhur e bezdisur qytetarët, duke ju humbur kësisoj edhe besimin e tyre tek politika, duhet pra një ndryshim rrënjësor i sjelljes në politikë.

– Ju si e gjykoni nismën e kryeministrit për të penalizuar edhe shpifjen politike?

– Ka pasur në të gjithë historinë e pluralizmit shqiptar një shpërdorim të frikshëm të fjalës politike dhe një degradim të rëndë të saj, drejt shpifjes me pasoja të rënda në seriozitetin e politikës dhe krijimit të realiteteve dhe të vërtetave të paqena, që nuk kanë ndihmuar aspak, as pluralizmin e as zbardhjen e të vërtetave, por, përkundrazi, ka ndihmuar në mbulimin e tyre dhe devijuar tërësisht rrugën për të shkuar tek e vërteta, si dhe ka krijuar një mosbesim të plotë, se të vërtetat të mund të zbardhen një ditë. Ndaj, ndarja me shpifjen, është një prerogativë e të gjithë politikës, në të gjithë gjerësinë e saj, për të mos e rrënuar imazhin e politikës si një instrument përbaltjeje, por për të ngritur atë në nivelin e një instrumenti, që ka përgjegjësinë madhe për udhëheqjen e përgjegjshme dhe të ndershme të vendit.

 –   Ardhja në pushtet e SYRIZA, mos do të thotë që dominimi i 2 partive tradicionale edhe në Europe, e djathta konservatore dhe socialdemokracia, po i mbaron misioni dhe duhen mendësi dhe platforma të reja politike?

– Nuk e shoh kështu siç thoni ju, në pyetjen tuaj. Fitorja e SYRIZA është shprehja e një qëndrimi të caktuar të zgjedhësve grekë, lidhur me zhvillimet në Greqi dhe që ka ardhur pas traumës së madhe financiare, me të cilën u përball ky vend dhe është një reflektim elektoral, që ky vend i ka dhënë problemeve të tij. Europa politike, ku dhe Greqia është pjesë e saj, ka një traditë shumë të gjatë dhe të konsoliduar politik dhe asnjë ndryshim politik i radhës, në një vend pjesë e saj, nuk mund të zhbëjë, apo të verë në diskutim atë, përveç se e pasuron me elemente të reja dhe me qasje të reja, që lidhen me dinamikën e zhvillimit të saj, por edhe raportet që Europa ka me realitetet globale, ku ajo është një nga aktorët më të rëndësishëm.

– Sipas jush, këtë maxhorancë kaq të madhe në kartonë në Parlament, çfarë e pengon që të kryejë reformat e mëdha që ka premtuar? 

– Maxhoranca po ecën me këmbëngulje në rrugën e reformave dhe pikërisht për këtë arsye ka edhe debat edhe dinamikë, politikë intensive. Reformat kërkojnë natyrshëm edhe shtrirjen e tyre në kohë, sepse, ndërkohë, duhet të ndryshojë mentaliteti, për t’u bërë pjesë aktive e tyre, si dhe ndarja me mentalitete të prapambetura të stanjacionit, të të kënaqurit me pak, apo të bashkëjetesës së pafuqishme, me negativitetet e të shkuarës.

– A mund të sterilizohet Kuvendi dhe politika nga kriminalizimi, vetëm me ngritje të komisioneve parlamentare, apo me dëshmi certifikimi të dëshmive të penalitetit të çdo deputeti?

– Ka një sensibilitet të rritur lidhur me gjithçka thoni dhe ky ndërgjegjësimi i ri, edhe moral, përveçse politik, është edhe mekanizmi bazë, që do të ndihmojë drejt një përfaqësimi politik gjithmonë e më dinjitoz dhe të denjë në institucionet e zgjedhura, si dhe në funksion të rritjes së autoritetit të tyre, për të udhëhequr vendin.

–  Jemi në prag të zgjedhjeve vendore. A ka ardhur koha që të departizohet dhe depolitizohet procesi i administrimit të zgjedhjeve edhe në Shqipëri?

– Besoj se kryesorja është zbatimi korrekt dhe pa kompromis i ligjit nga çdo aktor që merr pjesë në administrimin e zgjedhjeve, qoftë ky partiak, apo apartiak, ndërkohë, ka pasur hapa drejt administrimit të zgjedhjeve gjithmonë e më të pavarur nga politika.

– LSI-ja në këto zgjedhje vendore do të ketë kandidatët e saj, apo do të kenë kandidatura të përbashkëta me PS-në?

– Aleanca për Shqipërinë Europiane do të konkurrojë me kandidate të përbashkët dhe kjo është e natyrshme.

Duhet të jemi të matur dhe të jemi gjithëpërfshirës për ndryshimet kushtetuese

– Nga programi i kësaj maxhorance, për reformat që ka kryer dhe do të bëjë, të jepet përshtypja që ajo përmbys ato ligje që ka miratuar maxhorancat e shkuara, edhe pse atyre nuk u është tharë boja. Pyetja është: A mund të ndërtohet (ndonjëherë) shteti që pretendojmë, pa një vijimësi, vazhdimësi?

– Reformat janë të lidhura shpesh me ndryshime dhe pasurim legjislacioni, kjo është historia e të gjithë pluralizmit të kultivuar kudo në Europë e më gjerë, ndaj nuk duhen ushqyer frikëra dhe hezitime të panevojshme. Korpusi ligjor, mbi të cilin funksionon shteti tek ne, është tepër i gjerë dhe i krijuar ndër vite dhe ky është një themel i palëvizshëm, përmirësimet dhe ndryshimet janë të nevojshme, për të reflektuar dinamikën e një Shqipërie që zhvillohet dhe që ka një histori të shkurtër të pluralizmit politik, ndaj nuk shoh ndonjë shqetësim lidhur me këtë çështje.

 – A mund të realizohen dhe të kenë pritshmërinë e duhur reformat e thella, pa ndryshime kushtetuese?

-Nuk ka arsye që arsyetimi të fillojë me ndryshimet kushtetuese, nëse ka nevojë për të tilla ndryshime kjo do të vijë pas një analize gjakftohtë të të gjithë problematikës dhe konsultimit të gjerë të ekspertëve dhe ky duhet të jetë një proces i përgjegjshëm dhe pa paragjykime.

 – Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA