Petrit Vasili: Konsensusi me opozitën për 6 ligjet do të ishte i mirëpritur

470
Sigal

Gazeta Telegraf/

 

Prononcimi
për median i Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili 


Z. Vasili,
keni votimin më në fund të paketës së 6 ligjeve që bëjnë funksionale reformën
në drejtësi. Vetëm për njërin opozita ka shpallur konsensusin dhe e ka votuar në
komision. A do të ishte mirë që të ishte i njëjti konsensus edhe për ligjet e
tjera?

Sigurisht, konsensusi do të ishte i mirëpritur, pasi
ligjet në themelin e tyre interpretojnë ato dispozita kushtetuese, të cilat u
ndryshuan. Pra, amendamentet kushtetuese të cilat janë jo pak siç është e
njohur gjerësisht, është votuar me një konsensus të gjerë. Ose më mirë të themi
me një konsensus të plotë, siç e kujtoni mesnatën e 21-22 korrikut. Edhe fryma
e ligjeve është pikërisht për të zbërthyer instrumentet që i bëjnë këto ndryshime
kushtetuese të zbatueshme. Për mua është për t’u vlerësuar që u arrit
konsensusi për një ligj relativisht delikat siç është ai për Prokurorinë
Speciale dhe Byronë e Hetimit, pasi siç dihet është një instrument i
përzgjedhur në luftën kundër korrupsionit dhe çështje të tjera që i takojnë
fushës së tij, dhe besoj që reforma në këtë pikë ka dhënë një përgjigje të
rëndësishme dhe të gjithëpranuar politikisht.

Dhe ky është padiskutim një lajm i mirë dhe një
arritje pozitive. Dhe jemi pro që konsensusi është plotësisht i mundshëm. Në
qoftë se ecet me një frymë mirëkuptimi, pasi besoj se ky ishte një nga ligjet
më të vështira si një praktikë e re në Shqipëri. Janë institucione që nuk kanë
ekzistuar kurrë më parë, institucione krejtësisht të reja. Dhe në këtë pikë
besojë dhe mendoj që gjithmonë ka hapësira për mirëkuptim. Por megjithatë
themelore është që kemi një paketë e cila përmbyll paketën e 7 ligjeve
prioritare, pasi siç ju e dini ka edhe ligje të tjera që do të shoqërojnë
reformën, por sigurisht nuk janë të kësaj peshe të jashtëzakonshme që kanë këta
7 ligje, dhe në fund të fundit përmbyllin këtë etapë të rëndësishme. Dhe
sigurisht pas miratimit të tyre kemi instrumentet e duhur që reforma të fillojë
të zbatohet konkretisht. Ky është edhe opinioni. Sigurisht, është për t’u
përshëndetur dhe në pikëpamje politike, por edhe në pikëpamje praktike,
miratimi me konsensus i Prokurorisë Speciale dhe Byrosë së Hetimit. Është besoj
një finish i rëndësishëm në këtë ligj që u arrit me mirëkuptim të gjerë.

A ndani
të njëjtin mendim, që duhet të gjenden nga befotrofi njerëz kaq pa lidhje që të
vendosen në krye të këtyre institucioneve të reja, pa lidhje interesi dhe
familjare për aq kohë sa rrethi i hetimit është shumë më i gjerë. Hetimi
personal, të familjarëve, deri në rang krushqie të këtyre zotërinjve të Byrosë
së Hetimit, të Prokurorisë Speciale dhe gjyqtarëve. A ekzistojnë realisht në
Shqipëri njerëz të tillë? Ndani të njëjtin shqetësim me disa deputet të PS?

Nuk i njoh këto qëndrime që ju më citoni. Por unë
i qëndroj parimisht dy momenteve të rëndësishme. Edhe parashikimet përkatëse në
Kushtetutë për Prokurorinë Speciale dhe Byronë e Hetimit janë miratuar
konsensualisht, pra me të gjitha votat. Po kështu edhe ligji përkatës që
zbërthen ndryshimin përkatës kushtetues, është miratuar me një konsensus të
gjerë. Dhe ky konsensus i gjerë i rrëzon të gjitha komentet e tjera.

Ndërkohë,
ku keni pasur vërejte në komision përsa i përket faturës financiare të reformës?
Keni kërkuar nga qeveria që ta zbardh atë. Tashmë kur qeveria e ka miratuar, a
ju duket e përshtatshme për të vënë në funksionon strukturat e reja të
drejtësisë?

Ne kemi kërkuar si Grup Parlamentar i LSI-së, që
ta kishim në tavolinë një vlerësim ekonomik të detajuar, së bashku me faturën
përkatëse financiare, pasi është fare qartë që ngrita e institucioneve të reja
në drejtësi, pra një gjyqësor që qeveriset në një mënyrë krejtësisht të re dhe
të reformuar, sigurisht pa mbështetjen e duhur financiare ka mjaft element
konkret në praktikë, të cilat bëhen të pamundur për t’u realizuar. Qeveria
është përgjigjur me një faturë të detajuar financiare, që u mor në shqyrtim
edhe në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi dhe në tërësinë e saj u
vlerësua si një mbështetje financiare për momentin e parë të reformës, pasi
bëhet fjalë për startin e reformës, që kjo mbështetje financiare e lejon
fillimin e implementimit të reformës.

Sigurisht, gjatë zbatimit të saj, në kohët që do vijnë,
do të ketë nevojë besoj dhe për mbështetje të tjera. Por reforma nuk rrezikohet
që të fillojë për shkak të mbështetjes financiare. Kjo mbështetje financiare e
mundëson fillimin e reformës, në mënyrë të veçantë për ato elemente që kanë të
bëjnë, jo vetëm siç rëndomtë thuhet për pagat ku përqendrohet një pjesë e madhe
e opinionit publik, por edhe mjaft elemente të tjera që lidhen me
infrastrukturën dhe mjaft instrumente të tjera që e bëjnë që të funksionojë.
Kështu që besoj se në fund të fundit kemi marrë një përgjigje të drejtpërdrejtë
dhe transparente, të shkruar dhe të detajuar, e cila ka argumentuar çdo element
përkatës bashkë me vlerësimin financiar. Dhe mbetemi që të besojmë që ky ka
qenë, se kështu u bashkënda edhe në komisionin e reformës, që ka qenë një
vlerësim besoj objektiv i nevojave që ka nga ana financiare për mbështetjen e
reformave në këtë moment.

A do e
cenonte këtë pjesë të paketës që pritet të miratohet në 6 tetor rrëzimi nga ana
e Gjykatës Kushtetuese të ligjit të Vettingut?

Nuk e kam një informacion të
tillë që ka një padi zyrtare nga ana e PD-së për këtë gjë. Kam dëgjuar
deklarimet publike, por jo një veprim konkret. Megjithatë edhe për Vettingun do
të thosha këtë gjë: që Vettingu është një instrument i gjithëpranuar. Ka
parashikime shumë të qarta në ndryshimet kushtetuese, të cilat janë pranuar
konsensualisht me 140 vota. Ligji i Vettingut në tërësinë e tij, pra që
zbërthen këtë ndryshim kushtetues, vetëm përpiqet apo merr përsipër të japë
detaje më konkrete të zbatimit praktik. Por për çështjen e Vettingun, problemi
më kyç ka qenë mirëkuptimi i madh politik në Kushtetutën e vendit. Dhe këtë e
kemi kaluar të gjithë së bashku me mirëkuptim dhe besoj që ky mirëkuptim i madh
është shumë më i rëndësishëm se sa elementët e tjerë që lidhen me ligjin.
Megjithatë është në vlerësimin e çdo force politike që të ndërmarrë veprimet që
ajo shikon të arsyeshme dhe pse jo t’i futet një drejtimi të caktuar, siç është
ankimimi në Gjykatën Kushtetuese. Ndonëse të them të drejtën nuk kam ndonjë
informacion për ndonjë parti zyrtare të PD-së në Gjykatën Kushtetuese në
informacionin tim.

Do të
kemi një Parlament më të pastër tashmë që do të kemi një byro kombëtare të
hetimit?

Besoj se ky instrument
tërësisht i veçantë, besoj që për nga veçantia mund të jetë unikal ndoshta edhe
në Europë, sepse me mënyrën e konceptimit është një nga nismat më të forta që
është marrë. Është i gjithi në funksion të kësaj, të një politike të pastër dhe
të një shoqërie shqiptare që në nivelet e larta të përfaqësimit të lartë
politik dhe shtetëror ka njerëz më të pastër. Besoj që e gjithë reforma është
orientuar pikërisht drejt pastrimit gjithmonë e më të madh të politikës, të
qeverisjes së vendit, të gjitha institucioneve që japin drejtësi, pasi dhe Vettingu
është një instrument pastrimi.

Pra është një paketë që synon
ta shëndoshë shoqërinë civile në nivelet e larta të përfaqësimit.

Bëhet
fjalë për parlamentin e ardhshëm z. Vasili duke pasur parasysh se kur ngrihet
Byroja e Hetimit?

Besoj se Byroja e Hetimit dhe
Prokuroria Speciale është një instrument afatgjatë pune, që nuk i referohet as
vetëm Parlamentit të radhës apo dhe as qeverisjes së radhës. Është një
instrument konstant, që do të vigjilonte mirë mbi sistemin politik, por dhe mbi
qeverisjen e vendit, kudo ku ligjshmëria shkelet apo korrupsioni shfaqet në të
gjitha nivelet e saj. Siç e dini, ligji nuk i orientohet vetëm politikës, por
kudo ku që shfaqet korrupsioni, dhe në gjyqësor dhe kudo në të gjitha nivelet.

Besoj që në këtë drejtim,
kurajo e politikës shqiptare për të miratuar një legjislacion të fortë, siç
është Prokuroria Speciale dhe Byroja e Hetimit është një përgjigje, një
vetëdije që nevoja për një pastrim është një domosdoshmëri pozitive për vendin.
Pra e ndihmon, e shëndosh vendin, nuk e sëmur.

Nga e
hëna pritet që të nisë dhe shqyrtimi i 35 ligjeve të tjera të mbetura të
paketës. A ka një afat se kur mund të mbarojnë?

Sinqerisht në tavolinën e punës
sonë nuk ka për momentin, sepse vëmendja është e përqendruar në paketën me 7
ligje. Sigurisht, për këtë etapë të re ku hyn reforma në drejtësi, sigurisht që
do të ketë një aktualizim tjetër të afateve. Është një gjë pozitive që ka një
përqendrim të fortë, që reforma në drejtësi të plotësohet me të gjithë
komponentët e saj sa më parë. Ju e keni parë që ky vullnet ka mbizotëruar. Jam
i bindur se kjo do të mbizotërojë edhe për këto ligje të tjera apo ndryshime të
tjera që duhen bërë për të përshtatur me reformën e re në drejtësi. Unë kam
konstatuar një vullnet të mirë, një vetëdije të mirë politike për të ecur
shpejt në këtë drejtim.

Nëse
Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin e Vettingut, a mendoni se kjo prek pjesën
tjetër të paketës në drejtësi. I referohemi deklaratave si nga mazhoranca dhe
nga opozita që e kanë cilësuar ligjin e Vettingut si thelbin e reformës. A
preket thelbi i reformës?

Thashë edhe njëherë më parë, që
në fund të fundit, ashtu sikurse ju citoni, mazhoranca dhe opozita kanë
bashkëndarë që ky instrument është një instrument i domosdoshëm. Nga kjo ka
buruar edhe konsensualiteti, besoj unikal i arritur për këtë çështje në
ndryshimet kushtetuese, pasi Vettingu që të lind si një Vetting është se kemi
ndryshimet kushtetuese, që kanë mundësuar këtë gjë. Besoj se kjo vetëdije e
përbashkët sigurisht që ka na çuar në këtë ligj.

Unë nuk mund të hamendësoj asgjë se çfarë do të
ndodhë, sepse në këtë moment nuk kam një informacion edhe ju besoj se nuk ma
konfirmoni dot, që ka një padi konkrete të Partisë Demokratike, e cila është
shprehur publikisht për këtë çështje. Kështu që ne jemi këtu për të parë të gjitha
zhvillimet dhe sigurisht me të njëjtën vetëdije që çdo pengesë duhet kapërcyer
sa më parë, pasi sistemi i drejtësisë duhet të fillojë të funksionojë si në
sistem i ri.

Në fakt, pyetjen
e kisha në sensin a mban reforma në drejtësi edhe pa ligjin e Vettingut përtej
asaj çfarë do të bëjë PD-ja? Po nëse nuk do të ishte ligji i Vettingut a do të
mbante reforma në drejtësi?

Besoj se shtatë ligjet janë konsideruar një paketë
organike, ku secili ligj ka influencat pozitive reciproke. Pra, nuk është
thjesht dhe vetëm një kushtëzim mekanik, por fryma e reformës është që veprimi
i të gjitha ligjeve së bashku, i paketës, ndaj janë konsideruar një paketë e
përbashkët, dallimi për Vettingun nuk ishte një nxitim, por ishte një
domosdoshmëri, pasi Vettingu i paraprinte shumë proceseve të tjera.

Ju e dini që shumë njerëz të cilët do t’i
shërbejnë drejtësisë duhet ta kalojnë një filtër apo provë të tillë, ndaj dhe u
kalua përpara përveç edhe detyrimeve madhore që na lidhin me integrimin
evropian dhe mbështetjen evropiane për këtë pikë. Tashmë e kemi këtë
instrument, unë shpresoj që edhe ecuria e tij të jetë e paatakuar në të
ardhmen, sepse është në të mirë të procesit. Rivlerësimi është një proces i
domosdoshëm, besoj se me konsensusin e arritur përfaqësimi i opozitës në të
gjithë veprimtarinë e Vettingut është sinjifikative ashtu si edhe Komisioni i
Venecias ka kërkuar dhe besoj që thelbi i kontrollit reciprok të balancave
politike është i ruajtur. Personalisht e kemi votuar Vettingun si pjesë e
mazhorancës dhe si mazhorancë në tërësi dhe me këtë vetëdijen që në atë mënyrë
e mundëson nisjen e procesit të rivlerësimit.

Folëm për
projektligjin e SPAK-ut dhe njëlloj skepticizmi me të cilin është diskutuar
edhe në grupin parlamentar të PS-së. Përtej këtyre, në këndvështrimin tuaj, që
jeni edhe anëtar i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, sa e shikoni
të mundur aplikimin në realitetin shqiptar të ligjit të SPAK-ut, duke pasur
parasysh se ka disa veçori për kontrollet që kërkon të ushtrohen për ata që
duan të aplikojnë për prokurorë dhe gjyqtarë?

Sprova e Prokurorisë Speciale dhe e SPAK-ut ka
qenë një sprovë që shoqëria shqiptare të dilte mbi veten, ndaj dhe ajo ndërmori
një instrument të tillë kaq të fortë dhe kaq sinjifikativ. Në rast se nuk do ta
bënte këtë sprovë për të dalë mbi veten, do të qëndronte në rutinën e mëparshme
dhe besoj se nuk do të kishim nevojë për një projektligj të tillë.

Sigurisht, edhe pastërtia maksimale që kërkohet në
këtë rast është pikërisht kriteri themelor për ta imponuar këtë pastërti edhe
mbi të tjerët. Në rast se do të kishim një mekanizëm të kompromentuar që në
mënyrën e përzgjedhjes së drejtuesve të tjerë, sigurisht kjo do të reflektonte
edhe më tutje dhe pastaj do të riciklonte dhe sëmundjet e së shkuarës. Ndaj
sigurisht është një provë për të gjithë, por është një provë për t’u mësuar me
një standard të ri pastërtie puritanizmi shtetëror për të cilin shoqëria
shqiptare ka nevojë. Për këtë është ngritur dhe nevoja e një reforme në drejtësi,
për këtë është ngritur nevoja e pastrimit të përfaqësimit politik maksimalisht,
për këtë është folur gjatë dhe janë marrë nisma ligjore për dekriminalizimin.
Pra, shoqëria shqiptare ka pasur nevojë për pastrimin. Pa e kryer këtë proces
persona që do të drejtojnë që e kanë një pastërti të tillë maksimale, që
shoqërohet pse jo dhe me privacione përkatëse, nuk mund ta impononte dot një
standard të tillë edhe mbi ata që do të kontrollonte dhe ata që do të hetonte.
Kjo është bindja ime dhe mbi këtë bindje, përveç bindjes që bashkëndan e gjithë
LSI-ja, ne e kemi votuar edhe këtë ligj. Në rast të kundërt do të thoshim që po
riciklojmë një problematikë që në formë tjetër do të na rishfaqet përsëri.

Kanë
mbetur mbi 30 ligje të tjera që shoqërojnë paketën e reformës. A mendoni se
diskutimi i këtyre ligjeve duhet të vazhdojë të bëhet nga Komisioni i posaçëm i
reformës në drejtësi apo ato mund të diskutohen nga komisionet e përhershme
parlamentare?

Nuk kam një ide të kristalizuar për këtë çështje,
pasi sigurisht do të duhet që të flisnin profesionistët e fushës. Nëse do të
ishte më i përshtatshëm një instrument siç ishte Komisioni i posaçëm, që për
mua deri në këtë moment ka ezauruar pjesën thelbësore të reformës në drejtësi
apo disa ndryshime të tjera, nuk gjykoj që janë të një peshe të tillë kaq të
madhe siç ishin ndryshimet kushtetuese dhe paketa e 7 ligjeve.

Megjithatë, kushdo që do të cilësohet si mekanizmi
më efikas edhe për të ecur shpejt dhe për të ruajtur një cilësi të lartë, do të
ishte praktikisht i pranuar. Megjithatë, mendoj që një nga elementët thelbësore
të një reforme që ndërtohet si ngrehinë, ka elementet bazë, janë kryer tashmë
nga komisioni i posaçëm. Gjithsesi, kjo është një vendimmarrje politike që
bazohet mbi një analizë profesionale. Çdo të na thotë kjo analizë, sigurisht ne
do t’i bindemi. Rëndësi ka që reforma të eci shpejt.