Petrit Vargu/ Çdo gjë në QSUT organizohet në mënyrë të tillë, që pacientët të shkojnë te privati

    423
    Sigal

    Flet mjeku kardiolog Petrit Vargu: Shëndetësia nuk është cirk. Ka 3 javë që ministri i pa nga afër pacientët që mjekohen në korridoret e Urgjencës dhe asnjë ndryshim

    Mungesa e një bari të caktuar spitalor apo mosfunksionimi i disa hallkave në spitalin më të madh në Shqipëri, në QSUT, çon drejt privatit qindra pacientë. Duket sikur çdo gjë bëhet me dashje nga drejtuesit e shëndetësisë në mënyrë që të mëkojnë klanet e tyre të pangopura në kurriz të hallexhinjve shqiptarë. “Të shkon mendja ndonjëherë që çdo gjë organizohet, që pacientët të shkojnë në spitale private, pasi ngandonjëherë, edhe kur kemi furnizime recente, mungon vetëm një nga hallkat e zinxhirit të një procesi dhe në këtë mënyrë, procesi në tërësi nuk bëhet dot… Siç ndodhi para 5 muajsh, kur çuditërisht mungonin vetëm manifoldet (disa rubinete kauçuku të vogla) të cilët konsumohen njëlloj si dhe elementët e tjerë të hemodinamikës dhe pacientët shkonin tek privati në mënyrë të pamëshirshme, ose dergjeshin në krevatet e pavijoneve për mëse një muaj”, shprehet në një intervistë për “Telegraf” mjeku kardiolog Petrit Vargu. Mungesat në barnat spitalore, aq shumë të përfolura, janë një shqetësim i vazhdueshëm në Urgjencën e QSUT-së dhe të duket sikur ky shqetësim tashmë është bërë pjesë e normalitetit. Ajo çka në fakt nuk është normale për një shtet që aspiron që për 2 muaj të marrë statusin për në BE, është pamja që të servilet sapo hyn në Urgjencën e QSUT-së. Pacientë që mjekohen në korridoret e urgjencës. Por siç thotë dr. Vargu, edhe pse ministri i shëndetësisë z. Beqja e pa nga afër këtë situatë që prej tre javësh, situata vazhdon të jetë e njëjtë. Problematikat me ligjin e Prokurimit dhe të furnizimit janë një tjetër problematikë që kërkon zgjidhje të menjëhershme për eliminimin e mungesave të barnave spitalore sipas Vargut. Ndërsa përsa i përket nismës së fundit të Ministrisë së Shëndetësisë për kryerjen e analizave falas të popullatës nga mosha 40-65 vjeç mjeku kardiolog i sheh si kosto e kotë. “Kaq evidente dhe e pakoordinuar është lëvizja sa… Jo më larg se pardje ka filluar një fushatë për të kontrolluar analizat se mos mjekët bëjnë analizat kot. Unë po ju jap një shembull, ku në Qendrën Spitalore Universitare analiza e gjakut më e rëndësishme e sëmundjes ishemike nuk mund të bëhet, pasi nuk ka reagentë dhe ne i çojmë pacientët tanë tek klinikat private. Por kur jemi në këtë krizë, mundohu të bësh aksione që kanë incidencë shumë të madhe në profilaksi”, shprehet Vargu. Sipas tij ne duhet të bëjmë atë që bën gjithë bota, ku profilaksia është studiuar dhe bëhet për kancerin e gjirit, kancerin e prostatës dhe të qafës së mitrës, etj. dhe ne nuk duhet të shpikim profilaksi pa sens. “Për hipertensionin për shembull bota bën facilitete (lehtësira), por jo fushatë profilaktike. Këto janë vetëm flluska sapuni, kanë kosto të veçanta dhe që duan të proklamohen si të rejat në shëndetësi”, shprehet Vargu.

     Vazhdojmë me situatën spitalore. Si paraqitet situata në barnat spitalore, a kemi mungesa?

    Mungesa ka, megjithëse duhet të themi se situata është përmirësuar. Edhe në një mbledhje që na bëri drejtorja me nëndrejtoren, para dy ditësh, ne i thamë për mungesat që janë. Por unë dua të theksoj se problemi është të dish të organizosh, problemi është të njohësh problemet dhe të vesh kuadrin ligjor në dobi të pacientëve dhe jo në dobi të firmave. Mungesa e barnave nuk është prekur deri më sot, ashtu si mundohet të kalojnë shumë probleme të rënda që kanë të gjithë spitalet. Të shkon mendja ndonjëherë që çdo gjë organizohet, që pacientët të shkojnë në spitale private, pasi ngandonjëherë, edhe kur kemi furnizime recente, mungon vetëm një nga hallkat e zinxhirit të një procesi dhe në këtë mënyrë, procesi në tërësi nuk bëhet dot… Siç ndodhi para 5 muajsh, kur çuditërisht mungonin vetëm manifoldet (disa rubinete kauçuku të vogla) të cilët konsumohen njëlloj si dhe elementët e tjerë të hemodinamikës dhe pacientët shkonin tek privati në mënyrë të pamëshirshme ose dergjeshin në krevatet e pavijoneve për mëse një muaj. Sepse unë mendoj, nëse do të kishte dëshirë dhe njohuri që ky spital të funksiononte mirë, atëherë duhej të ndërrohej ligji i prokurimit dhe ligji i furnizimit të spitalit si kusht bazë për mbarëvajtjen e punës.

     Çfarë ka që nuk shkon me këtë ligj?

    Me një ligj prokurimi dhe furnizimi që shprehet “Furnizohet reparti N me këpucë ushtarësh dhe qafore, që furnizohet kopshti C me biberon dhe me pelena”, nuk mund të furnizohet QSUT, e cila është një objekt dhe institucion i një rëndësie të veçantë, ku nuk duhet të mungojnë asnjëherë ilaçet, disifektantët etj, pra drejtuesit duhet të kenë kurajën për të bërë një ligj të ri prokurimi koherent. Unë jam gati, meqenëse jam socialist dhe do të jem gjithmonë, nëse do të më thërrasin, të jap të gjithë njohuritë e mia në këtë fushë. Por kjo nuk bëhet as me intervista dhe as me fushata. A e di çfarë ndodhi kur fola për mungesën e ilaçeve, 3 muaj më parë? Morën 100 lasiksa që rrinin kot te Psikiatria dhe i sollën në repartin e pranim urgjencës. Por problemi nuk zgjidhet kështu. Duhet të ndryshohet  koncepti, duhet të ndryshohet ligji duke shfrytëzuar në radhë të parë sistemin e informatizimit në QSUT që megjithëse është në hapat e parë krijon kushte të favorshme për normalizimin e punës, për të krijuar standarde të reja, për të parë më larg nga e nesërmja në QSUT, por jo të jesh një aktor cirku që luan vetëm atë lojën me pjata, me shkopa në çdo moment dhe e vetmja detyrë që ke është të mos të bjerë pjata nga shkopi, ose e thënë ndryshe të mos ketë mungesë në masë të ilaçeve.

     Po përsa i përket listës së analizave falas për moshat nga 40-65 vjeç, a janë të mjaftueshme ato?

    Tani, unë, zonja gazetare, kam qejf, që sa herë të flas të them gjëra të reja. Këtë fakt e kam denoncuar si kosto e kotë. Kaq evidente dhe e pakoordinuar është lëvizja sa, po ju jap një shembull. Jo më larg se pardje ka filluar një fushatë për të kontrolluar analizat se mos mjekët bëjnë analizat kot. Unë po ju jap një shembull ku në Qendrën Spitalore Universitare analiza e gjakut më e rëndësishme e sëmundjes ishemike nuk mund të bëhet, pasi nuk ka reagentë dhe ne i çojmë pacientët tanë tek klinikat private. Por kur jemi në këtë krizë, mundohu të bësh aksione që kanë incidencë shumë të madhe në profilaksi. Se profilaksia është një domosdoshmëri për gjithë mjekësinë tonë. Përse nuk bëjmë atë që bën gjithë bota, ku profilaksia është studiuar dhe bëhet për kancerin e gjirit, kancerin e prostatës dhe të qafës së mitrës, etj. dhe mos të shpikim profilaksi pa sens. Se ne ngelëm gjithmonë “fanar ndriçues për botën”, që gjithmonë i mësojmë botës, por që bota, në fakt, vetëm i shikon, na ironizon dhe vazhdon punën e vet. Për hipertensionin për shembull bota bën facilitete (lehtësira), por jo fushatë profilaktike. A ka një 40 vjeçar që nuk e ka matur një herë tensionin në jetën e vet? Atëherë, çfarë do të bësh ti me depistimin, kur s’ka familje që s’ka aparat tensioni në shtëpi. Këto janë vetëm flluska sapuni, kanë kosto të veçanta dhe që duan të proklamohen si të rejat në shëndetësi.

    Sot ka ardhur koha e mjekëve të rinj. Sot ka ardhur koha që të futen në Shqipëri për të parën herë qelizat staminale, por që persona të veçantë e pengojnë. Janë teknika të reja, shumë të thjeshta, por që një 60 vjeçar nuk do të ulë hundën dhe të mësojë këto teknika. Sot në botë mjekohen 83 patologji, edhe shumë të rënda, me qelizat staminale. Qelizat staminale janë mjekësia e gjeneratës së katërt, ajo mjekësi që bota po e përqafon përnjëherë. Për ta shpjeguar, për ata që nuk e dinë; në lindje merret 15 cm kordon kërthizor dhe 65 ml gjak, konservohet në qendra të ndryshme, më e madhja është në Belgjikë, për 20 vjet e ke të ruajtur me kosto 1000-1500 euro dhe për çdo patologji që ka trungu familjar, këto qeliza që ruhen, mund të përdoren për 83 patologji të reja dhe numri do të vijë duke u rritur. Mund të shërosh patologji të ndryshme dhe sot është treguar që mund të shërosh dhe patologji kardiake me qeliza staminale. Këtu duhet të arrijmë ne dhe teknika është fare e thjeshtë, me kushte aseptike mëse normale. Dhe nëse një ditë do të shkonin mjekët e rinj 30 vjeçar për specializime në krye të gjashtë muajve do të kishim një software në burimet njerëzore të shëndetësisë që duke i shtuar hardware-in (spitali shtetëror) ne do të kishim një bum të paparë në shëndetësi. Kurse këtu këto teknika nuk i përmend njeri, jo se nuk i dinë, por sepse kanë vështirësi të pranohet e reja, e kanë frikë tërmetin në shëndetësi dhe druhen nga futja e inovacionit duke e parë atë si rrezikun më të madh për to.

     Para pak ditësh pata një të afërmen time në urgjencë dhe ishte për të vënë duart në kokë. Krevate nëpër korridore në urgjencën e QSUT-së?

    Kjo tashmë ka hyrë në normalitetin e punës. Kemi provuar me kolegët  disa herë që të stabilizojmë gjendjen, por problemi është që stabilizimi nuk vjen nga Urgjenca, ku mjekët janë të angazhuar dhe punojnë 24 orë për 24, ku nuk lëvizin dot nga vendi punës se e dinë se njeriu në çdo moment mund të iki dhe janë vënë totalisht në shërbim të njerëzve. Unë dua të them që kjo vjen nga keqvajtja e reparteve të ndryshme që kanë fluksin më të madh të pacientëve ku vlen për t’u përmendur reparti i Kardiologjisë, pasi 70% e pacientëve që vijnë tek ne janë kardiopatë. Natyrisht, kështu do të ndodhë kur tërhiqet një numër shumë i vogël pacientësh nga këto reparte. Edhe urgjencat e Neurologjisë (aktualisht janë tek ne, se po rikonstruktohet atje, po urgjenca do të rrijë këtu prapë) japin kontributin e vet në këtë rrëmujë jo të rastësishme. Që të dihet qartë, në të gjithë spitalet horizontale, siç është dhe QSUT, çdo grup shërbimesh ka urgjencën e vet. Mendo nesër, kur Spitali i Neurologjisë do të hapet dhe pacientët do të shkojnë nga urgjenca e centralizuar në Repartin e Neurologjisë në mes të shiut, ose me mjete të cila nuk janë adapte (të duhura) për transportimin e urgjencave të rënda. Pra, nuk ekziston ajo urgjencë dhe ajo gatishmëri që kemi për patologjitë e tjera, shërbimet spitalore të të cilave i kemi afër. Para tre javësh mora një funksionar të lartë të ministrisë për t’i treguar situatën e rënduar në urgjencë, si pasojë e mosfunksionimit si duhet të Repartit të Kardiologjisë. Ka qenë e premte. Të nesërmen, ditën e shtunë erdhi vetë ministri (nuk e di nëse rastësisht) për të parë situatën. Ai u çudit për gjendjen të cilën e kujtonte ndryshe, pa me sytë e tij pacientë të shtrirë nëpër tavolina, krevate nëpër korridore, pra, shkurt, një urgjencë jo të denjë për një vend të prapambetur Afrikan. E pra, prej asaj kohe asgjë nuk ka ndryshuar, për mendimin tim jo se nuk do ministri apo drejtoresha, por se fuqinë reale në spital e kanë njerëz të tjerë, përndryshe nuk ka sesi të shpjegohet.

     Si mendoni ju do të ishte zgjidhja më e mirë?

    Zgjidhja më e mirë? Së pari, të funksionojë ashtu siç duhet Hermodinamika, Aritmologjia dhe Kardiologjia në përgjithësi.  Mos të bëhen lista pritëse që ndoshta nesër do të rimbursohen. Nëse Kardiologjia do të punojë ashtu siç duhet, nuk ka pse pacientët të rrinë me javë të tëra për një procedurë të thjeshtë në spital. Thënë ndryshe, 30 ditë për të bërë një procedurë që bota e bën për 48 orë. Këto janë të gjitha kosto për spitalin që askush nuk i denoncon.

     Po për listën e barnave të rimbursueshme?

    Ky është një sukses i qeverisë Rama që me shumë guxim e zgjeroi listën e rimbursueshme, por siç thashë përsëri kemi mungesa dhe po nuk u prek problemi me themel asgjë nuk rregullohet, ju kujtoj shprehjen e famshme të Leopoldo Pirellit për gomat e veta “La potenza e nulla senza controllo” (Fuqia nuk është asgjë pa kontroll)…

    Problematika në urgjencën e QSUT-së

     Mungesa e barnave spitalore dhe disifektantëve

    Analiza e gjakut më e rëndësishme e sëmundjes ishemike nuk mund të bëhet, pasi nuk ka reagentë

    Para 5 muajsh, mungesa e manifoldeve (disa rubinete kauçuku të vogla) çonte pacientët te privati

    Analizat falas për moshat nga 40-65 vjeç kanë kosto të veçanta. Këto janë vetëm flluska sapuni, dhe që duan të proklamohen si të rejat në shëndetësi.

    Mungesa e krevateve spitalore, pacientë të shtrirë nëpër tavolina, krevate nëpër korridore