Petrit Ruka/ Isha në Tepelenë…

    915
    Sigal

    Hyra në Tepenë dhe Drejtoria e Erërave

    një tra të padukshëm ngriti mbi lumë,

    erdhe, tha Vjosa, që sapo më sheh,

    kotet si gruaja pranë burrit në gjumë…

     

    Erdhe, tha Kalaja, Aliu, kujtimet,

    Shtëpia nën dhé e babait të gjorë,

    ti qenke i lodhur, më flet Trebeshina,

    “mos do të lëshoj mbi supe ca borë?”

     

    Po mua s’më sheh, thotë puthja e parë,

    (t’u çafshin buzët po më harrove një ditë!)

    Për një orë letërsi më fton rruga e gjimnazit,

    ku më shumë se sa dhashë mora ca dritë…

     

    Erdhe më thotë, prej varrit, Viktori,

    Mësuesi koleg në fshatin malor,

    “Pa fshije vesërinë  tek sytë, vëllaçko,

    dhe hajde të qeshim, paçka se me zor..

     

    Në kafenetë e vjetra s’më lënë të paguaj,

    më të rejat më shohin si plepin e thatë,

    ku i ke kaçurrelat më pyesin dritaret,

    na merr, thonë shishet lart mbi banak…

     

    Vjen dhe më puth krejt lirshëm, pa drojë,

    një grua e bukur që mësim i kam dhënë(!)

    tek mosha e saj e pjekur si ftua,

    shoh që së fundi “çairin e kam ngrënë*”

     

    Dhe fshihem më tej tek kafe “Kalaja”

    shkruaj këtë këngë, të mos shkrehem në vaj,

    Or, bir, më flet nëna, nga bota pafund,

    – Mbahu, o jetë, kujtimet s’kanë faj…