Petrit DERVISHI/ Mjedisi, dita e tokës dhe një eksperiencë amerikane

    477
    Sigal

    Ambasada Amerikane në turin çiklistik me rastin e Ditës së Tokës, nga Shkodra deri në Sarandë

    Në kuadër të ditës së tokës, 22 Prill 2014 Ambasada Amerikane në bashkëpunim me ekipin çiklistik të Shqipërisë zhvilloi një tur çiklistik me qellim promovimin e mjedisit me moton #jetogjelbër. Në udhëtimin e gjatë në javën që promovoi ditën e tokës ekipi i çiklistëve amerikanë, i cili kryesohej nga Zv. Ambasadori Henry V. Jardine në turin e tij ndaloi në qytetet kryesore të Shqipërisë për promovimin e vlerave natyrore, por edhe atyre kulturore e historike të vendit tonë. Ky aktivitet, i cili pati si simbolik Ditën e Tokës, tregon më së miri rëndësinë që Ambasada Amerikane i jep mjedisit në Shqipëri duke e promovuar atë me përfshirjen edhe të personaliteteve më të rëndësishëm si, prania e zv. Ambasadorit amerikan.

    Gjatë turit të tyre nëpër Shqipëri, i cili filloi në qytetin e Shkodrës dhe mbaroi në qytetin e Sarandës. ekipi i Ambasadës Amerikane u ndal edhe në qytetin e Vlorës. Ndalesa e parë në këtë qytet ishte në ambientet e shkollës së mesme “Ali Demi” ku ekipi i çiklistëve u prit në një ambient mjaft entuziast dhe të ngrohtë, nga komuniteti lokal dhe nga të rinj që iu bashkuan nismës dhe shoqëruan ekipin amerikan me biçikletat e tyre. Në fjalën e tij përshëndetëse Zv.Ambasadori Z. Jardine shprehu mirënjohjen dhe kënaqësinë që nisma e tyre gjente kaq mbështetje dhe entuziazëm për promovimin e natyrës nën moton #jetogjelbër. Ajo që binte në sy, që në nisjen e turit çiklistik, por, edhe gjatë mirëpritjes në Vlorë ishte thjeshtësia e një personaliteti amerikan, si ajo e Zv. Ambasadorit Amerikan, i cili përshëndeti në gjuhën shqipe duke treguar edhe një herë dashurinë dhe pasionin për vendin dhe kulturën tonë. Nisma e ambasadës amerikane është mirëpritur dhe përkrahur menjëherë nga autoritetet dhe aktorët në nivel lokal në qarkun e Vlorës. Këtë e dëshmon më së miri edhe mikpritja e treguar nga Bashkia Orikum dhe komuniteti i kësaj zone gjatë ndalesës që ekipi i çiklistëve pati në këtë zonë. Në Orikum Zv. Ambasadori amerikan u prit nga kryetari i bashkisë Orikum Z. Gezim Capoj, i cili përgëzoi Z. Jardine për nismën e bukur në mbështetje të natyrës, por edhe promovimit të vlerave të saj në Shqipëri. Gjatë kësaj ndalese Zv.Ambasadori amerikan H. V Jardine pati mundësi të vizitojë edhe parkun arkeologjik të Orikut. Gjatë vizitës në këtë park, i shoqëruar nga personalitet e Bashkisë Orikum, dhe komuniteti vendas, u njoh me historikun e Orikut të vjetër dhe gjithashtu u informua nga zyra lokale e projektit mbi Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, si e para zonë e mbrojtur detare në Shqipëri.  Z. Petrit Dervishi, Moderatori lokal, i shoqëruar dhe nga Z. Doreid Petoshati, këshilltari lokal i projektit të UNDP-së për Zonat e Mbrojtura Detare dhe Bregdetare në Shqipëri informuan Z. Jardine mbi procesin e shpalljes së kësaj zone si park kombëtar detar dhe progresit të arritur në bashkëpunim me institucionet dhe aktorët e tjerë lokal.

    Më pas ekipi i çiklistëve amerikanë mori pjesë në një aktivitet të zhvilluar nga shkollat e mesme dhe 9 vjeçare të Bashkisë Orikum enkas për këtë aktivitet duke dashur që të bëhen pjesë e kësaj nisme mjaft të rëndësishme, si ajo e ndërmarrre nga Ambasada Amerikane. Në fokus të aktivitetit ishte natyra dhe promovimi i vlerave natyrore dhe kulturore të kësaj zonë. Në këtë aktivitet Z. Jardine, dhe ekipi që ai përfaqësonte, u njohën me piktura dhe vizatime të përgatitura nga nxënës të këtyre shkollave si dhe shijoi disa prodhime gastronomike tradicionale të zonës, të përgatitura nga vetë nxënësit. Në banketin e përgatitur nga shkolla e mesme “Hasan Pulo” Orikum, Z. Jardine bisedoi me nxënësit mbi rendësinë e promovimit të vlerave të kësaj zonë duke i inkurajuar ata për më tej në aktivitete të tjera në respekt të natyrës. Drejtoresha e kësaj shkolle Znj. Edlira Belo, falënderoi Zv. Ambasadorin amerikan për ndalesën dhe më tej shtoi: “Jemi të lumtur që jeni këtu sot, pasi zona jonë ka nevojë për aktivitete dhe mesazhe kaq të rëndësishme si ky që përcillni ju me aktivitetin tuaj”. Në vazhdim Z. Jardine vizitoi pikturat dhe vizatimet e ndryshme të përgatitura nga vetë nxënësit dhe për mënyrën sesi ata e perceptojnë atë, ai u shpreh: “Jam i lumtur dhe i surprizuar njëkohësisht që nxënës të shkollave fillore dhe të mesme kanë këtë lloj qasjeje dhe perceptimi, kjo më bën akoma më të lumtur”. Nxënës të ndryshëm shpjeguan punët e tyre në një bashkëbisedim, sa të veçantë aq edhe të ngrohtë, me Zv. Ambasadorin amerikan. Sjellja, qetësia dhe dëshira për të mësuar më shumë rreth zonës lanë përshtypje të jashtëzakonshme tek i gjithë komuniteti dhe nxënësit e pranishëm. Në fund të kësaj ndalese ata një zëri i kërkuan një foto kujtim Z. Jardine, si kartolina më e bukur për zonën.

    Më tej ekipi i çiklistëve vazhdoi udhëtimin e tij drejt pjesës jugore të Shqipërisë duke ngjitur zonën e Llogarasë, duke vazhduar më tej për në zonat më të bukura të bregdetit të jugut, Dhërmi e Himarë. Në zonën e Dhërmiut ekipi i çiklisteve, i kryesuar nga Zv. Ambasadori Z. Jardine, pati një takim miqësor dhe informal me kryetarin e Bashkisë Himarë, Z. Jorgo Goro. Takimi me Z. Goro, i zhvilluar në një klimë miqësore, vlerësoi edhe një herë nismën e Ambasadës Amerikane si mjaft të rëndësishme, e cila gjeti mbështetje mjaft të madhe në komunitet lokale në të cilat ndaloi.

    Në vazhdim ekipi i çiklistëve amerikanë i shoqëruar nga ekipi çiklistik i Shqipërisë bëri ndalesën e radhës në zonën e Porto Palermos në Himarë. Në këtë zonë Zv. Ambasadori amerikan u prit nga komuniteti lokal dhe përfaqësues të autoriteteve lokale, të cilët e ftuan dhe shoqëruan ekipin e çiklistëve për një vizitë në kalanë e Ali Pashës. Gjatë vizitës në këtë monument kulture Z. Jardine shprehu kënaqësinë e tij për mirëpritjen dhe vlerësimin për promovimin dhe ruajtjen e këtyre vlerave natyrore, kulturore dhe historike të zonës. Gjatë vizitës zv.ambasadori amerikan u njoh me historikun e kalasë së Ali Pashës, nga ciceroni i kësaj kalaje. N/ Kryetari i Bashkise Himarë, Z. Irakli Gjicali, njohu zv. Ambasadorin amerikan edhe me nismën dhe mbështetjen e Bashkisë Himarë për shpalljen e zonës së dytë të mbrojtur detare në Shqipëri, atë të Porto Palermos. Ky draft dokument është duke u përgatitur nga projekti i Institutit për Mbrojtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) dhe shoqatës Adriatiku. Kjo mbështetje konfirmon edhe një herë qasjen mjaft pozitive të kësaj bashkie në çështjet që kanë të bëjnë me mjedisin dhe natyrën. Nga ana e tyre prania e Ambasadës Amerikane, e përfaqësuar nga Zv. Ambasadori Z. Henry V. Jardine, është një vlerë e shtuar tejet e rëndësishëm në përpjekjet që bëhen sot dhe rëndësia që ka mbrojtja e natyrës, duke përdorur një simbolikë tepër domethënëse për këtë event, siç ishte turi me biçikleta nga Shkodra në Sarandë. Gjate vizitës në kalanë e Ali Pashës Z. Jardine u përshëndet edhe nga zëri simbolik i muzikës tradicionale himarjote Katina Rika, e cila përshëndeti ekipin amerikan me një këngë simbol të saj “Vajza e Valave”. Një propozim mjaft miqësor ishte ai që këngëtarja himarjote i beri Z. Jardine për të kënduar këtë këngë së bashku me të tek statuja e lirisë në Nju Jork, si simbol i lirisë dhe pafundësisë që transmeton vala e detit. Ajo u shpreh mjaft e emocionuar pasi kurrë më parë kishte mundur të takonte një personalitet të huaj kaq të rëndësishëm në vendin tonë. Z. Jardine u shpreh mjaft i surprizuar, dhe i lumtur njëkohësisht, për mikpritjen e komunitetit dhe falënderoi për këtë në emrin e tij personal dhe Ambasadës Amerikane. Ajo që bëri përshtypje, dhe mbeti e ngulitur në memorien e komunitet, ishte biseda që zhvilloi Z. Jardine me ta në gjuhën shqipe, si njohës mjaft i mirë i saj. Kjo bëri që ata të shprehen me superlativa për kulturën, dëshirën, qetësinë dhe durimin që shfaqi Zv. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë ndalesës për t’u njohur më shumë me vendin dhe kulturën himarjote. Disa prej tyre u shprehen se, “madhështia e një njeriu të madh tregohet pikërisht në këto gjëra të vogla, por domethënëse”. Një ndodhi kurioze ishte edhe biseda që Z. Jardine pati me Z. Mico Zhupa, përfaqësues i Shoqatës Bregdeti, e kërkuar nga ky i fundit. Në bisedën e tij Z. Zhupa i shprehu shqetësimin e tij Z. Jardine për çështjen e pronave në bregdet si një çështje mjaft të rëndësishme. Ai kërkoi ndihmën e Zv. Ambasadorit Amerikan që të mund të luaj rolin e tij tek autoritetet qeveritare shqiptare që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt, pasi sipas tij roli dhe vëmendja e Ambasadës Amerikane për ta është një shpresë më tepër. Z. Jardine pasi e dëgjoi me vëmendje shqetësimin e përfaqësuesit u përgjigj: “Ambasada Amerikane ka, dhe do të, inkurajojë qeverinë shqiptare për zgjidhjen më të drejtë të kësaj çështjeje, që duhet pranuar është mjaft komplekse. Duhet pasur parasysh se është një çështje mjaft e ndjeshme dhe kërkon vëmendje të veçantë. Çfarëdo që të bëhet do të ketë gjithmonë një palë më pak të kënaqur, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë qeverinë”. Pasi u përshëndet me të gjithë komunitetin dhe falënderoi edhe një herë për mikpritjen ekipi çiklistik vazhdoi udhëtimin e tij drejt destinacionit final, qytetit të Sarandës.

    I gjithë turi i Ambasadës Amerikane nëpër Shqipëri u paraqit drejtpërdrejt në rrjetet sociale, kryesisht facebook, nga Menaxheria për Mediat Sociale Znj. Migena Aliaj. Znj. Aliaj, e cila shoqëroi të gjithë aktivitetin, postoi në facebook çdo etapë dhe ndalesë të ekipit çiklistik nën moton #jetogjelbër në sesionin #Ndodhtani: të faqes facebook të Ambasadës Amerikane. Znj. Aliaj na thotë se: “Gjatë gjithë kohës kemi pasur komente dhe pëlqime të pafundme, të cilat mbështetën aktivitetin. Turi çiklistik në facebook ishte paralel me atë që zhvillohej në rrugët e Shqipërisë duke i sjellë më afër ndjekësit e panumërt të faqes facebook të Ambasadës Amerikane me nismën “Për një jetë më të gjelbër”. Pas një vështrimi të shpejt në faqen facebook të ambasadës shikojmë se, përfshirja e ndjekësve ka qenë e pafund dhe e pashterueshme në çdo ndalesë. Në komentet e tyre shprehet qartë mbështetja e tyre për këtë aktivitet dhe dëshira për të pasur sa më shumë të tilla në bashkëpunim edhe me qeverinë shqiptare. Po kështu vlerësohet me nota mjaft të larta edhe figura e Zv. Ambasadorit Amerikan, i cili jo vetëm ishte gjithmonë i pari në grupin e çiklistëve, por edhe mjaft energjik në ngjitjet e vështira në relievin e thyer të Shqipërisë, edhe pse në disa raste koha e keqe nuk ka qenë aleate me ta.

    Ky aktivitet i Ambasadës Amerikane tregon edhe një herë rëndësinë që ka natyra dhe mjedisi në një qasje globale për ruajtjen dhe promovimin e vlerave natyrore. Komuniteti lokal në këtë zonë mirëpriti dhe shprehu vlerësimin maksimal për këtë aktivitet, por njëkohësisht edhe nisma të tjera, duke treguar edhe një herë miqësinë e veçantë që i lidh ata me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.