Petrit BROKAJ/ Shkolla e Bratit, 100 vjet qendër dije edhe edukimi

    541
    Sigal

    Në këto 10 dekada, ky institucion shkolloi breza nxënësish e mbajti ndezur atdhedashurinë

    Pasi kalon qendrën e Kotës, aty ku quhet Qafa e Dushkut, degëzohen dy rrugë, njëra për në krahinën e Kudhësit dhe tjetra për në Lumin e Vlorës. Që të arrish deri në fshatin Brataj, ku  u mblodhëm për një ngjarje të madhe historike, duhet të lësh pas fshatrat, Gjormë e Lepenicë. Brati është edhe qendra e komunës. Është një fshat, ku kanë gjetur strehën e tyre atdhedashëse shumë ngjarje të shënuara të gjithë krahinës, sidomos pas vitit 1912. Është një fshat që themelet e origjinës i ka qysh në Lashtësi. Populli i tij (jo i vetmi i kësaj krahine), kur i është dashur Atdheut, i është gjendur në frontin e parë, i vendosur edhe për vetëflijim. Për të dëshmuar historinë e tij ka përdorur këngën dhe vallen “bratçe”, kurse për punë, më shumë ka mbajtur kërrabën e çobanit dhe asnjëherë nuk e ka hequr nga supi pushkën. Meloditë karakteristike të këngëve dhe fyellit të Bratit, vargjet e rapsodëve të dëgjuar që nga Mato e Selim Hasani e deri te më i riu Nexhip Sera, janë një pasuri tjetër dalluese, shkëlqyese, që hyjnë në thesarin shpirtëror të popullit tonë. Gjithë këto pasuri të tij, historike, shpirtërore, njerëzore, përbëjnë atë që e quajnë “Shkolla e Bratit”. Duke bërë këtë përshkrim, nuk më rrëmben egoizmi fshatarak dhe as lokalizmi krahinor, por dua të justifikoj atë  krenari të ligjshme që ndjejmë për një tjetër ngjarje të madhe, për 100- vjetorin e shkollës së parë të Bratit.

    HISTORIKU I SHKOLLËS

    Natyrisht, fillimet e saj janë si në gjithë shkollat njëqindvjeçare të vendit tonë. Ishin kohëra të vështirësive nga më të ndryshmet. Pushtim, analfabetizëm, varfëri, përçarje, pasiguri. Megjithatë, etja dhe përpjekjet për dije dhe arsimim, qysh para 100 vjetësh, përbënin ëndrrën dhe armën për fitoren e lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit. Gjurmët e para të mësimit të gjuhës shqipe në Brataj, i gjejmë në mejtepen e parë (shkollë fillore fetare ), që e hapën Beg Koçi, Manxhar Shahaj, Xefro Kongjinaj, Ramadan Ferraj etj.. Pastaj përhapja dhe mësimi i gjuhës shqipe u bë nga disa mësues shëtitës, ku në Brataj më i dëgjuari ka qenë miku i Ismail Qemalit, Memo Mete Brati, i cili futi edhe Abetaren e Sami Frashërit.  Shkolla e parë si institucion, u hap me vendim të Qeverisë së Ismail Qemalit më 1 nëntor 1913. Kjo quhet dhe ditëlindja e shkollës së parë të Bratit. Mësuesi i parë ka qenë Hasan Brahimi nga fshati Matogjin i kësaj krahine. Si godinë shërbeu shtëpia e Mehmet Vallaj. Duke kaluar nëpër rrebeshin e luftërave dhe vështirësive të panumërta, kjo shkollë rezistoi stoike në saje të mbështetjes popullore, duke e kthyer veprimtarinë e saj si një mision patriotik.

    SI NJË TAKIM BREZASH

    Të gjithë përvjetorët kanë solemnitetin dhe rëndësinë e tyre, por 100- vjetori është i veçantë. Është një bilanc i madh pune dhe një rrugë e gjatë, ku kanë lënë gjurmët e tyre breza të tërë mësuesish e nxënësish. Përveç të tjerash, jeta bën punën e vet. Ata që janë sot, mund të mos jenë nesër në përvjetorët e tjerë, ashtu siç nuk ishin në këtë ditë shumë nga ata që ishin në themelimin e saj dhe në vitet e tjerë në vazhdim. Kjo shtonte edhe më shumë emocione, e bënte këtë ditë edhe më të përmallshme, më të ndjeshme. Takoheshin breza që s´kishin punuar e mësuar në të njëjtën periudhë, por që kishin  dëgjuar për njëri-tjetrin. Ishte një ditë kujtimesh të përmallshme. Fillonin që për mësuesit e paraçlirimit Hasan Brahimi, Muço Delo, Idriz Ruko, Nuro Hoxha, pastaj për ata të viteve të para të pasçlirimit, si çifti shkodran Sandër e Aneta Niko, Mësuesit të Merituar Zeqir Haremi, himarjotëve Milo Duni, Petro Llazari, Theodhori Zoto, Jorgji Milo, vajzave vlonjate Elizabeta Syko, Nazije Bashaj, Nermin Sharra, Vasilika Noti e deri për ata të viteve të fundit të njëqindvjeçarit. Sipas historikut të shkollës, që e punoi një nga mësuesit dhe drejtuesit më jetëgjatë të kësaj shkolle, biri i fshatit, Xhafo Muçaj, libër që parapriu  këtë festë, në këtë shkollë numërohen mbi 190 mësues që kanë punuar.

     

    VATËR DIJE

    Deri në vitin 1982 në këtë shkollë vinin për të vazhduar arsimin e mesëm nxënës nga gjithë krahina. Ajo ishte një shkollë komplekse me profil bujqësor dhe të përgjithshëm, me shkëputje dhe pa shkëputje nga puna, me një bazë prodhuese prej 3 ha tokë, që shërbente si kopsht eksperimental, me konvikt për nxënësit që vinin nga fshatrat e largëta të krahinës. Në këtë shkollë u përqendrua bujqësorja me korrespodencë për gjithë Rrethin. Të gjitha këto fakte, sot i gjen në historikun e shkollës, sepse më pas, duke u kujdesur që shkollat të ishin sa më pranë njerëzve, në shumë fshatra u hapën shkolla të mesme që solli rënien e numrit të nxënësve në këtë shkollë, por jo të vlerave të saj si një ndër shkollat më të mira të Rrethit të Vlorës.

    VLERËSIMET

    Merita e veçantë u takon mësuesve e drejtuesve që kanë dhënë kontributin e tyre të paharruar, disa nga të cilët u nderuan me titullin “Nderi i Komunë”. Organizatorët e kësaj feste ishin Shoqata “Brati’, drejtoria e shkollës dhe Kryesia e Komunës. Siç ndodh në të tilla raste, u bë kujdes që në këtë festë të merrnin pjesë edhe ata që i lidh detyra shtetërore dhe pozita shoqërore me këto ngjarje. Ishte dëshirë e përbashkët e popullit të fshatit, e kolektivit nxënës-mësues të shkollës dhe drejtuesve të komunës që në këtë ditë festive të merrnin pjesë përfaqësues nga Ministria e Arsimit, nga Prefektura, nga Këshilli i Qarkut dhe natyrisht edhe deputeti, për të cilin ky popull ka votuar. Ka qenë një kohë, që për përvjetor kaq të rëndësishëm, kujdeseshin drejtpërdrejt që nga Institucionet më të larta të sektorit e deri te ato në rreth. As s´e pamë dhe as e kërkuam një gjë të tillë. Për ta u bë veç një ftesë, ku shfaqej vetëm dëshira për pjesëmarrje.

    Mirëpo, ndonëse nuk u cenua aspak atmosfera festive në të gjithë programin e saj, sidoqoftë ra në sy si mospërfillje mosprania e tyre ( me përjashtim të përfaqësuesit të K. qarkut). Ftesa për ta kish brenda veç respektin dhe dëshirën për ta jetuar së bashku këtë gëzim, që përkujton njëqind vjet histori brezash mësuesish e nxënësish. Njëqind vjet punë, sakrifica, krenari, rrezatim kulture e dije. Ja thjeshtë për këtë duhej të ishin atë ditë ata në Brataj.