Petraq J.Pali:“Piqerasiotët” e Miho Gjinit

    550
    Sigal

    Para dy ditësh miku im “Mjeshtri i madh”, Qytetar Nderi i Bregdetit të Poshtëm, i talentuari, shkrimtari,  publicisti, kritiku i artit z. Miho Gjini, pati mirësinë të më dërgonte prej Athinë këtu në SHBA, librin e tij të 20-të “Piqerasiotët”, vepër kjo e autorit, me rastin e 75 vjetorit të lindjes. Ndjeva sinqerisht emocione sa e hapa librin, dhe këtu në këto rreshta as kam ndërmend të bëj recesion apo koment mbi të. Thjeshtë dua të jap me pak fjalë vlerat dhe ndjesitë e këtij libri. Me Piqerasin dhe piqerasiotët jam i lidhur qysh fëmijë, jam nip në këtë fshat, kujtimet për të më kanë mbërthyer gjatë gjithë jetës dhe lidhur si amalgamë nuk i jam ndarë atij, njësoj si Qeparoit, vendlindjes sime Miho Gjini, autori i këtij libri Monumental për Piqerasin dhe Piqerasiotët është një “Bibël” dhe si e tillë do të ketë vlera historike e artistike për shumë shekuj më pas. I shtytur nga dashuria, nostalgjia, dhembshuria, fisnikëria, nga ndjenjat më të pasionuara për vendlindjen e tij, Miho Gjini i ka ngritur një përmendore fshatit dhe njerëzve të tij piqerasiotë. Një libër artistik, ku dhimbjet e fshatit të tij apo të bashkëfshatarëve janë ndërlidhur me fatet e njerëzve të ndershëm apo me vetë jetën e Autorit, apo familjes së tij, në varfërinë dhe hallet që kaloi ai popull e ai fshat. Magjia e fjalës së autorit, me bëmat, personazhet e librit që janë heronjtë e tij, “Mjeshtri” ka ditur të krijojë emocione, ka ditur të radhisë ngjarjet si një historigraf i talentuar qysh në lashtësi e deri në ditët e sotme, ku për një jetë më të mirë bashkëfshatarët e tij dhe bashkë me të, mërguan të sforcuar nga Atdheu nga fshati i veçantë dhe i qytetëruar si askush tjetër, Piqerasi..! Histori e një fshati, historia e mijëra jetë njerëzish. Libri i pajisur dhe me një fond të pëlqyeshëm fotografish, gërsheton bukur ngjarjet që “mjeshtri” ka thurur me mjeshtri dhe bukur. Njerëz dhe personalitete të shquar historikë, artistë, njerëz të punës, të ndershëm që dhanë gjithçka për atdheun, heronj, dëshmorë, artistë, shkencëtarë, krijues, apo njerëz të ditur dhe të mençur që përballuan jetën e vështirë duke luftuar ndershmërisht në të gjitha fushat e jetës dhe në çdo kohë. Piqerasi, plot stoli, plot dritë e plot jetë, jetoi në shekuj në një bashkësi e harmoni perfekte, pa probleme shoqërore, aktiv në hallet e kombit, njerëz bujarë që u vunë në shërbim të tij, luftëtarë të paepur në çlirim të vendit nga okupatorët e ndryshëm. Shpalos fletët e librit dhe eci me to ndër vite, qysh fëmijë jam një me këtë fshat dhe me njerëzit e tij të mrekullueshëm. Lexoni librin “Piqerasiotët” dhe do të mbeteni të mahnitur nga stili i veçantë i autorit, i cili në fund lë si amanet “prehjen e përjetshme” në atdhe apo në atë baltë të Piqerasit. Faleminderit Mjeshtër!