Peticion, krerëve të shtetit: Ndaloni diskriminimin moral dhe ekonomik ndaj ushtarakëve!

    372
    Në një peticion, ushtarakë në rezervë e në lirim, ish kuadro të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendëshme, të sistemit të burgjeve e Shërbimit Informativ Kombëtar, i kërkojnë krerëve të lartë të shtetit, ‘dhëninen fund të diskriminimit moral dhe ekonomik që vazhdon prej 25 vitesh’ si dhe ‘…zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Statusi i Ushtarakut dhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese…’. Duke e cilësuar reagimin e drejtuesve të vendit si ‘..detyrim ligjor të neglizhuar dhe të papranueshem për një vend anëtar të NATO-s’, ushtarakët kërkojnë ndërhyrjen e menjëherëshme dhe zgjidhjen e problemit… Ja dhe peticioni i tyre:
    PETICION
    Presidentit të Republikës, Kryetar i Këshillit Kombëtar dhe komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura
    Z. Bujar Nishani
    Kryetarit të kuvendit të Shqipërisë
    Z. Ilir meta
    Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë
    Z. Edi Rama
    Grupeve parlamentare të PS, PD, LSI, Z. Gramoz Ruçi, Edi Paloka dhe Petrit Vasili
    T I R A N Ë.
    Të nderuar zotërinj, drejtues të pushtetit politikë e shtetërorë! Ne përfaqësuesit e ushtarakëve, punonjësve të policisë së shtetit, policisë së burgjeve, policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi për shkak të trajtimit me këtë pension në kundërshtim me nenin 52, nenit 81 e Kushtetutës, me statusin e ushtarakut dhe vendimin nr. 9/2007, nr. 33/2010, nr. 2/2013, nr. nr. 29/2005, Nr. 5, datë 5.2.2014 dhe Nr. 10, datë 6.3.2014 të Gjykatës Kushtetuese u drejtojmë këtë peticion për ti dhënë fund mohimit të së drejtës së fituar dhe diskriminimit ekonomiko-financiar, moral e shoqëror në shtetin e së drejtës sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës. Zotërinj deputet, pushtetarë e politikanë të Republikës së Shqipërisë! Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 e veçanërisht me shtesat e ndryshimet e bëra me Aktin Normative nr. 5, datë 10.11.2010 të KM, miratuar me ligjin nr. 10367, datë 23.12.2010. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi i ushtarakëve, i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit Informativ Shtetëror, Policisë së Burgjeve, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm , pësoi një tronditje të thellë. Masa e këtij pensioni u zvogëlua nga 40- 50% për rreth 80% e tyre duke u shpallur debitor në shuma që shkojnë nga 100 000 deri në 300 000 e 400 000 lekë të reja. Ky regres drastik i pa precedent në shtetin e së drejtës ka diskriminuar,denigruar dhe poshtëruar që me miratimin e ligjeve të lartpërmendura dhe vazhdon akoma edhe sot të përligj diskriminimi,denigrimin dhe poshtërimin moralo, shoqëror dhe ekonomiko-financiar të Ushtarakëve Të cilët u nxorën që në vitin 1992 në rezervë e lirim nga reformat në Forcat e Armatosura ,duke i mohuar atyre të drejtën e ushtrimit të profesionit,e për rrjedhojë ata u kaluan në papunësi të detyruar, duke mbetur pa mjete jetese,e pa asnjë përkrahje nga shteti , në mes të katër rrugëve. Nxjerrja e Ushtarakëve nga Forcat e Armatosura në atë kohë u bë për arsye të justifikuara të shtetit por aspak për tu hakmarrë ndaj ushtarakëve, të paktën ky opinion ishte, ndaj dhe ushtarakët i mbështetën reformat e atëhershme. Por përvoja e periudhës së 25 vjetëve të Demokracisë tregoi se qëllimi i disa individëve, politikanë apo shtetarë, nuk paska qenë reforma por denigrimi, diskriminimi, poshtërimi dhe hakmarrja ndaj ushtarakëve nga disa individëve që u veshën rastësisht dhe qëllimisht me pushtet, të cilët kishin pranuar të shkatërronin tërësisht Forcat e Armatosura dhe të denigronin e hakmerreshin ndaj ushtarakëve, por dhe të shkatërronin, siç e shkatërruan gjithë ekonominë e shqiptarëve, të cilën ata e kishin ngritur për 50 vjet me mund e sakrifica të mëdha duke dhënë edhe jetën. Ky denigrim që u nis që nga viti 1992 ka pasur dhe po vazhdon të ketë edhe sot e kësaj dite, një qëllim të vetëm, hakmarrje ndaj brezit të ushtarakëve te sistemit socialist, ndaj atij brezi që ishte dhe është më patrioti që kanë pasur ndonjëherë Forcat e Armatosura Shqiptare, gjatë gjithë historisë së tyre, ndaj këtij brezi që i vuri ‘kufirin tek thana’ të gjithë keqdashësve të Shqipërisë, duke mos i lënë për 50 vjet që të prekin asnjë milimetër të hapësirës tokësore, detare dhe ajrore të Shqipërisë. 
    Këtë qëllim e vërteton edhe vendimi absurd, hakmarrës por dhe armiqësor i viti 1996 i qeverisë Meksi, një vendim, i cili në kundërshtim me ligjet e kohës në fuqi, u ndërpreu padrejtësisht pensionin e parakohshëm 12000 Ushtarakëve për 4 vjet resht, që nga viti 1996 deri në vitin 1999 të cilët dolën në rezervë nga viti 1992 deri në vitin 1995, duke i lënë për katër vjet,. Këto pensione, edhe sot e kësaj dite nuk u janë dhënë ushtarakëve nga asnjë qeveri, e djathtë apo e majtë. Pra shteti shqiptar u ka borxh 12000 Ushtarakëve 4 vjet pensionet e pa dhëna nga 1996 deri në 1999. Një fakt tjetër që përforcon akoma më shumë qëndrimin e ndërgjegjshëm denigrues dhe poshtërues të ushtarakëve, është edhe miratimi nga Partia Demokratike i dy ligjeve, ai me numër 10142 i Korrikut 2009 dhe Akti Normativ Nr. 5 i kthyer në ligj 10367 në dhjetor 2010. Dy ligje, që ulën pensionet e parakohshme deri në 50 %, duke i kthyer ushtarakët në kuotën e përkrahjes sociale. Pra, në kuotën e 10450 lekëve, sikur nuk kanë qenë ushtarakë dhe sikur nuk kanë punuar asnjëherë në jetën e tyre. Është mjaft absurd ky qëndrim për çdo ushtarak në botë, por akoma më shumë për një anëtarë të NATO-s. Po ja që shtetarët shqiptarë bëjnë atë që asnjë në botë nuk do ta mendonte e jo ta bënte ndaj ushtarakëve. Qëndrimi antiligjor dhe kundër të drejtave të ushtarakëve i ka detyruar ushtarakët të ankimojnë 3 herë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, ku në tre animimet, Gjykata u ka dhënë të drejtë ushtarakëve duke mbrojtur formulën bazë të Statusit të Ushtarakut për trajtimin Financiar të Ushtarakëve në Pension të Parakohshëm. Pra edhe vendimi nr. 9 i vitit 2007 dhe ai nr. 33 i 24/06/2010, por edhe vendimin nr.2, datë 18.02.2013 të Gjykatës Kushtetuese, nuk kanë lejuar të preket apo të përkeqësohet `Formula e Trajtimit Financiar` e përcaktuar në `Statusin e Ushtarakut` por vetëm të zbatohet me çdo kusht ashtu siç është e sanksionuar në Statusin e Ushtarakut. Por është e vërtetë se vendimi nr. 2 datë 18/2/2013 nuk miratoi kërkesën e Shoqatës së Ushtarakëve Xhenierë për shfuqizimin si antikushtetues të ligjit nr. 10367, datë 23.12.2010 që miratoi ndryshimet e shtesat e bëra nga akti normative nr. 5, datë 10.11.2010 në ligjin nr. 10142, datë 15.05.2009 por, ai: 
    1.Nuk shfuqizoi vendimin nr. 33 datë 24.06.2010 të Gjykatës Kushtetuese. Në vend të shfuqizimit, ai saktëson se sigurimi shoqëror bazë është një e drejtë kushtetuese ekonomiko-sociale për t’u garantuar shtetasve sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevoja jetësore në rastet e fatkeqësive, sëmundjeve, invaliditetit, pleqërisë dhe papunësisë së padëshiruar,Pra në vendimin nr. 2 thuhet: “Shih vendimin nr. 9/2007 dhe nr. 33/2010 të Gjykatës Kushtetuese”.
    Vendimi nr. 33/2010 i Gjykatës Kushtetuese veç të tjerave mbas rikonfirmimit të vendimit nr. 9, datë 26.02.2007 të kësaj Gjykate lidhur me parimet e shtetit të së drejtës për të drejtën e fituar dhe sigurinë juridike, thotë: Nisur nga funksioni dhe rëndësia e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, zvogëlimi i masës së tij ose kufizimi nga neni 14/ 2 e ligjit objekt gjykimi të shumës maksimale që mund të përfitohet nuk janë veprime që mund të përligjen me interesin e rëndësishëm publik” … “Në asnjë rast nuk lejohet që të kryhet një rillogaritje që do të çonte në përkeqësimin e situatës pozitive ose në cenimin e të drejtave të fituara”.
    2. Për interest e rëndësishme publike nuk lejon ndryshime negative në sigurimet shoqërore bazë në të cilat përfshihet përfitimi nga papunësia e dëshiruar siç është pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Ndryshime të tilla në kuptimin e nenit 17 të Kushtetutës. Ai, pranon e lejon vetëm në sigurimet shoqërore suplementare. Shprehimisht ky vendim thotë: “…prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim. Të drejtat e tjera kushtetuese ai mund t’i kufizojë vetëm në kushtet e nenit 17 të Kushtetutës, pra, për një interes publik”… Gjykata vlerëson se gjendet para interesit publik që e justifikon ndërhyrjen e ligjvënësit në skemën e sigurimeve suplementare”. Në këtë skemë nuk përfshihet neni 13 e 14 i ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 i ndryshuar me ligjin nr.10367, datë 23.12.2010 por neni 8, 15 e 16, 17 e 18, 19 e 20 si dhe nenet për kompesimet.
    Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi është një e drejtë e garantuar nga ligji organik, ligji nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”, neni 35 i tij. Është pikërisht kjo dispozitë që sanksionon të drejtën e masës së pensionit 50% të pagës mujore për 12 vjet vjetëri femra dhe 15 vjet mashkulli deri në pension pleqërie duke i shtuar 2% të pagës mujore për çdo vit tjetër mbi 12 e 15 vjet. Neni 13 e 14 i ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009, ndryshuar me nenin 3 të aktit normative nr. 5, datë 10.11.2010, miratuar me ligjin nr. 10367, datë 23.12.2010 është në e për zbatim të nenit 35 të ligjit nr. 9210, datë 23.303.2004 “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”, që neni 81 e Kushtetutës e përfshinë në listën e ligjeve që miratohen me shumicën e cilësuar të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Si të tillë neni 13 e 14 dhe neni 31 i ligjit 10142/2009 i ndryshuar me ligjin Nr. 10367/2010, nuk mund të ndryshojnë, zvogëlojnë, kufizojnë apo shfuqizojnë nenin 35 të statusit të ushtarakut. Këtë e shpreh drejtë për së drejti Gjykata Kushtetuese në:
    Vendimin Nr. 10, datë 6.3.2014 që thotë: “ligjet e zakonshme duhet të nxirren jo vetëm në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës, por duhet treguar kujdes i veçantë që ato të mos prekin rregullimet që përfshihen natyrshëm në sferën ekskluzive të ligjeve organike, përndryshe ato do të binin në kundërshtim me nenet 6 dhe 81, pika 2, shkronja “a”, të Kushtetutës”. 
    Vendimin Nr. 29/2005 që shprehet: “…aktet juridike më të ulëta duhet të jenë në pajtim me aktet juridike më të larta, si në kuptimin formal, ashtu edhe atë material”. 
    Vendimin Nr. 5, datë 5.2.2014 që përcakton: “ ligjet që miratohen me shumicë të cilësuar qëndrojnë më lart se ato të miratuara me shumicë të thjeshtë”, dhe se: “Kuvendi nuk mund të miratojë me “shumicë të thjeshtë” një ligj të ri ose shtesa në një ligj të mëparshëm, të cilat kërkojnë “shumicë të cilësuar”. Për sa më sipër në respektim të shtetit të së drejtës, të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe në zbatim të statusit të ushtarakut, 
    1. U kujtojmë se :
    Në prill 1934 ushtarakët dhe punonjësit e xhandarmërisë për 10 vjet vjetërsi shërbimi merrnin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 40% të pagës mujore të muajit të fundit të shërbimit dhe për 20 vjet 80% të kësaj page.
    Në kohën e monizmit kjo masë për më pak se 25 vjet vjetërsi shërbimi masa e këtij pensioni u katandis në 35% e pagës mesatare mujore dhe për mbi 25 vjet 60% e kësaj page.
    Sot nga 1 korriku 2009 masa e pensionit të parakohshëm për 15 vjet vjetërsi shërbimi është 22.5%, për 20 vjet 30%, për 25 vjet 37.5% dhe për 30 vjet 45% e pagës mesatare neto të të gjithë vjetërsisë së shërbimit.
    KËRKESAT E USHTARAKËVE PËR KRERËT E SHTETIT
    a-Të ushtroni autoritetin tuaj institucional, Kushtetues e ligjor në respektim të shtetit të së drejtës e Kushtetutës dhe zbatim të statusit të ushtarakut për ti dhënë fund përfundimisht pas 25 vjetëve diskriminimit, denigrimit dhe poshtërimit të ushtarakëve, punonjësve të policisë së shtetit, policisë së burgjeve, policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi , Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në trajtimin e tyre me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në bazë të Statusit të Ushtarakut të 23/3/2004
    b-Kthehuni gjithë Ushtarakëve trajtimin shëndetësor falas, siç e ka Statusi i Ushtarakut
    c-Kërkojmë hapjen dhe funksionimin e Spitalit të Ushtarakëve për gjithë ushtarakët dhe familjet e tyre, ashtu siç ka qenë më parë i mbështetur edhe i sanksionuar në Statusin e Marsit 2004 dhe siç është për të gjithë ushtarakët anëtarë të NATO-s, anëtarë të së cilës janë edhe Forcat tona të Armatosura.
    d-Kërkojmë rimbursim të ilaçeve sipas Statusit deri në 80% të vleftës, pasi ky nen i statusit nuk po zbatohet prej vitesh dhe mjaft ushtarakë vuajnë nga shumë sëmundje prej detyrave shumë të vështira që kanë kryer gjatë karrierës së tyre ushtarake. Kërkesë kjo që sot, me uljen e pensionit të parakohshëm në masën 50% ua vështirëson jashtë mase trajtimin mjekësor
    dh-Ktheni Shtëpitë e Ushtarakëve në të gjithë qytet ku numri i ushtarakëve e detyron ngritjen dhe hapjen e tyre 
    e-Ktheni sa më parë Shtëpinë e Ushtarakëve në Tiranë që ju mor Forcave të Armatosura në shkelje flagrante të ligjeve në fuqi nga segmente politike duke përdhosur ligjin, denigruar e poshtëruar Forcat e Armatosura Shqiptare, veprim ky që nuk ndodh në asnjë vend anëtarë i NATO-s. Ky është një rast unik ku vetëm Shqipëria i ka mbyllur dhe tjetërsuar Qendrat e Aktiviteteve të Ushtarakëve duke ua dhënë grupimeve politike dhe militantëve të tyre 
    Rikthejuni Ushtarakëve dhe Forcave të Armatosura dinjitetin dhe të drejtat që u takojnë si anëtarë të NATO-s, por edhe se janë të sanksionuara në Statusin e Ushtarakut të 23/3/2004 të cilin ju vetë e keni hartuar dhe miratuar me 100% të votave tuaja në Parlament. Mos harroni që Ushtarakët kryejnë punët më të vështira se çdo grupim tjetër shoqëror duke u betuar se janë të gatshëm të japin edhe jetën për popullin dhe atdheun dhe si të tillë kanë merituar dhe meritojnë përkujdesje, respekt dhe trajtim special e të veçantë dhe krejt ndryshe nga çdo qytetar tjetër. Kjo nuk është një kërkesë apo një dëshirë por një detyrim i gjithë shoqërisë dhe veçanërisht i shtetit shqiptar. Me besim se jemi mirëkuptuar nga ju. Mbesim në pritje të realizimit dhe plotësimit sa më parë të kërkesave tona
    Shoqate Kombëtare e Ushtarakëve Xhenier të Shqipërisë
    Kryesia e Qendrës ‘Drejtësi dhe Respekt për Ushtarakët’
    Drejtori
    ALEKSANDER MIHALI
    Tiranë 31/3/2015
    Sigal