Peter TASE/Agron Shele, arkitekti i lidhjes se vargut Permetar me atë Parisian

    443
    Sigal

    Agron Shele ka lindur, në 1972, në fshatin Leskaj, Krahina Maleshovë, rrethi Përmet. Është Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve Artistëve dhe Shkrimtarëve “ATUNIS” Albania. Është anëtar i Lidhjes së Poetëve të Globit WPS, si dhe Drejtor i Qendrës Kulturore Përmet. Autori  Agron Shele, ka shkruar këto vepra: “Hapat e Klarës”, Roman; “Përtej perdes gri” Roman, fitoi çmimin e Lidhjes Pegasi viti 2005, dhe vlerësim me medalje nga Kongresi i Lidhjes së Poetëve dhe Shkrimtarëve Ndërkombëtare, Salaminë, 2007; “Imazh i rremë” Roman,(çmimi i parë i Lidhjes Pegasi viti 2008); “Pasazh i pafaj” vëllim me poezi, përkthyer në Greqisht nga revista Qeleno, Italisht nga revista Artista a Confronto dhe në Anglisht; “Antologji poetike /Korsi e hapur” (Bashkautor).

    Vëllimi “Pasazh pa faj” është vëllimi i parë poetik i Agron Sheles, por poezitë e tij janë botuar në disa shtete dhe dallohen nga vlera të larta kompozimi, elemente të muzës poetike që i ngjajnë katërçipërisht vargjeve mbresëlënëse të Charles Baudelaire, një shkrimtar Francez i lindur në Paris më 1821, i cili bëri emër me vëllimin e tij të parë me poezi, botuar me 1857 dhe titulluar “Lulet e Djallit”. Temat e trajtuara nga Baudelaire janë vdekja, metamorfoza, depresioni, korrupsioni, pafajësia e humbur dhe alkoolizmi. Megjithëse ky shkrimtar i përket një kohe pothuajse dy shekuj përpara se të dilte në skenë shkrimtari i talentuar Agron Shele, përsëri ngjashmëria e metaforave të përdorura nga këto dy pena ndërkombëtare kërkon një studim dhe meriton shumë faqe me analizë.

    Për të dhënë një përmbledhje të kësaj ngjashmërie midis poetit përmetar dhe atij nga Parisi kozmopolitan mjafton të vështrojmë dhe analizojmë poezinë e Baudelaire me titull: “Muza e sëmurë” dhe poezinë e shkrimtarit Shele me titull: “Muza Ime”.

    Tek “Muza e Sëmure” Baudelaire shkruan: Muza ime e trishtuar, ç’farë po të trishton sot?/ Sytë e tu të thellë janë mbushur nga vështrimet e natës;/ Unë shikoj të reflektuar në fytyrën tënde / Horror, çmenduri, ftohtësi dhe qetësi./… Do të doja që të lindje, aromën e shëndetshme,/ Ku rregullisht përplasen mendimet gjeniale, / dhe gjaku yt kristian të burroj nëpër valë ritmike. /  ashtu si ritmet e mirë menduara të vargjeve të lashtë, / mbi të cilët mbretëron babai i të gjitha këngëve, / Phoebus, dhe i madhërishmi zoti i prodhimtarisë.

    Në kanton e tij kushtuar muzës,  Agron Shele, metaforizon me këto vargje:

    Qëndroj majë shkrepit të heshtur, / heshtjen godas mes të përjetshmes  tretur. / Ngado shoh perëndim të plakur, / më shfaqet kudo agimi i ringjallur.

    Fare lehtë mund të konstatohet që vargu i Agron Shele-s, në fillimin e mijëvjeçarit të tretë, mban ende vlerat, ritmikën dhe kontekstin e shkrimtarit të madh Baudelaire. Në vargjet e tij Baudelaire dëshironte që muza të “çel[te], aromën e shëndetshme” ndërsa kolegu i tij, që dëshiron të hedh vargje të ngjashme dy shekuj më vonë, në një vend të largët nga Franca, do të shkruante: “Ngado shoh perëndim të plakur, më shfaqet kudo agimi i ringjallur.” Mos vallë Agron Shele është në një komunikim të heshtur me vargjet e shkrimtarit të famshëm Francez? Nuk është rastësi që “mbrëmjet e ngrysura” të Agronit të krijojnë në vetvete një harmoni kuptimore të përkryer me “Sytë e thellë që janë mbushur nga vështrimet e natës” të Baudelaire. Ndoshta leximi i plotë i poezisë “Muza Ime” do të na ndriçonte më tej shtegun kuptimor dhe largpamësinë e Agron Sheles, e cila nuk njeh, kufij, shtete, kontinente, por vetëm përqendrohet në gjuhën metaforike të vargut, e cila mund të realizohet falë fijeve poetike që lindin nga burimi i asaj që quhet letërsi.

    MUZA IME

    Muza ime!

    Ç´bukuri fsheh brenda muzgjeve?

    Ç´ëndrra rilinde përtej lirishtave?

    Ç´këngë këndon honeve të gremisura?

    Ç´rreze kërkon mbrëmjeve të ngrysura?

    Muza ime!

    Qëndroj majë shkrepit të heshtur,

    heshtjen godas mes të përjetshmes  tretur.

    Ngado shoh perëndim të plakur,

    më  shfaqet kudo agimi i ringjallur.

    Muza ime!

    Vitet dhe thinjat si vetë kreshtat,

    zbardhin nën mjegullat e fshehta.

    Shpirti i gdhendur nga pena thatime,

    dridhet, griset, tutje humbëtirave.

    Muza ime!

    Mos erdhe si mallkim ndër deje

    a si lojë luajtëse marramendëse?

    Kundroj sy vashe fshehur brenda teje

    dhe lotkthyerin në smerald.

    Muza ime!

    Si frymë e shenjtë shtyn në harrim,

    pse poetë u gdhimë në agim.

    Vegimeve  të paqta jeta në vlim

    Dita shpejton dhe rremben pa kthim!

    Ëndrrat e mia mbetën aty

    Ëndrrat e mia mbetën aty,

    si mijëra ajzbergë në oqeanin e pafund.

    Mendja depërton tutje fluturimth,

    në të tjera qiej, rrugëtimesh “plot mund“.

    Ëndrrat e mia mbetën aty,

    netëve pranverore, yjeshumë.

    Copëza ndjenje drithmojnë shpirtin

    dhe endën magjinë pëlhurë.

    Ëndrrat e mia mbetën aty,

    si zbardhja e dritës, në agim.

    Me mallin e vjeshtës në gji

    dhe … e pikat e shiut -trishtim.

    Ëndrrat e mia mbetën aty

    mbi harqe ylberësh, koloritë kuptimësie;

    Të bardhën ditë, shpresë dhe ngazëllim,

    përthyen shtigje “rrebelim“ poezie.

    Ëndrrat e mia mbetën aty

    Të formatuara ndjenjësisht…

    Një shikim i hedhur qiellit të tymtë

    Konturim frymor –figurë statujisht…