Peter M. Tase:“Shqipëria është ende shumë larg nga standardet demokratike të botës perëndimore”

    442
    Sigal

    Intervista/ Flet Peter M. Tase, Asistent i Programeve Ndërkombëtare në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave Arsimore Inxhinierike

    Shqiptarët që na nderojnë me punën e tyre të mirë jashtë vendit janë të shumtë dhe një ndër ata është edhe Peter Tase, i cili është integruar prej 13 vjetësh në jetën shoqërore-intelektuale të Amerikës. Peter M. Tase, është Asistent i Programeve Ndërkombëtare në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave Arsimore Inxhinierike dhe në këtë intervistë për “Telegraf” ai jep mendimet e tij për politikën shqiptare duke u nisur nga prizmi perëndimor, sqaron ndikimin që ka lobi shqiptar në Amerikë brenda politikës shqiptare  dhe mbi të gjitha na tregon eksperiencat që ka fituar nga politikanë të njohur në SHBA, por dhe Amerikën Latine. 

     -Zoti Tase, si ka emigruar familja juaj në SHBA?

    Në radhë të parë ju falënderoj për mundësinë dhe ftesën për të dhënë këtë intervistë. Së bashku me prindërit dhe vëllanë më të vogël, kemi emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që në Shtator të vitit 2000. Integrimi në jetën e re të shoqërisë Amerikane, natyrisht, nuk ishte dhe aq i lehtë dhe prindërve të mi i duhej të punonin rëndë për të na krijuar mundësinë mua dhe vëllait tim që të mbaronim studimet në dy nga universitet më në zë të Milluoki-t, UW-Milwaukee, ku unë u diplomova për “Shkenca Politike” dhe “Literaturë Italiane” dhe Marquette University, ku, Aldo merr diplomën për “Inxhinieri Biomjekësi”. U larguam nga Shqipëria, në një kohë kur Ballkani, po përjetonte “krizën  e radhës”. Më kujtohen trazirat që kishin përfshirë Republikën fqinjë të Maqedonisë: nga njëra anë Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe në anën tjetër, Forcat e Armatosura të Maqedonisë. Në këtë kohë unë kam qenë vetëm 17 vjeç dhe menjëherë, sapo u stabilizuam në qytetin e bukur të Milluoki u regjistrova në Shkollën e Mesme Whitefish Bay, për të përfunduar vitin e fundit që më kishte mbetur nga shkolla e mesme e përgjithshme “B.D. Karbunara e qytetit të lindjes, Berat e për t’u regjistruar, pastaj, në vitin e parë të Universitetit të Uisconsin – Milluoki. Pavarësisht se babai im, Piro Tase (mësues i gjuhës dhe i letërsisë në Shkollën e Mesme të Përgjithshme B.D. Karbunara, Berat, si dhe Autor i librit studimor-historik “Shqipëria dhe Shqiptarët nga të Huajt-BERATI)  ka ardhur nga Përmeti që fëmijë dhe nëna ime, Ludmilla (mjeke e përgjithshme), e cila është me origjinë nga Fieri, më vjen mirë që të them se jam beratas e të mburrem me lashtësinë dhe bukurinë e qytetit tim të lindjes.

     -Kur keni vizituar për herë të parë Shqipërinë, ç’farë emocione keni ndjerë dhe cilat ishin ndryshimet e spikatura?

    Shqipërinë e kam vizituar për herë të fundit në qershor të vitit 2003. Ishte një vizitë që, të gjithë si familje, mezi e kemi pritur. Kishim mall për vendlindjen, për njerëzit tanë të afërt, për shokët dhe miqtë. Kishim mall për rrugët e kalldrëmta të Beratit, për njerëzit e mrekullueshëm…Vështirë se do të mund t’i përjetoja përsëri ato ndjenja dhe emocione që kalova në atë vizitë të parë, nëse do të vija përsëri në Shqipëri! Asgjë s’na bënte përshtypje! Asgjë nuk na hynte në sy! Mezi prisnim sa të mbërrinim në Berat. Por nuk mund të them se nuk më bëri përshtypje një fragment bisede që ma kapi veshi fare rastësisht kur ndodheshim ende në bordin e autobusit që transportonte pasagjerët nga avioni në dalje të aeroportit. Një nënë e re, po i shuante kureshtjen vajzës së vet duke i shpjeguar me zë të lartë për ato ç’ka ajo shikonte nga dritarja e autobusit. Dukej që vajza vinte për herë të parë në Shqipëri dhe mund të ishte gati pesë vjeç. Më tërhoqi  vëmendjen anglishtja e shëmtuar e asaj gruaje të re, dhe i çuditur pyeta vëllanë: “Aldo, po, përse nuk flet shqip kjo?!” Nënës sime po i bënte përshtypje përmbajtja e atyre fjalëve që ajo grua e re po përdorte për t’i folur vajzës së vetë për Shqipërinë. Fjalë që në gjuhën shqipe përktheheshin: krime, vjedhje, vrasje, rrëmbime dhe rreziqe për jetën!!!

    Ishte komenti i parë për Shqipërinë që vinte nga një ‘shqiptar’ që kthehej nga bota anglishtfolëse, por që nuk na preku, ashtu sikurse edhe rrugët e prishura dhe me trafik të rënduar.

    Berati ishte kthyer në një qytet të trishtuar. E kishte humbur atë gjallërinë e dikurshme…. Shëtitja  e zakonshme e mbrëmjes përgjatë bulevardit kryesor kishte filluar të pakësohej  prej kohësh, kohë më parë, para se të largoheshim nga Shqipëria… Tani ishte harruar fare! Vazhdonte të ishte një qytet i qetë dhe i heshtur e pa probleme. Mbaj mend që qytetarët ende ishin të pushtuar nga iluzioni se futja e këtij qyteti në UNESCO do ta ndryshonte si me magji, ekonominë e tyre.

    Që prej vitit 2003, nuk kam shkuar më në Shqipëri. Studimet dhe puna ma kanë bërë të pamundur këtë gjë por zhvillimin e ngjarjeve në vend e kam ndjekur nga afër.

    Fatkeqësisht, Shqipëria, nga shumë studiues, konsiderohet si vendi me zhvillimin më të ngadalshëm në Europë është për të ardhur keq, por, në Shqipëri ende ka të pastrehë dhe,  sipas studimeve të fundit, rreth 60 përqind e popullsisë ende dëshiron të largohet nga vendi dhe 70 përqind e tyre nuk kanë besim tek drejtësia Shqiptare. Është i vetmi vend në të gjithë Vendet e Lindjes që nuk ka zgjedhje të pa kontestuara, është i vetmi vend që nuk ka drejtësi të pavarur, nuk ka asnjë instrument legjitimiteti mjedisi politik shqiptar.

    Shpresoj që administrata e re, që do të dale nga zgjedhjet e 23 Qershorit, të ketë një vështrim të ri mbi infrastrukturën, veprat dhe shfrytëzimin e hapësirave publike.

     – A është Shqipëria në rrugë të mbarë drejt zhvillimit e integrimit?

    Shqipëria duhet të ishte tashmë anëtare e bashkimit Evropian, dhe këtu ngarkoj me përgjegjësi jo vetëm qeverinë, por edhe opozitën më të madhe, Partinë Socialiste. Liderët e të dy partive më të mëdha në vend, nuk janë në gjendje të bashkëpunojnë për të siguruar një të ardhme më të mirë për bashkëkombësit e tyre dhe të sjellin Shqipërinë plotësisht në gjirin e Europës. Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë jashtë strukturave të Bashkimit Europian deri sa të pushojë së ekzistuari situata konfliktuale në atmosferën politike në Tiranë, dhe të sigurohet pavarësia e institucioneve, një element ky që ka munguar gjatë tetë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike. Ngritja e komisioneve hetimore kundër parashikimeve kushtetuese, është diçka që ndodh vetëm në Shqipëri dhe në vendet e Afrikës. Në Shqipëri ndodhin çudira që megjithëse i ndjek nga larg, nëpërmjet medias së shkruar dhe asaj televizive, të lënë me gojë hapur.

     -A janë arritur ato standarde demokratike në Shqipëri, në këto 21 vite të postkomunizëm?

    Tetë vitet e Partisë Demokratike në krye të shtetit shqiptar, kanë ulur ndjeshëm standardet demokratike në vend, janë përqendruar të tre pushtetet në duart e vetëm një personi dhe ai është Kryeministri i Shqipërisë, i cili për hir të së vërtetës vazhdon të jetë politikani më i përgatitur dhe lideri politik më me influencë në Shqipërinë post komuniste. Me keqardhje mund t’ju them se, Shqipëria është ende shumë larg nga standardet demokratike të botës perëndimore. Fakti që punësohen lobista për të rregulluar imazhin e Shqipërisë, flet shumë. Në Uashington, vende si Bangladeshi dhe Egjipti paguajnë firma që përfaqësojnë grupe interesi që i bëjnë makijazh sfidave të vendeve respektive. Mund t’ju them se Shqipëria është 100 vjet dritë larg standardeve dhe praktikës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera në Amerikën Latine, që karakterizohen nga një nivel demokratik i shëndetshëm dhe pavarësia e institucioneve është mbi gjithçka. Kam pasur rastin të jetoj në Paraguai për mbi dy vjet e gjysmë, si vullnetar i Korpusit të Paqes (U.S. Peace Corps), në një fshat të thellë, 420 km në jug të Asuncionit, dhe kam parë nga afër se si institucionet e pavarura kanë të drejtën kushtetuese të ndërmarrin masa demokratike nga më drastiket kundër presidentit të Republikës. I tillë ishte gjyqi politik kundër presidentit të Paraguait më 22 qershor, 2012. Presidenti Fernando Lugo, u detyrua të lërë presidencën pas një procesi demokratik dhe transparent vetëm një javë pas incidentit që ndodhi mes forcave të policisë dhe një grupi fshatarësh të armatosur, të cilët kishin ngritur çadra banimi në pronë të huaj dhe kërkonin parcela toke nga shteti, në kuadrin e reformës agrare, gjë që administrata e Lugo-s nuk e kishte në prioritetin e saj. Nga kjo përleshje mbetën të vrarë 6 oficerë policie, midis tyre edhe komandanti i operacionit dhe 11 fshatarë kryengritës. Shtatë ditë më vonë Presidenti Lugo, detyrohet nga Kongresi të japë dorëheqjen dhe më 22 Qershor, sipas kushtetutës se vendit, Zv. Presidenti i vendit, Dr. Federico Franco Gomez, mori detyrën e Presidentit të Republikës, deri në përfundim të këtij mandati pesëvjeçar, i cili mbyllet më 15 Gusht, 2013. Ishte një rastësi prania ime në Asuncion gjatë këtyre ditëve ç’ka bëri të mundur që të ndiqja nga afër situatën në vend dhe të isha intervistuesi i parë i presidentit të ri në detyrë të Paraguait.

    Shqipëria është ende larg kësaj maturie demokratike. Tirana i konsideron utopike reformat e duhura në përmirësimin e institucioneve dhe ruajtjen e miratimit të ligjeve me interes kombëtar me 2/3 e votave në parlament, në këtë kontekst ka gabimet e veta edhe Partia Socialiste. Në aspektin e prezantimit të denjë të Shqipërisë nëpër botë, Tirana është ende mbrapa nivelit të pranueshëm, madje edhe Moldavia ja kalon në shumë aspekte, të paktën këta të fundit e kanë një ambasadë të rregulluar mirë në Uashington, dhe kjo mund të verifikohet fare mirë sepse ambasada e tyre ndodhet përballë ambasadës shqiptare në Rrugën ‘S’. Kombi Moldav i ka thënë lamtumirë liderit të tij komunist Vladimir Voron që në Shtator  2009, megjithëse ai është lideri i parë komunist i zgjedhur demokratikisht pas rënies së Perdes së hekurt. Më kujtohet në Marsin e vitin 2006, kur kam asistuar nga afër të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Shqipërisë në Uashington, me rastin e vizitës së Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, dhe kam pasur nderin të koordinoj takimin midis Znj. Topalli dhe Kryetarit të Kongresit Amerikan, Dennis Hastert, më kujtohet fare mirë gjendja e mjerueshme në të cilën ishte katandisur ambasada jonë në Uashington, aq sa edhe vet Kryeparlamentarja nuk shkoi ta vizitonte.

     -Cili është imazhi dhe opinioni që kanë qeveritarët dhe diplomatët e huaj për Shqipërinë, me të cilët ju takoheni?

    Zakonisht, diplomatët dhe qeveritarët e huaj në SHBA dhe në të gjithë hemisferën perëndimore, kanë njohuri të cunguara mbi Shqipërinë, por kur i tregon se ç’farë trajektore politike dhe të admirueshme ka pasur kryeministri aktual, të gjithë mbeten me gojë hapur, dhe shfaqin më shumë interes mbi progresin e demokracisë Shqiptare. Para disa javësh kam mundur të takoj ish-Këshilltarin Special për reformën Monetare, të ish Zv-Kryeministrit Gramoz Pashko, Steve H. Hanke, i cili shprehet me këto fjalë në lidhje me eksperiencën e tij gjatë viteve 1991-92: “Kisha shpresa të larta për krijimin e bordit monetar Shqiptar. Gramoz Pashko ishte me profesion ekonomist dhe e mbështeste idenë e këtij bordi. Fatkeqësisht, ai ishte një titullar i paorganizuar mirë dhe mbrojtës i pasuksesshëm i kësaj ideje”.

    Këto komente janë aktuale edhe për Shqipërinë e sotme, natyrisht, në një kontekst tjetër, tashmë kemi një Shqipëri me ekonomi të zhvilluar dhe përqendruar në Tiranë, Durrës, Fier, ndërsa pjesa tjetër e vendit ka gati një milion të papunë. Kemi një Shqipëri me infrastrukture të përmirësuar, por pa strategji integrale dhe të qëndrueshme në zhvillimin e turizmit. Shqipëria është ende vendi ku monumentet e Kultit dhe kulturës shkatërrohen dhe veprat e artit vidhen, siç ishte rasti i fundit i dëmtimit të afreskeve të Onufrit në kishën e Shën e Premtes në Valsh, e dëmtuar rëndë gjatë netëve të ndërrimit të viteve. Tirana dërgon në Uashington, D.C. ambasadorë të paaftë, që nuk dinë të fiksojnë as edhe targën e makinës së tyre po t’u humbë nëpër rrugët Bostonit, ambasadorë me njohuri shumë të pakta për sistemin e organizimit qeveritar në SHBA. Është për të ardhur keq që ndonjë ambasador, gjatë këtyre viteve të fundit, del dhe jep intervista në shtypin e shkruar në Uashington DC, dhe, në vend që të flasë për persekutimin që i është bërë popullit shqiptar gjatë regjimit komunist, zë e tregon se si e kanë persekutuar atë duke e çuar që të punojë si mjek diku larg në zonat e thella! Qeveria e ardhshme duhet të krijojë një Akademi të posaçme për trajnimin e ambasadorëve të ardhshëm, në shumë fusha që kanë të bëjnë me përmirësimin e imazhit të Shqipërisë nëpër botë, por edhe në tërheqjen e investimeve të huaja.

     -Sipas jush, cilat janë sëmundjet e periudhës së tranzicionit të demokracisë shqiptare dhe shkaqet?

    Trafiku i influencës, analfebitizmi, shërbimi i dobët shëndetësor, korrupsioni dhe mungesa e transparencës, janë elementët më shqetësues të tranzicionit Shqiptar, të cilët vazhdojnë të pengojnë progresin e duhur në shoqërinë Shqiptare.

     – Pse keni kaq shumë lidhje me Paraguan dhe zyrtarët e lartë të shtetit në Asuncion?

    Në ceremoninë e mbylljes së shërbimit tonë si vullnetarë të Korpusit të Paqes, të përmendur edhe më herët, në Prill 2009, mori pjesë edhe Zv. Presidenti i Paraguait, Dr. Federico Franco Gomez, i cili aktualisht është Presidenti i Paraguait që prej 22 Qershorit, 2012. Në këtë aktivitet kemi mundur të bisedojmë nga afër me Zv. Presidentin Franco dhe që nga ajo ditë dhe më pas kur gjatë qëndrimit tim për studime në Institutin e Politikave Botërore në Uashington DC, vazhdova një program special për gjuhën indigjenase, Guarani, pranë Ambasadës së Paraguait, kam mundur të jem në kontakt të afërt me Dr. Franco, duke këmbyer mendime  për sfida të ndryshme në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare, rajonale por edhe në përmirësimin e imazhit të Republikës së Paraguait në SHBA dhe më gjerë. Ne 11 Shtator, 2012 isha organizatori i Forumit të Parë ekonomik të Paraguait në Shtetet e Bashkuara, gjatë 20 viteve të fundit, organizuar në Milluoki, WI. Aktualisht, vazhdoj të jem në kontakt të rregullt me Presidentin e Paraguait dhe konsultohemi gjithmonë për çështje që kontribuojnë më tej në zhvillimin e rolit të Paraguait në arenën ndërkombëtare. Një nga pikat e programit është rritja e pranisë së eksporteve nga Paraguai në tregun e Shteteve të Bashkuara. Gjatë datave 3-5 Prill, 2013 mora pjesë në vizitën zyrtare të delegacionit të Presidentit Franco në Uashington, dhe kemi mundur të takohemi me disa sipërmarrës të interesuar për të investuar duke pasur parasysh performancën aktuale të zhvillimit të biznesit në Paraguai.

     -A ka ndikim lobi shqiptar në qendrat e vendimmarrjes të politikës së SHBA-ës për Shqipërinë?

    Lobi Shqiptar me në krye Joe DioGuardi, është shumë i fuqishëm në Uashington, D.C. fatkeqësisht Z. DioGuardi, i vetmi ish anëtar i Kongresit Amerikan me origjinë Shqiptare, nuk është mbajtur afër nga qeveria aktuale. Z. Dioguardi vazhdon të jetë mbrojtësi i flaktë i interesave Shqiptare në Ballkan.

     -Lobi shqiptar i Amerikës, a luan ndonjë rol në politikën e Shqipërisë, apo është i anashkaluar, i papërfillshëm?

    Në të vërtetë komuniteti Shqiptar në Amerikë, nuk është i organizuar mirë, dhe kjo ndikon negativisht në kontributin për rritjen dhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në Amerikë. Komunitetet nga vende te tjera si p.sh: Libani, Paraguai, Polonia, Greqia dhe Serbia janë të organizuar shumë mirë.

     -Ç’farë përshtypje ju bën juve retorika nacionaliste e politikanëve tanë?

    Retorika Nacionaliste nuk është gjë tjetër vetëm largimi i vëmendjes së popullit nga problemet e përditshme si dhe dëshira e kryetarëve të partive për të siguruar sa më shumë vota të jetë e mundur. Në një kohë kur Europa është e bashkuar politikisht, por edhe ekonomikisht dhe mishëron vlera demokratike nga Portugalia ne Poloni dhe nga Britania e Madhe në Itali, nacionalizmi shndërrohet në një fjalë rudimentare e së kaluarës. Kombi Shqiptar duhet të integrohet, të bashkohet në Europë nëpërmjet integrimit Europian të të gjitha shteteve të Ballkanit ku ka Shqiptar. Me gjithë vështirësitë e hasura, Partia Demokratike vazhdon ta ketë potencialin e duhur për të integruar Shqipërinë në gjirin e Europës.

     -A përbën rrezik në Ballkan një “Shqipëri e Madhe”?

    Krijimi i një Shqipërie të madhe, është i pamundur në Ballkan. Mënyra më e mirë e bashkimit të Shqiptarëve drejt Europës, është ajo e integrimit në familjen Europiane dhe NATO. Të gjitha  variantet e tjera, janë thjesht deklarata euforike të momentit dhe trazojnë paqen e brishtë ballkanase, e cilësuar me të drejtë nga një gazetar Francez më këto fjalë: “Paqja ballkanike është si qetësia e një vullkani”.

     -Me kaq sa mund të keni informim për zhvillimet politike në Shqipëri, mendoni se Kryeministri dhe Presidenti kanë mjedis këshillimor të aftë?

    Kryeministri ka gjithsej, 23 këshilltarë, megjithëse Shqipëria është vetëm me 3.6 milion banorë dhe vend i vogël në Europe. Aktualisht kemi pesë këshilltarë për ekonominë, ndoshta 5-6 prej tyre të edukuar në SHBA. Shefi i ekzekutivit ka më shumë këshilltarë se Dr. Juan Manuel Santos, Presidenti i Kolumbisë, një vend që është ekonomia e dytë më e zhvilluar në Amerikën e Jugut. Në lidhje me këshilltarët e Presidentit Bujar Nishani të bënë përshtypje fakti që Princi Leka II është këshilltar politik i presidentit të republikës kur në Tiranë ka njerëz më shumë të kualifikuar se sa princi i nderuar, i ardhur nga Afrika e Jugut. Gjithsej janë 12 këshilltar që mbulojnë sektorë të ndryshëm. Mendoj se Presidenti i Shqipërisë duhet të jetë më aktiv në pjesëmarrjen e nismave rajonale dhe globale. Përmirësimi i imazhit të Shqipërisë është shumë i nevojshëm dhe duhet vepruar urgjentisht. Një element tjetër që më tërhoqi vëmendjen dhe që demonstron sërish ngathtësinë e administratës është edhe fakti që, Tirana zyrtare nuk emëroi asnjë përfaqësues nga Shqipëria për të qenë kandidati i mundshëm për të shërbyer si Drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë. Që prej fillimit të procesit të kandidimit kanë qenë gjithsej nëntë kandidatë që përfaqësojnë këto vende: Kosta Rika, Koreja e Jugut, Gana, Indonezia, Zelanda e Re, Kenia, Jordania, Meksika dhe Brazili; siç mund ta vini re, Europa nuk kishte asnjë kandidat, dhe ky ishte momenti ku Shqipëria mund të testonte influencën e saj në këtë organizatë multilaterale.