Peshkarexhat “gjuajnë” naftë kontrabandë

    504
    Sigal

    Peshkatarët denoncojnë pronarët: Na kanë hedhur rrugëve, nuk zënë peshk, por shesin naftë. Policia: Nuk kemi informacion

    Janë rebeluar peshkatarët e vjetër në Portin e Vlorës. Peshkatarë, 30-40 vjetësh në profesion, prej mëse se dy vjetësh enden rrugëve. Pas lutjeve  dhe kërkesave të vazhdueshme që u kanë bërë pronarëve të peshkarexhave,  kanë humbur shpresat dhe kanë bërë denoncimin në gazetën “Telegraf”, ndërsa kanë vendosur që të denoncojnë edhe në polici.

    Aktiviteti

    Tridhjetë peshkatarë, të punësuar në peshkarexhat e qytetit të Vlorës, me nja aktivitet mbi 30 vjet në peshkim, pas rënies së regjimit u punësuan në peshkarexhat private, ku me të ardhurat e këtij profesioni mbanin familjen. Shumë prej tyre janë mjeshtra dhe falë punës e pasionit të tyre si peshkatarë, pronarët e peshkarexhave kanë nxjerrë fitime të konsiderueshme.

    Largimi

    Grumbulli i peshkatarëve që i takojnë moshës mbi 45 vjeç, kanë kërkuar të bëhet publike shqetësimi i tyre dhe fitimet kontrabandë, që bëjnë disa nga pronarët e peshkarexhave. Në emër të tyre flet 60 vjeçari K.l., punësuar tek peshkarexha “Sirena”:  “Kemi qëndruar me shpresë se një ditë do të na merrnin në punë, por kaloi mbi një vit dhe ne endemi rrugëve, por tani erdhi momenti që të denoncojmë publikisht. Ne peshkatarët e vjetër jemi hedhur në rrugë, pasi peshkarexhat prej mëse një viti, nuk shkojnë për të gjuajtur peshk, por shesin naftë. Ata furnizohen në Itali apo Greqi, e blejnë 1 litër naftë 70 lekë dhe e shesin 150 lekë. Në një rrugë mund të marrin edhe 20 mijë litra dhe llogarisni se sa fitime nxjerrin.

    Ku e tregtojnë naftën?

     Është organizuar puna zinxhir. Peshkarexhat kthehen me karburant natën vonë, ose në mëngjes herët dhe në port priten nga botet e karburanteve privatë, që i dërgojnë menjëherë në destinacion. Ky proces vazhdon prej kohësh dhe nuk mund të them me siguri, nëse është në dijeni Policia e Portit, apo edhe Policia e Rendit. Pronarët kanë marrë njerëzit e afërt të tyre që bëjnë furnizimin dhe zbrazjen e karburantit, ndërsa peshkatarët, nuk kanë asnjë mundësi tjetër punësimi.

    Çfarë lloj nafte është, pasi nuk ka me këtë çmim kaq të lirë në Itali apo Greqi?

    Kjo është naftë e kuqe, ose naftë D2, që përdorin anijet, agrefate të tjera të rënda. E vërteta është se mjetet e vogla i dëmton, por ka të ngjarë që kjo sasi nafte përzihet me atë që është në rezervuarë dhe e minimizon dëmin tek motorrët e mjeteve.

    Keni denoncuar në polici?

    Mendojmë që të bëjmë një denoncim kolektiv, të mblidhemi të 30 peshkatarët dhe të firmosim denoncimin tonë, të humbur se të humbur jemi. Kështu do të ndihmojmë shtetin të ndalojë kontrabandën e karburantit, pasi kështu tregtohet në të zezë, nuk paguhen detyrimet në shtet. Fitojnë pronarët e peshkarexhave dhe të karburanteve, ndërsa drejtuesit e mjeteve, mund të fitojnë qindarka.

    Policia e Vlorës

    Pas bisedës me grupin e peshkatarëve. Lidhur me shqetësimin që ngritën, njëri nga drejtuesit në policinë e Qarkut të Vlorës, u shpreh se nuk ka ndonjë denoncim, apo edhe informacion për këtë problem.