Përtërihet kontrata kolektive e punës për bashkëpunëtoret familjare

    492
    Sigal

    Arrihet marrëveshja mes sindikatave dhe përfaqësuesve të punëdhënësve.

    Parashikohen rritje rroge dhe dyfishim i periudhës së paralajmërimit nëse nxirret nga puna një punonjëse pas lejes së lindjes. Firma përfundimtare në fund të qershorit

    – Më në fund arrihet në një pikë të përbashkët. Sindikatat dhe shoqatat e punëdhënësve kanë rënë dakord mbi përtëritjen e kontratës kolektive të punës shtëpiake, që mes figurash profesionale të quajtura colf, babysitter, badanti e të tjera, ka të bëjë me dy milionë punonjës e punonjëse, në shumicën dërrmuese të rasteve, imigrantë në Itali. Filcams Cgil, Fisascat Cisl, Uiltucs Uil dhe Federcolf kanë nënshkruar më 9 prill në Romë me Fidaldo dhe Domina një akt-verbal  marrëveshjeje (këtu teksti i plotë) që përmban edhe dy pikat e fundit që kishin mbetur pezull, të kthyera në molllë sherri pas dy vjetëve negociata: rritje e rrogave minimale dhe mbrojtje e punonjëseve pas shtatzënisë. Rritja do të jetë me tri shkallë, që do të nisin në fillim të viteve 2014, 2015 dhe 2016, dhe do të ndryshojnë në varësi të kategorisë së punonjësit (livello di inquadramento del lavoratore). Për shembull, për punonjësit që bashkëjetojnë me punëdhënësit që kujdesen për fëmijë e të moshuar të vetëmjaftueshëm dhe bëjnë edhe punë si pastrimi dhe gatimi (niveli B super) parashikohet një ngritje rroge me 19 euro (7+6+6). “Rritjet e rrogës të parashikuara nga marrëveshja – shpjegon një komunikatë e përbashkët e sindikatave – shkojnë për rikuperimin e fuqisë blerëse siç përllogaritet nga ISTAT. Kontrata kombëtare e punës shtëpiake parashikon, në fakt, një mekanizëm përshtatjeje vjetore të rrogave minimale që garanton rikuperimin me 80% të inflacionit: pra objektivi është të rikuperohet edhe 20% që rroga mbetet pas vit pas viti”. Për sa i përket tutelës së mëmësisë, marrëveshja ndërhyn në kohën e paralajmërimit në rast pushimi nga puna. Dyfishohet në rast se “punëdhënësi paralajmëron pushimin nga puna brenda 31 ditëve nga mbarimi i lejes së lindjes”. Do të thotë, për shembull, që në këto raste, nënat e reja me të paktën pesë vjet eksperiencë pune dhe të punësuara me të paktën 25 orë në javë do të kenë të drejtën e paralajmërimit për dy muaj, ose të një dëmshpërblimi të barabartë me rrogën e asaj periudhe. Mes propozimeve të sindikatave ishte edhe ndalimi i heqjes nga puna së nënave të reja për një vit të tërë pas lindjes (mbrojtje që vlen për të gjitha kategoritë e tjera të punonjëseve në Itali), por punëdhënësit lëshuan vetëm sa u tha më lart. Por pranimi legjislativ nga anë e Italisë e Konventës  Ndërkombëtare ILO nr. 189 mbi punën shtëpiake dinjitoze e që barazon punën shtëpiake me të tjerat, mund të sjellë në një të ardhme të afërt risi të tjera në këtë aspekt. Federata italiane e punëdhënësve shtëpiakë ka njoftuar se në kontratën e re kolektive kombëtare do t’i jepet “vëmendje maksimale asistencës së ofruar personave jo të vetëmjaftueshëm. Është menduar për korrigjime në sistemin aktual që të mundësojnë një asistencë të plotë e të vazhdueshme (për 7 ditë në javë), duke u dhënë mundësi punëdhënësve të punësojnë – me kosto të ulët – një punonjës shtesë për shërbime të kufizuara që të mbulojë ditët e pushimit javor të punonjësit titullar të asistencës”. Tani që marrëveshja ekziston, kontrata e re duhet hedhur në letër. Në akt-verbalin e nënshkruar më 9 prill, palët e interesuara (përfaqësues të punëdhënësve e sindikatat e punonjësve) janë angazhuar të përpilojnë një tekst përfundimtar për në fund të majit, në mënyrë që t’ia nënshtrojnë konsultimeve në territor gjatë muajit qershor e të arrijnë në nënshkrimin përfundimtar në fund të të njëjtit muaj. “Edhe pse në sezon të vështirë – pohojnë organizatat sindikale – përtëritja e një kontrate kolektive kombëtare që përfshin mbi 2 milionë punonjëse e punonjës është një sinjal i rëndësishëm përgjegjësie të Palëve sociale, sinjal që urojnmë të kapet nga Qeveria me qëllim që të vlerësohet gjithnjë e më shumë ky profesion, kaq i fshehur por gjithnjë e më i rëndësishëm në një periudhë reduktimi progresiv të mirëqenies publike”.

    Gjykatësit këmbëngulin: “I takon kujt ka kartën e qëndrimit”

    Çeku për familjet me shumë pjesëtarë

    Sentencë e re e Gjykatës së Pescaras: “Të huajve me leje CE për qëndruesit afatgjatë u takojnë të njëjtat të drejta të komunitarëve”. Por INPS vazhdon të mos pranojë ta japë ndërsa qeveria hesht

    – INPS bën rezistencë, komunat kërkojnë sqarime nga qeveria e kjo e fundit hesht. Ndërkaq gjykatësit flasin qartë: çeku për familjet me shumë pjesëtarë u takon edhe shtetasve jokomunitarë, nëse kanë në xhep kartën e qëndrimit apo lejen CE për qëndruesit afatgjatë. Sentenca e fundit arrin nga gjykata e Pescaras, që disa ditë më parë ka pranuar ankimimin e një emigranti senegalez rezident në Montesilvano kundër INPS-it dhe Komunës. Emigrantit, baba i tre fëmijëve, me të ardhura të ulëta e titullar i një lejeje CE për qëndruesit afatgjatë (apo dokumenti që njihet si karta e qëndrimit), i është refuzuar kjo lloj ndihmese ekonomike, me justifikimin se u takon vetëm shtetasve italianë e komunitarë. Pikërisht ashtu siç vazhdon të shkruhet në faqet internet të INPS-it ku lexohet që “kanë të drejtë për çekun për familjen të Komunave” vetëm “qytetarët italianë ose komunitarë rezidentë në territorin e shtetit”. Version ky i hedhur poshtë nga gjykata të ndryshme (Milano, Gorizia, Padova, Roma etj.), në bazë të parimit që qytetarët jokomunitarë “qëndrues afatgjatë” sipas direktivës evropiane 109/2003, e pranuar nga Italia me dekretin legjislativ 3/2007, duhen barazuar me komunitarët përsa i përket përftimit të shërbimeve të asistencës sociale. E mendon kështu edhe gjykatësi i punës së Pescaras, Carlo Maffei, sipas të cilit INPS dhe komuna e Montesilvanos kanë bërë një diskriminim. Dhe, siç lexohet në sentencën e botuar nga Shoqata e Studimeve Juridike mbi Imigracionin (ASGI), i ka detyruar t’i paguajnë qytetarit senegalez çekun bashkë me interesat e deritanishme. Mbi çështjen e çeqeve për familjet ka ngritur zërin në janar edhe Shoqata kombëtare e komunave italiane (ANCI), që gjenden në mes të udhëzimeve të INPS-it dhe sentencave të gjykatave që i detyrojnë të paguajnë këto çeqe (si edhe shpenzimet e proceseve gjyqësore). ANCI i kërkon qeverisë një direktivë të qartë si të veprojë, por deri më sot nuk ka pasur asnjë përgjigje.

    Referendum i Radikalëve: “Qëndrim më i shkurtër në CIE dhe sanatore”

    Radikalët italianë depozitojnë në Gjykatën e Lartë dy çështje për referendum: një për heqjen e normave të futura me Bossi-Finin dhe nga paketat e sigurisë së vitit 2009. “Janë kriminale dhe detyrojnë emigrantët të bien pre e punëdhënësve”. Nis mbledhja e firmave

    – Të kufizohet në gjashtëdhjetë ditë qëndrimi i emigrantëve të parregullt në qendrat e identifikimit dhe të dëbimit (CIE) dhe të zhduket marrëveshja e integrimit dhe kontrata e qëndrimit, duke thyer lidhjen, e futur nga ligji Bossi-Fini, mes kontratës së punës dhe qëndrimit në Itali.

    Është ky objektivi i dy prej gjashtë referendumeve të depozituar sot më 10 prill nga Radikalët italianë në Gjykatën e Lartë. Të tjerët kanë të bëjnë me shfuqizimin e financimit publik të partive, futjen e divorcit të shpejtë, depenalizimin e veprave penale të lidhura me përdorimin e drogave të lehta dhe ndarjen mes besimeve fetare të 8 për mijë të shumës së taksapaguesve që nuk kanë shprehur një zgjedhje. “Mbi emigracionin – shpjegojnë Radikalët italianë – kërkojmë të jemi si Europa. Duam të shfuqizojmë ato norma kriminale që angazhojnë një pjesë të madhe të forcave tona të policisë, duke e nisur nga qendrat e identifikimit dhe të dëbimit që duhet të identifikojnë e jo të kthehen në burg të ri që e bëjnë të paqëndrueshëm e pre të shantazheve statusin e punonjësit emigrant”. “U bëjmë apel të marrin “armët” demokratike të gjithë atyre që duan të reformojnë Shtetin duke vënë në qendër personat e jo partitë, duke eliminuar ligje që bllokojnë drejtësinë dhe kriminalizojnë dukuri sociale si emigracioni e konsumi i drogave e që të detyrojnë të presësh tre vjet për të kërkuar një divorc” ka shpjeguar sekretari i Radikalëve italianë Mario Staderini. Në veçanti, çështja e parë e referendumit dëshiron të zhdukë normat, e sjella në fuqi nga qendra e djathtë, që kanë zgjatur nga dy deri në tetëmbëdhjetë muaj mbajtjen e emigrantëve në CIE. “Me kosto tejet të lartë për shtetin, 18 milionë e 607 mijë euro vetëm gjatë vitit 2012 vetëm për shërbimet në brendësi të qendrave, me rezultate dështimi të plotë dhe shkeljen e të drejtave njerëzore” nënvizojnë promotorët, sipas të cilëve 60 ditë janë “të mjaftueshme në pjesën dërrmuese të rasteve për të kuptuar nëse identifikimi është realisht i mundshëm”. Çështja tjetër godet normat “që detyrojnë qindra mijëra emigrantë të jenë pre e shantazheve të vazhdueshme të punëdhënësve (duke krijuar efektin e “konkurrencës së pandershme” me punonjësit italianë) apo që i shtyjnë drejt punës në të zezë ose në shërbim të mkrokriminalitetit”. Në fakt, referendumi parashikon shfuqizimin e neneve 4 dhe 5 bis të tekstit unik për emigracionin (marrëveshja e integrimit dhe kontrata e qëndrimit) “që të dy ndikojnë mbi lejen e qëndrimit sepse e lidhin në mënyrë të pazgjidhshme mundësinë e qëndrimit në vendin tonë – edhe të qytetarëve prej vitesh në Itali – me kontratën e punës”. Nëse në referendum, italianët përgjigjen “PO” , sipas Radikalëve italianë do të jetë e mundur “një sanatore për 500 mijë punonjës të huaj pa leje qëndrimi, që janë tashmë në Itali”.Rrugëtimi i dy propozimeve për referendum sapo ka nisur, rruga është e gjatë e nuk është e thënë që të arrijnë deri në fund. Tani që kërkesat për referendum janë depozituar në Gjykatën e Lartë, do të nisë mbledhja e firmave: nevojiten 500 mijë për çdo kërkesë që referendumi të mbahet vërtet.

    Elvio Pasca