Përsëritet në Tiranë fenomeni “Gropa e Hajdin Sejdisë”

    568
    Sigal

    Ankohen banorët e rrugës “Karl Gega”: Të merren masa për tharjen e “kënetës”. Po bëhemi ushqim për mushkonjat

     Përsëritet sërish në Tiranë fenomeni i njohur si “Gropa e Hajdin Sejdisë”. Një gropë e madhe për ndërtim pallati, e nisur si e tillë 5 vjet më parë, por që nuk ka vijuar me asnjë proces tjetër, ndodhet në rrugën “Karl Gega”, midis stacionit të vjetër të trenit dhe ish frigoriferit të Tiranës, afër Dispanserisë. Lënia hapur e gropës, prej më shumë se 5 vjetësh, në mes të Tiranës është kthyer në vatër infeksioni të rrezikshme për shëndetin e banorëve përreth. Edhe pse banorët e zonës janë ankuar për këtë fenomen, si një problem shumë shqetësues për ta, duket se Bashkia e ka harruar ekzistencën e kësaj grope, e cila fshihet pas pallateve shumëkatëshe. Gjithsesi, gropa për ndërtim pallati, prej 10 mijë metrash katrorë (1 hektar), është kthyer në një kënetë, ku bretkosat ia marrin këngës 24 orë në 24, ndërsa mushkonjat ushqehen me gjakun e banorëve përqark, duke rrezikuar edhe përhapjen e ndonjë epidemie të mundshme.

    Ankesa e banorëve

    Banorët e rrugës “Karl Gega” janë të shqetësuar për përhapjen e një epidemie të mundshme dhe rrezikun që u kanoset atyre prej “kënetës”, me të cilën kanë 5 vjet që bashkëjetojnë. Banorët tregojnë për “Telegraf” se ka rreth 5 vjet që është hapur një gropë për themelet e një pallati, i cili është në vazhdim të një pallati tjetër, pothuaj të mbaruar përsa i përket pjesës së banimit, ndërsa 3-4 pjesët e poshtme që janë për garazhe ose për ambiente sociale, janë të pambaruara. “I gjithë kati i parë nën dhe, madje dhe mbi të, në të gjithë shtrirjen e sipërfaqes është i mbushur me ujë, që me një llogari të përafërt është me përmasa 100 me 100, baraz me 10 000 metra katrorë, baraz me një hektar tokë”, llogarit një nga banorët. Banorët tregojnë se janë ankuar vazhdimisht për këtë shqetësim jetik të tyre në Bashkinë e Tiranës dhe në institucione të tjera, si dhe së fundmi te Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit. “Sipas të thënave, janë marrë masa për gjobitje, ka pasë dhe heqje uji ndonjëherë, por ka më shumë se gati një vit që nuk është bërë asnjë lloj pastrimi i gropës”, shprehet një banor tjetër. Kjo gropë mbushet vazhdimisht nga reshjet e shiut dhe duke mos pasur asnjë ndërhyrje për largimin e ujërave, ajo është kthyer në një vatër infeksioni të rrezikshme. “I gjithë ambienti është mbushur në mushkonja që po na pinë gjakun. Zhurma e bretkosave është çdo natë e ditë, aq sa na janë mësuar veshët tashmë”, shprehet njëri nga banorët e rrugës “Karl Gega”. Banorët tregojnë se ky ka qenë problem që në fillim, por, më parë, firma e ndërtimit vinte në funksion një motopompë, e cila, kur kishte ujë, e pastronte. Por, sipas të dhënave, pronari harxhonte 40 mijë lekë të vjetra energji në ditë. Kjo, mesa duket, është një kosto, që pronari i ndërtimit nuk ka qejf ta paguajë dhe e paguajnë banorët. Banorët e rrugës “Karl Gega” kërkojnë që të merren masa të menjëhershme nga instancat shtetërore përkatëse. Së pari, të bëhet dezinfektimi i gjithë sipërfaqes dhe së dyti, largimi urgjent i ujit dhe, jo nëpërmjet një motopompe që do 1 muaj, sipas tyre, ta heqë gjithë këtë masë ujore, por ndoshta me mjete të zjarrfikësve që largojnë një volum të madh dhe shpejt. Ndërsa, nëse kjo ndërtesë nuk ka ndërmend të bëhet, banorët e zonës kërkojnë që Bashkia ta mbushë dhe ta mbyllë përfundimisht këtë gropë kënetore në mes të Tiranës.

    Ledjana Saliu