Përplasjet “big”në javët e para, Shulku e quan normale ngarkesën

490
Nga Agron KAJA
SHORTI/ U përcaktua dje në FSHF, kalendari i sezonit 2017-2018 për Kategorinë Superiore, munguan katër klube
Ndërsa skuadrat e Kategorisë Superiore janë të shpërndara në “frontet” e tyre përgatitore, FSHF-ja mendoi që t’u servirte kalendarin e sezonit 2017-2018, një ndihmë kjo për përcaktimin e platformave në çdo skuadër të kësaj kategorie. Ndryshe nga sezoni i kaluar kur kalendari u përcaktua pikërisht në datën 28 korrik, tashmë edhe vetë FSHF-ja e ka mundësinë që të monitorojë gjithë aspektin përgatitor, njëherësh dhe infrastrukturën. “Shorti për Kampionatin e 79-të Kombëtar i Futbollit, hidhet sot (dje), pas një konsultimi që kemi bërë ne si Federatë me të gjitha skuadrat. Pjesa më e madhe e tyre ka dërguar miratimin për këtë datë, pra më 9 shtator 2017 fillon Kampionati i Kategorisë Superiore 2017-2018, ndërkohë që në datën 6 shtator do të luhet Superkupa e Shqipërisë”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, i cili më pas, foli edhe për stadiumet e disa skuadrave që ende nuk janë të licencuara. “Edhe Kamza me Lushnjen besoj se do të arrijë kohën, që të luajnë ndeshjet në stadiumet e tyre, pasi janë në rikonstruksion. Në këtë kalendar janë planifikuar që të luhen 4 deri në 5 ndeshje në muaj, ngarkesë e cila është mëse normale për të pasur garë të mirë dhe me rivalitet”. Njëherësh, vetë sekretari Shulku sqaroi se kjo formulë nuk mund të ndryshojë, pra, do të kemi 10 skuadra që do të ndeshen mes tyre në 4 faza me nga 9 ndeshje çdo fazë. E veçantë në këtë short ishte pjesëmarrja e pakët e përfaqësuesve të skuadrave, ku mungonin nga Kukësi, Skënderbeu, Flamurtari e luftëtari Luftëtari, por që goglat nuk u ndalën në hedhjen e tyre. Në deklarimet që dhanë disa nga përfaqësuesit e skuadrave në këtë short, të gjithë folën për normalitet e fat, por që për skuadrat “big”, ku mund të futen ato që e mbyllën në vendet e kreut sezonin e kaluar, “hesapet” mes tyre ndahen brenda javës së katërt. 
Shorti për Kampionatin e 79-të Kombëtar i Futbollit, hidhet pas një konsultimi që FSHF-ja ka bërë me të gjitha skuadrat. Pjesa më e madhe e tyre ka dërguar miratimin për këtë datë, pra më 9 shtator 2017 fillon Kampionati, ndërkohë që në datën 6 shtator do të luhet Superkupa e Shqipërisë
Klubet në short
Partizani, Vllaznia, Teuta, Laçi, Lushnja, Kamza
Klubet që munguan
Kukësi, Skënderbeu, Flamurtari, Luftëtari
Numrat e goglave
Nr 1-Partizani
Nr 2-Kukësi
Nr 3-Skënderbeu
Nr 4-Lushnja
Nr 5-Teuta
Nr 6-Luftëtari
Nr 7-Vllaznia
Nr 8-Flamurtari
Nr 9-Kamza
Nr 10-Laçi
E veçantë
Për skuadrën e Laçit, dje shortin e tërhoqi lojtari afrikan Abraham Aleçenu, i cili zgjodhi goglën me numër 10. Kujtojmë se Abraham ka shëtitur në shumë skuadra të Kategorisë Superiore të futbollit shqiptar, dhe midis tyre ka fituar 4 herë Titullin Kampion: 2 herë me Tiranën, 1 herë me Dinamon dhe 1 herë me Elbasanin. Të tria këto skuadra pas largimit të “Braçes”, kanë zbritur në kategoritë inferiore!
Deklarata për gazetën “Telegraf”
Olsi Ranxhi (Partizani)
“Shpresojmë që këtë sezon të kemi më shumë fat, ndoshta këtë e paralajmëroi edhe gogla, e cila ishte numri 1 për Partizanin. E rëndësishme është që këtë sezon, ne e nisim kampionatin me një ndeshje në fushën tonë, ku do të presim Laçin, por fat do ta quaja këtë short edhe për faktin tjetër, se me ato skuadra që janë rivale tradicionale, ndeshjet i luajmë në tre apo katër javët e para”.
Eduard Salillari (Teuta)
“Ky mund të quhet një nga shortetë më me fat për të gjitha skuadrat, sepse duke e parë nga java në javë, duket sikur skuadrat janë vendosur në harmoni me synimet e tyre. Gjithsesi, për Teutën pozitive është që këtë kampionat do ta nisim në Durrës, me një skuadër simpatike si Luftëtari, ndaj së cilës njëherësh mundet edhe të kolaudohet më mirë skuadra për vazhdimësinë”.
Gjergj Kola (Vllaznia)
“Ne dëshironim që këtë kampionat ta nisnim në fushën tonë, por goglat na çuan në Lushnje. Mendoj se do të jetë një nisje e bukur për skuadrën tonë, duke e menduar skuadrën lushnjare jo si një debutuese, por si një skuadër që në fushën e saj bën më të mirën. Por, ky short na favorizon edhe për një fakt tjetër, pasi ndeshjet me skuadrat rivale i presim fillimisht në fushën tonë”.
Abraham Aleçenu (Laçi)
“Për mua është një kënaqësi që sot (dje) tërheq shortin për skuadrën e Laçit. Ndeshja e parë për ne ra pak e fortë, sepse do të luajmë në Tiranë me Partizanin, por si do që të jetë, ky është një short që kërkon nga ne përgatitje dhe vetëm përgatitje. Laçi është në pikun stërvitor dhe të merkatos, e besoj se këtë sezon do të jemi në pozicione më të mira nga sezoni i kaluar, ku vuajtëm mbijetesën”.
Naim Qarri (Kamza)
“Për ne ky short u tregua i “pamëshirshëm”, sepse në ndeshjen e parë do të luajmë me skuadrën kampione, Kukësin. Por, ne i kemi marrë të gjitha masat tona, pasi çdo kundërshtar për ne vlerësohet maksimalisht. Skuadra është duke u përgatitur për sezonin e ri, dhe ne nuk synojmë që të futemi në këtë kampionat me pretendime mbijetese, por do të synojmë që të jemi në mesin e tabelës”.
Osli Stambolliu (Lushnja)
“Edhe pse ne do ta nisim këtë debutim në Kategorinë Superiore me një ndeshje në fushën tonë ndaj Vllaznisë, ky short më duket simpatik. Riorganizimi i skuadrës sonë ka nisur, dhe presim shumë shpejt miratimin nga Këshilli Bashkiak të një fondi prej 200 milionë lekësh të vjetra, të cilët do të jenë starti i parë i përgatitjeve tona. Do synojmë që të jemi më shumë se sa një skuadër debutuese”.
Sigal