Përplasen të dhënat zyrtare, specialistët: Papunësia rritet me 30 %

    355
    Sigal

    Qeveria: 6200 vende të reja pune që presin. INSTAT: Rritet 15.6% niveli i papunësisë

    Niveli i papunësisë, sipas INSTAT-it, është rritur me 15.6 %, ndërsa qeveria reklamon rreth 6200 vende të paraqitura tre ditë rresht në panairin e punës. Kryeministri Rama ka deklaruar se, është ulur ndjeshëm papunësia në vend, duke pohuar hapjen edhe të 3700 vendeve të tjera të punës, me trefishimin e fondeve për nxitjen e punësimit. Sipas tij, ndryshimi po i jep mundësinë gjithë shqiptarëve që dëshirojnë të punojnë që të tentojnë shansin e tyre, jo vetëm në zyrat e punës, të hapura së fundi, por dhe në hapësira të tjera, si Panairi i Punës. Por, me sa duket, kjo gjë ka ngelur vetëm në shifra, pasi faktet vërtetojnë të kundërtën. Dje në ditën ndërkombëtare të punëtorëve në Shqipëri nuk u zhvilluan veprimtari sindikaliste, megjithëse papunësia është rritur dhe kushtet e punës në një pjesë të madhe firmash janë të vështira. Zyrtarisht papunësia është mbi 15 për qind, ndërsa ekspertë të pavarur vlerësojnë se, papunësia e vërtetë është afro dyfishi i saj. Sipas një raporti vjetor për vitin 2013-ën për tregun e punës në Shqipëri, të publikuar nga Instituti i Statistikave, të dhënat tregojnë se, gjatë vitit që kaloi, niveli i papunësisë arriti në 15.6%, duke shënuar një rritje vjetore prej 2.2%. Sipas INSTAT, papunësia rezulton më problematike tek të rinjtë. “Shkalla e papunësisë te të rinjtë e moshës 15-34 vjeç është 30.2%, duke u rritur me 2.3% kundrejt vitit të mëparshëm”, thuhet në raportin e INSTAT. Gjatë 2013-ës pati një rritje të shkallës së papunësisë për personat me arsim të lartë me rreth 1.8%. Duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor, në tregun e punës në Shqipëri, vihet re që shkalla e papunësisë është me e lartë për personat me arsim të lartë, me 14.7% se sa për personat me arsim bazë apo 8 dhe 9-vjeçar. Një tjetër tipar dallues i tregut shqiptar të punës është pjesa relativisht e lartë e të papunëve të dekurajuar, të moshës 15-64 vjeç, të cilët në vitin 2013 përbënin 23% të të gjithë individëve ekonomikisht joaktivë, qofshin këta meshkuj apo femra. Instituti i Statistikave konstaton se, gjatë vitit që lamë pas, krahasuar me vitin e mëparshëm, numri i të punësuarve u ul me 11.2%. Sipas të dhënave zyrtare, pothuajse 3 në 7 të punësuar me pagë punuan në një nga pesë sektorët kryesorë të ekonomisë, si ndërtimi, administrata publike, industria përpunuese, arsimi dhe tregtia me shumicë dhe pakicë. Punësimi është dominuar nga sektori bujqësor dhe nga ai i shërbimeve.