Përparim Halili/ Jetë me politizim, fukarallëk dhe maskarallëk me detyrën e shtetit

    358
    Sigal

    Janë disa episode, që duket sikur nuk ngjallin as shqetësim, as interes publik për t’i trajtuar, deri në atë masë sa shpesh edhe pse publikohen e bëhen objekt debati shoqëror, përcillen si barcaleta kafenesh. Por, janë realitete me të cilat ndeshemi përditë. Përmbajtja e tyre, përcjell atë që ndodh realisht në jetën tonë të përditshme dhe, me të cilën ne shqiptarët jemi ambientuar deri në atë masë shpërfilljeje, aq sa nga shqetësim i kthejmë në humor. Po tregoj tre episode…

    -Kursi i analfabetizmit të doganierëve

    Dje mbasdite, ndërsa ecja në rrugën e Kavajës, nga dritaret e katit të dytë të një ndërtese të rrethuar me kangjella e me dritare hapur, po dëgjoja disa pyetje-përgjigje, që bëheshin me zë të lartë.

    Zëri që bënte pyetjet dhe zërat që përgjigjeshin, dëgjoheshin deri në trotuar. Përmbajtja e pyetjeve më bëri përshtypje, mbasi edhe pse zërat ishin të moshave madhore, m’u duk sikur bëhej mësim aritmetike në klasën e 3-të fillore dhe ndalova të dëgjoja.

    Një nga pyetjet ishte kjo: – Kush i jep përgjigjen të saktë, këtij problemi aritmetik: Në pikën doganore, janë paraqitur 2 makina të ngarkuara me kafe. Njëra nga makinat ka 94 thasë me kafe, ndërsa tjetra ka 63 thasë me kafe. Kush e gjen, se sa thasë me kafe janë gjithsej, për t’u zhdoganuar?

    U dëgjua përgjigja e parë: Gjithsej për t’u zhdoganuar, janë 75 thasë!

    Ai që pyeste, foli: Tjetër përgjigje, kush ka? Duhet të jap secili përgjigjen e tij.

    U dëgjua përgjigja tjetër: Në të dy makinat së bashku, janë 89 thasë për t’u zhdoganuar. Vazhduan përgjigjet e tjera. Dikush thoshte 70 thasë, tjetri 109, tjetri 62 e kështu me radhë jepeshin përgjigje me shifra të ndryshme si: 34 thasë, 41 thasë, 50 thasë e me radhë.

    Për kuriozitet, shkova tek porta e godinës dhe pyeta rojën: Po dëgjoj ca përgjigje dhe më bëri përshtypje, se çfarë bëhet në katin të dytë?

    Roja m’u përgjigj: Është kursi i analfabetizmit të doganierëve.

    -Fatura fiskale në dyqane dhe ushqimet me listë

    Këto ditë një inspektor tatimesh në Tiranë, më tregonte këtë episod. Për të shmangur evazionin fiskal, shërbimi tatimor organizoi një aksion, me objekt kontrollet në tregjet e kryeqytetit, për të vrojtuar nëse përdoreshin kasat fiskale për pajisjen e blerësve me fatura shitjeje. Sipas “planit” të operacionit, kontrolli do organizohej në befasi, ndaj dhe inspektorët e tatimeve nuk u veshën me uniformat zyrtare, për të mos u pikasur nga shitësit, për të vepruar në fshehtësi.

    Inspektori tatimor, u caktua të vëzhgonte minimarketin poshtë një pallati. Sapo nga minimarketi doli një blerës me qeset të mbushura me ushqime, inspektori i doli përpara dhe e pyeti:

    – Më falni zoti qytetar, çfarë keni blerë?

    Qytetari i’u përgjigj: – Kam blerë bukë, qumësht, qepë, oriz, sapun, vaj dhe kripë.

    Inspektori e pyeti më tej: – Ku i bleve?

    Qytetari iu përgjigj: – Ja këtu, tek ky marketi përballë nesh, pronari është komshiu ynë.

    Inspektori tatimor e pyeti përsëri: – A mund të më tregoni faturën e blerjes së produkteve?

    Qytetari i tha: – Çfarë fature të tregojë?!

    Inspektori, i tha përsëri: – Faturën që tregon vlerën e produkteve që keni blerë në këtë dyqan, mbasi sipas ligjit, për çdo blerje shitësi duhet ta pajisë blerësin me faturë.

    Qytetari, i tha: – Ç’faturë thua ti, o zotëri?! Unë kam 5 vjet që blej ushqime me listë tek ky dyqan, unë i lë faturë atij e jo ai mua!

    Fukarai dhe receta e ilaçeve

    Një miku im mjek (A. Shehu) në Tiranë, më tregoi këtë rast, të ndodhur gjatë vizitave mjekësore që ai zhvillon në ambulancën ku punon. Një qytetar, i papunë, i cili prej shumë vitesh jetonte familjarisht vetëm me ndihmë ekonomike, u paraqit për vizitë. Meqë nuk kishte librezë shëndetësore, dhe sipas ligjit nuk pranohesh për vizitë pa pagesë, i kërkoi mjekut si “nder” ta vizitonte pa pagesën që përcaktohet në ligj kur je pa librezë shëndetësore, d.m.th i pa siguruar. Nisur prej fjalëve të tij lutëse e prekëse, mjeku pranoi ta vizitonte.

    Pasi e vizitoi, i përcaktoi diagnozën dhe i plotësoi një recetë ilaçesh për mjekim, duke e sqaroi për mënyrën se si duhej t’i përdorte ilaçet.

    Mjeku, i tha:  Merre recetën. Ilaçet do t’i pish 3 herë në ditë, pas buke.

    Fakiri mblodhi buzët dhe pas një pauze me vështrim trishtues, i tha mjekut:

    – Aman o doktor, a më ndihmon dot për diçka?

    – Fol i tha mjeku, – mos ki ndrojtje, po ta kam unë në dorë, të ndihmoj.

    – Doktor, turp është që ta them, por po munde, me jep një recetë me ilaçe, që t’i pi vetëm 1 herë në ditë pas buke, se unë… jam pa punë dhe vetëm 1 herë në ditë ha bukë!

    “Ti nuk më dukesh si tropojan…”

    Ndërsa kthehesha nga Kukësi, në Kolsh, në anë të rrugës, një çift të moshuarish ngritën dorën, duke më lënë të kuptoja se kishin nevojë për makinë. Ndalova. Kërkuan t’i merrja për në Tiranë. Pasi bëmë ritin e përshëndetjeve, nisëm bisedën.

    E pyeta: – Nga jeni?

    Burri u përgjigj: – Nga Kukësi jemi, nga Gabrica, shkojmë në Tiranë, kemi vajzën të martuar në Sauk, ka datëlindjen e djalit.

    Pastaj, më pyeti, ai: – Po ty, nga të kemi or bir, nga je me rrënjë?

    Unë, i thashë: – Mos më pyet se nga jam me rrënjë, se më vjen turp ta them!

    Ai, ma ktheu: – E pse të vjen turp ta thuash, na shqiptarë jemi të gjithë, turpin e nderin bashkë e kena?

    Duke qenë se jam nga jugu dhe vazhdoj të ruaj dialektin jugor, iu përgjigja:

    – Xhaxha, unë jam nga vendi i diktatorit!

    Kuksiani, m’u afrua pranë fytyrës, më nguli sytë si të më verifikonte kush isha realisht dhe duke tundur kokën e mbledhur buzët, më pyeti me habi:

    – Ti të jesh je nga vendi diktatorit?!!!! Nga e folura, nuk më dukesh si tropojan! (quante Saliun diktator)