Përparim Halili/ Autobusi 57 vjeç, shoferi 30 vjeç, duhej të ishte çuar për skrap qysh në vitin 1972!

    366
    Sigal

    Shqipëria 2014/ Mungesa e kontrolleve dhe nxjerrja jashtë përdorimit e mjeteve të teje konsumuara shkak për aksidente

    Para disa kohësh, ndërsa nisesha për në zonat e jugut, më duhej të kaloja nga qyteti i Ballshit. Pas hapjes së aksit të ri rrugor Tepelenë-Levan, që të shkosh në Ballsh, duhet të ndalosh në kryqëzimin Fier-Vlorë. Atje shërbejnë automjete zonale, që transportojnë udhëtarë në linjën Fier-Patos-Ballsh. Kështu veprova. Zbrita në kryqëzim dhe pyeta, se ku mund të gjeja automjet për të shkuar në Ballsh. Më treguan një autobus prodhim i shekullit të kaluar, të cilin po e publikojmë me fotografi. Ishte tip autobusi, nga ata që përdoreshin përpara viteve 1990 për transport udhëtarësh, minatorësh në zonat malore, naftëtarësh e madje shpesh edhe të preferuar për ekskursione punonjësish të dalluar. Ishte një autobus në gjendje “rrangallë”, por i lyer nga jashtë e i mobiluar nga brenda me tapiceri autobusësh të kohës, bërë tamam si “nuse e re”. Viti i prodhimit të tij, kuptohej që ishte shumë i hershëm. Gjithsesi, vazhdonte të përdorej për transport udhëtarësh e madje, në një rrugë tepër problematike si ajo Fratar-Ballsh-Fier, prej afro 2 vitesh e braktisur pothuajse krejt, pas futjes në funksionim të rrugës Levan-Tepelenë. Shoferi një djalë i ri nga mosha, vazhdonte thërriste me zë të lartë: – Hajde, Patosi, Ballshi, se do nisemi. Ndërsa qëndronim në pritje për pasagjerë të tjerë, nisa bisedën me shoferin, siç nisin bisedat gjatë udhëtimeve me të panjohur. E pyeta, se si i ecte puna. Pastaj e pyeta, se si i “ecte” autobusi nga gjendje teknike dhe harxhimi i karburantit.

    Pastaj, nga kurioziteti e pyeta: – Po autobusi, çfarë viti prodhimi është?

    Shoferi m’u përgjigj: – Eh, më mirë mos më pyet, ky është që me gjyshen time! Është prodhim i vitit 1957. E ka patur Ndërmarrja Gjeofizike e Patosit, por e shiti. Unë ia bleva një shoferi të naftës. E lyeva, i bëra ca riparime në motor e tapiceri dhe shyqyr mos të qahem, kam 6 vjet që ushqehem me të. Më tepër punoj me këta banorët e fshatrave anës rrugës.

    Bëra një llogari me vitin e prodhimit dhe më rezultoi, se autobusi ishte 57 vjeç!

    Për ta çuar deri në fund kuriozitetin, pyeta shoferin se çfarë moshe ishte vet ai. Shoferi më tha, se ishte 30 vjeç.

    Sipas llogarisë, më rezultoi se autobusi që transportonte njerëz afro 4 herë në ditë, vajtje-ardhje në rrugën “gërmadhë” Fier-Patos-Ballsh, ishte 27 vjeç më i madh se shoferi!

    Kjo çmenduri njerëzore dhe indiferencë zyrtare përballë një tragjedie të mundshme, ndodh vetëm në Shqipëri. Vetëm në Shqipëri ndodh, që të transportohen njerëz me një autobus me “moshë” 57 vjeç, i cili sipas vitit të prodhimit dhe katalogut teknik të shfrytëzimit (15 vjet koha maksimale e lejuar për shfrytëzim), duhej të kishte përfunduar për skrap qysh 42 vite më parë, ose 12 vite përpara se të vinte në jetë shoferi 30 vjeçar që e drejtonte!