Përmirësimi imazhit, sfidë kombëtare

    664
    Sigal

    Prof. Dr. Lisen BASHKURTI Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë i Aleancës KuqeZi flet për imazhin dhe sfidat e Shqipërisë

     

    Ka shumë dekada që kombi shqiptar përballet me sfidën e imazhit ndërkombëtar. Sfida të tilla kanë kaluar e kalojnë shumë kombe në botë. Por, veçoria jonë qëndron në faktin se, nëse kombet e tjerë kanë ndërtuar e zbatuar strategji afatgjate, për përmirësimin e imazhit të tyre, kombit tonë i ka munguar dhe vijon t’i mungojë një strategji e tillë. Kjo nuk do thotë se kombi shqiptar nuk punon për përmirësimin e imazhit. Punon, madje shumë. Por, kjo punë bëhet spontanisht dhe pa strategji, prandaj karakterizohet nga ulje-ngritje dhe nga një ecuri shumë e ngadaltë.  Prej mijëra vitesh, populli ynë i vjetër, i urtë dhe i qytetëruar ka përcjellë shprehjen “më mirë të dalë syri, sesa nami”. Çdo popull dhe çdo shtet, i madh apo i vogël, i zhvilluar apo në zhvillim, në sisteme të ndryshme të marrëdhënieve ndërkombëtare është përballur në mënyra të lloj-llojshme me sfidën e imazhit ndërkombëtar. Natyrisht, në periudhat e formimit të shteteve kombëtare Evropiane dhe të vetë sistemit politik Evropian në shekujt XVII-XVIII e më pas, në sistemet ndërkombëtare që i pasuan nga shekulli XIX deri ne fillim të shekullit XX – çështja e imazhit ndërkombëtarë kishte specifika dhe dimensione të ndryshme, nga ato të kohës sonë. E përbashkëta e gjithë rasteve dhe kohëve qëndron në faktin se kanë qenë media dhe diplomacia, të cilat janë përballur më së shumti me sfidën e imazhit ndërkombëtar të popujve dhe shteteve.

    Vështrim historik i sfidës së imazhit

    Në studimin e tij “Transnational Public Relations by Foreign Governments”, profesori gjerman, Michael Kunczik shkruan se: “…bibla përmban shembuj se karakteri i një vendi dhe populli si dhe imazhi i tyre ka shqetësuar njerëzimin qysh nga fillimi i historisë”.

    Nga një shqetësim biblik i njerëzimit dhe më pas i kombeve moderne, çështja e imazhit u shndërrua gradualisht në një pjesë integrale të medias diplomacisë së tyre. Kështu, themeluesi i diplomacisë moderne, krijuesi i shtetit kombëtar Francez dhe i sistemit Evropian të “ekuilibrit të forcave”, Kardinali Rishëlje e lidhte ngushtë çështjen e imazhit të Francës me diplomacinë dhe marrëdhëniet publike, me qëllim influencimin pozitiv të qendrës më të madhe të kohës: Romës. Sipas Rishëljesë, ndikimi ndërkombëtar për imazhin e vendit lidhej me katër faktorë: me qeverisjen e mirë, me marrëdhëniet publike, me informacionin dhe me propagandën. Në modelin e hedhur nga Rishëlje vijoi të zhvillohej diplomacia moderne në fillim të shekullit XX. Ishin pikërisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbas thyerjes së izolimit Monroist dhe daljes aktive në marrëdhëniet ndërkombëtare, që e ndjenë  shqetësimin për imazhin ndërkombëtar të vendit të vet. Për t’u përballur me këtë sfidë të re për demokracinë më të madhe të botës, Presidenti amerikan Udro Uillson pati themeluar Komitetin e Informimit Publik, të kryesuar nga gazetari George Creel. Në orientimet që i jepte Komitetit të sipërpërmendur, Creel theksonte: “Çështja ishte që i tërë biznesi të mobilizohej për kujtesën e botës…Amerika duhet të përfaqësohej, jo thjesht si një shtet i armatosur dhe i fuqishëm, por si një njeri i armatosur që beson se për çfarë idealesh dhe idesh po lufton…”  me synimin “… për të çuar në çdo cep të globit të civilizuar, mesazhin e plotë të Amerikës, për idealizëm dhe jo për egoizëm…” Gjatë Luftës së Dytë Botërore mediat dhe diplomacia moderne, sidomos e Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe më pas edhe e Bashkimit Sovjetik, u përballën me çështjen e imazhit ndërkombëtar në përpjekjet për mobilizimin e popujve të botës në luftën kundër Aksit Romë – Berlin – Tokio. Qëllimi i Fuqive Antifashiste ishte të ngrinin lart vlerat e tyre dhe të zbulonin përpara audiencës së popujve të mbarë botës monstrumin nazi-fashist. Mijëra gazeta, revista, libra, emisione radiofonike botoheshin dhe emëtoheshin për të qartësuar audiencën botërore, si parakusht për t’i prirë krijimit të Aleancës së madhe të popujve. Pikërisht, në këtë periudhë, diplomati i shquar Amerikan, Ajvi Li, shkruante se:  “Shtetet kombe duhet të flasin qartë dhe saktë, pa fshehur një presje…e tërë dija e së vërtetës do t’i bëjë popujt të kuptojnë njeri-tjetrin…Çdo qeveri duhet të jetë e vetëdijshme për marrëdhëniet me shtypin…është gabim për një qeveri që të presë që vendet e tjera të flasin në emër të saj”.    Në mënyrë të veçantë, si një rast unik i suksesit të rolit të medias dhe të diplomacisë për të influencuar audiencën amerikane dhe atë ndërkombëtare ka qenë veprimtaria informuese, mediatike dhe diplomatike e Kryeministrit Çërçill. Studiuesit e kësaj periudhe, në analizat krahasuese, ndërmjet diplomacinë dhe medias së Britanisë dhe atyre të Hitlerit, për të ndikuar mbi opinionin amerikan e botëror, theksojnë se: “Gjermanët nuk patën sukses në luftën publicistike, sepse gazeta britanike “Paper Bullit”, gradualisht kishte filluar ta kthente opinionin publik botëror në favor të vet…” Midis dy palëve, që luftonin për jetë a vdekje, fitoi diplomacia dhe media britanike, e cila arriti të ndikonte opinionin amerikan për ta tërhequr atë drejt angazhimit në luftën kundër Aksit nazi-fashist. Pra, në atë periudhë të vështirë, lufta për imazhe u shndërrua në luftë reale. Ndryshimi i imazhit u shndërrua në veprim ndërkombëtar. Ofensiva informuese dhe diplomatike e demokracive u shndërrua në fitore mbi fashizmin.“Plumbat prej letre” triumfuan mbi “plumbat prej metali”.Mbas Luftës së Dytë Botërore, pra gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, dy kampet e kundërta, respektivisht demokracitë Perëndimore dhe Blloku komunist i’u kundërvunë njëri-tjetrit edhe në planin e luftës për imazh ndërkombëtar. Demokracitë Perëndimore anatemonin deri në apokalipsin e plotë sistemin komunist, si një model anti-njerëzor, diktatorial, i varfërimit dhe pa perspektivë historike. Nga ana tjetër, Blloku komunist përpiqej të damkoste demokracinë, si sistem i kaosit, anarkise, rivaliteteve, synimeve shfrytëzuese brenda vendeve dhe i ambicieve imperialistë ndërkombëtare. Sidomos kundër ShBA, propaganda komuniste nuk hezitonte të nxiste edhe popuj të tjerë, veçanërisht në kohë krizash për t’i epitekuar si “janki”, të “dhunshëm” dhe si “diplomaci kaubojsish”. Lufta e Ftohtë kishte shumë informacion nga demokracitë Perëndimore, lidhur me sistemin komunist, ndërsa kishte shumë propagandë manipulative nga Blloku komunist lidhur me sisteme demokracisë liberale. Mbas përfundimit të Luftës së Ftohtë, zhvillimit të sistemeve të hapura, bashkëpunimit ndërkombëtarë, rrjeteve të informacionit dhe të komunikimit masiv, internetit dhe teknologjive supernacionale të informim-komunikimit – kanë rënë ndjeshëm praktikat propagandistike manipulative. Megjithatë, sfida e imazhit tanimë është më e komplikuar. Aq sa me te drejtë thuhet se popujt e vendet jetojnë dy gjendje: një gjendje reale, që është identiteti i tyre; dhe një gjendje imazhi, që është përfytyrimi, opinioni dhe ndjesia e të tjerëve për to. Në disa raste midis këtyre dy gjendjeve ka afërsi, në raste të tjera ka hendek të thellë. Ndërsa pak dhe aspak ndeshim raste të përputhshmërisë midis gjendjes reale të popujve e vendeve dhe imazhit ndërkombëtar rreth tyre.

    Rasti i Shqipërisë

    Për arsye historike, për vetë trashëgiminë komplekse etno-kulturore, diversitetin multikonfesional, pozicionin udhëkryq gjeopolitik, marrëdhëniet me zik-zake fqinjësore dhe rajonale si dhe raportet kontradiktore me Fuqitë e Mëdha në kohë të ndryshme – Shqipëria ka trashëguar një situatë të komplikuar të imazhit të saj ndërkombëtar.

    Në fillim të Shekullit XX, atëherë kur Rilindësit e mëdhenj bënë Shqipërinë shtet të pavarur dhe Sovran shqetësimi i udhëheqësve shqiptarë, i intelektualëve, diplomatëve ishte që të hiqnin damkat e vendosura në imazhin e shqiptarëve nga oborret e Sulltanëve deri te sallonet mondane të Evropës së nacionalizmave imperialë. Në kushtet e një vendi të varfër, me pak lidhje e mbështetje ndërkombëtare – ishin gjigandët e mendimit dhe të letrave si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, të cilët shkëlqyen në përpjekjet e tyre për ndryshimin e imazhit ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

    Regjimet politike që pasuan Shqipërinë mbas Luftës së Parë Botërore i kushtuan jo sa duhet vëmendje imazhit ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nga vitet 1920 deri në vitet 1939 vërehet se ka pak mediume me audience ndërkombëtare, ka pak botime në gjuhë të huaja dhe fare pak iniciativa diplomatike  bilaterale dhe multilaterale për promovimin e imazhit ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Prandaj, në këtë periudhë, pavarësisht stabilitetit dhe arritjeve që Shqipëria pati, sërish, në aspektin e imazhit ndërkombëtar vijuan të mbeteshin determinante në opinionin e huaj recidiva për shqiptarët si popull “anadollak e orientalist, patriarkal e fanatik, kokëfortë e intolerant, hakmarrës e gjakmarrës, i varfër dhe jo shtet-formues”. Mbas Luftës së Dytë Botërore, sistemi komunist i kushtoi shumë vëmendje imazhit ndërkombëtarë të Shqipërisë. Mijra gazeta, revista e libra botoheshin në gjuhë të huaja dhe qindra orë emisionesh radiofonike në shumicën e gjuhëve të botës emetoheshin nga stacionet radiofonike zyrtare. Shqipëria askohe quhej “vendi i vogël i propagandës së madhe”. Synimi i këtij orteku propagandistik ishte përmirësimi i imazhit të Shqipërisë në botë. Mirëpo, këtë synim regjimi i Tiranës u përpoq ta realizonte jo me vërtetësi, por me propagandë manipulative; jo me hapje të sinqertë ndaj botës, por me vetizolim dashakeq; jo me zhvillim ekonomik e shoqëror, por me varfërim e mjerim; jo me diversitet vlerash e liri, por me rafshim vlerash e diktaturë. Kjo lloj propagande manipulative nuk mund të zgjaste pambarimisht. Brenda një periudhe prej afro dy dekadash, Shqipëria e regjimit komunist filloi të anatemohej si “vendi më Stalinist, më i varfër dhe më i izoluar në Evropë”. Duke i shtuar këtyre damkave të komunizmit edhe ato të trashëgimisë parakomunisite kuptohet fare mirë se me çfarë sfidash do të përballej demokracia shqiptare mbas rënies së komunizmit në vend.

    Diplomacia moderne dhe imazhi shqiptar

    E gjithë historia e diplomacisë është në thelb perfeksionimi i rolit, rrugëve, metodave, mekanizmave dhe instrumenteve diplomatikë për të influencuar në një masë gjithnjë e më të madhe dhe më të efektshme audiencën ndërkombëtare në favor të interesave të vendit apo të organizatës që diplomacia përfaqëson. Përmirësimi i imazhit ndërkombëtar të shqiptarëve ka qenë ndër prioritetet e politikës dhe diplomacisë shqiptare mbas viteve ’90 të shekullit XX. Futja e vendit në rrugën e demokracisë pluraliste parlamentare, ndërtimi i shtetit të së drejtës, respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe të pakicave etnike, ekonomia e tregut të lirë dhe të hapur si dhe integrimi në Organizatat Euro-Atlantike dhe Evropiane përbënin mundësi të mëdha që Shqipëria dhe shqiptarët të shpalosnin më së fundi vlerat e identitetit të tyre sa kombëtar aq dhe evropian. Natyrisht, në këtë sistem të hapur vlerash nuk mund të fshihet dhe manipulohet kush as brenda dhe as jashtë. Në këto dy dekada të demokracisë shqiptare çështja e imazhit të vendit varet nga dy komponentë: -Së brendshmi, nga qeverisja e mire e shteti demokratik funksional; -Së jashtmi, nga performanca ndërkombëtare e vendit përmes gjithë aktorëve, që nga diplomacia zyrtare deri te emigracioni shqiptar. Suksesi i sfidës për transformimin e imazhit të Shqipërisë e shqiptarëve në favor të tyre do të varet kryekëput nga harmonizimi i këtyre dy komponentëve. Asnjëri pa tjetrin nuk mund të sjellë suksesin e dëshiruar. Institucioni që qëndron si urë ndërlidhëse midis këtyre dy komponentëve është diplomacia. Diplomacia është njëherazi edhe pjesë e qeverisjes së mirë dhe e shtetit funksional së brendshmi, edhe pjesë ë performancës ndërkombëtare të vendit, së jashtmi. Duke pasur këtë karakter të dyfishtë, që nuk e posedon asnjë institucion tjetër zyrtarë, diplomacia përbën hallkën më të rëndësishme në promovimin e identitetit të vlerave kombëtare dhe përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të tij. Në qendër të rolit të diplomacisë qëndron diplomati. Diplomati pleks vlerat më ta larta patriotike, njerëzore, kulturore, profesionale, teknologjike, universale, estetike e morale. Diplomati është e djeshmja, e sotmja dhe e ardhmja e kombit. Diplomati është vlera më brilante e popullit të tij. Diplomati është pjesa më atraktive për faktorit ndërkombëtar. Kaq  e vërtetë është kjo plekse te diplomati sa koha po tregon se, nëse për profesione të tjera mund të flitet për nivele të ulëta, të mesme apo të larta, për diplomatin mund te flitet vetëm nëse është apo nuk është diplomat. Rëndomësia dhe mediokriteti janë në papajtueshmëri të plotë me diplomatin. Diplomati është njëkohësisht profesionist dhe misionarë, specialist dhe enciklopedist, patriot dhe universal. Populli shqiptar meriton të ketë një diplomaci të tillë, meriton të ketë diplomatë të këtij kalibri. Vendi i Kastriotit dhe kryediplomatit Pal Engjëlli; i Papa Klementit – Domeniko Xhovani Albani, themeluesit të Akademisë Diplomatike të Vatikanit; i Pashait të Janinës që shndërroi oborrin e tij në qendër diplomatik të kohës; i Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit që sfiduan Krizën Lindore; i Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës që hodhën bazat e shtetit dhe diplomacisë moderne; i Gurakuqit, Nolit dhe Konicës që lartësuan intelektualitetin shqiptar  në arenën ndërkombëtare si askush më parë; i nobelistëve Nënë Tereza e Ferid Murati që janë në panteonin e vlerave universale; i pendës së artë të Kadaresë dhe i zërit magjepsës të Inva Mulës që përbëjnë vlera kombëtare dhe ndërkombëtare – meriton një diplomaci që ta mbrojë dhe ta lartësojë identitetin kombëtar dhe të përmirësojë imazhin ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Jemi vend dhe popull me shumë vlera. Ish- kryediplomatja amerikane Kondoliza Rajs do thoshte “shqiptarët kanë të drejtë të jenë krenarë”. Mirëpo këto vlera dhe ky legjitimitet krenarie kanë nevojë të shpalosen më aktivisht, më profesionalisht dhe më fuqishëm në audiencën ndërkombëtare. Në këtë sfidë me rëndësi është që të njohim veten. Por, akoma më me rëndësi është që të njohim se çfarë mendojnë të tjerët për ne. Kjo me qëllim që të gjejmë rrugët, mjetet, mekanizmat dhe mbi të gjithçka njerëzit më të vyer për të përafruar në mënyrë bindëse dhe të qëndrueshme imazhin ndërkombëtar sfidant me vlerat e identitetit tonë të ndritur.