Përmes një interesi në rritje, KLSH përmbyll muajin e hapur për qytetarët

748

Irena Islami

KLSH

Sigal

Transparenca e aktivitetit të KLSH-së është një nga
treguesit kryesorë të modernizimit të institucionit dhe të komunikimit të tij
shumëdimensional. Qasjen e komunikimit te pandërprerë me qytetarët, KLSH e ka
parë në këto gjashtë vjet, kryesisht nëpërmjet bashkëpunimit me shoqërinë
civile dhe me median, si dhe nëpërmjet përgjigjeve ndaj letrave të qytetarëve.  Mbështetur në sa më sipër dhe në standardin ndërkombëtar
të Institucioneve Supreme të Auditimit, ISSAI 12, “Vlerat dhe dobitë e Institucioneve Supreme të Auditimit- të bësh
ndryshimin në jetën e qytetarëve”
dhe me qëllim njohjen më të plotë dhe të drejtpërdrejtë të
veprimtarisë së Institucionit nga qytetarët, si edhe në kuadër të transparencës
dhe njohjes së ndërsjellë të punës mes Departamenteve të auditimit në
institucion, KLSH organizoi Muajin e Hapur për Qytetarët, në datat 7 Nëntor- 11-Dhjetor
2017.
 
Në shpalljen zyrytare të muajit të hapur, Kryetari i KLSH-së, z. Bujar
Leskaj, në fjalën e tij nënvizoi se një institucion modern i auditimit më të
lartë publik, një SAI, do të ishte i mangët dhe i izoluar, pa njohjen e plotë
të veprimtarisë së tij nga qytetari dhe mbështetjen prej publikut dhe qytetarëve,
duke cituar një shprehje të Abraham Linkoln që «Institucionet tona nuk do të jenë kurrë të tilla (pra publike), nëse
nuk krijojnë mundësitë të njihen plotësisht, madje edhe të vizitohen apo preken
fizikisht nga qytetari pagues taksash
».




Gjatë
këtij muaji, qytetarët patën mundësinë të vizitojnë mjediset e Kontrollit të
Lartë të Shtetit (çdo ditë nga ora 08:00-16:00) dhe të njihen me historikun dhe
arritjet e institucionit ne 92 vitet e ekzistencës së tij nëpërmjet mini-muzeut
në korridorin qendror të KLSH, të takohen me punonjës, auditues dhe ekspertë të
ndryshëm të institucionit, duke marrë të gjithë informacionin që kanë kërkuar
dhe duke adresuar pyetje të ndryshme me interes për ta. Stafi i përgatitur i
KLSH-së ishte në dispozicion të qytetarëve gjatë gjithë kësaj periudhe. Gjatë
muajit të hapur janë zhvilluar 49 aktivitete të ndryshme si takime mes
Departamenteve të ndryshme të auditimit me qëllim shkëmbimin e eksperiencave;
takime me gazetarë; prezantime të botimeve të KLSH-së nga Auditues të rinj;
pjesëmarrje në Panairin e librit 2017; prezantimi i Rregullores së Re të KLSH;
prezantimi i kolanës së botimeve të KLSH-së në dy panaire; takime dhe leksione
me akademikë, profesorë, filozofë të fushave të ndryshme; prezantim i Draft-Strategjisë
së zhvillimit të KLSH-së për periudhën 2018-2022; leksione nga kolegë të SAI-ve
partnere, prezantimi i buxhetit faktik për vitin 2016; promovime librash që
kanë interes për KLSH; aktivitete kulturore, promovimi i pjesëmarrjes së
KLSH-së në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare, në dy vitet e fundit me qëllim
shkëmbimin e eksperiencave; pjesëmarrje në Kongresin dhe ekspozitën rajonale
“Zgjidhja e mbetjeve të ngurta, të lëngëta dhe të gazta”, etj.

gjitha aktivitetet janë ndjekur me vëmendje dhe interes nga auditues, gazetarë,
përfaqësues të shoqërisë civile, studentë, etj.

Në kuadër të
bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe ekspertë të jashtëm, KLSH organizoi disa
aktivitete :

·        
Prof.
Dr. Sazan Guri
prezantoi tre libra : “Misioni i shqipes dhe Shqiptarëve”, 
“Si të rrokim greqishten, latinishten, anglishten….me gegërishten…”
dhe “Visaret e shqiptarëve ndër shekuj të mijëvjeçarëve”.

·        
Prof.
Skënder Osmani
paraqiti leksionin me temë “Optimizimi me shumë kritere”. Në këtë leksion u diskutua për
ndihmesën që jep ky koncept në fushën e auditimit.
Prof. Osmani përmendi që
historikisht nevoja e studimit dhe vlerësimit të riskut në fushën e optimizimit
ka lindur në shumë veprimtari, punime, projekte etj, ku investimet kanë qenë
relativisht të mëdha dhe parashikimi i efektivitetit dhe sigurisë ka pasur
rëndësi të veçantë. Kjo nevojë për riskun është shfaqur me theks (kohët e fundit) edhe në KLSH për
auditimin e performancës, p.sh ngritja e kursit të Analizës së Riskut në KLSH,
diskutimet dhe debatet e bëra vitet e fundit për sigurimin e performancës jo
vetëm mbi bazën e 3E (eficencës,
efektivitetit, ekonomicitetit
), etj.

·        
Në vijim të aktiviteteve të muajit të
hapur në KLSH,  në sallën e Akademisë së Shkencave u mbajt një leksion nga Prof. Dr.
Hysen Çela.
Në fjalën e tij Profesor Çela u shpreh se qëllimi i auditimit
ka qenë dhe mbetet besueshmëria e raportimit financiar dhe garantimi i
transparencës. Të dyja këto aspekte janë të domosdoshme për përmirësimin e
administrimit. Raportimi financiar cilësor e i besueshëm kërkon një
bashkërendim efektiv midis standardeve teknike cilësore dhe profesionistëve të
aftë e të përgatitur, të cilët i zbatojnë këto standarde në praktikë.

Në kuadër të
rritjes së transparencës për veprimtarinë e institucionit që nga viti 2012,
KLSH ka Kolanën e saj të botimeve, të cilën e ka paraqitur për të pestin vit radhazi në Panairin e Librit,
ku prezantoi 77 botime të kolanës së tij (2012-2017), nga të cilat 10 botime të
vitit 2017. Botimet e KLSH, krahas informimit të opinionit të gjerë publik, i
ndihmojnë audituesit për formimin e kapaciteteve të tyre, zbatimin rigoroz të
standardeve INTOSAI dhe shkëmbimin e eksperiencave të mira të punës, në bazë të
motos së INTOSAI-t “Nga eksperienca e
përbashkët përfitojnë të gjithë”.

 


Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë gjithashtu për
herë të dytë në Panairin Ndërkombëtar të
Klik Expo Group, që u organizua në Tiranë në datat 23 – 26 nëntor 2015.
Panairi
i Klik Expo Group erdhi në edicionin e 24-të me një përmbajtje të re në temën
Biznes -Kulturë-Bashkëjetesë. Ky panair është një nga evenimentet që e ka
kthyer kryeqytetin shqiptar, Tiranën, në pikë takimi mundësish dhe ndërveprimi.
Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj në fjalën përshëndetëse në Kongres vlerësoi
aktivitetin dhe bëri një pasqyrë të gjendjes në të cilën ndodhet vendi ynë
lidhur me menaxhimin e pa menaxhuar dhe të pa trajtuar të mbetjeve urbane.
Gjithashtu në fjalën e tij Kryetari i KLSH theksoi punën e institucionit në
drejtim të intensifikimit të auditimeve që lidhen me çështjet mjedisore dhe
realizimin e disa auditimeve në lidhje me menaxhimin e mbetjeve, duke synuar që
me rekomandimet e tij në këto auditime të japë zgjidhje reale dhe të
qëndrueshme. KLSH u përfaqësua në Kongres me tre punime interesante.
Paraditen
e datës 18 nëntor,  në sallën e Akademisë
së Shkencave u organizua aktiviteti i radhës në kuadër të muajit të hapur. Në këtë aktivitet u prezantuan të gjitha
aktivitetet e zhvilluara jashtë vendit nga KLSH në dy vitet e fundit.
KLSH ka vendosur një standard shumë të mirë të shkëmbimit të
përvojave me partnerët dhe partneritet me institucionet e vendeve të tjera. Ajo
që e jetëson këtë dinamizëm është puna e çdo audituesi, e çdo të angazhuari,
sepse pa të do të ishte e vështirë që një institucion të jepte rezultate në atë
rrugë dhe në atë mënyrë që e duam të gjithë.
Audituesit e KLSH-së prezantuan
97 aktivitetet jashtë vendit të realizuara në periudhën 2016-2017 (seminare, workshop-e,
konferenca, Kongrese, takime dhe grupe pune të INTOSAI-t, EUROSAI-t, etj), duke
u ndalur kryesisht tek mesazhet që kanë shkëmbyer dhe tek njohuritë që
pjesëmarrësit kanë përftuar në këto aktivitete. Gjatë muajit të hapur,
audituesit e KLSH-së kanë zhvilluar tre vizita studimore në Institucione
Supreme të Auditimit(SAI), me të cilët kemi Marrëveshje Bashkëpunimi : në SAI-et
e Malit të Zi, Kroacisë dhe Kosovës. Në këto vizita studimore, audituesit kanë
informuar kolegët e tyre lidhur me Muajin e Hapur që po organizon KLSH dhe kanë
bërë një përmbledhje të punës së KLSH-së në këto vite. Prezantimet janë ndjekur
me interes nga koleget dhe kanë bërë pyetje të ndryshme, duke krahasuar dhe
shkëmbyer eksperiencat më të mira të punës.

Me shumë interes u ndoq nga audituesit e
KLSH-së, leksioni i profesorit, intelektualit, filozofit dhe akademikut Artan
Fuga.

Prof. Fuga në
fillim të fjalës së tij përshëndeti audituesit e KLSH-së, duke vlerësuar
maksimalisht punën e tyre të vështirë, por me vlerë dhe dobi për qytetarët
shqiptarë.

Prof. Dr.Fuga,
në bashkëbisedimin e tij me audituesit e KLSH-së e nisi me një analizë të gjatë
për auditimin, audituesin dhe institucionin që kryen auditimin dhe evidentoi
faktin që  “…ai kishte pak frikë” prej audituesve të KLSH-së, e në fakt kjo
është një frikë frytdhënëse, që sipas tij duhet ta ketë, jo vetëm çdo zyrtar i
shtetit, por edhe çdo qytetar. Ai elaboroi idenë se, nëse një zyrtar kallëzohet
penalisht nga KLSH, në fakt, ai e ka zgjedhur vetë këtë rrugë,  në momentin që ka vendosur me ndërgjegje të
plotë të bëjë shkeljen.

Prof. Fuga gjatë
leksionit të tij analizoi vështirësitë e punës së audituesit dhe faktin që rezultatet
finale janë pozitive, nëse sinergjizohen përpjekjet e të gjitha institucioneve
të shtetit, medias, shoqërisë civile etj.

 


Më tej Prof.Fuga
vijoi me eksperiencën e tij akademike në Francë dhe solli shumë shembuj që
lidhen me mënyrë e trajtimit të çështjeve dhe me mentalitetin e ndryshëm mes dy
vendeve tona.Me shumë interes u ndoqën diskutimet që Prof. Fuga pati me të
pranishmit veçanërisht për auditimet e performancës. Leksioni i Prof.Dr. Artan
Fugës, megjithëse zgjati dy orë la shumë hapësira dhe dëshirë tek audituesit për
të vijuar me një takim të dytë.Baskëpunimi me SAI-t partnere zë një vend të veçantë
në filozofinë e punës së këtyre viteve të fundit në KLSH dhe një zë dinjitoz i
SAI-ve partnere ishte ai i Zv/Presidentit
të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, z. Wojciech Kutyla, i cili zhvilloi
një leksion të hapur me audituesit e KLSH me temë “Etika për Audituesit”.

 



prezantimin e tij, z.Kutyla theksoi se në dekadat e fundit etika është bërë një
çështje kryesore në debatet politike, institucionale dhe sociale. Në këtë
kontekst  Institucionet Supreme të Auditimit, të cilët auditojnë përdorimin e
fondeve publike  dhe synojnë rritjen e
transparencës dhe llogaridhënies duhet që në punën e tyre të përditshme të
udhëhiqen nga parimet e etikës. Muaji i Hapur u përmbyll me leksionin e znj.Darcie Nielsen, e cila në kuadër të
Memorandumit të Mirëkuptimit midis Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe USAID për
projektin “Transparenca në Sistemin
Shëndetësor në Shqipëri”,
zhvilloi një
leksion me audituesit e KLSH-së në ambientet e Akademisë së Shkencave. Zonja Nielsen, Drejtore e Projektit, e
nisi fjalën e saj me një shprehje nga politikania e shquar amerikane e
shekullit XX, Margaret Chase Smith, “Shërbimi
ndaj publikut duhet të jetë më shumë sesa të bësh një punë me ndershmëri dhe
eficiencë. Duhet të jetë një përkushtim i plotë ndaj njerëzve dhe kombit”.
Në prezantimin e leksionit,
zj.Nielsen, u shpreh se sistemi shëndetësor në Shqipëri është identifikuar si
një “zonë e kuqe”. Barometri i
Korrupsionit për Shqipërinë 2013, botuar nga 
Transparency International
tregon se 80% e qytetarëve mendojnë se sistemi shëndetësor është i korruptuar.
Në këtë kuadër, znj.Nielsen theksoi se projekti i USAID-it synon të krijojë një
mjedis më të përgjegjshëm në sistemin shëndetësor duke angazhuar përfituesit
dhe kontrollet e rregullta nga institucionet përkatëse (institucionet
monitoruese).  “Projekti do të punojë për të forcuar
kapacitetet e tre institucioneve mbikëqyrëse: Kontrolli i Lartë i Shtetit
(KLSH), Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe
Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), dhe Avokati i Popullit. Projekti do të japë
grante për organizatat e shoqërisë civile dhe medias për të ndërgjegjësuar publikun
dhe ndërmarrë fushata për përmirësimin e llogaridhënies në institucionet
shëndetësore”.



Në mbyllje të muajit të hapur KLSH e arriti qëllimin
e saj dhe vërtetoi që është një institucion i përkushtuar ndaj parimit të transparencës,
e cila është jetësore në ndërtimin e besimit tek qytetarët dhe
besojmë
që institucioni realizoi gjithashtu nëpërmjet aktiviteteve të Muajit të Hapur një politikë komunikimi më
të efektshme, duke i bërë rezultatet e auditimeve më të prekshme.  Kryetari i KLSH-së ka theksuar në përfundim të
muajit të hapur që : “ Muaji i Hapur na shërbeu për të qenë më të
hapur dhe komunikues me njëri-tjetrin. Sidomos në nivel të komunikimit dhe të
shkëmbimit të eksperiencave mes departamenteve të auditimit. Muaji i Hapur
inkurajoi shkëmbimin e eksperiencave edhe mes audituesve me përvojë, me ata të
rinj, në bashkëbisedime dhe konsultime të plota mes tyre. Ky Muaj i Hapur ishte
një dritare komunikimi intensive, takimesh dhe aktivitetesh, por në realitet, i
gjithë institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit është prej gjashtë vitesh
tashmë tërësisht i hapur me qytetarin, në kërkim të kontaktit dhe mendimit të
tij, për realizimin sa më të plotë të misionit kushtetues të ruajtjes dhe
mbikëqyrjes së përdorimit me ekonomi, efektivitet dhe efiçiencë të parave të
taksapaguesit shqiptar”.

KLSH do të ndjekë praktikën e Muajit të transparencës edhe në
vitet e ardhshme.