“Perla” e Alban Mehës magjeps shqiptarët

545
Sigal

MIQËSORE/ Shqipëri-Maltë 2-0. Bindin kuqezinjtë, dy gola dhe dy shtylla. De Biazi në festë

Një gol me kokë i Migjen Bashës në pjesën e parë (26’) dhe një kryevepër e Alban Mehës në të dytën (52’) i garantuan Shqipërisë një fitore komode 2-0 ndaj Maltës, në miqësoren e zhvilluar dje në “Niko Dovana” të Durrësit. Dominimit absolut të Kuqezinjve i shtohen edhe dy shtyllat në pjesën e dytë më anë të Migjen Bashës dhe Odise Roshit. Për Kombëtaren tonë kjo ishte fitorja e pestë në tetë ndeshje me Maltën, ndeshje që përkoi edhe me miqësoren e dhjetë të trajnerit Xhani De Biazi në drejtimin e kuqezinjve, me italianin që ka arritur 5 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje. Ndeshja me Maltën e çoi në 94 numrin e miqësoreve të luajtura nga Shqipëria, me një bilanc pozitiv: 36 fitore, 26 barazime dhe 32 humbje. Takimi ndaj Maltës, edhe pse ndaj një kundërshtari modest – vendi i 131-të në renditjen e FIFA-s (Shqipëria renditet në vendin e 55-të), tregoi formën e mirë të lojtarëve, ku më të dalluarit ishin Migjen Basha, Alban Meha, Jahmir Hyka, Valdet Rama dhe Ergys Kaçe, por fjalë të mira duhen thënë edhe për mbrojtjen, me maltezët që rrezikuan vetëm dy herë portën tonë, në fillim të pjesës së parë dhe në fund të pjesës së dytë.

Pjesa e parë

Ndeshja nis me një rrezik serioz në portën tonë. Pa kaluar katër minuta lojë, sulmuesi kryesor i Maltës, kapiteni Misfud, fiton një top në mesfushën tonë, përparon dhe vihet përballë Berishës. Godet fort, por për fatin e mirë të kuqezinjve, jashtë. Shpërthim i Valdet Ramës në minutën e 18-të, që pozicionohet prirët me portën malteze, godet fuqishëm, por topi devijohet në këndore. Tre minuta më vonë kemi një skemë të bukur të kuqezinjve. Pas një insistimi të gjatë, ekzekutimit të disa goditjeve nga këndi, del në dritë edhe goli i parë i miqësores. Alban Meha kroson bukur nga këndi, topi shkon në qendër të zonës kundërshtare, ku Migjen Basha gjendet i lirë dhe me kokë shënon.

Pjesa e dytë

Nis pa zëvendësime në të dyja skuadrat. Nuk mund të mungonte edhe “perla” e Alban Mehës, që ka shënuar pesë gola në katër ndeshjet e fundit me Paderbornin – tre prej tyre nga goditja e lirë. Në minutën e 52-të, nga një largësi prej më shumë se 25-metrash, kosovari kalibron një goditje sikurse di ai, duke e fluturuar topin me një hark të çuditshëm, por që përfundon në trekëndëshin e portës malazeze. Migjen Bashën e ndalon shtylla e portierit Horg në minutën e 57-të. Goditja e mesfushorit të Torinos është e fortë, por kësaj here fati s’është me të, për të kompletuar dopietën personale të tij. De Biazi mendon t’i japë disa minuta lojë edhe Roshit, i cili zë vendin e Ramës në minutën e 71-të. Roshi do të trondiste për të dytën herë shtyllën e portës së Maltës, duke konfirmuar epërsinë e thellë të kuqezinjve dhe nivelin e ulët të kundërshtarit. Shumë zëvendësime dhe pak minuta edhe për portierin e dytë Orges Shehi.

  MIQËSORE

SHQIPËRI-MALTË  2-0

Golat: Basha 26’, Meha 52’

5 mars 2014, stadiumi “Niko Dovana”, Durrës

Shqipëria: E.Berisha (Shehi 85’), A.Lila, Cana. Mavraj, Agolli, Kace (Memushaj 78’), Basha (Vila 82’), Meha (Abrashi 64’), Rama (Roshi 71’), Kapllani (Sadiku 78’). Trajner: De Biazi

 Malta: Hog, Muscat, Bezina, Sciberas (Kristensien 57’), Agius, Fenech, Failla, Misfud (Vella 89’), Schembri (Andreë Cohen 66’), Mintoff, Camilleri. Trajner:  P.Ghedin

 Gjyqtarë: D.Jakimovski, I.Emurli, G.Petreski (Maqedoni)

Kartonë të verdhë: Cana 34’, Kace 69’ / Misfud 54’

  36 fitore në miqësore

 Nga ndeshja e parë miqësore kundër Malit të Zi, më 22 shtator 1946 (në Shkodër), të fituar 5-0 dhe deri te takimi i djeshëm kundër Maltës (2-0) në “Niko Dovana” të Durrësit, Shqipëria numëron 94 ndeshje: 36 fitore, 26 barazime dhe 32 humbje.

 Bilanci i De Biazit

 Trajneri Xhani De Biazi ka zhvilluar dhjetë ndeshje miqësore, ku ka koleksionuar 5 fitore (me Katarin, Iranin, Lituaninë,  Armeninë dhe Maltën), tre barazime (me Moldavinë, Kamerunin dhe Bjellorusinë) si dhe dy humbje me (të dyja me Gjeorgjinë).

 Bilanci me Maltën

 Shqipëria është ndeshur tetë herë me Maltën, gjashtë miqësore dhe dy ndeshje zyrtare (për eliminatoret e Botërorit 2010). Bilanci është pozitiv: 8 ndeshje; 5 fitore, 2 barazim, 1 humbje, golavarazhi i përgjithshëm është i thellë: 14-3 për Kuqezinjtë.

Tre durrsakët

 Në“Niko Dovana”, trajneri Xhani De Biazi u dha kënaqësinë e minutave edhe tre lojtarëve durrsakë: sulmuesi Edmond Kapllani e nisi si titullar; mesfushori Emiljano Vila hyri në lojë në minutën e 82-të ndërsa portieri Orges Shehi në të 85’.

NDESHJET ME MALTËN

MIQËSORE

Maltë-Shqipëri 2-1

Maltë-Shqipëri 1-1

Maltë-Shqipëri 0-1

Shqipëri-Maltë 3-0

Shqipëri-Maltë 3-0

Shqipëri-Maltë 2-0

ZYRTARE

Shqipëri-Maltë 3-0

Maltë-Shqipëri 0-0

Bilanci: 8 ndeshje, 5 fitore, 2 barazime, 1 humbje

Dhjetë miqësoret e De Biazit

 Gjeorgji-Shqipëri      2-1

Katar-Shqipëri           1-2

Iran-Shqipëri             0-1

Shqipëri-Moldavi      0-0

Kamerun-Shqipëri     0-0

Shqipëri-Gjeorgji      1-2

Shqipëri-Lituani 4-1

Shqipëri-Armeni       2-0

Shqipëri-Bjellorusi    0-0

Shqipëri-Maltë          2-0

Bilanci: 10 ndeshje; 5 fitore, 3 barazime, 2 humbje

Dhjetë fitoret me rezultatin 2-0

 Fitorja 2-0 me Maltën ishte e dhjeta që Shqipëria fiton me këtë rezultat në ndeshjet miqësore, qysh kur fitoi 2-0 me Poloninë, më 29 nëntor 1953 me golat e realizuar nga Loro Boriçi (12’) dhe Refik Resmja (35’). Dy prej fitoreve janë regjistruar në transfertë, pikërisht në Athinë ndaj Greqisë (4 shtator 1991), një dygolësh i Kushtës dhe në Gaziantep ndaj Turqisë (25 prill 2001), me rrjetat e Alban Bushit dhe Ervin Skelës.

1) 29.11.1953, Tiranë

Shqipëri-Poloni 2-0

2) 22.03.1967, Tiranë

Shqipëri-Bullgari 2-0

3) 04.09.1991, Athinë

Greqi-Shqipëri 0-2

4) 30.11.1995, Tiranë

Shqipëri-Bosnjë 2-0

5) 10.02.1999, Tiranë

Shqipëri-Maqedoni 2-0

6) 25.04.2001, Gaziantep

Turqi-Shqipëri 0-2

7) 15.11.2003, Tiranë

Shqipëri-Estoni 2-0

8) 20.08.2008, Tiranë

Shqipëri-Lihtenshtejn 2-0

9) 14.08.2013, Tiranë

Shqipëri-Armeni 2-0

10) 05.03.2014, Durrës

Shqipëri-Maltë 2-0

 Miqësorja historike, Kosova debuton pa gola

 Ndeshja e parë ndërkombëtare e përfaqësueses së Kosovës me leje të FIFA-s, ajo kundër Haitit përfundoi me rezultatin e bardhë në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës ka luajtur me rezultatin fillestar me kombëtaren e Haitit. Para ndeshjes Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Sportit, Memli Krasniqi përshëndetën futbollistët në fushë. Kosova ka treguar dy fytyra gjatë lojës, në pjesën e parë ka qenë më dominuese, ndërsa në të dytën me më pak kreativitet dhe është rrezikuar në disa raste. Në 45 minutat e para janë evidencuar rastet nga Bunjaku dhe Azemi kur nga afërsia humb rastin e artë në minutën 38-të. Nushi në gjuajtja standarde huqi për pak portën në minutën 75-të. Në minutën 86-të, Bytyçi krosoi në zonë, kurse Hasani nga afër për pak nuk e drejtoi topin në portë.

Haitianët kanë pasur një goditje të fuqishme, ndërsa Bytyçi e humbi në shansin e fundit duke dërguar topin mbi portë.

 MIQËSORE

Kosova-Haiti 0-0

Stadiumi “Adem Jashari”, Mitrovicë

Kosova: Ujkani, Sadiku (Rexhepi), Pepa, Nushi, Alushi, Gashi (Krasniqi), Rashkaj, Azemi (Bytyçi), Bunjaku (Toski), Perdedaj, Hasani (Kastrati) – Trajner: Albert Bunjaki

Haiti: Zepherin, Mechack, Guerrier, Mustivar, Bertin, Mettelus (Alcenat), Belfort (James), Maurice, La France, Ambroise (Lambrese), Duckens (Vorbe) – Trajner: Mark Collet

Arbitër kryesor: Klossner

Kartoni i verdhë: – Vorbe

Euro U-21, Shqipëria fiton 3-1 në Austri

 Kombëtarja 21-vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Skënder Gega, ka zhvilluar një ndeshje të bukur në Austri, ku edhe ka triumfuar me rezultatin 3-1 në kualifikuesen e radhës. Gavazaj në pjesën e parë dhe Shkurtaj me Shalën në pjesën e dytë janë autorët e fitores së kuqezinjve tanë, që kanë superuar kësisoj një transfertë jo pak të vështirë. Ka spikatur në pjesën e dytë me pritjet e tij portieri Strakosha, që ka mbrojtur me fanatizëm epërsinë e tanëve. Goli i nderit për austriakët mban firmën e Gregoritsch, shënuar në minutën e tretë shtesë, me penallti. Suksesi i tanëve erdhi i plotë në të gjitha drejtimet, duke përmbyllur një të mërkurë mbresëlënëse kuqezi, teksa diçka më herët kombëtarja e madhe fitonte 2-0 ndaj Maltës në “Niko Dovana”.  Grupin 4, ku bëjnë pjesë edhe kuqezinjtë tanë, e kryeson Spanja, me 18 pikë, e ndjekur nga Austria, 12 pikë.

 Dënohet Presidenti i Bylisit

 Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit dënoi presidentin e Bylisit, Besnik Kapllanaj, me një pezullim prej tetë ndeshjesh për sjellje jo sportive (në bazë të nenit 49.2/a të Kodit të Drejtësisë Sportive, ndërkohë që ballshiotët do të luajnë një ndeshje pa praninë e shikuesve. Zyrtarët e Flamurtarit, Ardi Behari dhe Luan Birçe u pezulluan nga tetë javë për sjellje jo sportive. Bruno Telushi dhe Lejdi Liçaj, që të dy lojtarë të Flamurtarit u pezulluan respketivisht nga gjashtë dhe dy ndeshje. Disiplinori nuk e pranoi kërkesën për anulimin e rezultatit të ndeshjes Flamurtari-Tirana (1-1). Komisioni i Disiplinës dënoi Kukësin dhe Tiranën me nga 50 mijë lekë secili, për shkak të sjelljes së gabuar të spektatorëve të tyre.