Perikli Shqevi*/ Tanush Kaso as nuk mund t’i ëndërrojë cilësitë e Skënder Tufës

    479
    Sigal

    Ku të çon kompleksi i inferioritetit

    Duke u nisur nga artikulli i botuar në gazetën “Telegraf”, po i përgjigjemi deklaratës së Tanush Kasos, i cili ka zgjedhur pikërisht këtë gazetë për të akuzuar padrejtësisht z. Skënder Tufa. E para “kryengritje” e zotërisë në fjalë, ishte për arsye se pse nuk ishte pyetur ai për propozimin e z. Skënder Tufa për një projektligj të mundur, në dobi të shpërblimit të ish të përndjekurve politikë. Këtë të drejtë z.Kaso ia njeh vetëm vetes, ndërkohë që, ai nuk ka bërë asgjë dhe me asnjë kohë një përpjekje të tillë. Emri i tij u dëgjua fillimisht kur bëri një grupim “të bujshëm”, nën ombrellën berishiane, kundër Kurt Kolës, duke shpallur me të madhe që ai (Kurti) “nuk i përfaqësonte të përndjekurit, por ishte ai vetë që duhej. Po, kush është zotëria e tij? Po japim më poshtë opinionet dhe faktet e shfaqura nga figura të njohura dhe të respektuara të shtresës së të dënuarve politikë:

    -Tanush Kaso i ka dalë dëshmitar Bardhyl Belishovës (i ndjerë tashmë).

    -Asllan Patrioti deklaron: Ka spiunuar Haxhi Benon dhe si rrjedhojë ky i fundit është ridënuar me dhjetë vite burg.

    -Është rrahur në burgun e Laçit nga bashkëvuajtësit për arsye amorale.

    -Ka qenë i privilegjuar në burg; ka ushtruar profesionin e elektricistit.

    -Që nga viti 1991 e në vazhdim, nën frymën e Partisë Demokratike, ka kryer veprime përçarëse ndaj shoqatave të të përndjekurve politikë, nga të cilat shumë herë e kanë përzënë duke e rrahur.

    -Pasi arriti një herë të dalë në krye të Shoqatës së të Burgosurve Politikë abuzoi politikisht dhe financiarisht duke e përçarë edhe atë.

    -Është në gjyq me familjen e Pjetër Arbërorit dhe atë të Gjin Markut për shpifje pas vdekjes së tyre.

    -Ka shkruar edhe libra; në njërën prej tyre ka deklaruar: “Unë kam frikë vetëm një burrë dhe respektoj vetëm atë; ai quhet Sali Berisha.

    Këto ditët e fundit është parë duke hyrë edhe dalë në zyrën e “drejtorit” të Institutit të të Përndjekurve dhe si rrjedhojë e bashkëpunimit Blloshmi-Kaso është hartuar artikulli i turpshëm, të cilit jemi të detyruar t’i referohemi. Le të vijmë te dënimi i z.Skënder Tufa, të cilin Kasoja e merr si argument për urrejtjen e tij. Në janar të vitit 2010 kanë shkuar një herë te lokali i z.Skënder Tufa, Tanush Kaso dhe Bujar Muça. Në këtë rast Tanushi i ka deklaruar: “Ne e dimë mirë që ti je dënuar për motive politike”. Dëshmitari okular sot e vërteton këtë. Personaliteti i z. S.Tufa është bërë i njohur sidomos tash së fundi në ngjarjet më të vështira që njohu vendi. Ky qe koordinatori i grevës së urisë, e cila shkoi gjer në sakrificën sublime të heronjve si Lirak Bejko dhe Gjergj Ndreca. Me gjithë presionin e egër të pushtetit neokomunist, ai nuk u ndal. Në krye të një “çete” trimash ai iu kundërvu drejtpërsëdrejti hierarkisë mafioze si asnjë tjetër. Megjithëse, në kushte të vështira ekonomike, ai nuk u dha. Nuk ishte nga ata që, vetëm t’i merrnin fëmijën në punë, të dorëzohej, siç bëri zoti Kaso. Gjestet e tij trimërore e tundën gjer në themel regjimin e korruptuar. Dhe opinioni publik ia dha meritën duke votuar kundër atij regjimi. Këto cilësi nuk mund t’i ketë asnjëherë Tanush Kaso, as nuk mund t’i ëndërrojë ndonjëherë. Prandaj Tanushi  shqetësohet nga superioriteti i tjetrit. Ky është kompleksi i inferioritetit që nuk e lë të qetë. Është zilia për të cilën një mendimtar i madh ka thënë që është dyfish e keqe: së pari, ziliqari shqetësohet (apo i vjen inat) pse tjetri është i zoti; së dyti, pse vetë nuk është i aftë për atë gjë. Kështu z.Kaso është i destinuar të dëshmojë si edhe të tjerët që e rrethojnë.

    *Ish- grevisti i urisë