Përgjaken rrugët e Shqipërisë, 4 të vdekur e 2 të plagosur në një aksident

431
Sigal

 PEQIN/Aksidenti në një segment, problematike; neglizhuar nga patrulla e Policisë Rrugore

Katër të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci tragjik i aksidentit që ka ndodhur mesditën e djeshme në aksin e rrugës nacionale në dalje të qytetit të Peqinit. Për paradoks, tragjedia e radhës që përgjak rrugët shqiptare ndodh më 18 tetor, ditën e sensibilizimit për ruajtjen nga aksidentet, kohë në të cilën në parkun “Rinia” në Tiranë zhvillohej aktiviteti përkatës. Po në të njëjtën kohë kur policia lokale numëronte viktimat në Peqin, eprorët e rrugorëve në Tiranë evidentojnë si arritje të 10 ditëve të fundit “arrestimin e 135 drejtuesve automjetesh për shkelje të ndryshme”. Burime nga vendi i ngjarjes pohuan për “Telegraf”se, në të njëjtin vend, ku ndodhi aksidenti i djeshëm, kanë ndodhur dhe më parë aksidente, por me sa duket, rrugorëve nuk ‘u del kohë’ të kontrollojnë më gjatë këtë segment.

AKSIDENTI TRAGJIK

Burime zyrtare dhe ato nga vendi i ngjarjes thonë se aksidenti tragjik ndodhi në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në dalje të qytetit të Peqinit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Gjocajt”. Në këtë aksident mësohet se, janë përfshirë tre automjete, përkatësisht automjetet me targa EL-2270-C, AA-576-GA, dhe AA-638-DC. Nga përplasja kanë mbetur të vdekur në vend Gentjan Lila, Besnik Tupi, Xhevit Beu dhe Besnik Beu. Sapo kanë marrë njoftimin për aksidentin e rëndë, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë së Elbasanit dhe tre ambulanca, të cilat kanë bërë të mundur transportimin e të plagosurve në spital. Sipas mjekëve të Elbasanit, i plagosuri Olsi Beu ka mbërritur në spital me dëmtime serioze dhe është në gjendje të rëndë, ndërsa pasagjeri tjetër i plagosur është jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se, personat që kanë humbur jetën janë të tre drejtuesit e automjeteve dhe një pasagjer. Sipas të dhënave  paraprake të policisë, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga njëri prej automjete (Parakalim i gabuar) dhe shpejtësia e madhe.

PËRGJEGJËSIA PËR TRAGJEDITË

Pasditen e djeshme, rrugorët lokal dhe ekspertët përkatës administruan tragjedinë e rëndë, ku sipas burimeve paraprake, pohohet se shkak është “shkelja e rregullave teknike në qarkullim”. Ndërkohë, katër familje kanë hapur dyert e mortit e dy familje të tjera u rrinë të plagosurve mbi kokë me shpresën e evitimit të përmasave më të mëdha të tragjedisë. Të pranishëm të shumtë që u ndodhën dje në vendin e ngjarjes, shprehën pakënaqësinë për Policinë Rrugore dhe kërkuan masa efektive për të frenuar përgjakjen e rrugëve shqiptare. “Edhe në luftë frontale nuk vriten kaq njerëz sa vriten rrugëve të Shqipërisë. Ja, në këtë kthesë këtu kanë humbur jetën dhe të tjerë, se është dhe vend delikat ky. Po këtu të rinë policët rrugorë, e jo në segmente ku premisat për aksidente janë më të pakta. Nuk ka çfarë duhet policia rrugore kur ndodh tragjedia… Ajo duhet dhe paguhet për ti parandaluar këto aksidente. Mjaft me statistika që kurrë nuk merren vesh, por punë se po ikin jetë njerëzish”- pohon R. Salia, 67 vjeç nga Peqini.