Përfundon ëndrra e Belgjikës, goli i Umtiti çon Francën në finalen e madhe!

554
Sigal

Franca është finalistja e parë e Kupës së Botës në “Rusi 2018”. Skuadra e Didier Deschamps ka fituar minimalisht 1-0 ndaj Belgjikës në gjysmëfinalen e luajtur në “Shën Petersburg”, duke zhvilluar një ndeshje perfekte në mbrojtje dhe shumë cinike në sulm.

Në pjesën e parë, Belgjika dominoi për 20 minuta, por forma e kapitenit Hugo Lloris ruajti të paprekur rrjetën e Francës dhe minutë pas minute “gjelat” u rritën, në dëm të kundërshtarit.

Gjatë një goditje nga këndi, Samuel Umtiti fitoi duelin ajror me Fellaini dhe tundi rrjetën me një goditje të saktë me kokë, që nuk i dha mundësi reagimi portierit Thibaut Courtois.

Belgjika provoi të sulmonte, por pa prishur festën e ekipit të Didie Deschamps, që bëhet gati të shkruaj historinë. Në finalen e Moskës, më 15 korrik, do të ndeshet me Anglinë ose Kroacinë.

Kjo është hera e tretë që Franca do të jetë në finalen e Kupës së Botës, pas suksesit ndaj Brazilit në “Francë ‘98” dhe pas humbjes ndaj Italisë në “Gjermani 2006”.