Përballë historisë: Nga Petro Marko tek Ismail Kadare

    643
    Sigal

    Duke  ndjekur me vëmendje shtypin e sotëm, një sërë emisionesh dhe debatesh të suksesshme televizive e, mbi të gjitha letërsinë e bollshme publicistike të botuar pas përmbysjes së regjimit komunist, të krijohet gjithnjë e më fortë bindja se aksioma aq shumë e përhapur dhe tepër e moçme se “Historinë e shkruajnë fitimtarët”, nuk është plotësisht e saktë. Duket se ka ndryshuar diçka thelbësore në kuptimin e saj, një ndryshim që ka të bëjë me realitetin e ri historik që jetojmë.

    Në një shoqëri të hapur dhe demokratike, si kjo që po rrekemi të ndërtojmë në vendin tonë pas vitit 1990, kanë ndodhur përmbysje dhe zhvillime të habitshme në rrafshin shoqëror dhe politik, por edhe në koncepte, në sjelljen tonë në raport me kohën, me njerëzit, me të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen. Ka ndryshuar për shembull, koncepti për luftën, për pasojë dhe ai i fitimtarit dhe të mundurit. Fitimtari i dikurshëm, pasi e mundte kundërshtarin në luftën me shpata, topuzë, pushkë e mitraloza, më pas ngjitej në Olimp dhe e quante veten Zeus, të plotfuqishëm dhe të përjetshëm. Pastaj ulej dhe e shkruante historinë si ia donte qejfi, ku përpiqej ta denigronte sa të ishte e mundur më shumë palën tjetër, madje ta groposte sa më thellë dhe të shuante çdo gjurmë të armikut apo armiqve të mundur, duke mbjellë vetëm urrejtje e përbuzje për ta. Kujtoni për shembull sjelljen ndaj kundërshtarëve gjatë regjimit komunist, si retushoheshin fotografitë, sa me lehtësi burgoseshin e u priteshin kokat armiqve, si u dhunoheshin dhe zhdukeshin edhe varret, si portretizoheshin të deklasuarit, ballistët, kulakët në gazeta dhe letërsi, etj..

    Mirëpo fitimtari i sotëm është ndryshe, sikurse është ndryshe edhe i munduri. Në një shoqëri vërtetë demokratike nocioni i fitimtarit dhe të mundurit është relativ dhe i përkohshëm. Pikësëpari, nuk ka më fitimtarë të përjetshëm dhe, anasjelltas, as të mundur të përjetshëm. Pastaj, kemi kundërshtarë politikë, por jo armiq. Ata ia lënë vendin paqësisht njëri-tjetrit në pushtet sipas votave që u jep populli sa herë bëhen zgjedhje, ndërsa shfaqjet e dhunës dhe të denigrimit të kundërshtarit kritikohen si antidemokratike. Për pasojë ka ndryshuar edhe sjellja me historinë. Ajo nuk mund të shkruhet sipas qejfit të njërës palë në dëm të tjetrës. Ky është padyshim një zhvillim i madh në tërësinë e zhvillimeve pozitive që kanë ndodhur në shoqërinë tonë…

    Një rol të madh emancipues në këto zhvillime pa dyshim kanë luajtur dhe luajnë gazetarët dhe shkrimtarët. Përpara se politikanët e ardhshëm të ngjiteshin në tribuna apo të merrnin pushtetin në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, ishin shkrimtarët dhe gazetarët që e përgatitën opinionin për ndryshimet që po ndodhnin. Kujtoni se demonstruesit e parë antikomunistë mbanin në duar portrete shkrimtarësh dhe jo politikanësh… (Këtu ka buruar mbase dhe dëshira që kanë qytetarët tanë për të parë sa më shumë njerëz të letrave që të merren me politikë, por nga ata që nuk e humbasin dashurinë dhe respektin ndaj fjalës së shkruar dhe që nuk i tradhtojnë idealet e lirisë dhe të qytetarisë…).

    Ata pra, shkrimtarët dhe gazetarët janë dëshmitarët autentikë të asaj që ndodh përditë midis nesh, janë kronikanët që fiksojnë historinë. Janë ata që përballen me historinë, e jetojnë dhe me guximin që i karakterizon, shpesh nxitojnë ta përshkruajnë të parët atë. Dhe gazetarët e shkrimtarët e vërtetë, me kulturën dhe formimin që kanë, me sjelljen dhe respektin që manifestojnë ndaj fjalës së shkruar, nuk mund të tallen me historinë, nuk mund të lejojnë që ajo të përbaltet, të deformohet apo, për më tepër, të fshihet, të zhbëhet. Historianët profesionistë pa këtë lëndë të parë dhe të begatshme që u japin me bujari gazetarët dhe shkrimtarët do ta kishin të vështirë ta shkruanin me vërtetësi dhe objektivitet historinë…

    +++

    Në fillim të viteve ’90 bëri një jehonë të jashtëzakonshme botimi i librit “Nga një dhjetor në tjetrin” i shkrimtarit Ismail Kadare. Libri u botua njëherësh në shqip dhe frëngjisht në Francë, në vendin ku kishte kërkuar strehim politik shkrimtari ynë i shquar. Ishte viti 1991, diktatura komuniste ishte dobësuar por nuk kishte rënë ende, kështu që libri hyri në një numër të kufizuar kopjesh në Shqipëri. Por ky fakt nuk e pengoi atë libër të zgjonte aq shumë interesim dhe të lexohej masivisht, duke u shumëfishuar me fotokopje dhe të qarkullonte dorë më dorë ndër bashkatdhetarët e shkrimtarit. Ai libër me vlera të mirëfillta shoqërore, politike dhe artistike, analizonte me mprehtësi, drejtpërdrejtë dhe nga një këndshikim origjinal fundin e diktaturës komuniste, paraqiste si të thuash një tablo të përmbysur të propagandës politike zyrtare dhe të zhvillimeve të deriatëhershme, por në të njëjtën kohë edhe hidhte dritë në perspektivën e ngjarjeve të pritshme në Shqipëri.

    Mirëpo, përveç interesimit që ka ngjalluar gjithnjë botimi i veprave të Kadaresë, duke e përjetuar botimin e tyre si ngjarje të rëndësishme për jetën kulturore të vendit, në këtë rast libri “Nga një dhjetor në tjetrin” (së toku edhe me veprën pasuese “Pesha e kryqit” të të njëjtit autor dhe deri te vepra më e re e Ismailit “Mosmarrëveshja”) shpërfaqi edhe një dukuri tjetër: një lloj i ri letërsie po/do të lulëzonte në Shqipëri, letërsia publicistike. Dhe mbi të gjitha: Historia e shkruar gabim mund dhe duhet të rishkruhet.

    Ishte thyer kështu një tabu! Po rikthehej vrullshëm një letërsi gati e harruar. Nuk paska ditur vetëm shoku Enver të shkruajë kujtime e refleksione!

    Se ja, u botuan kujtimet e Petro Markos dhjetë vjet pas vdekjes së autorit të tyre, të përmbledhura në veprën “Retë dhe gurët” (Intervistë me vetveten) dhe përshtypja qe e jashtëzakonshme: Kjo është jo vetëm vepra më e mirë e Petro Markos, por edhe ndër më të mirat e letërsisë sonë, thanë studiuesit që ranë në “hall” se si ta emërtonin: që ishte publicistikë, kjo dukej hapur. Por që ishte edhe romani i jetës së autorit, pra një vepër e mirëfilltë artistike, edhe kjo qëndronte. Po edhe histori ta klasifikoje, nuk bëje asnjë gabim, sepse aty, tok me jetën e autorit parakalonte historia shungulluese, tragjike dhe e thiktë e Shqipërisë së shekullit XX.

    Sidoqoftë, “Retë dhe gurët” mbetet një xhevahir i mrekullueshëm në kurorën e publicistikës shqiptare. Sepse Petro Marko, sikurse ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm, ishte dhe një publicist i shkëlqyer. Ndaj dhe te Petroja shkrimtari dhe publicisti janë një.

    +++

    Kështu pra, nëse deri në fillim të viteve ’90 letërsia publicistike mund të quhej thuajse e atrofizuar, përderisa gjithçka ishte nën këqyrjen dhe censurën e rreptë të partisë-shtet, tashmë analiza, sprova, refleksione, kujtime dhe shënime për jetën politike të vendit mund të shkruante e botonte kushdo. Kjo letërsi premtonte shumë, përderisa në të u angazhuan shkrimtarë, gazetarë dhe krijues të tjerë nga më të shquarit e vendit.

    Dhe është fakt se 10-15 vitet e fundit vërehet një zhvillim i habitshëm i letërsisë publicistike. Janë shkruar e shkruhen libra për fillimet e demokracisë, për vitin e mbrapshtë 1997, për ardhjen në pushtet të opozitës antikomuniste dhe rënien e saj, për luftën e Kosovës, për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, për Çamërinë, për marrëdhëniet me fqinjët në rajon e deri me Amerikën, për politikat e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë, për emigracionin etj., etj.. Dhe më tej, janë botuar me sukses refleksione për diktaturën komuniste, janë botuar kujtime të ish-të burgosurve të ndërgjegjes si dhe të mjaft figurave të anatemuara, janë botuar esé dhe studime shumë interesante që na kanë dhënë një tablo tjetër, shumëngjyrëshe dhe më të plotë të historisë sonë. Po ndërkohë janë bërë filma dokumentarë tronditës dhe janë realizuar emisione mjaft të suksesshme si ato për figurat e Ahmet Zogut, Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Princ Vidin, për pushtimin e Shqipërisë më 7 prill 1939, për Luftën Antifashiste etj., etj.

    Duke lexuar këtë lloj letërsie, bindesh se ajo ka qenë, është dhe do të mbetet një burim dhe ushqim i pazëvendësueshëm për shkrimin me objektivitet të historisë. Letërsia publicistike në të gjitha format e saj i jep shpirt historisë, i jep ngjyra, freski dhe bukuri. Pa të historia do të ishte anemike, e zbehtë, e mërzitshme.