Për të bërë pedonale sheshin e stadiumit “Dinamo” bashkia harxhoi 250 mijë euro, por e dhuroi për parking!

    446
    Dje erdhi në redaksinë e gazetës “Telegraf” një denoncim qytetarësh nga kryeqyteti, shoqëruar me pamje fotografike nga “fati” i sheshit përballë Stadiumit “Selman Stërmasi” (Dinamo) në Tiranë. Sipas informacionit, sheshi përballë këtij stadiumi jo vetëm që nuk u rikonstruktua sipas projektit të financuar e të deklaruar me zë e me figurë nga kryebashkiaku “rilindës” Erjon Veliaj, por as nuk u “çlirua” prej “tutorëve” të parkimit dhe shitjes së auto-veturave. Gazeta “Telegraf”, bëri dje një vëzhgim lidhur me denoncimin e ardhur nga qytetarët. Është fjala për një mjedis publik në Tiranë, i cili ndodhet përballë hyrjes së Stadiumit “Selman Stërmasi”, ose siç quhet ende: “Ish-stadiumi Dinamo”. që prej 8 vitesh, gjysma e këtij sheshi është bërë dhe po funksionon si lulishte me stola por pa lule e me ca pemë me “dy gjethe në majë”, me 2-3 lojëra hekuri e plastike për fëmijë që janë jashtë funksioni, me disa parcela bari ku qytetarë jo të pakët u bëjnë relaks, gara e stërvitje qenve të lëshuar. 

    Në këtë pjesë “moderne” të këtij sheshi të cilën e quajnë “park”, ka edhe disa stola druri të kalbur e të zhvatur, ku pushojnë (thyejnë kockat) të moshuarit, mbi të cilët në kohë pa shi flenë endacakë e “të pagjumë”. Por ka edhe rrugica me çakëll, anës të cilave “punojnë” pjekës misrash, shitës farash, perimesh e veshjesh e gjithçkaje. Pjesa tjetër, ajo përballë stadiumit e cila nis që në hyrje dhe shtrihet në gjithë gjatësinë e pjesës ballore të stadiumit është shesh i asfaltuar, ku “pushojnë” auto-vetura të çdo lloji, duke u përdorur si parking dhe treg shitjeje për to. Këtë pamje ka aktualisht ky shesh. Po si duhet të jetë? Si dhe nga cilët është shfrytëzuar në këto vite? Si dhe nga cilët po shfrytëzohet aktualisht? Si figuron ky shesh në hartën urbanistike e mjedisore të Tiranës? A janë zbatuar projektet e financuara për këtë shesh? Sa milionë lekë taksa të qytetarëve të Tiranës, janë shpenzuar në 23 vitet e fundit për (gjoja) rikonstruksionin, tjetërsimin dhe mirëmbajtjen e këtij sheshi, me sipërfaqe 4.1 hektarë?! 
    Sheshi, 23 vite i pushtuar nga “të fortët dhe gjobaxhinjtë” me pushtet
    Ky shesh, qysh prej vitit 1992 nuk ka qëndruar asnjëherë i lirë për qytetarët, por ka qenë pushtuar prej përdoruesish privatë e “piratë”, me lloj-lloj biznesesh, pa asnjë licencim e projekt zhvillimi. Deri në vitin 2001, ka qenë shesh me “turli” kioska qoftesh, kafenesh, tezga mallrash e stacion autobusësh për udhëtarët e rretheve Lushnjë, Fier, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Vlorë, Tepelenë, Përmet, Gjirokastër, Delvinë e Sarandë, të cilat së bashku e kthyen këtë mjedis publik në një “moçal” të qelbur me lloj-lloj mbeturinash e ujërash të zeza. Askush prej tyre nuk paguante në shtet, por vetëm tek “të fortët” që kishin pushtuar sheshin dhe tek pushtetarët që vilnin gjoba privatisht. Pas largimit të autobusëve dhe “shkuljes” së kioskave prej bashkisë “Rama”, sheshi përpara stadiumit “Selman Stërmasi” (Dinamo) qëndroi vetëm 2-3 muaj i lirë, mbasi nuk qe e thënë që të shpëtonte nga “pushtuesit” e të kthehej në mjedis të lirë dhe të pastër publik. 

    Vendin e autobusëve e zunë tregtarët e fruta-perimeve, madje edhe të shpendëve e bagëtive të imëta, sidomos ata që vinin nga fshatrat e Tiranës, të cilët për “parcelat” e pushtuara paguanin tarifa private në xhepat e zyrtarëve të bashkisë e të shtetit. Pas largimit të tyre, sheshin e “pushtuan” çadrat e tregtarëve të veshjeve “Gabi”. Ky “pushtim” zgjati deri në fund të vitit 2004, kur bashkia “Rama” i largoi me forcë nga sheshi dhe nisi ndërtimin e një mini-fushe të përbashkët basketbolli e volejbolli me “kafaz teli” si dhe të një parku me stola e shkurre dekorative dhe disa lodra fëmijësh që për bazament kishin çakëllin e baltën. Një pjesë të sheshit, atë përballë stadiumit, bashkia e asfaltoi dhe e shpalli “mjedis të lirë” për qarkullim auto-veturash e njerëzish, duke krijuar një tip “pedonale” asfalti të kornizuar me trotuare e bordura. Por ky “status” i sheshit përpara Stadiumit “Selman Stërmasi” (Dinamo) zgjati vetëm 1 muaj, mbasi u bë “viktimë” e “pushtuesve” të rinj që nuk u ndalën nga bashkia e Tiranës, konkretisht nga “tutorët” që e kthyen sheshin e asfaltuar përballë stadiumit në shesh parkingu e pazar auto-veturash. Çfarë po ndodh aktualisht në sheshin dhe me sheshin përballë Stadiumit “Selman Stërmasi” (Dinamo) në Tiranë?
    Kryebashkiaku Veliaj financoi 250 mijë euro taksa për pedonale, por sheshin ua la përsëri “tutorëve” të makinave
    Sheshi përpara stadiumit “Selman Stërmasi” (Dinamo) në Tiranë, vazhdon të jetë i pushtuar prej atyre që e kanë kthyer në parking dhe shesh tregu të auto-veturave. Dy muaj më parë, krye-bashkiaku i ri Tiranës Erjon Veliaj, me bujën e kamerave televizive u betua dhe u vërsul me polici bashkiake, polici rendi e fadroma për ta “çliruar” këtë shesh nga pushtuesit. Brenda ditës, largoi gjithë auto-veturave që kishin mbushur sheshin. Krye-bashkiaku “rilindës” Veliaj, deklaroi edhe se do të rrafshonte edhe disa restorante që kishin zaptuar sheshin dhe mjediset e stadiumit, por nuk… mundi! Sipas projektit të krye-bashkiakut Veliaj, ky shesh përpara stadiumit do të kthehej në pedonale, siç është kthyer sheshi përpara stadiumit “Elbasan Arena”. Por nuk u bë. Sheshi mbeti përsëri siç ishte, duke riparuar vetëm disa gropa të tij. Për këto punime, u harxhuan 250 mijë euro. Pas mbushjes së gropave dhe fshirjes së sheshit nga punonjësit e pastrimit të bashkisë, sheshi u pushtua përsëri nga “tutorët” që e kthyen në parking e treg auto-veturash. Ky pushtim, sipas burimeve të gazetës “Telegraf” në bashkinë e Tiranës, u lejua nga krye-bashkiaku Erjon Veliaj, si biznes për miqtë e tij. Faktikisht, në hartën zhvillimore urbanistike të kryeqytetit, ky shesh figuron si objekt “Pedonale” me gjithë mjediset, deri tek ndriçimi i plotë. Faktikisht është siç ka qenë: shesh asfalti i meremetuar dhe me ndriçimin që ishte përpara se të harxhoheshin 250 mijë eurot nga taksat e qytetarëve të Tiranës.

     Ky shesh është dhënë prej krye-bashkiakut Veliaj, për biznes parkingu makinash, biznes ky që po maskohet pas disa tabelave të “ngulura” ne këtë shesh, me të cilat tentohet të justifikohet si “vend parkim” në përdorim për “KF. Tirana”, i cili ka në administrim Stadiumin “Selman Stërmasi” (Dinamo). Mjafton të lexosh tabelat e vendosura nga bashkia dhe konstaton abuzimin e bërë me këtë shesh nga krye-bashkiaku Erjon Veliaj. Në një nga tabelat, thuhet: “Parkim për vëzhguesit e ndeshjes”. Vallë, bëhen ndeshje çdo ditë në këtë stadium, që sheshi është i mbushur përditë me makina? Sa orë zgjat 1 ndeshje, mbasi sheshi është i mbushur 24 orë me makina? Sa vëzhgues ka 1 ndeshje, se në shesh janë mbi 100 makina? Një tabelë tjetër, thotë: “Parkim për “KF. Tirana”! Sa lojtarë, sa drejtues e sa punonjës paska ky klub që parkojnë përditë në shesh, se sipas numrit të makinave rezulton, se klubi “Tirana” paska më shumë makina, se sa… tifozë?! Fakti nuk ka nevojë për koment. Në sheshin përpara stadiumit, ka makina të nxjerra për shitje pa targa e me kartë zhdoganimi, që tregojnë se këto janë në shitje. Ka makina të parkuara me pagesë që dihet se cilët brenda e jashtë këtij klubi, brenda e jashtë kësaj bashkie, i marrin si të ardhura biznesi të paligjshëm, të lejuar me vulë e firmë të krye-bashkiakut Veliaj! Këtë marifet, krye-bashkiaku Veliaj e ka bërë jo se nuk di, por për të fshehur biznes-skandalin korruptiv të bërë me sheshin që “hëngri” 250 mijë euro në emër të investimit për pedonale, por që u justifikuan me mbushjen e 4-5 gropave e të… 1 fshirjeje të sheshit me fshesë, duke ia dhuruar miqve e klientëve të tij, për të bërë biznes parkimi e shitje makinash pa asnjë qindarkë pagesë! 
    Sigal