Për bijtë e Austrisë, që prehen përjetësisht midis nesh

    749
    Lufta e Parë Botërore shpërtheu më 4 gusht të vitit 1914, gati dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Shqipëria në Luftën e Parë Botërore mbeti asnjanëse, sepse kështu e shpalli Konferenca e Ambasadorëve. Pozicioni i volitshëm që gëzonte Shqipëria e bënte atë një vend me rëndësi nga hyhej e dilej në rrugë të shkurtra në pjesën më të madhe të vendeve Ballkanike, ndaj dhe interesat e vendeve që na rrethojnë e më gjerë kanë qenë në çdo kohë të larta. Në ndjekje të ushtrisë Serbe dhe në luftë me të, në janar 1916 hyn në Shqipëri ushtritë Austro-Hungareze. Prej kësaj kohe trualli Shqiptar u shndërrua në shesh të luftës botërore. Forcat Austro-Hungareze, në janar 1916 morën me radhë Shkodrën, Tiranën, Elbasanin dhe në muajin shkurt hynë në Durrës, ku u ndeshën me një brigadë Italiane. Nga Shqipëria e Mesme, një pjesë e trupave Austro-Hungareze zbritën në pjesën jug-perëndimore të vendit duke vendosur frontin me ushtrinë Italiane në krahun e djathtë të lumit Vjosa. Kështu vazhdoi për tre vjet deri në mbarimin e Luftës së Parë Botërore më 11 nëntor 1918, me fitoren e Antantës ( Angli, Francë, Itali, SHBA). Lufta e Parë Botërore i kushtoi botës shumë shtrenjtë. Në këtë luftë morën pjesë 74 milion ushtar. U vranë 10 milion njerëz dhe 20 milion të tjerë u gjymtuan. Në Shqipëri numri i ushtarëve të huaj në Luftën e Parë Botërore arriti 250 mijë veta. Nga këta mbi 100. 000 vetë ishin efektivë të ushtrisë Austro – Hungareze. Dihet se lufta përveç të vrarëve dhe të plagosurve ka edhe robër. Nga ushtria italiane në këtë luftë u kapën robër një numër i madh ushtarësh Austriak. Robërit u përdorën për ndërtim rrugësh dhe urash. Ata ishin vendosur në të gjithë aksin rrugor Vlorë – Sarandë. Kryesisht merreshin me ndërtimin e urave. Në fshatrat e bregdetit ruhen edhe sot kujtime se ata janë trajtuar shumë keq nga ushtria italiane dhe ishin katandisur në një gjendje të rëndë. Nga më të moshuarit ruhen edhe sot kujtime se ata janë trajtuar me veshmbathje dhe ushqime nga fshatrat e bregdetit, nga Nivica në Palasë e deri në Radhimë. Në fshatin Piqeras ruhet edhe sot një toponim. “Varri i Austriakut” si shenjë e vuajtjeve dhe tragjedisë së tyre. Por në këtë shkrim qëllimi im është të evidentoj një njeri të veçantë, një rast humanitar që ka të bëjë me Luftën e Parë Botërore por jo vetëm.
     Ai është një mesoburrë nga familja Rroshi në fshatin Shën Vasil të rrethit të Sarandës i cili ka pak fjalë por është shumë punëtor e fisnik. Është mjeshtër në përpunimin e mermerit e të drurit. Quhet Minella Rroshi. Njeri i thjeshtë dhe punëtor si prindërit e tij. Veprimet humanitare të Minella Rroshit i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë. Në fshatin tij Shën Vasil, gjatë Luftës së Parë Botërore ishin varrosur mbi 50 ushtarë Austriak, vdekur nga epidemia e gripit “Spanjoll” të vitit 1918. Ata ishin varrosur në Shën Vasil në krah të varrezave të fshatit. Ishin robër të ushtrisë Italiane dhe punuan për ndërtimin e rrugës automobilistike Sarandë – Vlorë. Këtë fakt Minella e kishte mësuar nga prindërit e tij dhe më të moshuarit në fshat Gjithmonë e ka shoqëruar mendimi të bëjë diçka për këta njerëz fatkeq që lanë kockat në një vend të huaj. Falë profesionit të tij si mjeshtër i përpunimit të mermerit dhe gurit, vendosi të ngrinte një memorial të thjeshtë në mënyrë që të përjetësohej kjo fatkeqësi, por dhe tu bëhej një shërbim i thjeshtë fetar si për të gjithë të larguarit nga kjo botë. Këtë ide në vitin 2000 e bëri realitet. Në memorial shkruhet “Në këtë vend prehen eshtrat e disa dhjetëra ushtarakëve austriakë, rënë gjatë Luftës së Parë Botërore”. Për këtë veprim njerëzor Minella është dekoruar nga Parlamenti Austriak me medaljen më të lartë ( Kryqi i Zi ) dhe është anëtarësuar si anëtar i organizatës humanitare botërore, ( Kryqit të Zi Ndërkombëtar) me qendër në Vjenë. Për veprimin e tij humanitar është ftuar nga kjo organizatë 10 ditë në Vjenë. Sot ky memorial është kthyer në një vend pelegrinazhi për shumë turist sidomos Austriak. Në vitin 2003 rastësia solli në Shën Vasil një biznesmen Austriak të quajtur Afred Rothensteiner ku mësoi për ekzistencën e këtij memoriali. Ju duk e pa besueshme dhe bëri pyetjen: Kini juve kaq kulturë të nderoni të rënët? Kur shkoi në vend dhe pa memorialin u bind dhe falënderoi ndërtuesin. I emocionuar i kërkoi Minellës të ngrejë një memorial më të madh dhe më dinjitoz. Projektin dhe shpenzimet i kam unë, juve do ta ndërtoni. U ra dakord pa hezitim me kërkesën e biznesmenit austriak. Minella me shumë kujdes bëri zhvarrimin e ushtarakëve. Eshtrat dhe çfarë gjeti në varrezë i nxori me shumë kujdes. Ato ishin mjete, ishin sende të përdorimit vetjak nga ushtarakët. Si lugë, gaveta, pagurë, kazma, lopata etj.  Të gjitha sendet e gjetura janë ekspozuar në një vitrinë të veçantë metalike brenda memorialit. Me punë të kujdesshme dhe pasionante si mjeshtër Minella ngriti memorialin bashkëkohor dhe dinjitoz në krah të varrezave të fshatit, të orientuar nga deti. 
    Brenda memorialit ka ndërtuar një urë me gurë të skalitur nga duart e ushtarëve Austriak. Të gjitha urat e rrugës së bregdetit janë ndërtuar në këtë mënyrë dhe ato shfrytëzohen edhe sot, edhe pse rruga është rikonstruktuar këtë shërbejnë si ura megjithëse kanë kaluar gati 100 vjet. Në këtë vend të qetë dhe piktoresk të rivierës shpirtrat e tyre prehen në paqe. Pas gati 100 vjetësh harrese (humbje) e kanë një njeri që kujdeset për ta. Ka një njeri që i përjetësoi. Aty herë pas here vijnë i vizitojnë dhe vendosin kurora me lule të freskëta edhe bashkatdhetarë të tyre. Sot ai është kthyer në një vend pelegrinazhi nga të huajt. Minella kujdeset për të. Para disa ditësh priste një grup Austriakësh për vizitë. Erdhi në Sarandë dhe kërkonte një flamur Shqiptare dhe një Austriak për ti ngritur në memorial, por nuk i gjente dot. U ndihmua nga Komiteti i Veteranëve të rrethit dhe me flamurët të mbështjellë iku i kënaqur në fshat. Ai tani është gjithmonë pritës i turistëve dhe kujdeset për memorialin. Ndjen një përgjegjësi morale. Ai nuk është vetëm por ka dhe një ciceron që u flet turistëve për historinë e bregdetit e të Shën Vasilit, për historinë e ushtarëve Austriak dhe të memorialit ngritur në nderim të tyre. Ai është 70 – vjeçari Odise Spiri. Por veprimtaria mirëbërëse dhe humanitare e Minellës nuk mbaron këtu. Minella vlerëson dhe nderon shumë LANÇL të popullit shqiptar. Falë pasionit dhe profesionit që ka, kujdeset shumë për simbolet e luftës në fshatin e tij por edhe në zonë. Në 70 vjetorin e çlirimit të Atdheut, me iniciativën dhe shpenzimet e tij ai vendosi emrat e 37 burrave, djem të rinj, në lapidarin e ngritur në përkujtim të masakrës nazisto – balliste kryer më 23 qershor 1944 në fshatin e tij të lindjes Shën Vasil. Por ai nuk ishte i kënaqur me këtë, për Minellën, të pushkatohesh në emër të lirisë e Atdheut, meriton shumë më shumë. Për ta çdo gjë që të bësh është pak. Një vit më vonë, përsëri me shpenzimet e tij ai në krah të lapidarit ngriti një memorial. Në çdo përkujtim që bëhet ai është i pranishëm. Kujdeset që lapidari dhe memoriali të shkëlqejnë dhe ceremonitë të zhvillohen dinjitoze. Në gusht të vitit 2015 përgatiti dhe vendosi pllakën përkujtimore për nderimin dhe përkujtimin e batalionit partizan “Bregdeti” dhe këtë e bëri me shpenzimet e tij. Këto veprime kanë një emër të thjeshtë dhe domethënës, quhen fisnikëri dhe veprime humanitare, veprime të tilla i bëjnë njerëz me shpirt të madh dhe atdhetar. Bravo Minella dhe faleminderit! Veprimet e tua na nderojnë të gjithëve. Shkurt 2016, Anastas Gurma, kryetar i shoqatës së ish – ushtarëve të Sarandës. (Foto :një urë e ndërtuar nga austriakët në bregdet, një kryq me lule i bërë nga shqiptarët dhe një kryq normol i sponsorizuar nga austriakët, i punuar nga i njëjti skulptor, po austriakët nuk kanë pranuar lulet e simbolit grek. Të dy kryqet janë sot tek varrezat austriake në Shën – Vasil të bregdetit)
    Sigal