Pensionistët, letër Ramës: Na jepni dhe ne shpërblimin e gjelit të detit

    357
    Sigal

    Kërkesa: Ka 3 vite që na është hequr. Jemi të varfër, por duke na dhënë shpërblimin, na riktheni dinjitetin!

    Na jepni shpërblimin e fund vitit dhe ne që të blejmë gjelin e detit për Vitin e Ri, shpërblim që na është hequr para tre vitesh! Kështu I kanë shkruar dje pensionistët e Fierit Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe Ministrit të Punës e Çështjeve Sociale Erion Veliaj. “Nisur nga kërkesat e shumta dhe nevojat social ekonomike të të gjithë kategorive të pensionistëve, kërkojmë të përfshihemi edhe ne në dhënien e shpërblimit për festat e fund vitit 2015. Kjo do të jetë një kënaqësi dhe vlerësim i veçantë për këtë shtresë të shumë vuajtur në dekada, në të gjitha aspektet e punës dhe jetës së kësaj moshe. Po kështu është përkujdesje e përgjithëshme dhe e gëzueshme për ta festuar këtë festë tradicionale me gjelin e detit në tavolinë me nipër dhe mbesa ku gjyshi përqafon dhe uron në krye të tavolinës. Zotërinj qeveritarë! Ju kujtojmë me keqardhje dëshpëruese se tre vitet e kaluara pensionistët u përjashtuan nga shpërblimi i festive të fund vitit. Kjo është një vrasje shpirtërore dhe morale dhe e pa pranueshme madje e dënueshme për cilin do që ka vepruar dhe vepron në këtë mënyrë për të moshuarit. I nderuar kryeministër! Ne shpresojmë dhe kemi besim të plotë, se ju dhe kabineti juaj qeveritar do të krijoni mundësin për të plotësuar dhe lehtësuar ndjenjat shpirtërore të kësaj moshe të plakur nga pleqëria por asnjëherë nga ndjenjat idealiste, patriotike  dhe besnikërisë ndaj interesave kombëtare. Ne të moshuarit kemi qenë, jemi dhe do jemi deri në vdekje të gatshëm për gjithçka në shërbim të kombit tonë. Edhe njëherë ju lutemi Z. Kryeministër, në emër të të gjithë pensionistëve të merrni në konsideratë kërkesën e kësaj moshe që ka kontribuar në punë e kudo në jetë, e gatshme dhe tani në pleqëri për interesat e atdheut dhe kombit Shqiptar. Me respekt dhe mirënjohje, Shoqata e pensionisteve – Dega Fier.  Kryetari, Ramis Basha”- shkruhet në letrën e pensionistëve.