Pensionistët e Fierit – Ramës: Faleminderit për shpërblimin e festave të fundvitit!

    393
    Sigal

    Letër falënderimi, drejtuar z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

    Shoqata e pensionistëve dega Fier, falenderon përzemërsisht me ndjenjën e mirënjohjes shpirtërore Kryeministrin dhe ministrat e qeverisë përkatëse për dhënien e shpërblimit të festave tradicionale. Ky është një vlerësim, përkujdesje dhe preokupim i veçantë që u jepet të moshuarve nga qeveria aktuale. Pas kaq shumë vitesh, pensionistët kujtohen dhe nuk lihen në harresë këtë fundvit, duke u shpërblyer për kontributet që kanë dhënë dhe japin akoma dhe tani në pleqëri për interesat kombëtare.

    Për fat të keq, kjo është shtresë shumë e vuajtur, në dekada ka punuar e ka ndërtuar vepra me potencial të madh ekonomik, por u la në harresë për 2-3 vjet nga maxhoranca e kaluar me kryeministër Sali Berishën. Është e papranueshme dhe turp të mashtrosh shqiptarët dhe, në veçanti, të moshuarit, ashtu siç mashtroi zëdhënësja e Partisë Demokratike, ku deklaroi se gjoja pensionistët u shpërblyen për festat e fundvitit 2012, apo siç mashtroi ish Kryeministri, duke deklaruar se pensionet në Shqipëri janë më të lartat në Europë.

    Z. Kryeministër, moshat e treta kudo që kanë punuar, jetuar dhe drejtuar janë karakterizuar nga korrektësia, ndërgjegjshmëria, zbatueshmëria dhe përpikmëria, duke zbatuar ligjet për mos krijuar asnjë boshllëk që dëmton interesat kombëtare të shqiptarëve. Po kështu mbrojtja e dinjitetit, patriotizmit dhe pjekuria politiko-shoqërore ka qenë, është dhe do të mbetet në të gjitha aspektet e jetës së përditshme. Pensionistët dinë të vlerësojnë, gjykojnë me përpikmëri të mirën dhe të keqen në situatën aktuale demokratike, duke u bazuar gjithmonë në interesat e një vendi që kërkon të bashkohet me interesat kombëtare të një vendi që kërkon të bashkohet me Komitetin Europian. Në këto kushte ne përgëzojmë dhe mbështetim me forcën më të madhe të një zëri reformat e qeverisë aktuale, njëkohësisht dënojmë ata që nxjerrin pengesa të qëllimshme për pengimin e këtyre reformave.

    Pensionistët kërkojnë dhe meritojnë më shumë përkushtim, respekt, ngrohtësi dhe dashuri nga pushtetarët qeveritarë në kërkesat dhe të drejtat ligjore-kushtetuese.

    Z. Kryeministër: Ne të moshuarit vritemi moralisht dhe shpirtërisht, kur politikanë pa dallim partiak ofendojnë drejtpërdrejte ose indirekt në formë ironie të moshuarit. Kjo është e papranueshme, madje e dënueshme!

    Pensionistët fierakë patën një takim të drejtpërdrejtë me Kryeministrin Rama, ku u shprehën lirshëm për problemet e tyre shqetësuese dhe u dëgjuan me vëmendje nga z.Rama për çdo problem që ata ngritën zërin.

    Në përfundim, pensionistët shprehin mirënjohjen më të thellë shpirtërore për gjithçka që do të bëni në vazhdim për këtë moshë të thyer. Për ne, mbështetja më e madhe do të jetë “Statusi i pensionistit”, të cilin shpresojmë se qeveria juaj do e miratojë sa më parë.

    Ramis Basha

    Kryetar i Shoqatës së Pensionistëve, Dega Fier