Pensionet për emigrantët dhe kush përfiton nga falja e kamatëvonesave

    342
    Sigal

    Specialisti i pensioneve, Fadil Kepi u përgjigjet pyetjeve të emigrantëve

    Pyetje

    Një grup emigrantësh në Greqi pyesin: Para se të niseshim për Greqi, pothuaj të gjithë kemi më pak se 15 vite punë të siguruara në vendin tonë, në Shqipëri. Ndërsa këtu në Greqi, kemi mbi 15 vite punë të siguruara. Nëpërmjet lajmeve nga media elektronike dhe e shkruar nga Shqipëria, kemi mësuar se për të shtuar vitet e punës nga 1.10.1993 deri në fund të vitit 2014, çdo shqiptar, qoftë dhe në emigracion, mund të bëjë sigurime vullnetare pa kamatë vonesa, nëse kontributet paguhen brenda dhjetorit të këtij viti. Ne dhe shumë emigrantë jemi të interesuar të dimë më shumë sqarime për këtë problem.

     Përgjigje

    Duke ju falënderuar për letrën sqaroj: Kuvendi i Shqipërisë me Ligjin Nr.153/2014, datë 18.11.2014, “Për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave për kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të papaguara nga personat e vetëpunësuar në bujqësi”, i cili ka hyrë në fuqi nga data e mësipërme, ka vendosur: Fermerët që kanë marrë tokë në zonat fushore për 21 vjet e 3 muaj duhet të paguajnë 201.376 lekë duke përfituar 120 mijë lekë nga falja e kamatëvonesave, ndërsa fermerët që kanë marrë tokë në 14 rrethe malore që janë: Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar Tepelenë dhe Tropojë, duhet të paguajnë gjithsej 139.083 dhe përfitojnë 80 mijë lekë. Para se t’i paguajnë, fermerët duhet të paraqiten në komunën, ku kanë marrë tokë dhe të paraqesin dokumentin e pronësisë mbi tokën, dokumentin që e kanë vendbanimin në një qark me rrethin ku e kanë tokën dhe sipas Nenit 3 të Ligjit të mësipërm duhet të kryejnë pagesën deri më 31.12.2014. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka udhëzuar të gjithë strukturat e Sigurimeve Shoqërore të Republikës së Shqipërisë për t’ju sqaruar e ndihmuar për zbatimin e ligjit të mësipërm që është në favor të fermerëve. Për personat të cilët nuk kanë marrë tokë, nuk kanë blerë apo marrë me qira s’kanë të drejtë të sigurohen si të vetëpunësuar në bujqësi, por duhet të bëjnë sigurime vullnetare.

    për më tepër lexoni Gazetën Telegraf