PENSIONET FAMILJARE DHE KUSHTET E PËRFITIMIT

    1483
    Sigal

    Specialisti i Sigurimeve Shoqërore, Fadil Kepi, sqaron për lexuesit e “Telegraf”: Gjithçka që duhet të dihet për statusin e jetimit dhe përfitimet që i takojnë atyre me ligj

     

    Mbështetur në nenet 40 dhe 41 të ligji të sigurimeve shoqërore nr. 7703, datë 11.5.1993, pensione familjare përfitojnë personat që, janë në ngarkim të personit që ndërron jetë, i cili kishte kushtet për të përfituar njërin nga llojet e pensioneve, ose merrte pension. Në rastet kur bashkëshorti ndahet nga jeta, pension familjar përfitojnë:

    1-e veja e papunë që ka fëmijë deri 8 vjeç, kur është e paaftë për punë pavarësisht nga mosha e vërtetuar zyrtarisht nga komisioni mjekësor ose ka mbushur moshën 50 vjeçe. Në këto raste ajo përfiton 50 për qind të pensionit mujor të bashkëshortit, deri 60 vjeçe kur del vetë në pension, pastaj ka të drejtë të zgjedhë pensionin e saj ose të vazhdojë të marrë gjysmën e pensionit të burrit, cila shumë të dalë më e lartë. Pavarësisht se cilin pension zgjedh, përfiton edhe kompensimet.

    2-Burri i ve, kur është mbajtës i një fëmije deri në moshën 8 vjeç pavarësisht nga mosha e tij, është i paaftë për punë, vërtetuar me dokumente si më sipër, ose kur ka mbushur moshën 60 vjeç. Masa e përfitimit mujor është 50 për qind e pensionit, që i takonte bashkëshortes dhe e merr deri në moshën 65 vjeç kur del vetë në pension dhe pastaj sipas nenit 62 të Ligjit të Sigurimeve Shoqërore ka të drejtë të zgjedhë e të marrë: a) gjysmën e pensionit të gruas, ose b) pensionin e vet, cila shumë të jetë më e madhe.

    Koha e përfitimit të pensionit familjar nga gruaja ose burri pasjetues nuk quhet vjetërsi pune.

    3-Kur është një fëmijë jetim (dhe prindi pasjetues, nuk përfiton pension) merr 50 për qind të pensionit të prindit deri në moshën 25 vjeç nëse vazhdon shkollën ditën brenda ose jashtë vendit, me ose pa bursë.

    4-Në rastet kur prindi pasjetues përfiton gjysmën e pensionit familjar, dhe janë dy fëmijë jetimë të mitur, secili përfiton  25 për qind të pensionit të prindit deri në moshën 25 vjeç nëse vazhdojnë shkollën ditën. Në këtë rast, personat e familjes marrin 100 për qind të pensionit që i takonte prindit që nuk jeton.

    5-Kur prindi pasjetues është në marrëdhënie pune dhe ka dy fëmijë të vegjël, pension familjar marrin vetëm dy fëmijët nga 25 për qind të pensionit, të prindit të tyre që nuk jeton deri 25 vjeç nëse vazhdojnë shkollën ditën brenda ose jashtë vendit me ose pa bursë.

    6-Pension familjar u takon edhe prindërve të personit që ndërroi jetë në moshën 65 vjeç, kur s’marrin vetë pension, ose dhe nën këtë moshë kur janë të paaftë për punë. Edhe prindi përfiton 25 për qind të fëmijës që u nda nga jeta.

    Në të gjitha rastet, shuma e pensionit familjar të përfituesve nuk mund të jetë më i lartë se pensioni që i takonte pjesëtarit të familjes që ka ndërruar jetë.

    Në rastet kur ndërrojnë jetë të dy prindërit, që merrnin apo u takonte pension sipas dokumenteve të paraqitura në sigurimet shoqërore dhe kanë lënë për shembull dy fëmijë të mitur, secili fëmijë përfiton 25 për qind nga pensioni i nënës dhe 25 për qind nga pensioni i babait deri në moshën 25 vjeç nëse vazhdojnë shkollën ditën të dokumentuar me vërtetim në çdo fillim të vitit shkollor nga fakulteti përkatës. Kur studimet e larta fëmija i përfundon para moshës 25 vjeç, i ndërpritet pensioni ditën që diplomohet. Pensioni familjar jepet edhe kur fëmija përsërit klasën, por gjithnjë deri në moshën 25 vjeç. Nëse fëmijët jetimë janë nën 16 vjeç pensionin ua tërheq personi i autorizuar zyrtarisht për kujdestarinë e tyre, ndërsa mbasi plotësojnë moshën 18 vjeç, kanë të drejtë që secili ta marrë pensionin vetë duke paraqitur në pikën e pagesës së pensioneve librezën dhe kartën e identitetit.

    Në fillim të çdo viti shkollor fëmijët mbi moshën 16 vjeç, duhet të dërgojnë në sigurimet shoqërore vërtetim që vazhdojnë shkollën ditën.

    Pensioni familjar përfitohet edhe kur personi që ndërroi jetë ka lënë pasuri të luajtshme ose të paluajtshme, qoftë dhe me testament, në emër të pjesëtarëve të familjes të cilëve u takon pension familjar. Nëse burri ose gruaja pasjetuese rimartohet, i ndërpritet pensioni familjar, ndërsa fëmijëve i vazhdon pavarësisht se ku jetojnë.

    Mbështetur në ligjin nr. 10289, datë 17.6.2010, botuar në Fletoren Zyrtare 92, familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës, bashkëshortja ose bashkëshorti, fëmijët nën 18 vjeç ose deri 25 vjeç, kur kryejnë studimet e larta ditën, prindërit dhe personat në kujdestari, përfitojnë ndihmë të menjëhershme jo më pak se 200.000 lekë. Familjarëve në ngarkim u jepet ndihmë e menjëhershme për përballimin e shpenzimeve të varrimit. Shteti merr përsipër trajtimin me bursë të plotë për të gjithë fëmijët të cilët kanë fituar të drejtën e ndjekjes së studimeve në institucionet publike shtetërore të arsimit të lartë brenda vendit. Familjet e punonjësve të rënë në krye të detyrës, përfitojnë trajtim me përparësi për strehim sipas legjislacionit në fuqi. Familjarëve me ta cilët punonjësi bashkëjetonte para humbjes së jetës në krye të detyrës, në ditën përkujtimore të punonjësit, u jepet një ndihmë deri në një pagë mujore të gradës më të lartë të nivelit zbatues. Sa herë shtohen pensionet rriten edhe pensionet familjare dhe pavarësisht nga shuma nuk tatohen.

     PËRMBAJTJA E LIGJIT PËR STATUSIN E JETIMIT

    Kuvendi i Shqipërisë më datë 31.10.1996, miratoi ligjin nr. 8153 “Për statusin e jetimit”, i cili ka 22 nene në të cilët thuhet:

    -Përfitojnë statusin e jetimit personat me moshë nga 0-25 vjeç, që kanë kaluar ose jo nëpër institucione shtetërore a private të përkujdesit shoqëror dhe që plotësojnë këto kritere:

    a) të lindur jashtë martese;

    b)që nuk kanë gjallë asnjërin nga prindërit;

    c) fëmijëve të cilëve me vendim të formës së prerë të gjykatës u është hequr e drejta prindërore e të dy prindërve ose u është hequr e drejta prindërore për njërin prind dhe prindi tjetër nuk jeton.

    d)që braktisen nga të dy prindërit dhe nuk u njihet identiteti i tyre.

    Personat që plotësojnë kriteret e mësipërme përfitojnë nga ky status edhe pasi kanë kaluar moshën 25 vjeç, nëse nuk janë trajtuar nga shteti me strehim dhe janë në kushte të vështira jetese.

    Vendosja e fëmijëve jetimë në institucionet shtetërore ose private të përkujdesjes shoqëror bëhet sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave. Institucionet që trajtojnë jetimë, duke përfshirë dhe ato arsimore, janë të detyruara që me mbarimin e vitit të parafundit të shkollës të dërgojnë statistika të sakta pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, si dhe pranë zyrave të ndihmës dhe përkujdesit shoqëror në bashki dhe komuna, me qëllim që të merren masa për sistemimin e tyre me punë dhe strehim sipas rregullave të caktuara nga Këshilli i Ministrave. Jetimët në institucione shtetërore ose private të përkujdesit shoqëror mbahen deri në moshën 14 vjeç. Në rastet kur brenda kësaj moshe fëmijët nuk kanë mundur të kryejnë shkollën 9 vjeçare mbahen deri 17 vjeç, dhe mbi këtë moshë dërgohen me bursë në shkolla të mesme. Jetimët librat shkollore i marrin falas.

    Për jetimët që mbarojnë shkollën e mesme ose të lartë dhe që jetojnë në  konvikte, shpenzimet e ushqimit përballohen nga zyrat e ndihmës dhe të përkujdesit shoqëror në bashki e komuna, deri në zënien e tyre me punë.

    Jetimët që vazhdojnë shkollat e mesme dhe të larta, për periudhën e pushimeve verore, trajtohen me pagesë suplementare që përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.

    Shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet për jetimët, të cilët nuk janë në marrëdhënie pune, sigurohen falas nga shteti.

    Udhëtimi me mjetet e transportit shtetëror e privat, qytetas, si dhe ndërqytetës i jetimëve që s’janë në marrëdhënie pune bëhet falas.

    Punësimi i jetimëve bëhet me përparësi nga zyrat e punës e përkujdesjes sociale. Jetimët e punësuar trajtohen me përparësi nga punëdhënësi duke krijuar mundësi për mbajtjen e tyre në punë gjatë procesit të shkurtimit të veprimtarisë.

    Strehimi i personave që përfitojnë nga ky status bëhet me përparësi  në banesa sociale  me vendim të Këshillave Bashkiake dhe me kredi të buta.

    Shteti financon veprimtarinë e Shoqatës së Jetimëve Shqiptarë sipas mundësive financiare të planifikuara për këtë qëllim. Të gjithë ndihmat humanitare, si me fonde ashtu dhe me materiale për jetimët, livrohen nëpërmjet Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale në bashkëpunim me Shoqatën e Jetimëve. Mjediset që shteti vë në dispozicion të Shoqatës së jetimëve për të zhvilluar veprimtarinë e saj, jepen në përdorim pa shpërblim.

    Pranë Komitetit të Birësimeve merr pjesë edhe një përfaqësues i Shoqatës së Jetimëve.

    Në zbatim të ligjit “Për Statusin e Jetimit” Këshilli i Ministrave me vendime të veçanta ka vendosur:

    -Statusi i jetimit dhe libreza e jetimit jepet nga Administrata e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale.

    -Jetimët pretendues për të fituar statusin e jetimit duhet të dorëzojnë në seksionin përkatës të ndihmës dhe përkujdesjes shoqërore këto dokumente:

    a)certifikatën e lindjes së personit;

    b)dokumentin që vërteton trajtimin e tyre nga institucionet publike  ose private të përkujdesit shoqëror (shtëpitë e foshnjës dhe fëmijës), nëse janë të sistemuar në këto institucione;

    c)certifikatën e vdekjes të të dy prindërve, nëse asnjëri prej tyre nuk është gjallë.

    d)vendimin e gjykatës të formës së prerë për rastin e heqjes të së drejtës prindërore të të dy prindërve ose të njërit prind, kur prindi tjetër nuk jeton.

    e)vendimin e gjykatës që e deklaron të braktisur fëmijën nga të dy prindërit ose nga njeri prind, kur prindi tjetër nuk jeton.

    Jetimët përfitues të statusit të jetimit, që mbarojnë shkollat e mesme dhe të larta të cilët jetojnë në konvikte dhe janë pa asnjë të ardhur, trajtohen me ndihmë ekonomike, duke u konsideruar si kryefamiljarë. Në vendin tonë ka 9 shtëpi fëmijësh si në Tiranë, Shkodër, Sarandë, Durrës, Vlorë, etj., të ndarë në 3 grupe 0-3 vjeç, 3-6 vjeç dhe mbi 16 vjeç.

     Pyetje: Një infermiere nga Shijaku shkruan: jam e datëlindjes 20 shtator 1953 dhe kam punuar 40 vjet në profesion. Pyes kur e plotësoj moshën për pension?

     Përgjigje: Ju do të merrni pension të plotë në moshën 60 vjeçe sepse keni mbi 35 vjet punë të siguruara, por me dëshirën tuaj mund të merrni pension të reduktuar të barabartë me 92,8 për qind të plotë edhe 59 vjeçe. Pensioni i plotë llogaritet me 75 për qind të pagës mesatare neto mujore të 3 vjetëve rresht në 10 vjetët e fundit të punës dhe bashkë me kompensimet pavarësisht nga shuma nuk tatohet. Para daljes në pension ju takon leja e zakonshme për kohën që do të punoni gjatë vitit 2013 si dhe një rrogë mujore shpërblim. Mbas daljes në pension nëse ripunësoheni në sektor privat përfitoni përveç pensionit me shtesat përkatëse edhe rrogën në qendrën e punës, por jeni e detyruar të paguani kontributet e sigurimeve shoqërore pavarësisht se do të jeni pensioniste.

    Pensioni familjar

    Në rastet kur ndërrojnë jetë të dy prindërit, që merrnin apo u takonte pension sipas dokumenteve të paraqitura në sigurimet shoqërore dhe kanë lënë, për shembull dy fëmijë të mitur, secili fëmijë përfiton 25 për qind nga pensioni i nënës dhe 25 për qind nga pensioni i babait deri në moshën 25 vjeç, nëse vazhdojnë shkollën ditën të dokumentuar me vërtetim në çdo fillim të vitit shkollor nga fakulteti përkatës. Kur studimet e larta fëmija i përfundon para moshës 25 vjeç, i ndërpritet pensioni ditën që diplomohet. Pensioni familjar jepet edhe kur fëmija përsërit klasën, por gjithnjë deri në moshën 25 vjeç

    Fëmijët e punonjësve të rënë në krye të detyrës

    Shteti merr përsipër trajtimin me bursë të plotë për të gjithë fëmijët të cilët kanë fituar të drejtën e ndjekjes së studimeve në institucionet publike shtetërore të arsimit të lartë brenda vendit. Familjet e punonjësve të rënë në krye të detyrës, përfitojnë trajtim me përparësi për strehim sipas legjislacionit në fuqi. Familjarëve me ta cilët punonjësi bashkëjetonte para humbjes së jetës në krye të detyrës, në ditën përkujtimore të punonjësit, u jepet një ndihmë deri në një pagë mujore të gradës më të lartë të nivelit zbatues. Sa herë shtohen pensionet rriten edhe pensionet familjare dhe pavarësisht nga shuma nuk tatohen.

     

    Arsimimi i fëmijëve jetim

    Jetimët në institucione shtetërore ose private të përkujdesit shoqëror mbahen deri në moshën 14 vjeç. Në rastet kur brenda kësaj moshe fëmijët nuk kanë mundur të kryejnë shkollën 9 vjeçare mbahen deri 17 vjeç, dhe mbi këtë moshë dërgohen me bursë në shkolla të mesme. Jetimët librat shkollore i marrin falas. Për jetimët që mbarojnë shkollën e mesme ose të lartë dhe që jetojnë në  konvikte, shpenzimet e ushqimit përballohen nga zyrat e ndihmës dhe të përkujdesit shoqëror në bashki e komuna, deri në zënien e tyre me punë. Jetimët që vazhdojnë shkollat e mesme dhe të larta, për periudhën e pushimeve verore, trajtohen me pagesë suplementare që përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.