Pena Shqiptare datë 16.02.2015

    599
    Sigal

    1

    Naim Frashëri

    Miqësia dhe shpirtmadhësia e Skënderbeut
    (Tregim)

    Skënderbegu, mbret i Shqipërisë, kishte shumë miqësi me mbretin’ e Neapolesë, që quhej Alfons. Kur vdiq Alfonsi, ndenj në front të ti i biri, Ferdinandua. Po shumë mbretër u bënë një dhe dojnë ta nxirinë Ferdinandonë nga fron’ i t’ et. Kot u mundua papa që quhej Pio i dytë, t’ i binte mbretëritë, që të hiqninë dorë nga kjo punë. Ata të gjithë dhe më ushtërit’ e tyre po e shtrëngoninë Ferdinandonë. Ferdinandua, duke parë që s’ ua dil dot, u mejtua që n’ aqë të shumë fuqi vetëmë burri trim i Shqipërisë munçe të rrij kundrejt, i cili ishte miku i t’ et. Andaj i dërgoi shumë të parë, q’ i treguanë mbretit të Shqipërisë rreziknë, në të cilëtë gjëndej mbret’ i tyre, e iu lutnë ta shpëtonte. Edhe papa i dërgoi më vethe lutës Skënderbegut për shpëtim të Ferdinandosë. Skënderbegu, ndonëse ishte në luftë të paprerë me mbretërin’ e tyrqet, la në këmbët të ti mbretëreshënë edhe shqipëtarë t’ urt’ e të diturë ndë punëra, mblodhi e porositi dhe gjithë gjykatësitë të shihninë gjyqetë me të drejtë e të mos i bëhej njeriu dëm, pa hipi nd’ anijëra me shumë burra shqipëtarë dh’ u nis për n’ Itali. Ushtëri e Skënderbegut, pas istorishkronjëset t’asaj kohe, ishte prej nëntë mijë vetash, shtatë këmbës e dy mijë kalorës, po gjithë burra të mësuarë në luftë e të pamundurë kurrë dhe të krejëtuarë prej një burri, që s’ kish shok ndë jetë. Anijatë duallë në Apuli, atje gjen’ edhe Derdinandonë, i cili i priti me gas të math, pa ardhë pasdaj në qytet të Barit, q’ i kish mbajturë besënë Ferdinandosë. Në bar gjith’ ushëtarët’ e gjithë njerëzia duallë e i pritnë me të math nder shqipëtarëtë. Ushtri e armikëvet kish rënë jashtë Barit. Skënderbegu dërgoi njerës e mësoi gjithë punërat’ e armiqet, pa mblodhi të parët’ e ushtrisë e bëri fjalën’ e luftësë. Pasdaj mblodhi ushtërin’ e ti dhe vu fjal’ e u tha:- Do të lëftojmë sot për të shpëtuarë një mik të Shqipërisë e do të mburojmë të drejtënë. Kujtoni trimërin’ e gjithënjëshme, me të cilënë kemi mundurë kurdoherë e s’ jemi mundurë kurrë. Duhetë të lëftojmë dhe këtë radhë me mënt e me trimëri, që të mos turpërojmë Shqipërinë në mest t’ Evropësë. Andaj të dëgjoni dhe fjalën’ e të parëvet t’ ushtrisë si fjalënë time. Pas kësaj fjale u nisn’ e duallë në shesht të luftësë me flamurë të hapurë. I par’ i gjithë mbretërët e i ushtrisë të armiqet ishte një mbret frënk, që quhej kont Piqinino. Skënderbegu ushtërinë e ti e hapi me të parët’ e saj dhe vetë ndënj kundrejt Piqininosë, i cili kishte mizëri frënq e italianë me vethë. Po para Skënderbegut e shqipëtarëvet e panë që z’ dilinë dot, se ahere shqipëtarët’ e mbret’ i tyre kishin emërë të math në gjithë botë. Me të hedhurë shqipëtarëtë, ushtri’ e Piqininosë zu të thyhej. Piqininua e pa që s’ mbahej dot dhe dolli nga mez’ i ushtërisë mënjan’ e i thirri Skënderbegut, duke thënë se doj të piqej me të. Edhe Skënderbegu dolli jasht’ ushtërisë ti e vate të piqej me Piqininonë, q’ e kërkonte. Piqininua po e shikonte i mahniturë burrën’ e dëgjuarë në gjithë botë. Çudi e madhe ishte, si thonë istorishkronjësit’ e asaj kohe, kur u poqnë Skënderbegu me Piqininonë, se Skënderbegu ishte burr’ i math e i gjatë, Piqininua ish i shkurtr’ e i rrëgjuarë, pa Skënderbegu e ngriti ndër duar edh’ e qafoi pas zakonit të mbretërët dh’ e lëshoi mbë dhe prapë ngadalë, sikundër ngre e lëshon një njëri i math një foshnje të vogëlë. Piqininua iu lut mbretit Shqipërisë t’ e lininë për pakë ditë luftënë dhe Skënderbegu s’ ia prishi fjalënë. Piqininua me shokët’ u zunë nga dhelpëritë dhe donin ta ftonin’ e ta vinin nd’ ushe Skënderbenë, pa ta vrisninë me të pabesë, po ato s’ shkonin kurrë të Skënderbegu. Armikëtë, si e muarrë vesh mirë me kë kishinë të bëninë, u ngrin’ e iknë, po prapë shtyn’ ushtërin’ e tyrenë qytet të Noqerësë e dojnë ti bininë Ferdinandosë, q’ ish në qytet të Ursanësë, e cila ish afërë Noqerësë. Skënderbegu, posa mësoi këto, u nis nga Bari dhe i rrethoi armikëtë në Noqerë. Piqininua me shokëtë, duke dhënë llasë ushtërisë tyre, i ndënjnë kundrejt. Po skënderbegu me shqipëtarëtë u ra me shumë trimëri, pa s’u mbajtnë dot, po u thyenë. Katrë a pesë mij’ armikë ranë të vrarë, nja dy mijë u zunë të gjallë, të tjerëtë u përhapnë. Piqininua u arratis e ra më së fundi në dorët të Franso Sforcit, q’ ish armiku i ti, i cili dhe urdhër’ edhe e vranë. Dukë Jani iku e u fut në Fransë i turpëruarë, të tjerët u përndanë. Parësia, q’ ish bërë me armikët’ e Ferdinandosë, erdh’ e iu falë Skënderbegut e i kërkuanë ndjesë për fajt të tyre dh’ i dhanë besë. Skënderbegu atyre u fali fajnë dhe ca që kishinë zënë vënt e z’ dojnë të faleshin, i mundi me luftë dh’ e shtroi vëndinë mirë, pa erdhi në Neapolë me gjith’ ushtëri. Ferdinandua dhe të parët’ e mbretërisë e gjithë bota i duallë përpara Skënderbegut e shqiptarëvet dhe i pritnë me shumë nder e me shumë gas. Nga e gjith’ Evropa erdhë njerës për të parë mbren e dëgjuarë, q’ ish burrë me emërë të math dhe sicili e kish për lëvdtë në vent të ti të thoshte: “Kam parë me syt e mij trimnë m’ e mërë”. Edhe papa, që ish shum’ i rëndë n’ atë kohë, erdhi në Neapolë e pa Skënderbegun’ e u poq me të. Si vu në front të mbretërisë së Neapolësë të birr’ e mikut të ti, Skënderbegu u kthye prapë në Shqipëri

    2

    Nonda Bulka

    Vidhi dhe pjergulla
    Prej shumë vjetësh, një vidh dhe një pjergull jetonin në miqësi të ngushtë, bile të pushtuar njëri me tjetrin. Asnjë mosmarrëveshje s’kishte lindur midis tyre. Pjergulla e kishte mbështjellë vidhin aq fort, sa s’kishte asnjë rrezik që ta thyente e ta shkulte tufani i stinëve të këqija. Vidhi e mbronte me gjithë qejf gjatë dimrit dhe kur vinte pranvera dhe vera, pjergulla ia shpërblente duke e zbukuruar me fletët e gjera dhe me rrush të këndshëm. Vidhi e ndiente veten sikur të ishte i së njëjtës familje, aq ngushtë ishin lidhur. Mirëpo vidhi, një ditë dimri të tërbuar u zgjua nga gjumi i mërzitur, i vrenjtur dhe gjithë inat. E ndjeu veten të pakënaqur nga kjo bashkëjetesë dhe, si i tërbuar, shqiptoi me vete këto fjalë të rënda: – Përse ta kaloj gjithë jetën time me këtë pjergull? – Këto fjalë u ngjitën degë më degë. Pastaj buçiti akoma më i tërbuar: – Për ç’ arsye një pemë si unë, me degë të rritura dhe të gjelbra, duhet të shërbejë si hu për këtë bimkë rrudha-rrudha të shtrembër, që s’qëndron dot në këmbë pa mua? Unë e kuptoj se ajo ka nevojë për mua. Po mjaft i shërbeva, mjaft e ndihmova, tashti u mbush kupa.
    Dhe, me të mbaruar këto fjalë, filloi të lëkundet me furi; dhe lëkundu këtej, shkundu andej, djathtas, majtas, nga përpara, nga prapa pa pushim, në fillim rrëzoi lastarët më të njomë dhe më të hollë të pjergullës, pastaj hardhitë me rrudha më të trasha. E gjora pjergull u xhalavit aq tepër prej atyre lëkundjeve, sa atë vit nuk dha as edhe një kokërr rrush! Sa për vidhin, ai tundi një herë kryet gjithë krenari, dhe iu duk se tashti ishte një mijë herë më i bukur se më pare. Po pronari i hardhisë nuk ishte në një mendje me vidhin. Kur e pa të zhveshur si mos më keq, tha: – Ç’ka ngjarë vallë? Vidhi dhe pjergulla na qenkan grindur dhe e paskan prishur miqësinë. Nuk u pëlqeka që të bashkëjetojnë! Për pjergullën do të bëjmë një derman: do t’i vëmë një hu të fortë që ta mbajë: rreth atij huri do të vërtiten degët dhe lastarët e rinj. Sa për ty, o vidhi im, unë nuk di përse do të më shërbesh këtej e tutje. Bile më sjell edhe ca dëm, se ndalon diellin që të ushqejë me ngrohtësi një pjesë të kopshtit. Unë të mbaja vetëm për pjergullën. Tashti e ka fjalën sëpata. Më duhen dru për dimër. Dhe e preu. Vidhi i gjorë, kur nisën t’i kërcisnin kockat, dhe ishte gati më të rrëzuar, duke psherëtirë tha: mirë më gjeti; kush i hap varrin shokut, bie vetë brenda.

    3

    S. Malëshova (LAME KODRA)

    NJERIU ME KËMBAJKA DHE SERVILËT

    Kur hyn në sallë njeriu me këmbajka,
    Më këmbë ngrihen me temena e lajka.
    Në fron rri sulltani
    Me tull’ e parukë;
    Rreth tij gjithë stani
    Me plot dallkaukë,
    Që prapanicën tundin në kolltukë.
    Zgjaten dy duar
    Përpara, rrotull, anëve
    Dhe mblidhen grusht në kraharuar:
    Sulltani ligjëron
    Ky sytë perëndon
    Sikur mendimi thellë
    Nga shpirti i buron.
    Dhe kur mbaron
    E ngrihet duke shkelur mbi këmbajka,
    Më këmbë ngrihen prapë gjithë lajka
    Servilë e dallkaukë,
    Që shesin edhe shpirtin për kolltukë.

    PO SAZE DHE DAULLE …
    Me fyell e xhura këndoi Naimi:
    Sa duf e zjarr që kishte ligjërimi!
    Ia mori me jangar Çajup-Bekriu
    edhe Karadyzenin përtëriu.
    Në duar mbajtën me fuqi vigani
    Lahutën kishte, lyrën Theofani.
    Pasataj me mandolina dhe me saze
    Dëgjoi Shqipëria plot avaze.
    Sazet e mandolinat unë i theva,
    Edhe lahutën prapë e rrëmbeva…..

    Po sazet dhe daullet përsëri
    Na mbajtën, ty dhe mua, Shqipëri.

    LAPIDARËT
    (1969)
    Rrëzë një mali ngrihet lapidari,
    Atje ku ra një trim, një bir fshatari.
    Atje ku rrapi shekullor bën hie,
    Me dalt’ u gdhend një faqe historie.
    Mbushur Atdheun plot me lapidarë,
    Përgjon kudo armikun me pishtarë.
    Atje, ku gjaku plasi si rrufe,
    Me dalt’ u gdhend e madhja epope.

    Unë e dua Shqiperinë –

    S’kam çiflik e s’kam pallate,
    S’kam dyqan me katër kate,
    Po e dua Shqipërinë
    Për një stan në Trebeshinë,
    Për një shkarp e për një gur,
    Për një gardh e për një mur,
    Për kasollen mbi Selishtë,
    Për dy ara në Zallishtë,
    Për një lopë e për një gomar,
    Për një Balo, një manar.
    Unë e dua Shqipërinë
    Si bari dhe si fshatar.
    Unë e dua Shqipërinë,
    Për tërfilin mi lëndinë,
    Për një vajzë gjeraqinë,
    Dhe për ujët që buron
    Nga një shkëm e gurgullon
    Nëpër lista gjetheshumë,
    Edhe zbret përposh në lumë.
    Unë e dua Shqipërinë
    Për një lule trëndelinë,
    Për një zog që fluturon,
    Për bilbilin që këndon
    Në ato ferra në ato hije
    Këngë malli e dashurie,
    Këngë shpirti të helmuar.
    Unë e dua Shqipërinë
    Si poet i dhëmshuruarë.
    Unë e dua Shqipërinë
    Që nga Korça e Vraninë,
    Ku del bujku që me natë
    Me parmende dhe me shatë,
    Mbjell e korr me diell, me hënë
    Dhe s’ka bukë për të ngrënë,
    Ku nallbani dhe samarxhiu
    Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,
    Krrusen ditë e krrusen natë,
    që të hanë bukë thatë,
    Ku hamalli nëpër skela
    Ngarkon hekur dhe varela,
    Këmbë zbathur,b… çjerrë
    Punon vetëm për të tjerë.

    Unë e dua Shqipërinë
    Që nga Shkupi e Janinë,
    Ku një popull derëzi
    Heq e vuan robëri
    Po ka shpirtin luftëtar.
    Unë e dua Shqipërinë
    Si shqiptar e bir shqiptar.

    Vetëvrasja e një të dashurit

    Hiqmu nga mendja, vajzë e shënjtëruar
    Pse më për ty unë s’jam në këtë botë;
    Si një trup i hidhur mbeta i harruar
    Që fare s’vlen e drejta sot për sot.

    Këtej-andej vete i shkretë duke mejtuar,
    Djalërinë e bukur që qaj me lot…
    Ajo nën e gjorë t’ mos më kish krijuar
    Në gojë s’do të kishnja kaq mallkim të plot.

    Po ti vazhdo – të lutem – n’këtë jetë
    Pemët të shijo me një kënaqësi,
    Dhe për mua të shkretin fare mos mejto.

    Vetëm nga një’ herë, n’ hidhërim, në do
    Kësaj bote thueji se një djalosh i ri
    Nga faq’ e dheut u zhduk… po si ato retë…

    4
    Arben DUKA

    MOS E PRISH MAGJINË

    Gjinj të bukur si të tutë,
    S’i ka kush në botë
    Zjarr’ i tyre mund të shkrijë,
    Akullim e ftohtë.

    Ndoshta një shekull të tërë,
    Edhe mund të pres,
    Po pa puthur ato gjinj,
    Nuk besoj të vdes.

    Thotë vasha e menduar,
    Perëndesh’ e rrallë,
    Ai zjarr i përvëluar,
    Ty të mban të gjallë.

    As një vit e as një shekull,
    Ti s’ke pse të presësh,
    Po të puthësh gjirin tim,
    Shumë i ri do vdesësh.

    Lëre shpirtin të të ndizet,
    Zjarr, nga fantazia,
    Se vetëm një nat’ të flemë,
    Prishet krejt magjia.

    RRI ME MUA KËTË NATË

    Ku ta shkrij gjithë’ këtë akull,
    Këtë terr që po më mbyt?….
    Për të shkrirë gjithë’ Antarktidën,
    Më mjafton veç trupi yt…

    Rri me mua këtë natë,
    Këtë kohë që na mbeti
    Na mjafton veç një krevat,
    Nga çdo gjë që ka qyteti.

    Në një dhomë, në errësirë,
    Nuk ra zjarr, s’plasi dyfek,
    Po, për dreq, aty u dogj,
    Një krevat dhe një dyshek.

    IKU PUNA JONË

    Eh, moj pëllumbeshë,
    Sa fortë që u deshëm,
    Me një stuhi puthjesh,
    Botën e përqeshëm.

    Kur të shoh të zbardhur,
    S’di ç’të them më parë,
    Për rrudhat e tua,
    Më vjen për të qarë….

    ….Iku puna jonë,
    E sosëm lëndinën,
    Për rininë që shkoi,
    Të vem’ ulurimën…

    TI NËNËS TËNDE MOS I NGJAJ

    Mamanë tënde e kam njohur,
    Jo sot, po vite plot më parë,
    S’besoj të ketë krokodil,
    Që mund t’ia shkojë në të qarë.

    Më, s’po ta shaj, se e ke nënë,
    Ndonëse lëvdata s’meriton
    Ca gjëra vetë m’i ke thënë,
    Prandaj besoj se më beson.

    Dhe pse prej teje po largohem,
    Me shpirt, o shpirt, të lutem ty:
    Të lutem mos i ngjaj mamasë,
    Së paku, veç në dashuri…

    MOS U HABISNI

    Shtatë yje ka Arush’ e Madhe,
    Shtat’ yj që ndrisin nëpër net,
    Po un’,kur sytë hedh në qiell,
    Nuk shoh shtat’ yj’, po gjithnjë tetë.

    Mos u habisni, miq të dashur,
    Mos u habisni ju me mua,
    Shtat’ yje janë të Arushës,
    Dhe një vajzë që unë dua.

    KJO SEVDAJA JOTE

    Kjo sevdaja jote,
    Në merak më vuri,
    Ti më pret nga porta,
    Unë të vij nga muri.

    Kjo sevdaja jote,
    ç sevda paska qenë,
    Ti kërkoje lule,
    Unë të thurja këngë.

    Kjo sevdaja jote,
    Se ç’më la pa gjumë,
    Kur të shanin bota,
    Të lëvdoja unë.

    MINIFUND I BARDHË

    Nga dy këmbë të bardha,
    Poshtë një minifund,
    U plagosën djemtë,
    Më keq se nga plumbi.

    Dy këmbët me naze,
    Prerë si prej komete,
    Ç’u dogja, i shkreti,
    T’i bëja për vete…

    Djegin si dy zjarre,
    Ndezin s’di sa gjaqe,
    Në qytetin tonë,
    Tani s’ka më paqe.

    Sa ëndrra dashnorësh,
    Si vesa u tretën,
    Minifund i bardhë,
    Që na nxive jetën!…

    TË DASHURAT E MIA

    Ju, të dashurat e mia,
    Në lexofshi këto faqe,
    Do t’ju ndrijë sërish rinia,
    Puthjet, këngët, manushaqet…

    Kur të hapni librin tim,
    Me njëmijë puthje shkruar,
    Do ta ndieni, pa dyshim,
    Sa fort ju kam dëshiruar.

    Dhe vargjet kur t’i lexoni,
    Do t’ju djegin gjinj e zemra
    Burrat do t’i tradhëtoni,
    Prap’ me mua nëpër ëndrra.

    Haj, të dashurat e mia,
    Paqe ju ku do që ini,
    Qoftë bekuar poezia
    Se me mua prapë do flini.

    PSE PI

    Po pse pi, more Arben,
    Edhe prishesh në fytyrë?…
    Pi, që të më duket ndryshe,
    Bota jonë , kaq e ndyrë..

    JETA

    Zgjohemi në ag të jetës,
    N rrëmujë dhe në zhurmë,
    Pastaj ikim të kërrusur,
    Shpesh pa lënë asnjë gjurmë

    LOJA E SYVE

    Në çdo hap që hidhej,
    Unë të zija pritë,
    Të të shihja ballin,
    Të të shihja sytë.

    Vetullat si tendë,
    Sytë t’i mbulonin,
    Ndaj dhe syt’ e mi,
    Më kot i kërkonin.

    E kur syt’ e mi,
    Syt’ e tu i gjetën,
    Mu në mes të ditës,
    Vetëtima shkrepën.

    5

    Ruzhdi Gurra
    Cicërima e një zogu…
    (Tregim i jetuar)

    Tërmeti i atij viti rrafshoi për tokë çfarë i panë sytë, shtëpi, shkolla, xhaminë e fshatit, kishën te Mograda, mullirin e katundit, kovaçann e usta Beqos dhe disa gurë varrezash që mendohej se ishim nj mbeturine nga e kaluara. Çuditërisht një gjë nuk mundi ta shembë ai tërmet. Mentalitetin e vjetër zn bloze… Atë nuk kishte zog nëne që e shembte. Ai mbahej fort me hedhur rrënjë të thella, sa shumë e kishin pëlqyer pushtuesit e brendshëm. Ajo ditë qe e paharruar në jetën time. E mbaj mënd fare mirë atë moment pa i hequr asnjë pikë e presje.. Ishte e hënë, me 3 Janar, viti 1972, ora shtatë e gjysmë e mëngjesit. Ne ishim gjashtë shokë, një grup djemsh , rrinim gjithmonë bashkë, shkonin në një klasë, duheshim shumë me njëri tjetrin, sa e kishim bërë zakon që çdo ditë të shkonim më herët se nxënësit e tjerë të shkollës që të loznim futboll. Sa arrinim atje , shpejt e shpejt, ndaheshim në dy grupe, tre me tre. Osmani, Faiku dhe Muharremi në njërin grup, Hasani, Ademi dhe unë në tjetrin. Hidhnim shortin e portave, nxirrnim topin e llastikut nga çanta, bëhej nisja nga mezi fushës, një e gjuajtur përpjetë në ajër mesa fuqi të mundej. Zhvillonim një lojë tepër dinamike deri sa dhe gurët e fushës fluturonin nëpër xhamat e shkollës, lojë e vrullshme sa shpesh përplaseshim me njëri tjetrin kokë më kokë, apo kishte momente që kapnim prej qafe ndonjë kërcu qarri,të cilët ndodheshin me shumicë në zabelin poshtë shkollës. Hovi rinor ishte i papërmbajtur, sidomos momenti i shënimit të golit ishte kulminant. Fuqitë djaloshare dukeshin tepër të ekzaltuar për të ulëritur sa më shumë nëpër fushë për atë gol të shumëpritur. Gëzimi kalonte çdo kufi-të paktën ashtu mendohej.
    Atë ditë në orën e tretë ne kishim lexim letrar me zysh Katjushën. Ajo na kishte thënë disa ditë më parë që të pregatiteshim për një hartim me temë të lirë. Zysh Katjusha, një zysh korçare, e bukur si mollë starkinge, tepër e prerë, bërtiste fort, por asnjëherë pa vend. Klasa e saj duhej të shkëlqente, ky ishte motivi saj. Ajo kishte mbaruar fakultetin gjuhë-letërsi në kryeqytet. Vinte nga një familje me tradita të shkëlqyera korçare. Unë e dëgjoja atë me kujdes, mbaja shënime, ndërkohë e shihja veten time më të previligjuar, përderisa mësuese Kajtusha e thoshte hapur shkëlqimin tim në klasë. Ajo nuk merakosej fare se kush isha unë, kush ishin prindërit e mij, situata ime klasore e broçkulla të tjera. Kishim kohë që loznim futboll, bërë qull në djersë në atë ditë të fraqtë dimri. Unë isha përgatitur për hartimin, por nuk isha përgatitur për diçka tjetër, që sot e kam bërë mend ta bëj publike duke ua treguar juve të gjithëve. Ora e fillimit të mësimit po vinte pak nga pak, por zilja s’kishte rënë akoma. Nxënësit një nga një, e disa në grupe po mbushnin oborrin e shkollës me të shpejtë. Në fakt ishte shumë ftohtë. Sikur thashë më lart. Frynte një fraq i thatë, i hollë që kur të binte fytyrës dukej sikur të priste me brisk. Bora që kishte rënë javën e kaluar, vende vende qe larguar prej rrezeve të vakta të diellit, e ku prej erës me forcë qe hedhur në disa gropa e kanale duke formuar disa laqe të thella, ku ne djemtë hera herës shtynim njëri tjetrin brenda,ose nganjëherë në të rrallë vajzat e shkujdesura. Të gjithë qeshnim sa shqyheshim pa asnjë të keqe. Dukej që kënaqeshim. Gëzimi ynë shfaqej në faqet tona që na ndrinin nga gjaku, duke vënë mbi mollëzat një bojë si të trëndafiltë. Oborri po thuaj ishte mbushur plot me nxënës. Mësuesit erdhën nga qyteti. Në fund të tyre vinte zysh Katjusha shoqëruar nga një burrë. Ai dallohej për nga shtatlartësia, ishte i bardhë, sylarmë plot xixa e sharmë të dashur, por që kishte një zë të lartë e të prerë si tingull metalik. Ra zilja,nxënësit secili me të shpejtë filluan të rreshtoheshin sipas klasave të tyre. -Ruzhdi – thirri zysh Katjusha. Kthej kokën andej me të shpejtë. Ajo ma bëri me gisht që të ndalem. Në fakt qëndrova si statujë në vend, duke mos ia hequr sytë atij burrit të gjatë me çantë lëkure nën sqetull. -Ky është shoku Isak- vazhdoi ajo. Ndërkohë unë akoma fshija djersët nga e lozura, e thosha me vete. Po pastaj zyshe?! . Çfarë kam të bëj unë me shokun Isak. Pastaj unë jam dhe djalë kulaku?! Babanë tim e kanë burgosur. Se për çfarë- nuk e kam shumë të qartë, por di që prej asaj dite askush nuk vjen më tek neve. As dajat as tezet e hallat, as nip dhe as mbesë, asnjë, asnjë. Populli na thërrasin me lloj-lloj emrash që u vjen për mbarë . Ato pesë sekonda meditimi-sollën vite e vite të ngarkuar me tragjedi në mendjen e një adoleshenti. -Kjo qe sinteza e impresionit tim për momentin. Zysh Katjusha ndërkohë tërheq para, ndoshta qëllimisht, duke na lënë vetëm ne të dy. Klasat njëra pas tjetrës filluan të hynin secila nëpër vendet përkatëse. Ruzhdi?!- pyeti shoku Isak.- Më mban mend mua, apo jo?!. Një përkundje që i jap kokës sa majtas djathtas që përgjigja ime as po dhe as jo. Me mësimet si jeni ?- vazhdoi ai- duke më lënë të kuptoj që ai më ngatërron me dikën tjetër. Sa i keq kam qenë unë- i them vetes. Pa u siguruar mirë asnjëherë nuk lëshoja zë. -E di pse kemi ardhur ne këtu sot ?! Unë mblodha sqetullat në shenjë mosdije, natyrë e cila bëjnë fëmijët gungaçë.. Meqë shkolla juaj është ndërtuar e re- vazhdon shoku Isak-dhe ju jeni matura e parë që jeni në tetëvjeçare, komiteti partisë më ka ngarkuar me detyrë që të formojmë organizatën e parë të bashkimit të rinisë së shkollës. Nëse ju jeni nxënësi më i mirë i klasës, do t’u emërojmë sekretarin e saj. Dakord?! Ndërsa shoku Isak fliste, mua më përshkonin disa mornica përzier me dëshirë sa desh iu hodha shokut Isak në qafë nga gëzimi.
    Ndërkohë ai vazhdonte të ecte përpara, unë nga pas, drejtohemi nga dera e klasës së tetë- derë që ishte jashtë objektit të brendshëm të shkollës, aneks që formonte formën e germës së madhe ‘L’ të alfabetit. Në këtë kohë, nga ana tjetër më kap syri që Zysh Katjusha po vinte krah për krah me kryetarin e këshillit të fshatit. Jakup quhej. Edhe pse nxënësit filluan të mbulonin gojët me duar nga e qeshura, duke parë që Jakupi kishte harruar pantallonat zbërthyer nga para, gjë e cila e bënte prezent nxjerrja jashtë e një ushkuri të murrmë, Jakupi nuk donte t’ja dinte. Ai ishte në ditën e tij më të përkryer. Jakupi e zuri shokun Isak prej krahu- ndërkohë sa ishim duke hyrë brenda në klasë ku ishin pesë djem dhe gjashtëdhjetë vajza, Jakupi mbylli derën me forcë duke më lënë mua jashtë klase, domethënë pas dere. Njëherazi ai i vë grepin derës përbrenda. Ndenja disa minuta pas saj duke mos ditur se ç’të bëja. Trokita disa herë, por dukej se ata brenda ishin të gjithë shurdhër. Desha të qaja,por nga inati e mbajta veten. Sidoqoftë pezmatimi për brendshëm bëri që të më shtrembëroheshin buzët. U krijua një ftohtësirë ndjenjash e cila më përshkoi trupin më me tmerr se sa dimri i atij viti. Unë isha në luftë,por nuk e dija. Në fakt u përprisha, mbusha sytë me lot, ndarja nga shokët ishte e tmerrshme, ndërkohë shoh nga xhamat e dritareve që ata shikonin nga unë, dikush me admirim dikusi me habi. Nuk shkoi shumë. Atje brenda dëgjohej vetëm zëri shokut Isak. Jashtë koha ishte e ftohtë, kështu nxora topin nga çanta, fillova të loz me veten time, në mënyrë që të mbaja të nxehtit brenda peliçes, dhe duke i dhënë vetes kurajo. Natyrisht isha shumë i mërzitur që nuk ndodhesha atje brenda- duke m’ a mbyllur derën- dyer të cilat nuk u hapën asnjëherë. Kjo qe një mësim në laborator për mua, se si ndihesh kur të mbyllet çdo derë që troket. Nuk mundem ta përcaktoj ekzakt,por kishte kaluar mjaft kohë. Ndërkohë dëgjoj që vijnë disa zëra në distancë. Shoku Isak del prej andej i bërë spec në fytyrë. Ai nuk ishte i shoqëruar prej askujt, as prej Jakupit, e as nga zysh Katjusha. Unë isha diku pas shkollës, ku rruga merrte tatëpjetën. Ai drejtohet nga unë, ku isha duke shutuar disa topa pas një murit. Sa e pashë u ndala. Nuk u ndjeva mirë kur ai ma bëri me gisht që ti afrohem.
    Vete atje me ngadalë, duke mos ia hequr sytë. Ai buzëqeshi si përherë me atë buzëqeshjen e tij që kushtonte miliona dollarë, më zë prej dore, më ledhaton kokën disa herë me kujdes. Shiko Ruzhdi- më thotë duke më parë drejt e në sy. Në këtë kohë sytë e shokut Isak e kishin humbur shkëlqimin e mëparshëm, ishin futur tutje, mbuluar me varjen e vetullave, duke lëshuar një rreze njerzillëku që është zor të deshifrohet. -Katjusha- vazhdoi ai- më tha që ju jeni nxënës i mrekullueshëm. Mir po ju keni akoma për të mësuar. Jakupi ta mbylli derën-por jo partia. Ju e keni të fituar testën e anëtarit të bashkimit të rinisë- se mësoni. Atje brenda ua dhamë atyre që akoma kanë nevojë për ta mësuar,- më kupton ku është ndryshimi ?! Thotë kështu-hap çantën e lëkurës, nxjerr prej andej një stilograf- ma jep në dorë duke përsëritur :- Ruzhdi! Nipi i shokut tim Qamil Bozhiqi. – Këtë e keni kujtim nga ana ime. Vetëm mëso ti djalë!. Lexo libra, romane, novela, e çdo gjë që gjen përpara. Thotë kështu, ngrihet me ngadalë, shtrëngon dorën e tij me timen të vogël sikur njiheshin prej vitesh, vazhdon rrugën deri sa kalon kodrën poshtë. Ndërsa shoku Isak ishte larguar-del klasa ime në pushimin e gjatë. Zysh Katjusha vjen atje me të shpejtë, me atë buzëqeshjen e saj fisnke, afrohet te veshi im, më kap për qafe duke më thënë:-
    -Ore shejtan ! -Më sill hartimin tënd të hënën që vjen, kuptove!
    Dhe vjen e hëna tjetër- Solla një hartim që kurrë nuk u lexua prej dikujt. Zysh Katjusha e mbylli atë në kasafortën e saj për t’u lexuar disa dekada më vonë. Ndërsa vitet kalonin, mua se si më qe fiksuar një diçka në kokë:- “Shoku Isak, ai komunist, unë kulak, por shoku Isak, kishte njerzëllik e zemër e bark”!.

    Ago Nezha T

    DIMËRI I DEMOKRACISË ‘97

    Gjethet të vyshkura ranë për tokë
    E fluturuan në qiell nga era,
    Të shpurpurisura si flokë
    E egërsuar sivjet pranvera
    Më pak shkëlqen nga vitet e tjera
    Lulet rrethuar me gjemba e ferra,
    Livadhet luten për pak luleshqerra,
    Zjarret nuk ndizen më se i fik era,
    Shqipëria një cung, me gjymtyrë të prera
    Varfëria troket me dorën te dera
    Demokracia arenë cirku pa vlera,
    Na shpëto, o zot, nga politikanët pantera!

    DUKATI

    Dukati me mal e det,
    Trëndafilat ka gërshetë,
    Si vello mbi kokë, retë
    Natë e ditë muzikë rrufetë,
    Me zile e këmborë “të vret,”
    Fshat i bukur si poet…

    HIMARA

    Himara e mbirë mbi gurë,
    S’vdes dhe nuk fundoset kurrë,
    Është vullkan edhe gurrë
    Heronj kombit i ka prurë.
    Ma ka shpirti ma ka ënda
    Në Himarë kur të shkel këmba
    Nuk të iket, ngelesh brenda
    Mbi bukuri të argjendta.
    Të pret Perëndia vetë,
    Fluturon ngjitesh te retë,
    Si me avion zbret në det,
    Kockë e fortë trup i sertë.
    Himarë e mbirë mbi gurë
    Nuk është dorëzuar kurrë
    Për liri e për flamur…

    LULJA

    Pres si nusja nën velë*
    Bukuroshja të më shkelë,
    Le të vdes nga këmba e saj,
    Këmbë e saj s’do më thajë,
    Do të mbijë më e bukur,
    Në çdo petale një flutur…
    Se jam lulja që kur çel,
    Lulëzoj edhe në hije,
    Edhe kur dielli nuk del
    Manushaqja në korije.

    LYPSAT E RRUGËS

    Thërrime kërkojnë, thërrime,
    S’kërkojnë pasuri si shtetar,
    Me jetën mbytur në mjerime,
    Një varfëri që s’ka kandar.
    Fëmijë të leckosur e të nxirë
    Që lypin për bukën e gojës,
    Të majmurit s’kanë mëshirë,
    Ata shah-mat në fushë e lojës.

    MES LUMTURISË PA LUMTURI

    Dëshirë do kisha të jem me ju pranë,
    Unë nesër s’do jem e mendoj për sot,
    Trungjet e pemëve pa degë u thanë,
    Edhe pse vaditen çdo ditë me lot.
    Kjo tokë e shenjtë pse është e mallkuar?
    Pjellorinë bujare kush vallë ja vodhi?
    Ne rrimë ulokë pa këmbë e pa duar,
    Dje thonim vdiq, sot themi ngordhi.
    Gjymtyrët e jetës janë paralizuar,
    Rinia si zogjtë fluturuan kaq larg,
    Në rrugë e dritare sheh veç të moshuar
    Dhe dyer që s’hapen, kanë vënë bark
    Lëngojnë pleqtë në krevat të vetmuar
    As ujë nuk kanë të pinë ilaçet,
    Macja mjamullis përreth e shqetësuar
    Dhe me thonjtë e mprehtë, u gërvish faqet,
    Shtëpia nuk ka më as lopë e as dhen,
    Mbuluar me tjegulla që janë nxirë,
    Ka brenda një plak, një mace, një qen
    Dhe një zë që vajton, kërkon mëshirë.
    Një plakë që ti e takove gjer mbrëmë
    Se more dot vesh nga jeta si u nda,
    Vajtoi qeni që ngeli pa ngrënë,
    U gjet e vdekur dhe e vetme u qa…
    Nuk dimë kujt t’i lutemi, se dhe perëndinë,
    Siç thoshte Çajupi, tani se besojmë,
    Shohim humnerë e presim greminë
    Jemi të vdekur dhe bëjmë sikur rrojmë.
    Na i vodhën jetën hienat e politikës,
    S’u ngopen kurrë me pushtet e pasuri,
    Mbollën në popull terrin e frikës,
    Shurdhuan veshë, e qorruan dhe sy.
    Lumturinë e fshatit e mori kurbeti
    Na i vodhën ëndrrat, vranë çdo dëshirë
    Asgjë nga kujtimet e fëmijërisë s’na mbeti
    Veç brenga, një mall në shkretëtirë….

    PLEQËRIA

    Pleqërinë kurrkush se deshi,
    E kërrusur mbi një shkop,
    Kush e qau e kush e qeshi
    Por me jetën nuk u ngop.

    SHOQËRIA E PLAZHIT

    Deti ndihet i mërzitur,
    Dallgët fryhen nga inati,
    Dy banorë na kanë ikur
    Ne urojmë që t’ju prijë fati,
    Gurua, gur i rëndë nga Fterra,
    Kanua nga shesh i flamurit,
    Mbajnë dy nipa si dy shqerra,
    Mbirë si lule, sipër gjurit.
    Gurua rënë thellë në mendime,
    Lëshoi fjalët breshëri,
    Bota rrotull rreth Kanos time,
    Kanua- zot e perëndi.
    Është për mua gjithësia,
    Përmbi Kanon s’ka njeri,
    Para saj dhe perëndia
    Shumë e vogël, s’hyn në sy…

    S’ KE ÇE DO POETIN

    Çamarrok janë poetët,
    Gjumin seç ta tretin,
    Punojnë porsi si bletët,
    S’ke ç’e do poetin…
    Se të prishin gjumin,
    Duan të thajë detin,
    Të ndalojë lumin,
    S’ke ç’e do poetin…
    Natën thurin vargje,
    Imitojnë tërmetin,
    Kurrë s’kanë paqe,
    S’ke ç’e do poetin
    Thurin poezi,
    Fjalën, kanë pushtetin,
    Këngën pasuri,
    S’ke ç’e do poetin….
    Le të vjershëroj
    Mos e nga të shkretin,
    Le të meditojë,
    S’ke ç’e do poetin.
    Shkojnë degë më degë,
    Dhe prishin shëndetin
    Shkruajnë për mollë e shegë,
    S’ke ç’e do poetin.
    Shkruan për dashurinë,
    Flet për të vërtetën,
    S’ke ç’e do poetin
    Bosh e ka kuletën,
    Po rri në kujtesë
    Pasuron një botë,
    Me lavdi dhe shpresë,
    Dhe një pikëz lot…

    7

    Martin DEDAJ

    Nënës

    U linda dhe u rrita
    në prehrin tënd!…
    Mes aromës së luleve,
    të Pranverës…
    Zagushisë së madhe,
    të Verës…
    Flladit të ëmbël,
    të Vjeshtës.
    Bardhësisë dhe akullit,
    të Dimrit…
    Dhe dashurisë së ndjenjave,
    tuaja të shpirtit…
    E dashura Nëna ime!..

    Orës

    Rreh, …
    në duart
    e njerëzve…
    Tok,…
    me tiktaket
    e zemrave të tyre…

    I bën ato,
    të zgjohen
    mëngjeseve…
    Dhe të dashurit,
    të shkojnë më herët,
    në takime…

    Prishje e pa kuptuar

    Kush nga ne gaboi?!…
    Nuk e di!…
    A mos vallë unë?!…
    Apo edhe ti!…

    E vërteta e kësaj ndarje.
    Nuk dihet…
    Por meraku i saj.
    Thellë në zemrat tona ndihet…

    Dje, sot, nesër…

    Dikur…
    Ankth, pritje, vetmi!
    Pasi nuk e dija…
    Se ekzistoje ti…

    Sot!…
    Rrahje zemrash…
    E lot në sy…
    Dhe poezi të shkruara
    Vetëm për Ty…

    Nesër!…
    Ndoshta ndarje…
    Vuajtje dhe kujtime…
    Na presin Ty dhe Mua!
    Por mos harro!…
    Se të kam dashur
    Dhe prapë të dua…

    Pa titull!

    Nëse s’do mundem,
    të vij.
    Të lutëm,
    besnike më qëndro…

    Dhe nëse dashuria jonë,
    do të jetë fikur.
    Një pikë loti e imja,
    tek Ju do t’ këtë mbërritur.

    Për të vuajtur tradhëtinë…
    E për të treguar se unë jetoj,
    …Apo për të kënduar besnikërinë…
    Do të jetë koha, që do ti tregoj…

    8

    MIHAL DISHO
    VOSKOPOJARJA DHE FRASHËROTI…
    (Skicë)

    (Pashë në ëndërr më të bukurën voskopojare/
    Ah, moj ëndërrprishëse, Ç’m’i bëre asaj nate!…
    Ajo, Dhoka vinte nga një fis I dëgjuar dhe më i parë në Voskopojë e mbarë vendin e gadishullin ku ndodhej fisi Zguri. Ai, Miha vinte po nga një fis I dëgjuar Disho, por Frashërot. Të dy vinin nga vend i bukur dhe vend kulturor. Dihet nga të gjithë zëdëgjuari i Voskopojës dhe Frashërit . Mihës fatbardhi i qeshi jeta të jetonte mes katër prindërve . Dy lindësit, dy rritësit si edhe më vonë iu bënë edhe dy të tjerë, dy lidhësit. Lidhësit ishin Koçi dhe Lena e bukur , e cila për fat qëlloi motra e babait të rritëses Leka, e cila ishte lidhur me Thanasin bujar .
    E donte puna, zakoni dhe jeta që Miha gjë që vjen nga hebraishtja dhe do të thotë “kush është si zoti“, të lidhej me një të afërm të Lekës rritëse. Fati i bardhë dhe i lumtur solli që të mishohej e thuohej me Dhokën që vjen nga greqishtja e vjetër e do të thotë Lavdi. Edhe lindësit Dora dhe Jorji u dakortësuan me lidhës të tillë të dëgjuar nga të dyja anët , e se s’bën do të dilte e fatshme dhe e mbarë edhe “Lavdia” . Thonë , që në raste të tilla, “ fati do edhe shtyrë “, por ky fat ishte brumosur “si me magji” nga treshja, lindësit, rritësit dhe lidhësit. Ata të dy ishin akoma fëmijë, por fjalët kishin marrë dhenë si “të fejuar“. Një ditë të bukur vere malore Leka po tirrte lesh në familjen e Lekës. Leka pa që boçet e leshit po i mbaronin. Lena e dërgon Dhokën e vogël te familja e Lekës, pra të Mihës, “të fejuarit“, për të marrë boçeleshi. Familjet ishin pranë, jo shumë larg. Ajo zëëmbël dhe zëngadalë i thotë gjyshes së atij për boçeleshi, ndërsa i vogli Mihë “me turp“ për të mos e parë “e fejuara“ u mbulua me një thekore leshi dhe anash me sytë e tij shikonte të bukurën, të voglën, të ëmblën dhe të ardhmen e tij Lavdie. Në një rast tjetër , tashmë më të rritur , Mihës i vjen nga larg Thina , një gocë halle e cila këmbëngulte të shikonte Dhokën . Vajtën papritur në shtëpinë e saj , e cila me të parë të voglin e saj , tashmë më të rritur , u mbulua me shaminë e kokës e u kthye nga ana tjetër , sipas zakonit të atëhershëm . Qe e kotë pasi Thina e zbuloi e ktheu nga vetja , e përqafoi dhe e puthi me mall të madh nusen e djalit të dajës . Për djalin e dajës qe më mrekulli pasi pa jo një vajzë , femër , nuse , por një zanë , një princeshë ku i spikatnin disa flokë të zinj që i vareshin deri poshtë në bel , një fytyrë të mprehtë dhe simpatike , dy sy të zinj e të mëdhenj , një hundë të rregullt e mbi të gjitha dy vetulla të përzgjatur si gajtan , po me ngjyrë të zezë , të cilat bashkoheshin në mes me një shteg të pashëm.
    Koha bëri edhe atë që të tri familjet të ishin pranë e pranë në një stan e në një qendër banimi . Është për t’u marrë shembull që edhe gjatë para fejesës , fejesës së martesës nuk nakatosën asnjë llafe , gjë që ndodh shpesh nëpër familje të tilla . Rrëfejnë që në kohën e këtyre familjeve ndodhi të lidhen edhe dy të tjerë , por që të mërkurën e javës së parë të martesës u ngatërruan dhe kjo ngatërresë vazhdoi deri vonë. Për familjen e lindësit dhe rritësit tregojnë se kur do të shkonin në një mal tjetër verimi dikur , një bashkëmoshatar i Mihës paskësh thënë që të paktën këto dy familje të mos na i kishin hequr nga malverimi i mëparshëm. Shkuarja bukurore , lumturore dhe shembullore Miha-Dhoka nuk pati ndalesa dhe pengesa në asnjë rast . Madje kjo u kalua edhe tek fëmijët e tyre , familjet e fëmijëve dhe nipërve dhe mbesave ,megjithëse duhet thënë që jo gjithnjë “ dardha bie nën dardhë “ . Në këtë rast këto dardha nuk patën asnjë rrokullisje. Tashmë ata jetojnë bukur , lumtur dhe gëzuar fort edhe nën atë lumturi që u sjellin tri lule arom ëmbël të quajtura me emrin e madh MBESA . Nuk thonë kot që nipërit dhe mbesat janë gjak prej gjaku , mjaltë prej mjalti ose sipas urtësisë vllahe “ nipëotu ti dëori , kum ti dëori kotu “ , që në shqip do të thotë “ nipi të dhëmb , siç të dhëmb bërryli “ Besoj që të gjithë e keni provuar këtë dhimbje bërryli. Më do, s’ më do,/ këpus petale luleshqerre …/E ajo pranë meje …

    9

    Hyqmet Hasko

    DASHURIA ERDHI NGA LARG….
    (Tregim)
    Tefta Capo kishte disa kohë që kishte hapur një faqe facebook-u, falë këmbënguljes së motrës së saj. Ditët e para ajo pranonte çdo ftesë që i kërkonin për miqësi. Motra e saj që e njihte shumë mirë kompjutrin dhe sekretet e meshkujve e pati porositur që kurrë mos të pranonte persona pa indentitet, por Tefta nuk ua pati vënë veshin fjalëve të së motrës. Disa meshkuj, sapo merrnin aporvimin e miqësisë , hynin direkt e në temë. Vërshonin lumë joshjet, jargët e komplimenteve dhe më pas, me një lehtësi të çuditshme, kërkesa për orë seksi apo thanë në mënyrë pak më delikate, në orë shpëlarje të trupit dhe trurit. Ata përgjëroheshin se do të ishin besnikë, mjaftonte që ajo t’i pranonte si miq zemre. Tefta ishte rreth moshës tridhjetë vjeçe, tiparet i kishte mjaft të bukura, kishte një trup të drejtë dhe qe tepër fine. Këto tipare e bënin që të ishte e lakmuar nga shumë meshkuj. Ajo u njoh rastësisht me një djalë, të paktën kështu pretendonte që ai ishte, dhe ajo njohje u bë njohja më e bukur për të. Siç ndodh me shumë njerëz në botën virtual, duke folur lindin edhe ndjenjat…por ajo kto ndjeja akoma i mbante të ndrydhura,,se nuk kishte besim. Adelajdi, kështu e quanin djalin me te cilin kishte filluar te dashurohej, ishte një djalë simpatik, brun, me muskuj të fortë dhe vështrim shigjetues. Sytë e tij të depërtonin deri thellë në shpirt, si një rrymë e magjishme… Në foto asaj iu duk si një balerin a diçka e sojit të vipave, aq shumë i pëlqeu paraqitja e jashtme e tij. Filluan të flisnin në Faceebook thjesht si miq virtualë, sepse në fillim nuk i dihet vërtet se çfarë mund të ndodhet nga ana tjetër e pc…Dita ditës ata vazhdonin të flisnin me pak droje, disi të ankthshëm e të pavendosur, derisa një ditë Tefta i tha se ai kishte një kuptim të madh për të, se ishte xhani dhe ylli polar i zemrës së saj. Nuk e mori vesh si i shpëtuan ato fjalë, por nuk u pendua që i tha, se brenda shpirtit të saj ziente një ndjenjë e pastër dhe shumë e sinqertë për Adelajdin. Përtej anës tjetër, u ndje një psherëtimë. “ Zemër, thuaje dhe një herë atë shprehje”. Tefta ja përsëriti, tani akoma më shkoqur dhe akoma me më shumë ndjenjë. “Zemër, këto që i thua i ke seriozisht apo thjeshtë si shaka?”. Në mesazhet e tij kishte diçka ankthioze, të dritshme dhe të pa përcaktuar. Tefta hezitoi pak dhe seç ndjeu një pendesë të lehtë. “Nuk e di, ndoshta seriozisht”, iu përgjigj si e shtangosur nga befja. “Zemër, si ta kuptoj gjithë këtë?!… Ndoshta… apo seriozisht? Apo bën shaka me mua? Mua nuk më pëlqen të tallet askush…” Ai fliste në dukje shpenguar, por tani po seç kishte një nervozizëm të brendshëm, që I vinte si një orë e ligë nga thellësitë e gjakut. Edhe pse nuk e shikonte, atij nuk i pëlqente mënyra e të folurit të saj. “Më mirë flasim nesër mbrëma”, -i tha ajo dhe e mbylli kompjuterin. Kaloi një farë kohe dhe ajo nuk po e hapte më kompjuterin. Ajo kishte një farë pasigurie tek fjalët që i pati shprehur Adelajdit, ndodhej pak si e frikësuar kur ai e pyeste për disa gjëra rreth jetës së saj dhe ajo ndihej si e dyzuar, mes tij dhe vetes, që nuk donte të hapej. Nuk donte të tregonte mjaft gjëra dhe nuk dëshironte aspak të fliste për jetën e saj , druhej se duke treguar mund të humbiste dikë që e bënte për të qeshur, edhe pse ato të qeshura mbanin një dhimbje brenda saj, diçka që nuk e pati folur asnjëherë me askënd, por që një ditë ai zbuloj vetë gjithçka… Ajo i tregoi emrin dhe të gjithë jetën e saj dhe vendosi t’i shprehte ndjenjat këtij njeriu që e njihte vetëm virtualisht. Ia kishte parë foton vetëm në Facebook. Ajo në dashuri asnjëherë nuk kishte pasur fat, vetëm humbje dhe vuajtje, ndaj dhe pse e donte Adelajdin, ndjente pasiguri në vetvete. Kjo vinte se dhe Adelajdi nuk i kishte folur për veten, ajo nuk dinte akoma nëse ishte i fejuar apo i martuar. Ai ishte katër muaj më i madh se ajo, por ndonjëherë asaj i dukej shumë më i madh, disi i rafinuar dhe pak enigmatik. Por, ndoshta, të gjitha këto ndjesi kontradiktore i prodhonte truri i saj i lodhur nga dyzimet, që nuk donte e nuk donte ta pranonte zërin e zemrës!… Adelajdi ishte serioz dhe ajo ndihej keq nga serioziteti i tij. -Të lutem, më thuaj diçka që të më bësh për të qeshur, – i thoshte ajo shpesh atij. -Pse rri kaq serioze xhanëm?! Dhe ai, për të mos ia prishur, i tregonte diçka që e bënte për të qeshur. Ajo, pak nga pak, filloi të ndjente se diçka po ndryshonte dhe i thoshte vetes së saj: “Çfarë bën moj budallaqe, ti as që e njeh, nuk di asgjë për të! Nuk mund të kesh ndjenja për dikë që i ke parë vetëm fytyrën në ekranin e kompjuterit dhe që ke shkëmbyer disa herë dialog, në orët e vona të natës!”… Por ajo nuk ia vinte veshin askujt, as vetes së saj të thellë, që e kundërshtonte nga brenda. Ndaj vendosi t’ia thoshte atij ndjenjën e saj, por nga ana tjetër ajo kuptoi se nuk ishte dëshira e duhur. Që nga ajo natë, ajo nuk e pati hapur më kompjuterin. Adelajdi kishte pyetur të motrën e saj, por ajo i kishte thënë se ishte pak e sëmurë dhe sa po të shërohej do ta hapte. Një natë, ajo i tha: “Ore, çfarë ke që interesohesh kaq shumë për motrën time?! Mos të ka zënë qymyri?!”… “Jo, iu përgjigj Adelajdi, – atë e ka zënë me mua”… “Ha-ha-ha-ha!- qeshi e motra e Teftës ,po ç’e do motra ime një spurdhjak si ti. Ha-ha-ha-ha! vazhdonte të qeshte. “Të lutem, nuk ke pse më ofendon! – I shkroi Adelajdi. Por motra e Teftës që ishte e zhdërvjellët dhe nuk ta përtonte. Ajo i tha: “Pse t’u thartuan turinjtë ty turi mi?!”… .Adelajdi nuk donte të vazhdonte muhabetin me të dhe e mbylli kompjuterin. Tefta e hapi kompjuterin mbas disa ditësh.
    “Tefta, ç’ pate qe nuk e hape kompjuterin këto ditë?”-I shkroi ai. “Isha e sëmurë”, – gënjeu ajo. “Më trego, a ka ndonjë arsyeje që ti nuk do të flasësh?! Pse mërzitesh për çdo fjalë që të them?!”… “Nuk mërzitem, – i tha ajo, – thjeshtë s’kam dëshirë të flasim. Më mirë për ty dhe për mua kështu!…”. Ndejtën për një farë soj kohe pa folur dhe ajo nuk kishte sekonda që kalonte pa menduar atë, sepse në mendje i vinin gjithmonë gjerat që i kishte shkruar ai. I lexonte dhe rilexonte sms e atij dhe mbytej në një ndjenjë të dyzuar ankthi, pritje dhe refuzimi të pakuptimtë… Ato sms ku ai e kishte përshëndet me këngë, kishte thënë barcaleta për ta bërë të qeshte dhe herë pas here i shkruante ndonjë poezi , i kujtonte se sa shumë i mungonte dhe sa dëshirë kishte për të folur përsëri me atë që e bënte për të qeshur, pra ato sms ishin vegime joshëse që ia prishnin qetësinë e çastit. Jeta e saj në fakt nuk kishte qenë dhe aq e bukur dhe kishte humbur besimin tek vetja. “Zemër, – i foli ajo, këtë radhë me shumë seriozitet. -Çfarë përgjigje do t’i japësh ndjenjës që unë të shpreha?!” “ Shiko, shpirt, ne jemi larg, nuk mund të kemi asgjë bashkë sepse s’do jemi kurrë bashkë me largësinë qe kemi nuk mund t gënjejmë veten, por të shikojmë realitetin, nuk dua të të gënjej, sepse nuk e meriton. Të kam xhan, madje më shume se xhan …”. Tefta, kur dëgjoj ato fjalë magjike, ju mbushni sytë me lot dhe në atë çast filloi të mendonte: “Pse, o Zot, pse më bën të kem ndjenja për persona që unë nuk do t’i kem kurrë pranë vetes?! Pse më bën të takoj njerëz që më hyjnë në zemër dhe pastaj ikin befas, ashtu siç erdhën, apo thënë më mirë ashtu siç nuk erdhën kurrë?!”… Ajo fshiu lotët dhe vazhdoj t’i shkruante atij : ” Ok, pranoj të jemi miq, por të lutem, kur të më flasësh, më fol si mik, jo në mënyrë tjetër, vetëm kaq po të kërkoj. Besoj se nuk është shumë për çastet tona pranë ekranit të kompjuterit!… ”
    Ai i tha se do të mundohej dhe me aq i uruan njëri tjetrit fat e lumturi. Ata të dy vazhduan të flisnin thjeshtë si miq, por në fundin e zemrës së vajzës kishte një pritje të beftë, që shkonte drejt një fiksimi. Mos ishte vallë dashuria!? Mos ishte ndjenja dashurie për atë djalë? Një gjë e dinte të sigurt: ndjenja që po përjetonte nuk ishte ndjenjë miqësie, por nga frika e humbjes ajo ishte gati të pranonte gjithçka, qoftë dhe të flisnin si miq të largët, pjesë e një bote virtuale. Ajo mendoi se ato fjalë që kishte thënë ai ishin të drejta, sepse kur ke një distancë me një person, plus një jetë të komplikuar në epokën globale ku jetojnë gjithë njerëzit e kësaj stereje, nuk mund të pretendosh të kesh një dashuri të pamundur. Kishin pasur të drejte ato që thoshin: “Dashuria nuk është asnjëherë ashtu siç e do ti. Me tjetër dashurohesh, tjetër të do dhe me tjetër përfundon. Diçka e këtij soj e kishte ndjekur atë si një hije pas, si një fantazmë e fantaksur… Dhe ajo nuk pati gjetur kurrë deri atëherë kohën e duhur për të vendosur këmbët fort, në tokën e dëshirës së saj… Sikur të kishte frikë nga plotësia dhe lumturia!… Gusht 2007. Motra e mori në telefon, se duhej të vinte në shtëpi. “Pse çfarë ka ndodhur?” – pyeti Tefta. Asgjë, moj shushkë, -i tha ajo duke qeshur me të madhe. Hajde se do shkojmë në Rinas për të pritur atë, zemrën time, që vjen sot nga Anglia. Mirë, iu përgjigj Tefta dhe u nis me përtesë për në shtëpi. Me vete po mendonte: “Hëm, kur e paska zënë kjo?! Mua nuk më ka thënë asgjë”…
    Rrugës për ne Rinas,Tefta e pyeti të motrën: “Po atë studentin e le ti, moj?!“ “Jo”. “Si jo?! Po këtë kur e zure?! “Ha-ha-ha-ha! Qeshi e motra, kështu jam unë si majmuni, sa bëhem gati ta lë njeriun kap degën dhe arrij tek tjetri”… “Ej, motërz, ndonjë ditë do ta pësosh!”-i tha Tefta. -Mos u tall me ndjenjat e të tjerëve. “Po moj, po, do rri si ti unë.. Si kërcure… ” Taksia arrit në Rinas. Ato u futën në sallën e pritjes dhe panë në monitor se avioni kishte arritur.”Eja shushkë, mos u huto, afrohu më afër që ta shohim se po nuk e pamë na iku dhe e kap ndonjë tjetër – vazhdoi të bënte shaka e motra e Teftës. Tefta po rrinte e shkujdesur kur e motra i ra me bërryl. “Ej, erdhi!”… Tefta po shikonte me habi një djalë që i dukej tepër i njohur. Ai po buzëqeshte dhe iu drejtua së pari motrës së Teftës. “Ej, turi mi, puth atë, jo mua, unë e kam kingun tim”. Adelajdi e hapi krahët dhe e mori në gjoks Teftën, të cilën nisi ta puthë fort, pa pyetur për njerëzit që buzëqeshnin me dashamirësi. “Ej, o ju të djegurit e shekullit, hajde se do ikim”. Adelajdi e përqafoj të motrën e Teftës dhe u nisën drejt kryeqytetit. Ora shënonte 14. Tefta ngriti sytë drejt orës dhe i tha Adaljdit: “Të dua zemra ime!”. Ora ia ktheu me tringëllimën e akrepave, të paktën kështu iu duk asaj dhe ajo mbështeti kokën në supin e tij. Kishte kohë që nuk kishte ndier sigurinë e atij çasti, që kishte vlerën e një jete të tërë, të jetuar në kufijtë e pritjes…

    PELLUMB VELO
    (Fabula)

    CJAPI DHE KETRI
    Duke ikur në kurbet,
    Cjapin ketri një ditë pyet:
    -Nëpër botë pse mërgojmë?
    Gjithandej pyjet ngjasojnë.
    Urtas cjapi ia pat ketrit:
    -Ngjajnë pyjet, po s’ ngjajnë’ mbretërit.
    1991

    Dy fshesat
    “Vaterlo” atë mëngjes,
    Midis fshesash sherr u ndez.
    -Ti zhukare s’ke më vend,
    -I thoshe fshesa me korrent.
    -Sot në modë vetëm unë,
    Sepse bëj shumë punë.
    Fshesa-zhukë qesh e ngjesh,
    Mburracakes iu përvesh:

    Dije mirë, moj gërdallë,
    Që zhurmon e vjen vërdallë.
    Sa të ketë’ varfëri në botë,
    Zhukarja këngës do t’ia thotë.
    28.07.2005

    Plaku dhe ftujaku

    Ftujaku ka vënë merak,
    Pse s’i ngjan të atit hiç,
    Ndaj pyeti të moçmin plak,
    Është safi apo dobiç.
    Plaku i thotë’ me marifet:
    -Pyete, bir, mama dhinë,
    Dëshmitaren e vërtetë,
    -“Ku e hëngre vjet tagjinë?”
    24.10.2005

    VETERINERI DHE ÇOBANI
    Veterineri tek sheh stanin,
    Me romuz e pyet çobanin:
    -Te kafshët që ju rrethojnë,
    Femra, meshkuj, ku ndryshojnë?
    -Meshkujt-kafshë, -thotë çobani,
    -Ikin, dhe prapë vijnë’ te stani,
    “Të urtat femra”, sa largojnë,
    Shpejt harbojnë’ e stan harrojnë!…
    08.04.2011

    BEJKA, PELA DHE SKILJA

    Kur po vinte nga çairet,
    Bejka pelës i tregoi:
    -Drenusha, që lule thirret,
    Dreun si yll e tradhëtoi!
    Nga pas pemës, flak’ për flakë,
    Me kunj gjegjet skilja plakë:
    -Dhe lulet që adhurojmë,
    Kundërmojnë dhe helmojnë
    26.12.2010

    FIRDUESI DHE ZAFIRI
    -Sa kushton ky tapeti?
    Firduesin Zafiri pyeti:
    -Falas ke për ta marrë.
    Për ty Zafir, treqind dollarë.
    -Të thashë tapet, zoti Firdues,
    Jo qilim fluturues…
    25.03.2006

    CJAPI DHE GOMARI

    Me kunjë ia nis një gomar:
    -Çmos bëmë, i dashur cjap,
    E zgjodhëm kalin kryetar,
    Po ky na doli fare trap.
    Thumb’ i cjapit me piper:
    -Ngjan me dajon tënd të parë,
    Që kish pela brigadier,
    Ndaj dhe sillet si gomar…
    16.07.2007

    KUMARXHIU DHE LEXUESI
    Të luaj kumar cjapi kur shkon,
    Dreun ngacmon teksa lexon:
    -Skllav mbi libra mbete, drerë,
    Në kumar s’të pash një herë!…
    Drerë-fisniku, urtë’ e butë,
    I përgjigjet me batutë:
    -Un’ gjuaj librat, ti cjap letrat,
    l’ mbush kokën, ti zbraz xhepat.
    12.05.2010

    BEJKA DHE MËZJA

    -Ftujës, martuar me paralli,
    Cjap plakushin sevdalli,
    Çfarë t’i çoj si peshqesh?
    Bejka mëzen pyet dhe qesh.

    Ia kthen mëzja flak’ për flakë:
    -Për cjapin plak, një uturak…
    20.04.2010

    11

    Ferit Fixha

    (Rrëfime)

    XHINDËT

    I shoqi ishte merhum dhe, si i thonë fjalës, asaj i kishte zënë guri këmbët. Ai punonte larg e vinte rrallë. Atë natë erdhi pa pritur e pa kujtuar, kur nata ishte në të thyer. U fut në shtrat e, nga lodhja, gjumi po i rëndonte mbi qepalla. Jashtë, fishkëllima e erës përzihej me ca zhurma të ndërprera si përplasje e dy gurëve. Mendoi se i bënin veshët, por zhurma përsëritej herë pas here. – A dëgjon gjë ti moj, apo më bëjnë veshët? – e pyeti të shoqen, që ishte strukur pranë tij. – Zhurma nate. Zhurmë xhindesh. Ka net që i dëgjoj. Në fillim u tremba, por tani…, – dhe u qas pranë burrit duke u fërkuar si kone. Burrin e kapiti gjumi. Ajo u ngrit me kujdes eci në majë të gishtërinjve e doli jashtë në hije. Iu hodh të dashurit në krahë. Aty, nën terrin e natës, bënë dashuri. Befas, burri u zgjua e, kur pa shtratin bosh, u shtang e u ngrit. Sapo vuri këmbën jashtë pragut, një pëllëmbë e fuqishme ia ndezi sytë flakë e u trullos. Dikush kapërceu avllinë. E shoqja i futi krahun dhe si me të qarë i pëshpëriti: – Ah, i dashur! A s’të thashë? Ishin xhindet.

    KUR LEHTE QENI…
    Ishin bërë byrazerë e duheshin si vëllezër. Venin e vinin tek njëri-tjetri me dhe pa sebep. Nj sene, kur punët ishin në kulmin e tyre, njëri byrazer i rralloi vizitat. Tjetri vajti dy-tre herë por byrazeri s’ia ktheu vizitën. Ku si bridhte mendja dhe pyeste veten: “Përse të jetë zemëruar ai?! Unë s’i kam lënë shkak për këtë.” Ditët e muajit ndiqnin njëra-tjetrën. Një ditë prej ditësh byrazeri erdhi dhe llafin e parë ia nisi: – Ah, u bënë shumë kohë pa u pare! Na mbytën punët këtë sene. – Ashtu vërtet. Edhe këtej shumë punë kemi pasur. Janë punët e stinës, mor vëlla. – Sa e sa herë e kam bëre niet e me mendje kam qenë këtu tek ti. Jo më larg se edhe para një jave. Të betohem, or byrazer! – Të besoj, bre burrë, të besoj, hiç mos u beto. Para një jave qeni im lehte e lehte pa pushim. Dilja, nuk shihja gjë e s’kuptoja ç’ kishte. A, tani po, e mora vesh. Qeni paska lehur mendjen tënde atë natë, prandaj nuk pushonte. Qeshën e muhabeti s’reshti.

    MUSHKËS S’I HIPET PA E FËRKUAR
    Ata të dy u njohën në gjueti dhe u bënë shokë. Ai vinte nga një krahinë e largët dhe gjuante kësaj zone, ku kishte shumë derra të egër. Vendasi e pati ftuar disa herë në shtëpi, por ai kishte hezituar e i ishte shmangur vizitës. Një ditë dimri me diell, i ardhuri i hipi mushkës, e ngjeshi armatimin e gjuetisë dhe u nis për gjah. Kur iu afrua shtëpisë së vendasit, i thirri atij në emër. Në prag të derës doli një mesogrua e bukur si perri. Ajo, pasi e njohu shokun e të shoqit, i foli: – Burri nuk është, po ju ejani brenda, se ai kthehet shpejt. I magjepsur nga bukuria dhe ëmbëlsia e asaj gruaje, ai zbriti nga mushka dhe pa mëdyshje, u fut brenda. Gruaja ishte fill në shtëpi. U përshëndetën. Ajo i afroi rraqet e kafes dhe, me atë mimikën e ndritur, i tha mikut:
    – Bëjeni vetë si ta doni! Ai zgjati dorën që po i dridhej dhe, bashkë me rraqet e kafes, shtrëngoi dorën e butë të gruas engjëllore dhe e tërhoqi nga vetja. Ajo u përkul, rrëmbeu mashën aty në oxhak dhe ia flaku ballit, ku iu hap një e çarë jo e vogël. Prej së çarës gjaku rridhte rrëke. I ardhuri e mblodhi veten, mbushi plagën me duhan kutie, u ngrit dhe, pa hapur gojë, i hipi mushkës e u largua i turpëruar. Befas në rrugë takon vendasin që po kthehej në shtëpi. Vendasi këmbënguli e këmbënguli gjersa e mori shokun në shtëpi për vizitë. Zonja e shtëpisë, engjëllorja e egër, e takoi e u përshëndet me mikun, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. – Heu, po këtë plagë ç’e ke, more ti? – Eh, më gjuajti mushka me shqelm, or byrazer! – Mos more! Qenka e egër, paske shpëtuar mirë. Të shkuara! – Epo, zotrote, mushkës nuk i hipet pa e fërkuar, – foli gruaja dhe fytyrës së saj u end sërishmi buzëqeshja magjike.

    12

    Ismet TAHIRAJ
    JU SHTRIHENI MES TE SHKRIRVE

    (Te ikurve nga Kosova)

    Ju shtriheni mes te shtrirëve
    Ju shkrini mes te shkrirëve
    Ylberi ju pikon ne qaf
    Hunda sumbullat e arta i nuhat.
    Stafin e vendit ku rrini
    E puthni
    Me puthje e grini
    E rrufeja bie
    Pa prit mbas
    Kur në fytyrë
    Dokrrën iu përplas.

    Harroni gjuhë
    As te lumit gurgullimën
    Retë e acaruara
    Ua përplasin dimër
    Çorapja çardashet
    Para shiut ,
    Loti me lutje
    Kullon nën mëshirë
    Hap i marrë
    Hap pa kujtesë,
    Kosar që na grinë
    Secilin brez.
    Mes të shkrirëve shtriheni ju
    Botën e mykur
    Duhet durua…

    UJI MË SI KTHJELLË SYTË…

    Fusha ka sytë, mali ka veshtë
    Plakat thonë aman pse hesht.

    Hapësira është mbushur me diell
    Iriq, kukudh, vampir, me fiqir.

    Uji me s’ ti kthjellë sytë,
    Si beson veshëve tuaj, behësh vet i dytë
    Dashurin e ofruar e shkel me këmbë,
    behët e ndërkryer,pastaj i hap sytë.

    Prapa diellit kërkon fiq, e gojë ka te ndytë
    Ditët ikin unë fal, po s’harrohen prapësitë…

    VEÇ FLOKËT NA ZGJATËN
    Dy milion jemi
    Ndarë nëpër atome,
    Nitroglicerinë
    Kemi nëpër inate

    Hartë e shtjerr
    Nëpër mote.

    Kallo ka djersa
    Përpirës flakë toka

    Veç flokët na zgjatën
    E mani na i zhyen doçkat.

    Ndue Marku

    MUZA POETIKE

    Me buzët e njoma
    Yjet e uritur thithin
    Ne cicat e së bukurës hënë

    Ka heshtur në përgjumje
    Nata, e lodhur nga mundi
    I ditës që lamë pas.

    Mbi dritare, pikëla shiu pikojnë
    Për ty i trishtuar mendoi
    Të pakuptimta vargje shkruaj kësisoj
    Përmbi heshtjen që brenda meje
    Është fshehur.

    Meditoj të bukurën, fytyrën tënde,
    Gishtat e hollë të duarve tua
    Kur flokët e dredhura më shpurpurisnin,
    Gjithë naze kërthizën më gicilonin.

    Të pickoi merimangë e mospërfilljes
    Në mesin e stinës pa gjethe,
    U ënjte, u nxive keqas në keqkuptime,
    Nervoze, e fustanëgrisur u tjetërsove.

    S’ta mbaj mend prekjen e gjinjve,
    As zbërthimin e komçave të bluzës verore,
    Më ka mbetur besnike e çmendur, pranë
    Vetëm dashnorja, muza ime poetike.

    A JAM UNË PËR TY…

    A jam për ty pagjumësia jote në sy,
    A jam për ty frymëmarrja që të pikëllon,
    A jam për ty dielli që lakuriqësin të ngroh.

    A jam unë për ty kjo fishkëllimë
    Në këto çaste teksa stinët ndërrojnë?
    A jam unë puthje që të drithëron në gji
    Brenda kësaj nate ndërsa yjet kanë ngrirë?

    A jam unë për ty ai gurë i çmuar
    Në unazën që gishtin tënd mban rrethuar?
    A jam unë për ty ky lot i dridhur
    Që rrëshqet bulëzues mbi trupin e bukur?

    A thua ndoshta jam një copë mish prej pluhuri
    Që skeletin e shtrembëruar më mban mbërthyer
    Që çapitet trembur drejtë dritës së përskuqur?

    E, ti ke mbetur ende një trndafilë që veson
    Dua të ta thith aromën gjer në djerësim,
    Përqafuar të mbaj puthjen tënde përgjithmonë.

    U FSHEHEM BRENDA MUZGUT

    Me shallin e gushës tënde
    Plagët e zemrës fashova
    Përmbi gjethe të vdekura udhëtuam
    Përlagur, drejt askundit….

    U fshehëm brenda muzgut,
    Pasi hëna harruar kishte të na bënte dritë,
    Ndaj foletë e braktisura të zogjve
    Përmes degëzave të pemëve na vështronin,
    Trupat tanë të zhveshur në jermi

    Me shallin e gushës tënde mbështolla
    Këtë çaste të ëmbël tradhëtie,
    Përjetësisht do më mbetet në kujtesë
    Sepse ti ishe, e dashura ime rebele.

    Në fotografinë e kësaj vjeshte pa ngjyra
    Ti s’ishe veçse një ëndërr e djersitur
    E një nate pa gjumë
    Ose një puthje mbi lotin tim të ngrirë.

    NUK MUNDA SONTE

    Trishtuar gota më ka mbetur
    E heshtur në zemërim,
    Përmbi gurin e ftohtë të dhimbjes
    Bulkëthit tinëz këndojë.

    Nuk munda sonte unë fatziu
    Qiellit, yjet të ja numëroja,
    Fluturat sillen të hutuara
    Rreth dritës së kandilit.

    Mos më kujto në këtë natë të prapë
    O e mjera ime që s’të kam pranë,
    Ma drithëron trupin ngrica
    Ndërsa hëna ëmbël më përdhunon.

    Teli që mbartë rrobat tua të lehta
    Ka mbetur i vetëm, i ngrirë në ballkon,
    Bretkosat e trishtimit më neverisin
    Ndërsa ty në këtë çast të kujtoj.

    MILTIADH DAVIDHI

    PISHA

    …E bëri rritjen me degëza të njoma
    E ëndrra të reja
    Dhe për këtë vit.
    Unë jo.
    Rritja ime
    Ka përfunduar
    Me kohë.
    Ndërsa shtova më shumë thinja,
    Pisha më shumë
    Iu afrua hapësirave të reja,
    Qiejve të rinj,
    Me blerim të ri,
    E strehon pëllumbat e reve
    Nëpër lartësi.
    E prek me sy e me gishta
    E më vjen keq për rritjen time
    Që u ndal në rini.

    PO SYRI YT?!

    Sonte nata qenka
    Vetëm një hënë
    Që duket e zhduket si syri yt,
    Pa asnjë llambushkë
    Për të parë
    Se ku fle ëndrra jote.

    Sonte nata
    Qenka vetëm një hënë
    Që duket e zhduket
    Nëpër re.

    Po syri yt,syri yt,
    Ku mund të jetë fshehur
    E fle?!

    SHQIPONJA QË MË DHUROI NËNA

    Më pret me bisqe të reja
    Të çelura mungesës sime
    Si flatra zogjsh të sapo lindur,
    Me sytë e gjelbër,
    E limfën e mardhur
    Dimrave në vetmi,
    Pa ujë,pa ngrohtësi
    Për buzët e thara
    Të dheut e trupit të saj,
    E sërish gjethon e biskon
    E gjelbër e bukur,
    Si një mendim i ri për
    Vazhdimësinë e jetës.
    Ka krahët,zemrën,
    Mallin e dhimbjen e nënës
    Që nuk është më,
    Më përqafon njëlloj si ajo,
    E qan me mua pa zë.

    E BUKURA KA EMRIN TËND

    E bukura ka emrin tënd,
    Ka shpirtin tënd,
    Ka zemrën tënde,bija ime!

    Merr frymë me frymën tënde.

    Ka sytë,hundën,buzët e tua,
    Ka flokët,trupin,fjalët e ëndrrat e tua.

    Merr jetë prej zemrës tënde.

    E bukura,bija ime,
    E ka emrin Eljona,
    Dhe ecën vetëm me këmbët e tua.

    LARGËSI

    Çudi!
    Qyteteve e njerëzve
    Që dua më shumë
    U largohem,
    Ndoshta
    Për ta ndier
    Më tepër
    Dhimbjen e dashurisë,
    Dhe i ngroh
    Si dielli
    Me rreze
    Nga larg,
    Si të kem frikë
    Se i djeg.

    E KEQJA

    Erërat,dallgët,
    E keqja
    E largojnë të bukurën
    E të mirën,
    Të kaltrën e detit
    Prej bregut,
    E turbullojnë
    Dhe e nxijnë
    Si fytyra e shpirti
    I vet së keqes.

    15

    Veron Hoxhaj

    KTHEU, O BIR NJË DITË…

    Vaj kandilit s”po bën dritë
    Nuk do të dalë ky shpirti i shkretë,
    Jam tharë si rrushi në degë.

    Malli më treti të gjallë
    Sytë më rrinë mbi portë, mbi xham
    Flaka e kandilit nuk duron,
    Shkon të fiket prapë ndriçon.

    Nuk tretet mishi i helmuar,
    Mu tha buza e përvëluar,
    Ah mërgimi, lëvore e thatë
    Na zhurite për evlat.

    Biri, bija nga mërgimi
    Duke qarë nga mallëngjimi,
    Kur u kthyen te babai
    Kandili u ndez pa vajë.

    Nuk duroj kandili shkretë
    Një natë dhe shkoj në atë jetë
    I helmuar po me gëzim
    Tretëm tani o dheu im…

    NËNA

    Nëna është aromë
    Është valium qetësues,
    Por është dhe si lëmshi
    Që të mbyt nën gushë.

    Ah moj Nëna ime ,
    Meteor e rrallë…!
    Sa më dhëmb mua shpirti
    Se jam mërgimtarë.

    Çdo gjë që unë ha,
    Më rri lëmsh në grykë,
    Bashkohet me mallin
    Dalin lot nga sytë.

    Ngrihem në mëngjes
    Shkoj në telefon,
    Kur ti s’ më përgjigjesh
    Zemra më gulçon…!

    Në punë nuk shkoj dot
    Më priten fuqia,
    Kur të dëgjoj zërin
    Ngazëllehem si fëmija…

    Mëngjes biri Nënës
    me zërin e ngrohtë,
    fytyrën e qeshur
    dhe syrin me lot.

    ÇARË ËSHTË VAJZA
    (Motiv popullor)
    Vajza është si ëmbëlsirë,
    Është si guri xhevahir….
    Është si ylli e është si hënë….
    Është si gonxhe për të qenë….
    Është si dielli kur agon…….
    Pika e vesës kur pikon,

    Vajza është si një sorkadhe,
    Është si thëllëza mbi male…
    Është si qofkëla si bilbili…..
    Është si rrjedha te burimi….

    Është oazë me lule shumë,
    Është e kthiellët si një lumë…
    Është çapkëne ka lezet,
    Si dielli në që çanë retë…

    16

    Luan Xhuli

    Nuk e di…

    Nuk e di…
    …numrin e vërtetë të së shtunave që shijoj,
    Sepse tek e fundit në radhë,
    Të dielën do ta festojnë të tjerët për mua:
    Do të kem rreth vetes më shumë lule,
    Fraza të bukura në përcjellje
    Dhe dialogë të zgjedhur,
    Që tani i kam zili kur vdesin të tjerët….
    Nuk e di nëse deri ditën e ikjes
    Do të bëhen dhe lotët elektronikë.
    Edhe në u largofsha për pak,
    e-mail-in dhe skip-in do ti lë të hapur,
    Që të mos i besoni dyshimit të vetes…
    Me ditët e javës jam një shok i mirë
    Dhe e shtuna dikur “komuniste”,
    Më shlodh kockat e thara
    Nga mungesa e kalciumit në to.
    Vazhdoj ti gëzohem ditëve të javës
    Dhe e shtuna,
    Më nxit të shkruaj ndonjë vjershë më shumë,
    për ta lënë “biopsi” përjetimin tim …!
    18/1/2015

    17

    Petrit Malushi

    Dhuratë për Shën Valentin

    Për ty, më të shtrenjtin suvenir
    Të kërkoja, nuk renda shitoreve.
    Vargjet me rimën më të mirë,
    Nuk u lodha t’i gjeja fletoreve.

    Nuk prenotova luksozët lokale
    Ku shërbehet me përulësi,
    E në krahun tënd me lumenj fjale,
    Të t’ përbetohesha për dashuri.

    Për lulen me më të ndezurën ngjyrë,
    Aromë përhapëse pa mbarim,
    Livadheve vrapova, në natyrë.
    Dhuratë ta bëra për Shën Valentin.

    Mëkatari

    Dy lule porosite për dhurata,
    Dhurata, dy në një ditë.
    Njëra, perde e zezë si nata,
    Tjetra, mbulesë për djallëzitë.

    Dy lulet, të shkretat s’e dinë
    Ç’ fsheh ti në shpirtin e zi,
    Kurorëshkelës, që në Shën Valentinë
    Dhuron lule për tradhëti.

    18

    Istref Haxhillari
    Danishi…
    (Tregim)

    Në atë stinë, vendin e mbështillnin nga të gjitha anët tufa të dendura mjegulle të bardhë, prerë nga damarë kaltëroshë të spërdredhur. Masivet e mëdha rridhnin përmbi shtëpitë e hirta, gëlltisnin si lubi pallatet, lëpinin syprinën e dallgëzuar të ujit, formonin figura të përçudnuara. Përmbi kalanë e qytetit dielli inatçor gërmonte grumbuj mamuthësh gjigandë me kurrizet plot gunga, që mbanin të nënshtruar tokë dhe ujë. Rrjedhat e mjegullës ishin ndër dhuratat e shumta të liqenit vjetarak. Rrymat nënujore si rrënjë të ngatërruara lisi, ngrenë drejt qiellit shtëllunga të dendura avulli, që përmbytin gjithçka.
    Danishi i rrëgjuar kockë e lëkurë çapitet rrugëve, pa ndonjë drejtim të caktuar, thjesht nga e çojnë këmbët. Me thesin e vjetër prej kërpi, hedhur në sup, zvarritet trotuareve pa shikuar njeri. Krahun e djathtë e ka humbur në moshën e fëmijërisë. Askush nuk e di ndodhinë e trishtë, fashitur thellë kohës së largët. Atij s’i kujtohet ose nuk do ta përmendë, si shumicën e andrallave të jetës së tij të gjatë. Në sytë pa ngjyrë, futur thellë zgavrave, pasqyrohet vuajtje e madhe, uria e përditshme. Ndoshta më shumë se kaq. S’i ndan brengat me të tjerët, nuk ankohet, as lyp. Njerëzit kthejnë kokën mënjanë, thua nuk ekziston. Pamja e tij njëlloj u vret sytë, i ligështon, ndaj i shmangen si mortajës. Danishi vazhdon të jetojë në mjerimin e vet pafund me lëngatën e shpirtit të panjohur, të parrëfyer…
    Anidi e shikon çdo ditë nëpër kazanët e plehrave. Rrëmon, fut rrëmujshëm në thes çdo send të dobishëm, sidomos ato ushqimore. Me krahun e vetëm në garën e pabarabartë të jetës, lufton sipas mënyrës së tij t’i mbijetojë një bote tejet indiferente dhe përbuzëse. Vjeshta rrezëllitëse kapërthyer me mjegullën e dendur në një ndeshje të shurdhër, nuk i bën përshtypje, madje nuk e di tamam në është pranverë apo vjeshtë. Era memece, lavire e paskrupullt e provokon duke gudulisur thinjat e pakta në tëmtha. Përmbi grumbullin e mbeturinave, gjethet e blirit me buzët e verdha lëpijnë lëkurën e rrudhur të zbuluar. Anikdit nuk i ngjall neveri si të tjerëve. Në muzgun e bronztë të një dite të tillë e ndaloi gati me pahir. – Më njeh?. Ai deshi të largohet, po tingulli i zërit të ngrohtë e bindi. – Jo, nuk të njoh. – Anidi. S’e thoshe dot emrin, më thërrisje Ani. Burri i moshuar i hodhi sytë e ujshëm, të shpërqendruar, u mendua një copë herë, tundi kokën në shenjë mohimi dhe deshi të largohej, po ai s’e la. E pyeti si jetonte, në se kishte njeri të afërt. Danishi nuk e dëgjonte. Shikonte andej – këtej si i mbytur në punë të ngutshme. Po e pengonin kot së koti. Pamja e lemerishme përtej mjerimit prekte cakun e marrëzisë. Anidit i bënë përshtypje veçan sytë e shuar të çngjyrosur, pa asnjë shprehje njerëzore. Vetmia e pazakontë strehuar te ai trup i rrëgjuar e pikëlloi. Shkëndijëzat e kujtimeve të përcëlluara në hirin e harresës u zgjuan si bletë zemërake. Vitet kulluan harrimin e gjatë përjetimet e largëta buisën nga thellësia e kohës shkollore… Vite të shkuara ishte roje në konvikt. Ndonëse rrotull të tridhjetave, të vegjlit e thërrisnin xha Dane, të rriturit Danish. Dora e vetme bënte me lehtësi të habitshme çdo lloj pune. Priste dru, ndizte zjarret nëpër dhoma, ndihmonte kuzhinieret. I kudogjendur, zvarriste mbi kurriz si tani një thes mbushur me ushqime, e çonte ku i thoshin. Nuk pushonte kurrë. Kur prehej diku qosheve të oborrit, me dorën e vetme shtrëngonte pavetëdije copa qymyri nga togu përreth magazinës. Natën hynte nëpër dhoma, mbulonte grindavecët që rrëshqisnin batanijet në netët e acarta të qytetit të liqentë, u lëvizte kokën gërhitësve zhurmëmëdhenj, mbyllte dritaret hapur nga era. Jetën e tij e mbështillte tërë xhelozi një mister i pa kuptuar. Askush nuk e dinte kur flinte, ku banonte, kishte shtëpi, njerëz të afërm. Konvikti ishte vendi i punës, vatra ku fillonte e mbaronte universi i tij. Qëndronte aty të dielave, ditët e festave, pushimeve të verës kur konvikti rikthehej sërish në kamp pushimi. Vazhdonte njëlloj, me të njëjtin ritëm monoton punën e tij me vlerë. Mjediset e konviktit humbnin diçka kur mungonte ai, nxënësit pyesnin njëri – tjetrin me sy. Nxënësve larguar nga shtëpia dhe njerëzit e afërm, Danishi u ngjasonte me prindërit. Ndonëse fjalëpakë, jo fort i afruar e donin, ndiheshin mirë kur e shikonin pranë. U kujtonte shtëpinë, ndillte ca kujtime të ëmbla e të shtrenjta, lënë pas diku larg… Dita e parë e shkollës gazmonte nga zhurmat e nxënësve. Sillte risi, çelte një vit tjetër me të panjohura drithëruese. Përqafoheshin të malluar me njëri – tjetrin, tregonin jetën e verës, thërrisnin plot hare. Kënaqësia rinore ndehej shpenguar prehrit të asaj dite të veçantë. Ngazëllimi u ndot papritur. Një djalë i panjohur muskulor i zuri dhunshëm derën Lenit, nuk e linte të futej në konvikt. Mbështetur pas parmakut anësor e kërcënonte haptas. Shqetësimi shpërhapej si hije e zezë në tërë hapësirën e shkollës. Adoleshentët vështronin të merakosur shoqen zënë në çarkun e së keqes. Asnjëri s’guxonte të përballej me horrin mendjemadh dhe thikat kërcënuese ngjeshur rripit të mesit.
    Hareja ngeci te porta e shkollës. Danishi paqësor i kërkoi butësisht të hiqte dorë nga ajo punë e mbrapshtë. Tjetri nuk i vuri veshin, vazhdoi të tijën. Leni e skuqur, përkequr e turpëruar, dridhej e tëra me sytë nga oborri i shkollës. Danishi u afrua, deshi ta largojë me të mirë po tjetri, pa e shikuar drejt, ia ktheu ashpër: – Dorac, do të hash ndonjë që të vijë mendja rrotull? Mbi ballin e qetë të rojës u formuan rrudha zemërimi, damarët e llërës së vetme të përveshur lëvizën si gjarpërinj zgjuar nga dremitja e gjatë. Inati u kacavar me thonj të lyer nëpër copëzat e qymyrit të kuzhinës. Nxënësit nuk e kishin parë kurrë në atë gjendje të frikshme burrin e mirë, rojën e urtë të konviktit, që nuk i bënte keq askujt. Lëshoi ngadalë thesin. Kur askush nuk e priste, me shpejtësi rrufeje e goditi befasisht në mjekër me një grusht që do ta kishte zili çdo kampion boksi. E majta e tij mbarçe fuqinë e përbashkët të dy duarve. Guximtari i paskrupull u shtri përtokë larë në gjak. Si vuri re Danishin të afrohej për të çuar deri në fund punën e nisur, iku i tmerruar me vrap duke sharë. Të gjithë u mahnitën nga guximi i rojës. Trimi i shfytyruar vajti të lante surratin e gjakosur. Xha Dania, qetësisht pafolur, si të mos kishte ndodhur asgjë, mori thesin dhe u largua drejt kuzhinës, pranë grumbullit të qymyrit ku rrinte të shumtën e kohës. Shndërrimi i çuditshëm, i vetëtimtë u mbeti në kujtesë për një kohë tejet të gjatë. Shpesh e kujtonin me admirim më pas kur e sillte rasti nëpër rrjedhat e spërdredhura të kohës. Kështu e mbante mend Anidi këtë njeri të thjeshtë e të mirë. Ç’ fat i mbrapshtë e kishte gremisur në ditë të hallit?… Teksa kujtimet si rrjedha mjegulle zevzeke trazonin krejt qenien e tij, Danishi e harroi krejtësisht, vazhdoi të gërmonte plehrat në një rit mjeshtëror të neveritshëm.
    Anidi uli kokën i trishtuar zënë në faj. Ata sy të pajetë, pasqyrë lebetie ngjanin me një humnerë të çuditshme, që nuk kthen jehonat e zërave, i mban mundimshëm, i ndrydh në gjirin e saj. Njerëzit do të shkundeshin nga lemeria po ta dëgjonin të çliruar kumbimin e asaj klithme të honshme… Vjeshta indiferente fshikullonte qytetin buzë liqenit me rrjedha mjegulle tinëzare.

    19

    Hamza MALAJ

    SHQIPËRI KU JE?

    Shqipëri ç’ far’ bën
    Shqipëri ku je?
    Pse s’ngrihesh në këmbë
    Pse s’lëshon rrufe.

    Mbi këta zagarë
    Që i rrite vetë
    Mbi këta bastardë
    Që s’kanë më besë.

    Oh moj Shqipëri
    Me fatin e mjerë
    Nga mi nxjerr në krye
    këta derbederë!

    Sa i vë në poste
    të japin dhe besën
    Pastaj të vërvitin
    Siç vërvitin fshesën!

    Shqipëri e bardhë
    Si bora në male
    Përball’ historisë
    Ti ke hedhur valle!

    Të kam par’ krenare,
    Te kam par ’si dritë,
    Ky trishtimi yt
    Tani më ngjeth mishtë!

    Ç’ ke moj Shqipëri,
    Moj zemër me çika
    Ç’ ke që rrit hajdutë
    Ç’ ke që rrit dhe shtriga!

    Të vuash për ujë,
    Të vuash për drita
    Bijtë’ që pate në krye
    Mos ti zëntë dita!

    Shqipëri bujare,
    Oh, se ç’u shkretove,
    Bukën merr me listë,
    Si nuk u tërbove!

    U tërbofshin bijtë
    Që hiqen demokrate
    Ndërsa ne kuvend
    Flasin si rrugaçë

    Disa dallkaukë
    Të sjellin vërdallë
    Me një shpurë prapa
    Kockën po të hanë!

    Po ti s’je e shkretë
    Nuk ke mbet’ marhëme,
    Ke dhe bij të tjerë
    Porsi dritë hëne!

    Pse s’mendon për vete,
    Kur do të jetosh,
    Bukë s’ke për darkë,
    Portofolin bosh!

    Si do rriten djemtë,
    Si do rriten nipat,
    Apo prapë si neve,
    Do shtrëngojnë rripat!

    Ç’do tu lëmë djemve,
    Një vend që gremiset,
    Një vend të leckosur,
    Si gjemi që mbytet!

    20

    Lorenca Bejko
    Ky qiell

    Vitet thahen si ves mëngjesi…
    E gjithfarë hapash kujtimet bën,
    Ky qiell përplas buzët gjetiu,
    Por retë mbi qiell u zhbënë,
    Ky qiell,
    Sheh vetë dritën,
    Dimensional…
    Në qindra rrënoja,
    Ndjen, luftë, lot, dhimbje..
    E diku dashuri kërkoka,
    E sheh dhe atë,
    E ndien,
    Po për kurrfarë arsye gjëmoka,
    Ky qiell,
    Fsheh dritën në hije,
    Në asgjë retë shëndroka…

    SHTRENJT…

    Në kullën e larë me gjak prej shekujve,
    Shpirtra të prehur mes rrëfenjës e gjetheve,
    Oshtima e qiellit buçiste mbi det,
    Hapa njerëzish vranë si kepucë,
    Nëpër rrugët plot terr,
    Firomë drita të shkurtra makinash,
    Shishe konjaku të vjetër,
    Shishe dekadente,
    Gotë kristali e bëre copë e thërrime,
    Dikush nën muzg jetën po e blen shtrenjtë…

    Pulëbardhat

    Gri në liqenin e vjollcët atij agimi…
    U jep kaltërsinë e bishtave të delir,
    Ai dielli i rrumbullakët fshehur gjirit..
    Por prapë ajo kaltërsi fshihet,
    Tek bregut dallga e merr,
    Pas vetes si një shami e bardhë…
    Dhe fluturojnë pulëbardhat drejt viseve,
    Për të ngjyer përsëri bishtat,
    Drejt kaltërsisë qiellore…..

    21

    Liza Ndreca

    Lubturi e kufizuar…

    E lodhur e rraskapitur nga puna e rëndë, sa që as fjalë të ëmbla e pritje e ngrohtë nuk ja sillnin dot humorin. Dukej se as me sy nuk shihte mire, e lëre pastaj të mund të duronte atë që pati fatin t`i servirej atë natë. Hyri veç thjeshtë për të parë ndonjë të re që mund të kishte, sa për te shuar kuriozitetin duke menduar dhe për një dush te shpejtë, e për të fjetur pastaj në një gjumë të thellë..! Ndodh ndonjëherë që të del tamam si tek ajo barsaleta ku tregojnë që: “Një i lodhur nga rruga e gjatë nëpër male, lodhur e rraskapitur, po lutej me mish e shpirt që ti dilte një kalë përpara, që të mund të hipte në të, për tu kthyer në shtëpi. Papritur takon një çetë luftëtarësh që u kishte pjell pela. Të lodhur dhe ata, sa panë këtë udhëtar, pa pyetur fare, ja ngarkuan mzin në shpinë. E ky në kulmin e hidhërimit fliste si me vete:- “o zot, more zot.. a nuk dita unë të të lutëm, a nuk arrite ti të më kuptosh..Unë të kërkova kafshën që të kalëroj unë mbi të, e jo ky mbi mua”!. Një pjesë të mirë të kohës së punës e kishte kaluar duke menduar herë pas here për të. Arsyeja kryesore ishte se pasi u ndanë e kishte zaptuar një lloj malli, sikur, jo që sapo u ndan, por thua që erdhi pas një periudhe të gjatë e u kthye pa e takuar fare. Ndjente se po i vinte dhe për të qarë. Veç turpi nga njerëzit në autobus e bënin të përmbahej. Çudi e madhe! Po ajo sapo e takoi! Pse ndjehej kështu!? Që nga dita e njohjes, kurrë në takimet e më parshme, si kishte ndodhur një situatë, as e ngjashme me të! Gjithmonë pasi ndaheshin, kthehej me një lloj nënqeshje në buzë, e jo rrallë gjatë udhëtimit për në kthim, frikohej mos dikush e shikonte si të marrë duke qeshur me vete, tek kujtonte shakatë e tij, pasi shpesh ai e imitonte në shprehjet e saja te telefonit e të sms, hatër mbetjet, xhelozitë e pakuptimta, deklaratat e betime shpërthyese e që kjo vetë pastaj gajasej duke qeshur pafund, e që për inerci, i vazhdonte buzëqeshja dhe rrugës për në kthim. Veç këtë radhe po i dukej ndryshe. Sikur kishte lënë një jetim, që sapo i kishte kthyer shpinën për mos tu kthyer më kurrë për ta takuar! E pra, gjithçka shkoi bukur, veç kohës së shkurtër që kishin në dispozicion. E përmendi një sms e tij, ku i thoshte:-“A je mire shpirt”? Ajo telefonoi direkt thjesht për t`i dëgjuar zërin, por në fakt, nuk po mund të dëgjonte asnjë artikulim të plotë, veç fjalë të shkëputura sikur vinin nga një fund pusi, apo nga një botë tjetër. Kjo i fliste me fjalë të ëmbla, qe rrallë i vinin te tilla, nga vetë natyra e ashpër e saj(të paktën në dukje), por nuk ishte fare e sigurt, nëse i mori tjetri apo jo! Kur erdhi në shtëpi, i nisi një sms, sa të ëmbël e sa thumbuese, siç e kishte zakon, por që e dinte se ndoshta do kalonin dy ditë derisa ta merrte pasi këtë periudh ndodhej në një zonë të pa mbuluar me internet. E atë natë (pas dy ditësh), ndërsa po haptë kompjuterin, sa për ti hedhur një sy, pas kësaj lodhje të tejskajshme, i dukej se po i bënin sytë në atë që vuri re aty!
    – Heu.!! i doli një lloj britmë pa kontroll. Fërkoi dhe njëherë sytë dhe i hodhi një shikim monitorit për të lexuar.. -Jam motra e tij, si mund të dyshosh në sinqeritetin e tim vëllai që është aq i mire aq i sinqertë, i dashuruar si i marrë pas teje, etj, etj. ( Si duket kishte lexuar sms e fundit që kjo i kishte dërguar). Veç këto ishin fjalët që lexoi tamam, të tjerat po i shumë fishoheshin e diku diku i mjergulloheshin saqë nuk arriti të lexojë më, asgjë. Veçse për përgjigjën, pa ditur që në fakt për çfarë do përgjigjej, ju lëshua fare pa u menduar, e pa ditur se ndoshta po lëndonte pa të drejtë një njëri të pafajshëm. – Kush është ai që duke ditur intimitetin tonë të të japë ty paswordin e vet?! Kush je ti që më del këtu?! A jam un në ëndërr a me ke po flas more aman?!- E një lumë me të bërtitura e gërthitura, që rrezik i merrte tjetra te shoqëruara dhe me z, ku as tastierën më nuk e shikonte dot. Përgjigjet nga “mikja” i merr me thuajse me te njëjtin ton: -Sa mirë që gjithçka tjetër të intereson, përveç shëndetit të tim vëllai?! Këtu u bë esëll. Ju kthye dhe njëherë historikut të bisedës. E ç`të shihte, ajo ja paska pas shkruar të gjitha, e kjo as sytë nuk ja kishte pas hedhur me tepër se dy rreshtat e parë! E gjithë biseda që kaloi, ishte një flluskë sapuni, para kësaj që po i shihnin sytë. Apo e thënë më shqip, tani ju errën sytë komplet. Kishte qenë shkruar e bardha mbi të zezë, që ai, i dashuri i saj, njëkohësisht vëllai i tjetrës, që i kishte shkruar në adresë të tij, na paska qene i sëmurë dhe tani më ndodhej në spital në një gjendje të rëndë, ku dhe kur përmendej përsëri ishte i pavetëdijshëm… O zot çfarë tmerri! Megjithëse e lodhur e pa gjumë, tani nuk mund të mendonte më për pushim e aq më pak ta zinte gjumi. U be esëll! U kthye dhe një herë për të bërë më të voglën shenjë mirësjellje, duke ju kthyer bisedës me motrën e tij, për të kërkuar falje, për t`u interesuar megjithatë për shëndetin e tij, ku nëpërmjet këtij komunikimi, mori vesh gjithashtu dhe arsyen e dhënies se paswordit… Ishte puna me më mend që kishte bërë, gjatë një telefonate rastësore ku e kishte marr ajo, në çastin fillestar të sëmundjes, ku e vetmja porosi ishte të lajmëronte këtë, të dashurën e tij që po trembej shume, se do e kishte e pamundur ta lajmëronte vetë! Një javë te tëre biseda, herë të acaruara e herë më të buta e miqësore, pasi kishin një hall të madh të përbashkët, shëndetin e tij dhe një dëshirë po aq të madhe dhe të përbashkët, shërimin sa më të shpejtë. Dashuria e tyre kishte qenë aq e madhe, saqë s`kalonin tre ditë, ku ai nuk shkruante një poezi për të.! E gjithë kjo javë ishte për to, një torturë e padurueshme. Ai sa dilte nga kllapia niste nga një të fala për motrën që e dinte se kjo do e përcillte për te tjetra..dhe kur kjo (e motra) i përcillte të falat e saj, me kod që të mos merreshin vesh nga të tjerët, këtij i rrëshqisnin lotët duke i mbushur veshët, gjë e cila befasonte dhe të afërmit e tij.
    Ndërsa kjo, gjithë ngushëllimin këto ditë e gjente veç tek motra e tij dhe tek lutjet që drejtonte për shërim sa me të shpejtë !
    Asnjëherë se kishte menduar sa e paska pas dashur aq shume. Ju bë si njëlloj makthi që po e mbyste. Ishte si nj torture e padurueshme. Shpesh i dukej se po i zihej fryma. Nuk kishte asnjë lloj mundësie te shkonte ta vizitonte nga afër. Kjo e stresonte akoma me shume. Nga fundi i javës, ku plotësohej dhe shtatë ditësh makabër, e motra i dërgon diçka të pazakontë në sms.
    Me gjithë gjendjen e rëndë shëndetësore, ai kishte gjetur forca ti kalonte një mikut të tij njërën nga poezitë (apo ndoshta të parën që kishte shkruar për të) : Vetëm me ty… /Shiu qe bie, dhe borë, dhe akull/ S’do të më ftohin, s’do të më lagin/ Lulet do çelnin çdo stinë,/ Nen kurorat e tyre do ndjenim/ Ngrohtësinë e puthjeve/ Në dritën magjepse të yjeve/. I kishte kaluar gjithashtu dhe një foto të tijën dhe ai me mjeshtëri kishte bërë kopertinën e librit të titulluar “Vetëm me ty”, ku në brendësi t të cilit, do të ishin veç poezitë që kishte shkruar për të. Ishte pa dyshim surpriza dhe dhurata me e madhe që kishte marrë ndonjëherë në jetë dhe ndjeu se si, faqet ju njomën nga lot të nxehtë…Veç brishtësia e shëndetit të tij, e pengonte për të qenë tani më e lumtur se kurrë..!!

    Lirika me ndjenjë në librin poetik ‘Premtime në bregdet’ të Fatmira Locit

    Alfred Molloholli

    Në librin e poetes Fatmira Loci ‘’Premtime në bregdet’’ , gjithkush do të gjejë një pjesë të jetës , të gëzimeve , dhimbjeve , vuajtjeve , dashurive dhe ëndrrave të saj … ‘’Poezia është një dre i plagosur’’ , – thotë Lorka . Dhe unë , në poezitë e Fatmirës , (pasi mua kështu më pëlqen ta thërras ,) gjeta dhimbjen e bukur që në shpirtin e poetes , shumëfishohet …!
    Po le të kthehemi të flasim pak , për librin e Fatmira Locit ; ‘’Premtime në bregdet’’ . Poeti dhe lexuesi janë detyrimisht në marrdhënie reciproke e bëhen virtualisht një trup , duke dhënë e duke marrë nga njëri-tjetri pa bërë pazare . Përgjatë gjithë librit të autores , një damar floriri shfaqet në poezitë e saj . Dhe ky damar floriri është pikërisht dashuria dhe adhurimi që ajo ka për babin e saj . Një tis i tejdukshëm sensualiteti , i endur mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës , mes dëshirës dhe bëmës , mes fantazisë dhe realitetit , përbën një risi të re e të vyer në prurjet e poetëve të rinj . Më së tepërmi është një frymë sensualiteti që vibron aty-këtu , një shkëndijëz që feks mbi motivet dashurore dhe që në të tilla raste , krijon një realitet jetësor në vetëdijen artistike të autores , që bart ide e mesazhe aq të këndshme , të bukura e të hijshme për një poezi . Brenda këtij rrafshi poetik , unë them me bindje që ka Art . Të dish ta mbjellësh poezinë dhe ta rritësh brenda vetes , – këtu nis e vërteta krijuese . Dhe , kur bëhet art me fjalën që del nga shpirti , i je afruar suksesit . Poezia e Fatmirës është një poezi që buron vetvetishëm nga shpirti i poetes , si një ujëvarë që buron nga mali , duke sjellë me vete ngjyrat e një jete të gjallë e në lëvizje , sharmin dhe elegancën e krijimit të vërtetë artistik . Pena e autores rrok shumë aspekte të jetës , ku e paraqet atë ashtu siç është , me dritëhijet e saj . Fjalë pas fjale , varg pas vargu , autorja shpalos më së miri botën e saj të thellë e të gjerë poetike , duke na dhënë elementë kreative të frymëzuara nga raste konkrete të përjetuara , me të cilat lexuesi mund të krijojë ‘’historinë’’ e dashurisë apo të dashurive të saj .Mungesa tek-tuk e figuracionit në vargjet e Locit , nuk ia zbeh aspak vlerat poetike librit . Ajo rri larg manisë për të absolutizuar abstraksionin poetik , dukuri që nxjerr kokën tek mjaft poetë të sotëm . Një veçori tjetër e metodës krijuese të poetes së re , është përdorimi i tri pikave të retiçensës , përdorimi i dendur i presjeve , i pikë çuditëseve etj .Duke ju shmangur simbolikës së errët dhe metaforave të shumta , që i lënë vend më së tepërmi hamendjes sesa argumentimit ndjenjësor dhe racional , autorja arrin të ndërtojë një poezi sa konkrete po aq edhe të prekshme , deri në kufi thjeshtësie .Si përfundim , mund të them që ky libër i pasur tejet me dashuri për jetën dhe njerëzit , bart mesazhe fisnike e të hijshme , të ndjell një dëshirë të pashuar për lexim e rilexim … Të vogla apo të mëdha , kalimtare apo të përjetshme , të shfaqura apo të fshehura , gjithkush e ka një dhimbje apo një dramë në jetën e tij . …Ndodh shpesh që fatkeqësia i jep energji të re pasionit , sepse vuajtjet që vijnë nga fantazia , rëndojnë mbi zemër dhe e copëtojnë atë , nganjëherë , më shumë sesa vuajtjet , – rrënja e të cilave është në vetë zemrën!

    22

    Valter Dauti
    BALADE PER PETRO NINI LUARASIN

    “Luarasi i shkretë vete tym e flakë;
    Bën dava Dhespoti me Petro Dhaskalë;
    Për një kartë shqipe njëqind lira vanë;
    Hahet ky Dhespoti me Petro Dhaskalë;
    Dhespoti Kosturit,bëj davanë mirë…”
    Popullore,kolonjare.

    -I-
    S’paska shpirt Sofra e Dijes?
    Hesht Kolonja!Rron a s’rron?!
    Ç’ bëjnë legjendat përmes vitesh?
    Sofër dija,s’ka më fron?!

    Djeg Varishtës,vapë e gushtit,
    hesht Gramozi hijerëndë!
    Nëpër pemë, shija e mushtit,
    rrëmben gushtin,e bën këngë…

    Djeg Varishtës vapë e ecjes,
    kohët,lindin një legjendë.
    Që nga vitet, del prej heshtjes,
    Petro Nini. Bëhet këngë!

    -II-
    Lina pret e gdhihet vetëm,
    -I të gjithëve burri i saj!
    Mjegull derdhet mbi Ersekën,
    qaj Kolonjë!Luaras qaj!

    Ta helmuan Petro Ninin!
    Tradhëtisht!Helm në mikpritje?!
    Në Kostur,Dhespotët pinin:
    -Ish helmuar gjuha shqipe!

    Në Ersekë,andartzaptijet,
    kalërojnë nëpër sokakë,
    venë e vinë,zhduken si hijet,
    Moj Kolonjë?Pse s’ndizesh flakë?!

    Ç’ ke Mulla Nasuf? Përlotur,
    e tret syrin nëpër male…
    Thua:”-Ku je Çerçiz Topull?
    na ka ndodhur gjëmë e madhe…!”

    Dhe vështron…se mos vallë era,
    i çon fjalën-gjëmë mikut.
    …”Petros i ka rënë kolera”!
    -çirret, gryka e armikut.

    Çirret zë i spicer Janit,
    Filloretit e Kirilit.
    S’fiket drita e pishtarit,
    ti,Kolonjë,bëji nderin trimit!

    -III-
    Luaras,po sjellin djalin,
    të helmuar nga temjani…
    Që nga librat,djemkat dalin,
    del nga pyjet Kapedani.

    -Do ta djegin me gëlqere?!
    -Çkishërim në përtej bote?!
    Malet tunden me potere,
    fusha uturin në shqotë

    “-Jo”,thanë miq,armiq!Të prerë!
    “Trupi i Shenjtit s’mund të preket!
    Ju,Dhespotë, jini kolerë!
    Ju,armiq,ju presin vdekjet”!

    Ndaj,betimin para trimit,
    e ndezën mijëra pishtarësh.
    …dridhej fletëza e “Këndimit”
    nëpër breza kolonjarësh…!

    -IV-
    Nuk dremit Kolonja Plakë,
    në përhumbjen e kujtimit.
    Çdo pishtar që lëshon flakë,
    është nga drita e Petro Ninit.

    Nga Vakëfet,gjer në Korçë,
    Luaras …e në Ersekë…
    Ndodh që vijnë fshehtas Dhespotë,
    Spicer, turq, a… qofshin grekë.

    Nuk dremit.Sofra e Parë,
    qëndron shtruar,nëpër shekuj.
    Nxjerr nga gjiri luftëtarë,
    Rrit në prehër të Saj,Dishepuj!

    XHELOZI

    Më iku çapkënia,si ç’ ikin çapkënet,
    Më mori dhe zjarrin,me vete.
    I shkundi plot naze ca flokë prej hëne,
    Më iku…dhe shpirti i qeshte…?!

    Me iku ndër vise që puthjen s’e njihnin,
    (Si ç’ duket,veç netë do hëna…)
    Shikimi i ndezur,sërish flokët krihte,
    Dhe…puthte dy pjeshkët e ngrëna…

    Mos kini besim te bjondet e sotme!
    Janë lindur prej natës mister !
    Betim edhe puthje i kanë te përkohshme,
    (Misteri nuk duket në terr)!

    Më iku çapkënia…se, desha një brune,
    (Veç nata nxjerr hënën të plotë)
    Në ikje…mbi pjeshkë , qeshte me zjarr buze…
    Ndër netë…hëna qenka e kotë…

    OXHAKU
    Djeg oxhaku heshtur drutë,
    Kërcet dhëmbët si acar,
    Digjen zogjtë tulatur,butë,
    Digjen lulet në shtrat-varr.

    Digjen re,bashkë me ylber,
    Bashkë me zëra…digjen zjarr,
    Përpëliten ëndërr-mjerë,
    …nxin oxhaku-oxhak-varr…

    Digjet pylli,lumi,mali…
    Në lëngim,kthehen në hi..
    Qenka ves i keq ky malli,
    Kur braktiset një shtëpi.

    Plaku hesht…trazon oxhakun,
    (Eh,prek ëndrra nëpër terr…)!
    Zjarri djeg…dhe bën hi plakun,
    Skuq oxhaku si një ferr…!

    Iku gjindja,udhë botësh…
    Digjet zjarri në oxhak.
    Jeta qenka krijesë lotësh,
    …sidomos…kur bëhesh plak…!

    Potencial…

    Një gisht e ndan jetën nga vdekja,
    Një gisht-qejfin nga plehu…
    Një gisht,e ndan ngopjen nga etja,
    Një gisht…prej Prometeu…!

    Një gisht e ndan tufën nga turma…
    Një gisht,prej intelekti…
    Ashtu si ç’ hyn krimbi te hurma…
    I hyn njeriut qejfi…!

    Një gisht…më ndan vendi prej teje,
    (Ti,femëron aq bukur…!)
    Çdo çast,i ngjan një fushë beteje,
    Sa ç’ ka ditë jetë …një flutur…!

    23

    Faslli Canaj

    NËN OMBRELLË

    Pikëlon shiu,
    Balet mbi ombrellë.
    -Eja, nën të,-më thua,-
    Muzikimin e tij të ndjejmë.

    Mbi kokë shiu magjistar
    Vallëzon mbi ombrellën tapet
    Nën të, prraf shkrep një shkëndi
    Vrapon që flakëzën të ndez.

    Pas pak pikëllimi nis vals
    Ç’i ëmbël, i lehtë, magji.
    Nën ritmin e tij nën ombrellë
    Muzgun kërkojmë unë e ti.

    Pastaj pikëllimin kap dehja,
    Nën ritme çmendurake hedh rrok,
    Kur flakë do shkrepte shkëndia
    U duk sikur shiu u lodh.

    PAK LËMIM

    Gishtat lëmues, ura hedhur mbi zjarr,
    Qerpikët e bukur, mashë që shpuzën e shkrep,
    Epshi i buzëve urave, prushit i fryn,
    Flaka oxhakun flakon dhe blozën e djeg.

    Erashka e flokëve mbrëmjes mbi supe zbret
    Të shurdhrës natë në vesh i mërmëritë:
    “Të verbrën hënë lëre ta gdhijë me xhelozinë
    Teksa ne shtratit rrokullisemi të lakuriqtë.”

    24

    Vladimir Muça

    EKUINOKS
    TANKA

    Vesa e mëngjesit
    Mbi shtretër gjethesh,
    Si gurë svaroski
    Kudo shtrirë.
    Mbi to zhytet dielli
    X
    Në horizontin blu
    Dielli bie të flerë.
    Mbi det re e kuqërremtë
    Si vela e një varke,
    Thellë,peshqit në myshkun e valëzuar
    X
    Në bregun e Currilave
    Mes molusqeve pa jetë,
    Dallgëzat e detit
    Si buzë gruaje
    Fergëllojnë në ekstazë.

    Në urën e Ardhishtës
    Frengji e syrit
    Shpoi perden e mallit
    Faqeve të rreshkura
    loti shoi zjarrin
    X
    Një gonxhe nën lëkurë
    Pret erën e fatit.
    Era e luleve do fryjë si ngaherë.
    Shiroku po troket pragut
    E shqyen të derës pranverë.
    X
    Shtëpi e braktisur.
    Në një fole
    Me glasa pëllumbash
    Lulëzon lulëkuqja
    Me dhimbjen e gjaktë.

    25

    Libri ”KY JAM UNË” TË VELEDIN KORKUTIT
    Agron MEMA

    Të rrallë janë librat që i fillon dhe nuk i lëshon nga dora deri në faqen e fundit dhe përveç kënaqësisë e ëmbëlsisë që ke provuar nga episodet dhe refleksionet e servirura bukur si një amvisë e zonja, ndjen edhe keqardhje se pse mbaroi kaq shpejt. Këtë ndjesi përjetova edhe kur lexova librin e Veledin Korkutit ”Ky jam unë”Dhe ndër mend më erdhi një postulat biblik i lexuar tek Bibla vitet e para të demokracisë, kur uria dhe kurioziteti ndaj fjalës së Perëndisë ishin binjake dhe strehoheshin në shpirtin e etur për kulturë. Në faqet e saja lexohej: ”Muzika e mirë, njësoj si ushqimi i mirë, mund të jetë e shëndetshme. Megjithatë një proverb i mençur paralajmëron se në rast se gjen mjaltë, ha aq sa të mjafton që të mos velesh e ta vjellësh. Mjalti dihet për vetitë e tij kuruese. Megjithatë edhe një gjë e mirë, nëse e tepron, mund të të bëjë dëm ”Ç’ farë mësojmë nga kjo?Edhe gjërat e mira duhet të jenë me masë. Dhe këtë postulat biblik e filozofik, Veledini e ka respektuar kur ka hedhur 50 vite nga jeta e tij në 280 faqe, përfshirë edhe poezitë satirike që s’mund të jenë pjesë e shkëputur nga jeta e autorit. Natyrisht janë faqe pak, por hoje të mbushur me mjaltë. Ajo që përshkon si fill i kuq faqet e këtij libri, është ideja se është shumë e vështirë të njohësh vetveten dhe kur arrin këtë e ke më të lehtë pozicionin në jetë. Veledini merr bisturinë dhe kryen ndërhyrje kirurgjikale tek vetja, deri sa arin të sjellë tek lexuesi një portret të një njeriu që rritet mes kohëve të ndryshme , kohë të shoqëruara me sisteme e mentalitete të ndryshme, me transformime e ndryshime, kohë që kanë lënë vlagën e tyre në shpirtin e një intelektuali të formuar e të përqafuar me papajtueshmërinë e mbeturinave që bëjnë pis jetën njerëzore, por vet jeta si deti me valë, këto mbeturina i nxjerr në anë. Përmes episodeve që ndjekin njëra-tjetrën, autori vizaton me penelin e mjeshtërisë së fjalës dhe humorit, kohën me dimensionet dhe shqetësimet e sajë, por edhe ballafaqimin mes reformave , zhvillimeve e transformimeve. Gjithkush që është prind e ka jetuar kohën e ndërtimit socialist në Shqipëri, jo vetëm gjen veten e i zgjohen kujtime, po kur përballen me arsimimin e sotëm të fëmijëve, një nostalgji i përzier me merak, u mblidhet si lëmsh përvëlues në grykë. Ku janë ata mësues e ato sakrifica të tyre? Ç’ farë i pengon sot të ketë të tillë kur edhe teknologjia moderne nuk mungon në infrastrukturën shkollore?Pse nuk ndihet ai solidaritet e ajo jetë kolektive, ajo përgjegjësi ndaj vetes dhe mundimit të prindërve për të mësuar?Ku janë ato përpjekje , deri në vetëmohim , për përballimin e vështirësive dhe fatkeqësive, sidomos atyre natyrore. Shumë pyetje shtron për zgjidhje Veledini pas kuintave të faqeve të librit. Dhe natyrisht, siç e përmend edhe vet autori,një jetë është një përvojë, aq më shumë e një intelektuali të rritur e formuar vetëm në rrugët e zotësisë në përballje me vështirësitë dhe veset e shoqërisë deri në zhgënjimet e zhvillimeve të demokracisë. Dhe Veledini mban qëndrim të rreptë se veset lindin me njeriun, sistemet cilado qofshin, vetëm sa u krijojnë kushtet për zgjerimin e shtratit këtij infeksioni shpirtëror që vret tinëzisht ndërgjegjen njerëzore. Ndaj kurajoja dhe guximi për ti luftuar është ilaçi më i mirë për të shëruar jetën njerëzore nga këto shushunja. Dhe ai nuk nguron të sjelli fakte nga administrata e të dy kohëve e sistemeve. Një fëmijë që konkuron por nuk vlerësohet sipas përgjigjes vetëm nga korrupsioni i komisionerëve, një student që me pjekurinë e tij kërkon hakun, një intelektual që përballet me abuzimet e pasurisë së përbashkët nga lidhjet dhe hatërllëqet, sidomos nga njerëzit e pa arsimuar të administratës, që si për dreq dhe inat të Veledinit, vijojnë edhe sot të uzurpojnë administratën e mbushur nga militantët. Autori i sjell vitet e jetës brenda perimetrit të shoqërisë në kohë dhe hapësirë kur kanë ndodhur e jetuar, duke mos kursyer kritikat për shtrembërimet dhe abuzimet , por edhe respektin e mirënjohjen për kuadrot, që megjithëse të pa arsimuar, bënë sa mundën e sa dinin sepse kishin dashurinë dhe përgjegjësinë njerëzore ndaj punës dhe njeriut, përbuzjen për partiakët e molepsur nga smira dhe mendjemadhësia e pushtetit, e plotë qëndrime e praktika si të socializmit, ashtu edhe të demokracisë. Sillet mes rreshtave edhe lumturia familjare, e bekuara e zotit, pa harruar çapkënllëqet e moshës se vjen një ditë që vet vitet i flakin si relike kujtese dhe përballesh me sakrificën dhe kënaqësinë e ndërtimit të çerdhes familjare e të profilit tënd. I befasuar mbetesh edhe nga satira, që autori i ka rreshtuar në fund të librit me qëllimin ilustrues se gjithçka e hedhur në libër, edhe kur personazhet real përmenden me emër e mbiemër, janë thjeshtë miqësore, dashamirëse e vëllazërore, që edhe ata që përmenden për keq të mos e marrin për hakmarrje nga ana e autorit, por të skuqen pak nga ç’ farë kanë bërë dhe mes buzëqeshjes që di të falë vetëm humori, dhe sidomos ai i Gëlëmit, ta shikojnë në sy të kaluarën duke jetuar me dinjitet të sotmen.