Pëllumb Zaimi: Më shumë parada mode se parade prodhimi, më shumë buzëkuq zbukurues se në çdo vit tjetër

    352
    Kolonel Zaimi, si e vlerësoni 2015? Çfarë solli për Shqipërinë dhe Shqiptarët?
    Nuk më duket se ka sjellë arritje që ja vlen të nënvizosh. Madje, jo rrallë më duket se ka pasur më shumë zhurmë se realizime, më shumë makijazh se fytyra arritjesh të vërteta, më shumë parada mode se parade prodhimi, më shumë buzëkuq zbukurues se në çdo vit tjetër. E vetmja arritje e vërtetë për shqiptarët ka qenë dhe mbetet largimi i Sali Berishës. Me Sali Berishën në politikë dhe në Parlament nuk ka gjasa që Shqipëria të ecë përpara. Kur Sali Berisha vegjeton akoma në pushtetin më të lartë shqiptar, atë ligjvënës, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet akoma një kënetë mjerimi ekonomik, politik, strategjik dhe ushtarak. Shqiptarët do vazhdojnë të jenë të tradhtuar në të gjitha këto fusha ekzistenciale. Këta të rinjtë në pushtet po mundohen të na mbushin mendjen se po bëjnë shtet, duke bërë disa reforma në pagesën e energjisë dhe të taksave etj. Por harrojnë se shteti nuk bëhet me popull në mjerim, në varfëri, në padrejtësi, të dërguara në kthetrat e korrupsionit tronditës. Gjeneralët nuk e nisin betejën me ushtarë që e kanë barkun bosh. Ndërsa këtu gjatë 2015-ës gjeneralët e qeverisë e nisin popullin për të bërë shtet duke i zbrazur barkun, duke i lënë të korruptuarit pa ndëshkim, duke i ribërë koncesionet skllavëruese për shqiptarët legjitimë, duke i rilënë hajdutët 8-vjeçarë të gëzojnë pasuritë e vëna me kusari, t’i hanë rehat. Shteti nuk bëhet me njerëz të varfëruar. Njerëzit e varfëruar luftojnë për bukën e gojës, jo për të realizuar kërkesat e shtetndërtimit. Shtetndërtimin nuk mund ta kryejë vetëm qeveria. Në shtetndërtim duhet të jenë prezent të gjithë shqiptarët. Por zemra, vullneti, mençuria e tij dhe specialistëve më të mirë të fushave, në gjuhën e këtij populli nuk janë përfshirë në shtetndërtim. I keni hyrë ndonjëherë, ju zoti gazetar, ç’nivel inteligjence përfaqësojnë sot shtetarët dhe pushtetarët e çdo kalibri? A janë në këtë shtet dhe pushtet figurat, personalitetet dhe specialistët më të mirë të fushave? Unë them dhe mendoj jo dhe po të duan le të bëjnë një referendum me këto pyetje. Ju siguroj se shqiptarët do të thonë jo, nuk janë më të mirët, por ata të nivelit mesatar e nënmesatar. Epo, atëherë, çfarë shteti dhe zhvillimi keni pritur ju me këtë nivel intelektual? Shtetndërtimin e udhëheqin burrat më të mençur të Shqipërisë dhe një popull që kërkon bukën të parën dhe shtetin të dytin!? Si ushtarak më duhet të flas se për popullin ushtarak, 2015-ta nuk solli asgjë të re. Ne vazhdojmë të jemi akoma në greminën ku na ka hedhur antiushtaraku Sali Berisha. Asnjë ligj dhe vendim i tij antiushtarak dhe në këndvështrimin tim asnjë ligj dhe vendim i tij antikombëtar nuk është retushuar, ose, më saktë, hedhur në nevojtore. E majta qeverisëse ka zgjedhur dashurinë me Saliun dhe jo me ushtarakët që e votuan unanimisht!? E majta qeverisëse në këtë fundvit po feston dhe do të festojë “dyvjetorin” ose 24-muajt e mjaltit” me ligjet dhe antiligjet ushtarake të Sali Berishës? Më tepër në këtë pikë nuk kam çfarë t’ju them, por të zë e të flas për zëvendësimin nga Mimi Kodheli të paradave ushtarake me paradat e modës, të paradave të fuqisë së sigurisë me paradat e një sigurie të lënë në vendnumëro, të një ushtrie pa simetri në forcën luftarake me shtetet fqinj, të një ushtrie ku kryepolitikanja e saj dërdëllit frazeologji vetëm për ushtarakët me uniformë dhe ka babëzitur totalisht mijërat e ushtarakëve në rezervë e në pension, të cilët s’kanë uniformë ushtarake, por janë ligjërisht dhe ushtarakisht pjesë përbërëse e Forcave të Armatosura, janë kontingjenti shumicë në mbështetje të moralit të tyre, të rrënjëve të tyre, të traditës dhe trashëgimisë së tyre. Viti 2015-të ishte viti i amnezisë dhe i sklerozës së ministres Kodheli për brezat ushtarakë pa uniformë. 
    Jeni optimistë, çfarë pritshmërie keni për 2016-ën?
    Si ushtarak dhe si njeri jam optimist se shqiptarët dhe ushtarakët do ta gjejnë vetveten. E kanë gjetur kurdoherë. Vetëm se duhet të dalin nga gjendja e mjegullt e nënshtrimit dhe e pajtimit me të keqen e maskuar pas demagogjisë e frazeologjisë, duhet të nxisim më shumë shpirtin e reagimit masiv qytetar, i cili mungon. Shqiptarët dhe ushtarakët e të gjithë brezave duhet t’i japin fund njëherë e përgjithmonë luftës nën flamurin dhe thirrjet e partive. Ky flamur dhe këto thirrje duhet të shtypen nën këmbë njëlloj si flamurët dhe llomotitjet e ushtrive të humbura në betejë. Flamujt dhe thirrjet e partive janë tani flamuj dhe thirrje të njëllojta me atë të piratëve dhe të kusarëve. Janë flamuj jo për të luftuar për zhvillimin ekonomik e social dhe për të gjitha betejat në fushën e progresit të vendit, por simbole për kapjen dhe ndarjen e “plaçkës” së luftës ndërmjet tyre. Nga lufta e piratëve përfitojnë vetëm piratët. Nga lufta e shqiptarëve me partitë do të përfitojnë vetëm shqiptarët. Shenjat e ndërgjegjësimit civil të shqiptarëve ka kohë që po fillojnë të pushtojnë atmosferën. Por ende shqiptarët dhe ushtarakët e të gjithë brezave nuk po arrijnë pjellorinë e nevojshme për të mbërritur në atë pikë kyçe ku të gjithë “të bëhen me një mëndje” për qëllimet e luftës së tyre, sidomos të luftës ekonomike, të luftës për dëgjimin domosdoshmërisht dhe taksatirisht të zërit të zërit të tyre “në çdo vendimmarrje të tyre për shpenzimin e parave të tyre”. Qeveritë dhe partitë në Shqipëri nuk e kanë dëgjuar kurrë popullin dhe qytetarët për atë se ku do të përdoren ose ku do të venë paratë e nxjerra në mënyra korruptive nga xhepi i tyre. Prandaj ka lulëzuar dhe do lulëzojë pirateria dhe kusaria. Po nuk u bënë në një mëndje për qëllimet e tyre ekonomike dhe politike, sidomos për llogaridhënien që duhet të japin autoritetet shtetërore e pushtetare me moton “ku po i përdor paratë dhe pasuritë e mia”, atëherë viti 2016-të do të jetë po si ky dhe si të tjerët para tij. Por, siç duket, piratët dhe kusarët nuk japin kurrë llogari prandaj në këtë moment populli dhe ushtarakët duhet të venë në funksionim një plan tjetër “B”. Ky plan pak a shumë konkretizohet kështu; të nxjerrin një lidership të vetin për t’i udhëheqë për “të ndërprerë çdo punë, për të dalë në qendër të kryeqytetit apo të qyteteve me mijëra dhe të ngulen aty deri sa qeveria kryesore apo vendore të dorëzohet para kërkesave të tyre”. Këtë betejë duhet ta prijnë njerëzit më të mençur të Shqipërisë, më të vendosurit, elita e tyre e lënë pasdore, nga të tëra pushtetet! 
    Sigal