Pëllumb Kulla/ Memorial për artistin martir Kujtim Spahivogli

    454
    Sigal

    Të premten , dt. 20, ora 11:00 në hyrje të qytetit të Fierit zbulohet memoriali i Kujtim Spahivoglit, në vendin, ku ai kaloi disa vite ndëshkues kantieri dhe vetmie. Është një vepër e “Skulptorit të Popullit” Mumtaz Dhrami, sipas propozimit të studentëve të artistit martir, R. Ndrenika, Viktor Zhusti, Leka Bungo, Xhuljeta dhe Pëllumb Kulla, të cilët edhe do të kenë nderin që të marrin në duar kordonin për ta zbuluar . Shumë e shumë kohë më parë, në vitin 1973, në viset e Fierit, që, mjerisht, shihej si vend i mbrapshtë për të jetuar, autoritetet e administratës diktatoriale dërguan për ndëshkim artistin e njohur, regjisorin dhe pedagogun e shquar, themeluesin e shkollës së parë të lartë teatrale  Aleksandër Mojsiu”, Kujtim Spahivoglin. Ishte koha kur diktatori Enver Hoxha, me Plenumin e IV të K.Q të PPSH do të fillonte të ndërmerrte spastrimet dhe goditjet e personaliteteve në fushat e kulturës, ushtrisë dhe ekonomisë. Ata që u vunë në shënjestrën e radhës, ishin më së shumti njerëz të lidhur herët me partinë, me luftën për çlirim dhe rindërtimin e vendit. Paranoja enveriane dërgoi para skuadrave të pushkatimit, burgjeve dhe fushave të internimit, ushtarakë të lartë, ekonomistë, intelektualë të shquar, njerëz që deri atëherë ishin në ballin e nderit. Në këtë fushatë të egër çnjerëzore, buzë lumit Seman, në një kantier ndërtimi u caktua të bënte një punë rraskapitëse një njeri me veti të rralla artistike, një mjeshtër i skenës, një qenie delikate siç ishte pedagogu, aktori dhe regjisori Kujtim Spahivogli. Atë e detyruan të strehohej në një qoshe të një barrake dërrasash dhe të fillonte atje një kalvar mundimesh nën vëzhgimin e autoriteteve lokalë që siguronin eprorët në kryeqytet se ky ishte një dënim mjaftueshëm i rëndë, sipas porosive të ardhura në dosjen që ndiqte viktimën. Ky dënim ishte vërtet i rëndë për një artist që largohej nga fusha e tij e dashur e teatrit, largohej nga klasat dhe nxënësit e tij që e admironin aq shumë. Dhe, për më tepër, Spahivoglit i duhej të rregullohej në një jetesë të vështirë dhe të vetmuar. Familja e tij, deri atëherë e ngrohtë, u shpërbë, sipas normave të kohës. Duhet të theksojmë se Kujtimi vinte nga një familje patriotike me një të kaluar të shquar. Vetë artisti falë talentit dhe konsideratave të shkëlqyera që gëzonte familja, qe dërguar dhe pat kryer studimet në Moskë në një shkollë prestigjoze të artit skenik, me pedagogë nga më të mirët. Aty ai u shqua si njëri nga studentët më shpresëdhënës. Dhe ato shpresa u panë të realizuara plotësisht në praktikën e tij pranë Teatrit Kombëtar (atëherë i quajtur “Popullor”) dhe gjatë mësimdhënies në shkollën, nga patëm fatin të kalonim ne dhe shumë artistë të tjerë me emër. Kjo jetë kantieri rëndohej edhe më shumë nga përbuzja e edukuar kolektive që e rrethoi sa kohë ai jetoi e punoi mes zhavorit dhe betonit buzë lumit Seman dhe në kodrat e Mallakastrës. Ajo vazhdoi të ish e rëndë dhe rraskapitëse edhe kur persekutimi i tij “u lehtësua” duke u shtyrë më tej, në një mësuesi fshati, dhjetëra kilometra larg kryeqytetit, ku edhe pësoi një sërë infarktesh. Vdekja e tij në verën e nxehtë të vitit 1987, mbylli një kapitull të dhimbshëm të një drame njerëzore tipike për kohën. Në këto ditë, plot 40 vjet pas historisë që shtjelluam më lart, studentët e këtij artisti të madh të martirizuar, sollën në vëmendjen e Kryetarit të Bashkisë, së Fierit, z. Baftjar Zeqaj, dhe të anëtarëve të Këshillit Bashkiak të këtij qytetit artdashës, kërkesën e ndjerë, njerëzore, që Kujtim Spahivoglit, në vendin ku vuajti dramën e tij, t’i ngrihet një memorial. Memoriali do të rrezatojë dashurinë e qytetit, dhe të artistëve të tij. Ai do të zgjojë dhe gjenerojë mirënjohjen e qindra ish studentëve të tij, kolegëve artistë, tej e mbanë Shqipërisë për qytetin e mrekullueshëm të Fierit, që shfaq aq shumë shembuj për t’u ndjekur në ruajtjen e vlerave kulturore dhe historike. Memoriali do të jetë një kambanë e ëmbël kujtese për udhëtarët e panumërt që do të udhëtojnë para tij, do të ndalen e do të sjellin në mend kohëra të vështira, njerëz që vuajtën me dinjitet dhe pastaj, vetvetiu, do të kenë rast të vlerësojnë edhe vetë qytetin e Fierit, tashmë mjaft të mirënjohur për dashurinë ndaj artit dhe kulturës.