Pëllumb Kulla/ Demokraci e sëmurë! Bile, e sëmurë rëndë! 

518
Sigal

21 Janari në kalendarin shqiptar, me sa duket, do të mbetet një ditë e turpshme. Në kalendarët e historisë së shqiptarëve ka plot ditë të tjera shumë më të përgjakshme, por kjo është më e përgjakura, më tragjikja nga të tëra, ngaqë shënohet në kalendarin e bardhë të të ashtuquajturës demokraci në familjen e Bashkimit Europian dhe të NATO-s.

Ishte i rëndë dhe i turpshëm 21 Janari i 2011, por gjithsesi më pak i rëndë dhe ca më pak i turpshëm se ky i 2015-s! Para katër vjetësh vrasësit ishin prepotentë të paprekshëm. Ata vranë katër vetë dhe tani që njohim karakterin e pushtetit të tyre akti i tyre kriminal, thjesht, u shtohet historive të përgjakura qeverisëse të botës. Ajo histori e tyre vrastare pasurohet me faktin se as formalisht ata nuk mundën ta mbyllnin kapitullin me gjyqe të stisur dhe me fajtorë nga kundërshtarët. Kësisoj ishin gati të mirëkuptuar, edhe kur fshihnin gjurmët e krimit me filmimet, ndërrimet e tytave, injorimet e prokurorëve…
Edhe 21 Janari i vjetshëm ishte më i kuptueshëm dhe më pak i turpshëm…
Kurse ky i sivjetmi, nuk falet! Krismat, klithmat, vajet sot janë me volum të plotë…
Këtu e në shekujt që vijnë, lule në Shqipëri do të mbillen shumë. Do të ketë plot lule për të mbuluar në bulevard pellgjet e gjakut të njerëzve të vrarë, teksa mbanin duart në xhepa, do të ketë plot lule për të zbukuruar ballin e kësaj demokracie që lëngon!