PD-PS, po i përdorin politikisht ish të përndjekurit, dëmshpërblimi i llogaritur qëllimisht gabim

    402
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Besim Ndregjoni, sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë

    Vazhdon që të përdoret akoma politikisht nga dy format kryesore politike çështja e dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politik si nga partia në pushtet ashtu edhe nga Partia Socialiste. Çdo politizim ndaj çështjes së të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni, sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë e sheh si një përçudnim të dytë ndaj vuajtjeve të kësaj kategorie.

    -Zoti Ndregjoni, para pak ditësh Këshilli i Ministrave ka bërë rillogaritjen e disa dëmshpërblimeve. A është bërë si duhet dhe në kohën e duhur kjo?
    -Unë nuk besoj se ka pasur gabime, por është thjesht ajo pjesë që këto luftojnë si administratë që të zvarrisin dëmshpërblimin politik. Unë nuk e përjashtoj mundësinë që mund të ketë pasur ndonjë gabim në dokumentacione, por më shumë kjo është një skemë për të vonuar dhe për të nxjerrë nxjerrin lloj-lloj justifikimesh për dëmshpërblimet. Por është detyrim ligjor i qeverisë që të zbatoi ligjin e dëmshpërblimit që e ka aprovuar vetë. Fatkeqësisht dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë nuk i ka shpëtuar politizimit të politikës. Politika ka detyrën në bazë të Kushtetutës të zbatoi ligjin në shërbim të komunitetit dhe jo të bëhen politike me një të drejtë kushtetuese të qytetarëve.
    – Çështja e të përndjekurve është përmendur shumë dhe nga kreu i opozitës, Rama. A nuk ju duket se kjo çështje po politizohet akoma më shumë nga kjo forcë politike, pasi në asnjë platformë të tyre elektorale kategoria e ish-të përndjekurve nuk është përmendur?
    -Ju a shtrova dhe më sipër, çdo politizim ndaj çështjes së të përndjekurve politikë është një përçudnim i dytë ndaj vuajtjeve të tyre. Unë e ftoj Edi Ramën të bëjë një plan kombëtare për trajtimin e të përndjekurve politikë dhe jo kur i intereson atij i përmend të përndjekurit. Kur nuk intereson këtij lideri i fyen duke i quajtur frikacakë se u ka hyrë lepuri në barkë se kanë bashkëpunuar me gjermanët, e të tilla përralla.
    -Cilat janë disa nga shqetësimet e shoqatës që ju përfaqësoni, mund të na përmendni disa nga kërkesat që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura?
    -Një ndër shqetësimet më të mëdha është se në kemi bërë kërkesë të ndërtohet një obeliske madhështor në mes të Tiranës, në përkujtim të mijëra të vrarëve e të dënuarve politikë dhe nga qeveria e Bashkia e Tiranës ka vetëm heshtje. Janë 4500 familje të vrara me gjyq e pa gjyq, që nuk u janë gjetur eshtrat, dhe vazhdon heshtja demagogjike e politikës. Një tjetër kërkesë e jona është dënimi i krimit komunist 50- vjeçar.