PD: Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, fundi i parlamentarizmit

467
Në seancën e kaluar ku maxhoranca në abuzim të plotë të pushtetit, rrëzoi kërkesën e PD për të çuar para drejtësisë dy deputetë të cilët dyshohen se kanë përfituar fonde publike, është akti më i rëndë, pas mbajtjes dhe futjes në parlament të deputetëve me rekorde të tmerrshme kriminale. Injorimi me arrogancë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nuk i lë asnjë hapësirë Parlamentit, por kërkon që të gjithë deputetët që dyshohen se kanë përfituar fonde publike të shkojnë para drejtësisë, është padyshim grusht shteti ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe është një fund i parlamentarizmit dhe funksionimit të një demokracie parlamentare.
Abuzimi me pushtetin duke mbrojtur një vit më parë deputetin Kokëdhima na detyroi që ti drejtohemi Gjykatës Kushtetuese duke e pyetur, në interpretim të Kushtetutës. Se çfarë ndodh kur Kryeministri mbron deputetët kur akuzohen për marrje fondesh me leje të tij? Çfarë ndodh me deputetët që marrin para me leje të kryeministrit? A bëhen të paprekshëm për drejtësinë se kryeministri nuk i lëshon, nuk ia dërgon drejtësisë? Pa asnjë më të voglin dyshim mburoja kryeministrore për deputetët për t’i bërë të paprekshëm është abuzive, është vrastare për Kushtetutën, është vrastare për shtetin ligjor, është vrastare për demokracinë, për parlamentin, dhe pa dyshim për Gjykatën Kushtetuese.
Qeveria që qeveris jashtë normave dhe kornizave ligjore dhe kushtetuese, është tirani. Shkruhet kështu në kështu në muret e Kongresit Amerikan. Një qeveri që e bën zero Gjykatën Kushtetuese e injoron me arrogancë atë, nuk ka asnjë sjellje tjetër përveçse një sjellje prej grushti shteti. Prania e opozitës brenda parlamentit, është elementi më i rëndësishëm për një demokraci funksionale. Detyra e opozitës është të sigurojë transparencën në vendimmarrjen politike. Ndaj pyetëm Gjykatën Kushtetuese. Çfarë ndodh kur kryeministri me arrogancë kërkon ti mbrojë e ti bëjë të paprekshëm deputetët e tij kur ata dyshohen se kanë abuzuar me fonde publike. Gjykata Kushtetuese, një vit më vonë, pak muaj më parë, foli dhe nxori këtë vendim. Vendimi nr. 7, dt. 24.02.2006, që flet për z.Kokëdhima por bën edhe interpretimin e Kushtetutës, gjë që sipas Kushtetutës është e njëjtë me normën Kushtetuese. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është kthyer në normë kushtetuese. Dhe ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, thotë se Kryeministri, maxhoranca nuk mund të bëhet mburojë. Nuk mund ti kthejë deputetët në të paprekshëm ndaj sistemit të drejtësisë. Detyra e opozitës, thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në paragrafin 13 të tij është të bëjë transparencë për procesin e qeverisë. Detyra e opozitës është të kërkojë llogari. Detyra e opozitës është të bëjë denoncime. Për denoncimet e opozitës nuk është maxhoranca që vendos, është drejtësia. Këtë thotë Gjykata Kushtetuese.
Në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ishte një nga tre pikat për të cilat u bë marrëveshja e 24 dhjetorit. Dhe ja ku është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili u injorua dhe u shkel me arrogancë vetëm e vetëm për të mbrojtur nga drejtësia të paprekshmit, ata që kanë përfituar fonde publike me leje personale të kryeministrit dhe duke ushtruar pushtetin e shumicës.
Sigal