Pazare me lekët e shtetit, në akset e shkatërruara rrugore

    49
    Një marifet i zakonshëm, që ndodh shpesh me firmat apo më mirë me asistentët e firmave të ndërtimit të rrugëve, ka nisur të ndodhë së fundi edhe në Elbasan. Ata që prej 8 muajsh kanë nisur dhe shkatërruar aksin rrugor Elbasan-Cërrik-Banjë, së fundi duket se po bien në ujdi me banorët e indinjuar, duke u premtuar atyre “punime dhe ndërtime me paratë dhe materialet e firmës”, kundrejt një vlere të caktuar. Kështu sipas banorëve të zonave nga “Ura e Shkumbinit” dhe deri në Shirgjan, “punonjësit e firmës na kanë ofruar punime të ndryshme që ne kemi në banesat tona, sipas një pazari që finalizohet pas ujdirave tona. Kështu janë avllitë për 200 euro, garazhet për 250 euro, kolonat e portave kryesore të derdhura me beton 150 euro, si dhe punime të tjera gjithmonë, duke paguar me euro ose para në dorë”. Pra punonjësit e firmave të ndërtimit, bëjnë sikur punojnë për ndërtimin e rrugës, larg syve dhe vëmendjes së pronarëve dhe bëjnë pazare me paratë e shtetit, duke kryer punime me goxha leverdi. 

    Një skandal i paparë

    Prej disa javësh mjetet dhe punonjësit e firmave ndërtuese, nuk merren fare me punimet dhe rrugën e shkatërruar nga mjetet e tyre të rënda, nuk merren me trotuaret që mungojnë dhe që po thyejnë kokën banorët natën, por merren me pazare të pista. Banorët e lagjes “Shën-Koll”, Mjeksit, Kuqanit, Shirgjanit dhe Cërrikut, u shprehën se “problematike mbetet rruga, por duke parë që lajmet na vijnë, se, ajo do të mbarojë vitin tjetër kur të ofrojnë votimet, ne po shfrytëzojmë hekurin, çimenton, mjetet dhe fuqinë punëtore, për të mbaruar ndonjë punë që kemi, por jo badihava, por duke dhënë para në dorë”. Dhe të mendosh se aksi rrugor Elbasan-Cërrik rrihet çdo ditë nga afro 15 mijë automjete të lehta dhe të rënda, ndërkohë që firmat ndërtuese, kanë lënë “mëkëmbës” në terren, njerëz që mbushin xhepat me para nga shitja e hekurit, betonit dhe materialeve të tjera, duke kryer punime tek banesat e banorëve. 

    Abuzim me paratë e shtetit

    Gjithçka përbën shkelje ligjore, një abuzim të pastër me paratë e dhëna nga buxheti i shtetit, para të taksapaguesve shqiptarë për të ndërtuar rrugët dhe jo avllitë, garazhet, hauret dhe portat e banorëve. Ky skandal dhe gjithçka që po ngjet në terren, i është raportuar edhe drejtuesve të firmave të ndërtimit, por edhe kreut të ARRSH dhe kreut të Ministrisë së Transporteve (MT), por deri sot nuk ka pasur asnjë reagim konkret përderisa gjithçka vazhdon normalisht. Pothuajse shumica e banorëve nga ku kalon rruga e re, po kryejnë punimet e tyre të lëna përgjysmë, ose të nisura me rastin e ardhjes pranë tyre të një firme private, e cila ka sjellë në terren materiale të bollshme ndërtimi. Madje banorët thonë se “edhe kontratat e lidhura qysh më parë me ndonjë grup specialistësh ndërtimi të zonës, i kemi anuluar, pasi na është gjendur firma, na i kryen edhe më lirë edhe më shpejt punimet”. Mjafton të kalosh nga ai aks rrugor i degraduar dhe do të shikosh mjetet dhe punëtorët e firmës, tek punojnë deri orët e vona të pasdites në banesat e lagjes, dhe jo tek fronti punës, për të cilin firma i paguan. Ndaj mbetet detyrë urgjente e strukturave ligjore të shtetit t’i thonë ndal abuzuesve të terrenit me paratë dhe mallin e firmave ndërtuese, mbetet detyrë urgjente ndëshkimi i çdo pazarxhiu, që ka tentuar dhe po tenton të derdhë betonin dhe shtrojë hekurin e rrugës në banesat dhe objektet e tjera që ndodhen jashtë projektit të zbatimit. Asnjë justifikim nuk ka për abuzuesit, për ata që mundohen të marrin rroga shtesë, veç asaj që i paguan firma, duke shitur materialet e saj ditën me diell. Kjo situatë ka ardhur edhe si pasojë e heshtjes që kanë treguar dhe tregojnë akoma ARRSH dhe MT, lidhur me kërkesën e banorëve, bashkive Elbasan dhe Cërrik, si dhe bizneseve për të ndërtuar sa më parë këtë aks nacional, i cili u nis me bujë duke deklaruar se “janari 2016 ishte afati fundit i mbarimit të lotit të parë”. 
    Alma Jonuzi