Patenta pa kurs për 1200 “shoferë”

    521
    Sigal

    Pronarët e autoshkollave: Mjaft persona që ndodhen jashtë shtetit marrin dokumentin, kurse formale. Qarkullimi Rrugor dhe Prokuroria nisin hetimet

    Aksidentet e shumta si dhe incidentet e shpeshta me pronarë automjetesh, duket se kanë qenë shkaku i zbulimit të një fenomeni që më tepër se i tillë mund të përbëjë skandal me patentat e dhëna për vite me radhë në shkallë qarku në Durrës. Kështu, sipas statistikave, zona e Kavajës, Durrësit, dhe Krujës, llogariten të kenë numrin relativisht të madh të aksidenteve për muajt e fundit, duke lënë shteg për specialistët e Qarkullimit Rrugor dhe prokurorët, për të ngritur një grup hetimor, që do të verifikojë procedurat e dhënies së patentave nga komisionet përkatëse. Shpesh komisionet e dhënies së patentave janë vënë jo vetëm nën pëshpëritjet dhe thashethemet, por edhe akuzat direkte nga qytetarë, që deklarojnë se: “kemi paguar për të marrë patentën, kemi paguar për të marrë dokumentin”, duke ngritur pikëpyetjet e shumta pas aksidenteve edhe për specialistët e Qarkullimit Rrugor. Sipas statistikave për vitin 2013 dhe muajt e parë të 2014, Durrësi, Kruja dhe Kavaja, llogariten të kenë rritje të aksidenteve me pasojë jete dhe gjymtime të tjera, ç’ka e bën të besueshëm faktin se, shkaku fillon dhe mbaron tek format dhe procedurat e marrjes së një patente, kur nga vetë pronarët e autoshkollave deklarohet se: “Mjaft persona ndodhen jashtë shtetit dhe marrin dokumentin“ apo kur kurset dhe praktika, por edhe teoria zhvillohen fare formalisht, ose nuk bëhen fare. Gjithë kjo rezyme e zymtë e mbushur me fakte dhe aksidente të shumta nga shoferë që vetëm të tillë nuk janë, ka detyruar Qarkullimin Rrugor të kërkojë bashkëpunimin me organet e hetimit për të verifikuar jo pak, por rreth 1200 patenta, duke mos hezituar të marrin në ndjekje penale cilindo që ka abuzuar prej vitesh me dhënien e tyre. Sipas specialistëve, ky fenomen skandaloz e ka zanafillën prej vitesh. Kurse ekspertët e Qarkullimit Rrugor u shprehën se: “masat tona janë radikale, duke bllokuar cilindo që shkel rregullat e trafikut, por vërejmë me keqardhje se qindra persona e zbulojnë veten e tyre, zbulojnë mangësitë e aftësive të munguara pasi ecin keq, shkelin rregulloren, bllokohen nga ne sipas afateve 3 deri në 6 muaj apo edhe me 1 vit, por kjo nuk është efikase, po qe se nuk kryhet me kompetencë dhe profesionalizëm kursi për çdo kursant, teoria dhe praktika, dhe nuk eliminohet procedura korruptive në komisionet e testimit”. Rrugorët deri para pak vitesh, kishin komisionin e tyre, madje ishin ata që vlerësonin se cili do të merrte patentë, dhe cili jo. Sipas specialistëve të trafikut rrugor, dikasteri përkatës duhet të ndërhyjë ligjërisht dhe të rikthejë edhe njëherë të drejtën e Qarkullimit Rrugor të vlerësojë dhe kryesojë komisionin e dhënies së patentave, ose të kenë përfaqësuesin e tyre, pavarësisht se, ky shërbim është bërë monopol i atyre që vjelin të ardhurat nga ky biznes. Mendojmë, thonë specialistët ,që të testet të korrigjohen paralelisht edhe nga transporti edhe nga Policia Rrugore. Ose të ketë një komision miks. Kjo padyshim do të vendoste rregullin dhe vlerësimin për cilindo kursant, madje duke vendosur si kriter veç drejtuesve të autoshkollave, edhe për kursantin për ta patur të detyrueshme shkollën e mesme. Me këtë rast, edhe niveli kulturor dhe arsimor i vetë individëve dhe shoqërisë rritet në kuota maksimale. Por le t’i kthehemi nisjes së  hetimeve, i cili ka qenë propozim i një grupi të specialistëve të trafikut rrugor dhe kriminalistikës, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësive ligjore dhe shkaktarin e aksidenteve të shumta rrugore në Qarkun e Durrësit. Shpejtësia e madhe, shkelja e rregullave të qarkullimit, semaforit dhe sinjalistikës, pija alkoolike e narkotike, mungesa e elementare e edukatës së ecjes me automjet, si dhe deklaratat e lëshuara nga të gjymtuarit dhe të afërmit e viktimave, duket se do të jenë në arkivin e hetimeve nga Qarkullimi Rrugor dhe organeve të specializuara të hetimit të Durrësit për patentat e lëshuara në 3 vitet e fundit. Ky fenomen i shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, sidomos në ato me trafik të ngjeshur nga veriu në jug të vendit, ka stimuluar korrupsionin e komisioneve të dhënies së patentave, duke majmur xhepat, por nga ana tjetër, duke shënuan çdo ditë viktima nga aksidentet e shumta.