Pasuria kostumografike dhe magjia e polifonisë femërore të Tërbaçit

940
Kostumi folklorik i vajzave të Tërbaçit si identitet shpirtëror, jo material por edhe material në Labëri dhe në hapësira më tej
Nga MSc. Albert HABAZAJ, studiues i etnologjisë dhe folklorit
Kostumet tradicionale të femrës tërbaçiote. Dikur, (botimet enciklopedike dhe ato historike lokale përmendin shekullin XVII), sipas traditës së vendit, gratë e Tërbaçit “kanë mbajtur fustan të gjatë të bardhë ose kafe, deri te qafat e këmbëve. Për nuset fustan i kuq, vajzat zakonisht të bardhë. Mbanin pallto leshi pa ose me mënga, që i thoshin xhoke, futë leshi, shami të ngjyera në bojë të kuqe, të verdhë për të rejat dhe me ngjyrë kafe ose të zezë për të moshuarat. Çorape leshi të gjata deri afër gjurit, të qëndisura me ngjyra të ndryshme, opinga prej lëkure ose këpucë me xhufka në majë, jelekët i qëndisnin me gajtane me ar, dhe i mbërthenin me folla prej argjendi ose bronzi. Në vesh mbanin vathë të mëdhenj prej argjendi, ndërsa vajzat mbanin nga një fill dhe një rruazë… Nga fundi i shekullit XVIII, veshja për gratë ndryshoi, dhe në vend të fustaneve të gjatë u përdorën çitjane ose tumane [ndikim i kulturës fetare islame, importuar e diktuar nga pushuesit osmanë. Shën. im, A.H]. Nga fillimi i shekullit XX filloi të përdorej veshja më e moderuar, sidomos nga burrat” [shih historikun e fshatit “Tërbaçi në rrjedhat e kohës”, Tiranë, Toena, 1997, f. 23]. Xhokja ishte veshja e sipërme dhe e trashë prej shajaku për gra e për burra, pa mëngë ose me gjysma mëngësh a me mëngë të gjata të hedhura prapa, që shkonte deri në brez dhe që kishte zakonisht një pjesë me thekë prapa, e cila hidhej mbi kokë. Përdoreshin xhokë e bardhë (e zezë) dhe xhokë me thekë (me xhufka). 
Kostumi i sotëm folklorik i Grupit të Vajzave të Tërbaçit përbëhet nga: 
1. Fundi, i shkëputur nga polka, punuar me material atllas me pala, (pëlhurë e mëndafshtë, e lëmuar dhe me shkëlqim nga njëra anë) me ngjyrë të kuqe, i gjatë deri në fund të këmbëve; 

2. Polka, me ngjyrë mente, pak a shumë si modeli i vjetër, me jakë si jakë marinari; (emri i kësaj veshjeje nuk ka të bëjë me vallen me ritëm të gjallë e të shpejtë, që kërcehet me masën prej dy kohësh dhe muzikën për këtë valle); 

3. Jeleku, me material shajak i zi (që zëvendësoi xhokën), me qëndisje e stolisur me ornamente dekorative zbukuruese, mbërthyer me kapëse; 

4. Shamia, me material mëndafsh i hollë, një mente e lehtë, e dashur, jo e rëndë, e ëmbël.

Është respektuar tradita, duke futur ngjyrën e kuqe, kombinuar me ngjyrën e zezë, nga që janë ngjyrat simbolike të kombit shqiptar, (si pjesëz e së tërës edhe të Tërbaçit). 
Pasuria e polifonisë femërore të Tërbaçit 
Historia e polifonisë femërore të Tërbaçit është ndër thesaret e kulturës sonë, ajo mori jetë nga veprimtaria e një grupi grash të përkushtuara, me sedër të shëndoshë për shpirtin e vendlindjes, që vendosën me forcat e tyre të përgatiteshin seriozisht për këtë mision. Pasi u konsolidua grupi dhe mori formën e plotë, të pakthyeshme e të patjetërsueshme, menduan, diskutuan, pyetën dhe projektuan udhëtimin e tyre polifonik në rrugën e madhe, të gjatë, të gjerë e të vështirë të folklorit.

Në këtë rrafsh, është ruajtur paradigma folklorike novatore e Kujtim Micit, (sinonimit të folklorit, kulturës dhe arsimit në Tërbaç). Njëra nga këngët më të njohura të Krijuesit tonë ka dhe këto vargje sintezë të lirikës elegjiake, me të cilat nëna tërbaçiote i këndon me vaj e ligjërime djalit të rënë për liri: “Unë shaminë e zezë/ e preva shqiponjë./Ja qepa flamurit/ shokëve t’ua dërgojë…”. Ne ndjekim modelin e Kujtim Micit, sepse është treguar konsekuent në vijën kombëtare të vargut vigan, melodive (muzikës), veshjes karakteristike, mbi traditën më të mirë të parëve. Realizimi material i kostumeve ka si bazë nisje dhe plotësimi metaforën “Shqipëri, nuse bregdeti”, që është lajtmotivi poetik i këngëve të Krijuesit të fuqishëm artistikisht dhe vizionar. Fustani i kuq dhe i gjatë i nuses këngëtare, sot është rezonim i harmonishëm i traditës së njohur, së paku, qysh nga shek. XVII me risitë bashkëkohore, aq të hijshme, tërë dritë e shkëlqim dhe pa teprime. Kostumi etno-folk u soll në kohë si harmonizim i bukur i traditës me kohën që jetojmë. Kështu realizojmë ruajtjen e pastër dhe çuarjen më tej të traditës, kësaj pasurie të mirë e përparimtare materiale popullore, angazhim ky i përgjithmonshëm i grupit të vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” nga Presidenti i Republikës. Në grup ka gra, nëna e gjyshe, që mbajnë mend ç’u kanë thënë e ç’kanë veshur nënat e gjyshe tyre në dasma, gëzime e ceremoni festive, që kanë edhe përvojën e tyre, krijuar në vite, të paktën, qysh nga vitet 1967-1969, që ka fillesat ky grup, atëherë fatosa e pioniere të shkollës 8 vjeçare “Halim Xhelo” Tërbaç (ende në Gryka), syth i grupit të grave me Hadixhe Hodon dhe më përpara. Gjykojmë se kostumi është identiteti shpirtëror, jo material, por edhe material i banorëve përkatës që jetojnë në territore, vendbanime konkrete. Ky kostum i polifonisë femërore të Tërbaçit mbështetet mbi veshje e traditës më simbolike, prurë më të moderuara; për të qenë më në kohë, siç janë limitet e gjatësisë apo aksesorët mbi jelek dhe këmishë. Këto vajza labe, bija e nuse tërbaçiote, nëna e gjyshe të bekuara, me shpirt të madh sa deti, me sedër profesionale e kombëtare për vendlindjen, të lartë sa Çika tej, mbi ballë të Tërbaçit tonë, po bëjnë një jetë aktive folklorike, nga ku mund të shënojmë vetëm disa nga paraqitjet e tyre për kënaqësinë e tyre dhe të komunitetit ku banojnë në rrafshin e vlerave humane, artistike, estetike, emancipuese, morale e kombëtare, me dinjitet, nga të cilat mund të përmendim: ato në vendlindje, (gusht 2016); në Teatrin “Petro Marko”, për festat e nëntorit vitin e kaluar; në veprimtarinë atdhetare-kulturore, të shoqatës “Labëria”; për ditëlindjen e Nermin Vlora Falaschi në 18 prill 2017; në Presidencë, me rastin e vlerësimit të tyre me dekoratën “Naim Frashëri” (19 qershor 2017); në veprimtarinë e bukur për ish-mësuesin e tyre, studiuesin e njohur të etnokulturës Llambro Hysi Kallarati (4 gusht 2017), në Universitetin “Ismail Qemali” për Manifestimin poetik në Vlorë “100 mijë poetë të botës për ndryshim pozitiv” (23 shtator 2017); këto ditë, po në Teatrin “Petro Marko” për nderimin e 75 vjetorit të rënies së katër heronjve të Topanasë: Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Barjam Tushi e Hiqmet Buzi (15 vjeçari i përjetshëm). Pjesëmarrësit janë mrekulluar nga dhjetë Miro Tërbaçet e këngës e të valles labe. Për këtë dinjitet artistik e njerëzor, për sakrificat, vullnetarizmin dhe solidaritetin e tyre për hir të Tërbaçit tonë, vendlindjes apo vendorigjinës së përbashkët, edhe publikisht, nëpërmjet gazetës “Telegraf” po shprehem i kënaqur: “Faleminderit motrat e mia të përkushtuara, artiste në shpirt si ju, dinjitoze!”. E dinë ato vlerësimin dhe shqetësimin tim, pa kaluar në vetëkënaqësi. Meraku i tyre ka qenë dhe është paraqitja sa më dinjitoze para publikut që e pranon dhe pëlqen këngën dhe vallen e tyre. Jo vetëm teksti poetik i këngës a valles së kënduar, jo vetëm melodia (muzika) apo vallëzimi popullor me tekst të kënduar sipas ritmit dhe variantit me një apo tri këmbë (hapa), mbështetur te tradita, krahas mjedisit, kohës dhe hapësirës së praktikimit, por sidomos veshja popullore, kostumi folklorik kombëtar, pasurimi i tij mbi bazën e modelit tradicional ishte dhe ngelet në vijimësi një nga objektivat kryesore të Grupit. Dhe më pak se një vit mbas riformatimit, pranverën e vitit 2017, grupi e plotësoi kostumin mbi bazën e traditës, me një veshje të re për grupin, por shumë e rëndësishme në përdorim nga nënat, gjyshet e stërgjyshet, me xhokën. Synimi është i qartë për të dhjeta artistet tona: që kostumi folklorik të pasurohet vijimësisht nga ana estetike, për të qenë sa më i bukur, i hijshëm, për t’u pranuar dhe pëlqyer nga komuniteti. Ndërkohë ndjejmë detyrim moral ndaj dashamirësve bujarë, që tregojnë fisnikërinë e tyre modeste ndaj grupit tonë “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Sinqerisht e me shpirt u themi faleminderit dhe u shprehim mirënjohjen dy ndër adhuruesve të nderuar të pasurisë folklorike të trevës sonë. Asnjë lloj interesi material e moral, apo mbështetje të çfarëdo lloji nuk patën e s’kanë Ilir Fejzo Rrapaj, (vëllai i këngëtares Liljana Rrapaj Kapo) apo Eldira Kujtim Shkurtaj (studente, vajza e këngëtares së grupit Liri Gaçe Shkurtaj), për mbështetjen financiare që i bënë grupit tonë. Ndihma e tyre e virtytshme i frymëzoi, i motivoi vajzat e Grupit, u dha forcë e besim, që mos të gremisen në honet e dëshpërimit, të demoralizimit dhe të mosmirënjohjes për këtë punë humane, sa artistike aq atdhetare. Sponsorizimi i tyre modest vlen edhe për pasurimin e kostumografisë, se ato gjithçka e bëjnë me mundësitë e tyre të pakta financiare dhe sakrificat e mëdha. Ndihma e tyre i motivon, që të arrijnë synimet e larta që i kanë vënë vetes si grup për cilësinë artistike dhe pasurimin kostumografik. Nderim për të gjithë miqtë e adhuruesit e Grupit, por ne nuk harrojmë thënien e madhe të shkodranit: “Me t’hy vedi në qef”…, se gremisemi pastaj, e, në sotmëri e kësi rastesh, s’besoj se ta jep kush dorën më, nga që kanë punë njerëzit… 
Sigal