Pasojat e ‘Ligjit të Xhibalit’ në Shqipëri

562
Sigal

Prof. Dr. Lush SUSAJ

Në kuadrin e përpjekjeve të mëdha të Perandorisë Osmane për të nënshtruar e mashtruar shqiptarët, në vitin 1856, është shpallur dhe ka nisur implementimi i të ashtuquajturit “Ligji i Xhibalit” që gjoja do të “rregullonte” marrëdhëniet midis Portës së Lartë dhe malësorëve të Shqipërisë. Ligji i xhibalit ka qenë një ligj degradues, korruptues dhe tërësisht në shërbim të pushtuesve dhe veglave të tyre antishqiptare. Sipas këtij ligji, bajraku-si një funksion administrativ i sajuar nga vetë pushtuesit osmanë e që në vendet e rajonit ishte zhdukur me kohë, në Shqipëri u zhvillua edhe më shumë duke u fuqizuar me kompetenca të reja e të gjithanshme. Për të përçarë banorët dhe për të reduktuar reagimet dhe lëvizjet e tyre antipushtuese, për bajraqet dhe burokratët e malësive të vendit u paracaktua edhe një pagë e mirë mujore që, për fat të keq, ka funksionuar edhe gjatë periudhës së Zogut, e që duket se është ringjallur aq shumë edhe në këto 28 vite të mbushura me kolltukofagë e dështime ekonomike, institucionale e administrative.

Me Ligjin e Xhibalit, bajraktarëve dhe funksionarëve të tjerë të kësaj strukture otomane, iu dha mundësia që të pasuroheshin në mënyrë të shpejtë përmes gjobave arbitrare që mbajtësit e myhyrit e të vulave otomane vendosnin ndaj të gjithë atyre që binin në grackën e rregullave të Xhibalit. Me ligjet dhe strukturat e reja të periudhës së Tanzimatit, dënimet hakmarrëse shkonin deri atje, ku fiset dhe familjet e patriotëve të padëshiruar për sundimtarët dhe administratën otomane, mund të internoheshin nga fshati apo krahina për në Anadoll apo në vendet e tjera të largëta të ish-perandorisë e deri dhe mund të sekuestroheshin apo vriteshin në prita e ngjarje mafioze. Në këtë mënyrë, përmes padrejtësive, vrasjeve, vjedhjeve, korrupsionit dhe tronditjes së vazhdueshme të popullsisë, është shkatërruar me kohë struktura historike e unitetit, bashkimit dhe qëndresës së shqiptarëve. Kështu është shkatërruar besimi tek mundësia për të mundur të keqen që vjen nga apatia dhe mosreagimi individual e shoqëror ndaj së keqes. Ligji i Xhibalit dhe e gjithë paketa e reformave të Tanzimatit dhe më vonë dhe ajo e xhonturqëve, vetëm sa e ka rënduar dhe përkeqësuar pozicionin dhe jetën e shqiptarëve dhe të malësorëve të veçanti. Kjo për shkak se në vend të veprimit progresist dhe zgjidhjeve që kërkonte koha dhe interesi politik e shtetëror i shqiptarëve, pushteti otoman hartoi dhe implementoi të tilla ligje dhe sjellje shtetërore antishqiptare që goditën dhe përkeqësuan traditën, trashëgiminë, territorin dhe strukturat historike të popullsisë së vendit. Në përgjithësi, të gjitha reformat turke të periudhës së Tanzimatit (1839-1876), vetëm sa e kanë përkeqësuar edhe më shumë gjendjen ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve, sepse ato synonin të forconin pozicionin e tronditur të Perandorisë Osmane, madje ka qenë përpjekja e fundit e osmanëve për ta ngjallur dhe ruajtur këtë perandori të konsumuar nga pushtimet e gjata dhe nga lëvizjet çlirimtare të kombeve të pushtuara e të shtypura prej saj. Përmes ligjit të Xhibalit, u përkeqësuan edhe më shumë të drejtat dhe liritë e popullsisë që tashmë detyroheshin të shkonin edhe nizamë në ushtrinë e rregullt osmane për një periudhë që shkonte nga 3 deri në 7 vjet. Deli Pjetër Imeri, një nga më jetëgjatët e krahinës, ka qenë njëri nga të rekrutuarit e shumtë të Nikaj Mërturit që ka marrë pjesë në kampet e ushtrisë osmane dhe në luftërat e zhvilluara nga Anadolli e deri në Rusi. Ai së bashku me disa djem të tjerë nga Currajt dhe Mulajt, kanë qenë nizamët e fundit që arritën të ktheheshin shëndoshë e mire pranë familjeve të tyre. Në Nikaj-Mërtur, burrat e vëllazërisë së Qokajve të Currajve të Epërm, tregojnë për një plak të urtë të tyre, që në atë periudhë kishte pasur një djalë të fuqishëm por dembel. Baba e kishte nemun (mallkuar) djalin e tij duke i thënë: “çohu e shko në punë, he të çoftë Zoti përtej Stambollit!”. Në një ditë të bukur, ia marrin djalin nizam dhe si për koincidencë ia dërgojnë me shërbim rreth 20 ditë rrugë përtej Stambollit. Kjo e mërziti shumë plakun e Qokajve, i cili në një takim me njerëzit e tij, me që besonte shumë në Zot e tek mallkimet, iu tha atyre: “djalin e zu mallkimi që i dhashë, por do më kthehet shëndoshë e mirë, sepse i kam thënë: Të çoftë Zoti përtej Stambollit e të ktheftë shëndoshë e me të tjera mend tek shtëpia jote”. Kështu ndodhi, pas shtatë viteve në ushtri, djali iu kthye shëndoshë e mirë, por më i burrëruar, më i urtësuar dhe më punëtor. Gjatë zbatimit të Ligjit të Xhibalit, liria dhe të drejtat e njeriut në malësi dhe kudo tjetër në Shqipëri u përkeqësuan edhe më shumë, për shkak se Perandoria Osmane, u bë edhe më brutale me shqiptarët, u bë edhe më e egër dhe më e angazhuar për të shkatërruar e fshirë çdo lloj identiteti e trashëgimie shqiptare në Rajon. Puna shkoi deri në atë pikë sa administrata osmane shprehej hapur se nuk e njihte dhe as nuk e pranonte më, as ekzistencën e gjuhës shqipe dhe as kombit shqiptar. Duhet kujtuar fakti se, kjo sjellje ndaj identitetit, gjuhës dhe kombësisë sonë, në mënyrë të përhershme iu ka leverdisur më së miri interesave të zgjerimit të shteteve fqinje që përfituan jo pak nga zgjerimi i tyre me territore dhe me popullsi shqiptare. Gjatë periudhës së implementimit të reformave të Tanzimatit dhe Ligjit të Xhibalit në veçanti, opinionet dhe kundërshtitë e shqiptarëve dhe malësorëve në veçanti, jo vetëm që nuk u dëgjuan, por janë ndëshkuar ashpër, me shpatë e me dorë të hekurt. Në këtë situatë të vështirë ka ndikuar edhe fakti që në kushtet e shpërbërjes së Perandorisë Osmane, ndryshe nga kombet e tjera, elita shqiptare e ndryshuar dhe e dhunuar për vite me radhë, nuk e pati as kurajën dhe as kthjelltësinë e duhur politike e shoqërore mbi të ardhmen e vendit dhe të shtetit kombëtar. Për pasojë edhe zgjimi ynë kombëtar dhe vetë lëvizjet dhe betejat çlirimtare, krahasuar me vendet e tjera të Rajonit, qenë shumë të vonuara, të paorganizuara, të përçara e të pa orientuara në zgjidhjet themelore dhe afatgjata të çështjes shqiptare. Në këtë periudhë të rëndë historike të njohur si periudha e Tanzimatit dhe zbatimit të Ligjit të Xhibalit dhe asaj të xhonturqve, një pjesë e madhe e elitës politike që kishte lindur dhe ishte rritur në Stamboll, nuk lanë gjë pa bërë për eliminimin e çdo personazhi apo projekti të elitës së mirëfilltë evropiane. Në këtë periudhë të zezë, janë vrarë e syrgjynosur mbi 2000 intelektualë me prirje, veprimtari dhe formim të mirëfilltë evropian. Praktika e eliminimit, mërzitjes dhe dëbimit të elitave, është përdorur edhe më vonë nga Zogu, edhe më pas nga komunistët, madje në një mënyrë shumë tinëzare, mërzitja, dëbimi dhe goditja ndaj elitave progresiste është përdorur edhe në këto 28 vite me qeverisje dhe demokraci hibride, kolltukofagësh me sjellje antivlerë dhe antikulturë, ka një parim bazë sipas të cilit, sa më shumë që të abuzosh e të vjedhësh, sa më i dhunshëm që të jesh, sa më hipokrit, mashtrues e sharlatan që të bëhesh, aq më lart e më shpejt do të mund të ngjitësh shkallët në administratën dhe në institucionet e vendit, aq më shpejt do të pasurohesh dhe aq më shumë do të duartrokitesh.