Pas vizitës në Shqipëri – Kreu i Antimafias italiane: Shqiptarët të dytët në botë për drogat e lehta

    73
    Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias e Antiterrorizmit italian Franco Roberti në një intervistë të dhënë sot për të përditshmen italiane “La Repubblica” është shprehur se “pas amerikano-jugorëve, shqiptarët janë komisionerët më të mirë të drogave të lehta në botë.”

    I pyetur mbi ngjarjet e rënda të ndodhura gjatë ditëve të fundit në provincën e Foxhias, mes të cilave zjarri i qëllimshëm në një kamp emigrantësh, i vënë nën hetim nga prokuroria si vend lidhje me aktivitetin e grupeve krminale apo sulmi me armë ndaj forcat të policisë në qytezën San Severo, nga persona të lidhur me krimin, Prokurori Roberti u shpreh se “në Foxhia ekziston një mafia e vërtetë që merret me trafikun e drogës, e grabitjet me armë”.

    “Foxhanët, tha ai, janë liderët e trafikut të lëndëve narkotike në Itali, falë raportit të priviliegjuar që kanë me shqiptarët, të cilët pas amerikano-jugorëve që janë të parët, janë komisionerët me të mirë të drogave të lehta në botë.”

    Mbi lidhjet e mafias së Foxhias me grupet kriminale shqiptare si dhe duke iu referuar vizitës së tij të fundit në Shqipëri, Prokurori i Përgjithshëm i antimafias italiane u shpreh se “jo më kot javën e kaluar isha për vizitë në Shqipëri i shoqëruar me prokurorin e Barit Giuseppe Volpe i cili po drejton një luftë të shkëlqyer kundër aktivitetit te grupeve kriminale në Foxhia si dhe me prokurorin e Lecces e Katanzaros, Nicola Gratteri.”

    “Nga autoritetet shqiptare, tha ai, kërkuam vigjelencë më të madhe e një shkëmbim informacioni më të shtrënguar, pasi nga ky trafik rrjedhin para të mëdha që më pas investohen në ekonominë legale, në rajonin e Puglias dhe në Itali.”

    Përsa i përket numrit të madh të armëve ilegale të përdorura nga grupet kriminale, Franco Roberti tha se “ata përdorin armë e municione lufte”.

    Në territorin e provincës së Foxhias autoritetet italiane kanë sekuestruar “armë që vinin nga ish-Jugosllavia madje dhe “bazooka” (raketa anti-tanke të përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore).”