Pas 15 gushtit fillon dëmshpërblimi për të pushkatuarit pa gjyq, procedurat që duhen ndjekur

    429
    Sigal

    INTERVISTA/Flet kreu i Institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, për shpërndarjen e dëmshpërblimeve

    Pas datës 15 gusht do të fillojë procedura për shpërndarjen e dëmshpërblimit për kategorinë e të pushkatuarve pa gjyq. Një fakt të tillë e bën të ditur në një intervistë për gazetën “Telegraf”, kreu i Institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka. Sipas tij, trashëgimtarët e të pushkatuarve pa gjyq që do të kenë emrat në listë duhet të interesohen për të plotësuar procedurat dhe më pas të marrin masën e dëmshpërblimit. Përsa i përket kategorisë së 85- vjeçarëve zoti Miraka është shprehur se është përgatitur një projektligj dhe në sesionin e ri parlamentar do të kalojë në Parlament.

     -Zoti Miraka, si po shkojnë procedurat për shpërndarjen e kësteve për të përndjekurit politikë?

    Ju jeni në dijeni që shpërndarja e kësteve ka filluar në muajin mars. Atëherë filloi shpërndarja e këstit të dytë. Kjo filloi sipas një vendimi të qeverisë që shpërndarja do të bëhet për personat që janë gjallë në moshën 65 vjeç. Ne i kemi bërë një kërkesë qeverisë që të hiqet kriteri i moshës për arsye se nga kontaktet e përditshme që kemi pasur një pjesë janë kryefamiljarë, janë të papunë. Shpresojmë që të merret në konsideratë kjo kërkesë e jona.

    -Po në lidhje me fillimin e kësteve të tjera çfarë po bëhet, a keni marrë informacione?

    -Janë aprovuar fondet për deri në vitin 2015, për këstet në vazhdim. Dhe pritet që sipas afateve të përcaktuara të bëhet edhe shpërndarja për kategoritë që nuk kanë marrë në asnjë rast masën e dëmshpërblimit. Për këtë ne po presim që të zbatohen rregullat dhe afatet e përcaktuara.

    -Po kategoria e të pushkatuarve pa gjyq është një ndër kategoritë më të përfolura, por që nuk ka përfituar ende asnjë këst. Si do të procedohet me këtë kategori?

    Ka dalë një listë para pak ditësh dhe është aprovuar edhe nga Këshilli i Ministrave, pastaj Këshilli i Ministrave ia kalon për ekzekutim Ministrisë së Financës. Pas datës 15 gusht personat e interesuar, do të shkojnë që të dorëzojnë dokumentacionin që duhet dhe më pas duhet të tërheqin lekët që përfitojnë ata emra që janë të përfshirë në kategorinë e të pushkatuarve pa gjyq.

     -Para pak ditësh qeveria ka bërë miratimin e disa korrigjimeve të dëmshpërblimeve që ishin llogaritur gabim. Kur do i tërheqin këto lekë sipas informacioneve që mund të keni?

    Në Ministrinë e Drejtësisë, kanë qenë depozituar një numër i konsiderueshëm dosjesh që kanë pasur probleme me rillogaritjen. Këto gabime janë bërë nga vetë personat në plotësimin e formularëve ose janë gabime që janë bërë në regjistrin e vitit 1993-1994 kohë kur kanë marrë dëmshpërblimin e parë. Në periudhën e vitit 1993 janë dhënë dëmshpërblimet me letra me vlerë. Dhe atëherë kur janë dhënë letrat me vlerë ishte e përcaktuar që një i dënuar merrte 7.2 milionë lekë letra me vlerë dhe lekë kesh mund të merrte 200 mijë. Ka pasur raste që nga ky regjistër kanë dalë që kanë marrë 8 milionë apo më shumë dhe më vonë këto gabime janë korrigjuar nga Ministria e Financës dhe janë bërë ndryshimet përkatëse. Po kështu ka raste që personi e ka plotësuar formularin me gjuhën e vjetër dhe atij i është lexuar me gjuhën e re, si për shembull personi ka marrë 1 milion lekë letra me vlerë dhe e ka shkruajtur 1 milion, por në fakt leximi është bërë sikur ka marrë 10 milion lekë. Këto kanë qenë ndryshimet që janë bërë dhe kjo është miratuar nga Këshilli i Ministrave.

     -Kategoria e 85- vjeçarëve është një tjetër kategori që ka probleme, pasi nuk kanë marrë asnjë këst. A keni bërë ndonjë kërkesë për këtë kategori?

    -Para dy ditësh unë kam takuar ministrin e Drejtësisë, zotin Eduard Halimi, sepse në projektligjin që kemi hartuar ne kemi bërë disa kontestime. Në këtë projektligj ne kemi parashtruar që kategoria e moshës 85 vjeç brenda vitit të merrte dëmshpërblimin. Njëkohësisht kërkuam që të njihet vërtetimi i komisionit trepalësh për internimet dhe pushkatimet pa gjyq, po ashtu kërkuam që përfitues të ishin dhe fëmijët e birësuar. Shqyrtimi i dokumenteve që janë depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë janë shqyrtuar dhe projektligji ka kaluar në komisionin e ligjeve dhe në muajin shtator do të kalojë në seancat e Parlamentit. Edhe ministri i Drejtësisë më premtoi që do të kalojë në muajin shtator në Parlament.

    Dëmshpërblimet duhet të ishin dhënë më parë

    Po na vijnë ankesa, kanë probleme ekonomike dhe probleme shëndetësore. Por duhet thënë që duke marrë parasysh kushtet në të cilat jemi dëmshpërblimet po vazhdojnë. Ne e kemi thënë që edhe sikur sot t’i marrin dëmshpërblimet është tepër vonë. Por duke pasur parasysh problemet e shumta përsëri mund të themi që po bëhet punë e mirë nga ana e qeverisë për dhënien e këtyre dëmshpërblimeve që kanë për të marrë ish të përndjekurit politikë.